Tjetër “hall” i qeverisë, s’po shet dot pasuritë e ish- firmave piramidale

0
274

Ministria e Financave dhe Ekonomisë po has vështirësi në shitjen e aseteve të ish firmave piramidale.

Pas dështimit të ankandeve të mëparshme, 14 prona të shoqërive “VEFA”, “KAMBERI” dhe “BENO” do të ridalin për shitje më 8 Janar 2018.

Pronat, që përfshijnë ish-ndërmarrje, apartamente dhe tokë truall, kapin një vlerë fillestare të përbashkët prej 142.6 milionë lekësh.

Aseti më i rëndësishëm në ankandin që do të zhvillohet pranë Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike është një sipërfaqe toke truall prej 14,030 metrash katrorë, e cila i përket ish-fabrikës së salcës në Fier. Kjo pasuri në pronësi të shoqërisë “VEFA” ka një vlerë fillestare në ankand prej 84.1 milionë lekësh.

Objekte të tjera me vlerë janë: ish-pularia në Grizë të Patosit, e vlerësuar me një çmim prej 11.1 milionë lekësh; 2 mijë metra katrorë truall stacion pompimi në Paskuqan, vlerësuar me 9 milionë lekë; si edhe punishtja e sallamit në Lushnje, me një vlerë prej 8 milionë lekësh.

Ankandi i MFE do të paraprihet nga ai i datës 4 Janar 2018, ku do të nxirren në shitje disa asete të ndryshme. Kështu, me një vlerë fillestare të përbashkët prej 16.6 milionë lekësh, do të dalin në ankand disa reparte e objekte të tjera në administrim të Ndërmarrjes së Prodhimit të Çeliqeve në Elbasan.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të nxjerrë në ankand gjithashtu ish kompleksin tregtar në Fushë-Krujë për një vlerë prej 14.6 milionë lekësh, si edhe një objekt të ish-repartit 101/K në fshatin Nivicë të Tepelenës.

Në shitje do të dalë gjithashtu edhe ish-qendra Ekonomike e Drejtorisë së Shërbimit Publik në Gjirokastër, në administrim të Ministrisë së Shëndetësisë./scan/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here