Tatimet: Ja si ndryshojnë rregullat për hotelet dhe lojrat e fatit

0
280

Në kuadër të paktës së re fiskale të vitit 2018 Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në një njoftim të fundit në fokus ka vendosur ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” duke u ndalur tek përfitimet për hotelet me status special, për taksimin e lojërave të fatit dhe për përjashtimin e sektorit të prodhimit apo zhvillimit të software.

Njoftim mbi ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”

Në kuadër të paketës së re fiskale, me ligjin nr.105/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar është shtuar gërma g) në nenin 18 “Përjashtimet” të ligjit, ku përfshihen strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar ndërkombëtarisht “brand name”. Përjashtimi nga Tatim Fitimi për këtë kategori, do të aplikohet për një periudhë 10 vjeçare dhe efektet e përjashtimit fillojnë nga momenti i fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit, me kushtin që ata t’a kenë përfituar statusin special deri në Dhjetor të vitit 2024. Me qëllim zhvillimin dhe stimulimin e personave juridikë që ushtrojnë aktivitete në fushën e prodhimit/zhvillimit të software-ve, tatimi mbi fitimin bëhet 5 %, ndryshim ligjor ky i pasqyruar në pikën 2 të nenit 28 “Shkalla tatimore” të këtij ligji. Gjithashtu, në këtë ligj në nenin 38 të tij, është shtuar pika 7, ku përcaktohet se “të ardhurat e organizatorëve të lojërave të fatit tatohen me tarifën tatimore mbi të ardhurat bruto, sipas kuptimit dhe përcaktimit në ligjet respektive të fushës”. Ligji nr.105/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar është botuar në fletoren zyrtare nr. 222 dhe hyn në fuqi me datë 1 janar 2018. Ju mund të konsultoni ligjin e plotë në linkun Tatimi mbi të ardhurat

Përjashtimet për hotelet

Përjashtohen nga tatimi mbi fitimin strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”. Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin, i parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.

Ulja e tatim fitimit për IT

Për personat juridikë, të cilët ushtrojnë aktivitet për prodhimin/zhvillimin e software-ve, tatimi mbi fitimin është 5%. Këshilli i Ministrave përcakton, me vendim, aktivitetet që përfshihen në fushën e prodhimit/zhvillimit të software-ve, si dhe procedurat për zbatimin e këtij paragrafi.

Lojërat e fatit

Të ardhurat e organizatorëve të lojërave të fatit tatohen me tarifën tatimore mbi të ardhurat bruto, sipas kuptimit dhe përcaktimit në ligjet respektive të fushës, ligjit nr. 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr. 95/2013 “Për miratimin e marrëveshjes së licencës për lotarinë kombëtare ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet i autorizuar, dhe shoqërisë “Oesterreichische Lotterien”, GmbH, nëpërmjet shoqërisë “OLG Project”, sh.p.k.” Detyrimi i parë për deklarimin e të ardhurave individuale vjetore, për vitin fiskal 2011, nga subjektet e parashikuara në këtë ligj, duhet të bëhet jo më vonë se data 30 shtator 2012, ndërsa pagesa e tatimit, sipas pikës 2 të nenit 13/6, të bëhet jo më vonë se data 30 shtator 2012. Kreditimi i shumave të përfituara nga skema e shpenzimeve të zbritshme, parashikuar në nenin 13/3 të këtij ligji, kryhet brenda datës 31 dhjetor të vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën është hartuar deklarata, për vitin 2011. Për vitet e tjera vijuese fiskale, afatet e mësipërme janë jo më vonë se data 30 prill.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here