Panariti, Ramës: Lëri aksionet populiste, AKU-në e ktheve në repart policor. Parlajmërimi për përmbytjet

0
167

“Një hap i rrezikshëm dhe jo mirë i menduar është edhe kalimi në administrimin e bashkive të sistemit të kanaleve të dyta”

Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti komenton në një intervistë për gazetën “standard” zhvillimet e fundit sa i përket sektorit të bujqësisë si edhe aksionet e ndërmarra nga qeveria . Deputeti i LSI flet mbi krititikat e PS-së për punën 4-vjeçare nën drejtimin e tij të ministrisë së Bujqësisë, ku kërkon që qeveria të heqë dorë nga aksionet populiste. Gjithashtu ish-ministri jep një paralajmërim të fortë edhe për sistemin e parandalimit nga përmbytjet, ku flet për kolapas dhe rrezikshmëri që mund të kalojë në vendi kur po afron edhe sezoni i shirave.

 

Intervistoi: Gëzim Saliu

 

1-Cili është vlerësimi juaj për programin e qeverisë lidhur me sektorin e Bujqësisë?

Bujqësia kontribon në prodhimin e përgjithëshëm bruto të vendit me rreth 20%, por merr në raport me këtë kontribut vetem 0,5% të PBB. Ishte e pritshme që në programin qeveritar  të kishim një reflektim ndaj kësaj situate që do ta cilesoja si ekstreme të mos financimit të bujqësise dhe të agropërpunimit. Ne fakt një pasqyrë shumë pesimiste në këtë drejtim na ofron edhe raporti i komisionit evropian, në të cilin dëshmohet për financimin mjeran të bujqesise shqiptare me fonde buxhetore. Këto shifra nuk kane nevojë për koment. Shqipëria merr për bujqesinë nga buxheti i shtetit 3 euro për ha, Mali i Zi, 23 euro për ha, Bosnia 31 euro për ha, Kosova 45 euro/ha dhe Maqedonia 145 euro/ha.

Në fakt shifrat e financimit  të bujqësisë me fondet buxhetore të  programit të qeverisë Rama dy, janë po në të njëjtat nivele duke mos e konsideruar aspak këtë sektor jetësor si prioritar. Mbetet për t’u parë se sa dhe si do te përkthehen këto deklarata në projekt buxhetin për vitin 2018 që pritet të miratohet këtë fund viti.

2-Ministri i ri i Bujqësisë Niko Peleshi ka deklaruar se siguria ushqimore do të jetë kryefjala e qeverisjes në mandatin e dytë, duke përcjellë disa kritika për punën e kryer më parë në këtë aspekt. Cila është përgjigja juaj?

Nuk kam pse të mos e përshendes përcaktimin e sigurisë ushqimore si prioritet. Por ta shpallesh prioritet sigurinë ushqimore është njëra anë dhe ta materializosh këtë si prioritet është ana tjetër. Sepse nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Partia Socialiste e ka patur për dy vite drejtimin e AKU-se dhe më pas një tjetër aleat i saj i vogël i koalicionit. Nuk i dëgjuam si prioritete të qeverisjes së kaluar. U investua shume here më pak se vendet e rajonit në ndërtimin e një sistemi të gjurmushmërisë të ndotësve të ushqimit, mbështetur mbi parimin nga ferma në tavolinë. Nuk u mbeshtetën laboratorët rajonale dhe Instituti i Sigurise Ushqimore dhe Veterinarisë me fonde për pajisje dhe kimikate për kryerjen e analizave dhe më eshte dashur të gjej menyra alternative shpesh herë edhe të sforcuara për të kapërcyer situata  problematike të mbikqyrjes së cilësisë dhe të sigurisë ushqimore. Më është dashur të improvizoj zgjidhje nga mungesa sistematike e fondeve dhe mbështetjes.

Nëse vazhdohet me aksione populiste dhe nuk ndërtohen sisteme funksionale dhe të qëndrueshëm të survejimit dhe të parandalimit të ndotësve në zinxhirin e ushqimit, do të mbetemi vetem në deklarata por jo të zgjidhjet.

 

3-Duke mbetur tek siguria ushqimore, qeveria kanë vënë në target Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, i cili sipas kryeministrit Rama ishte kthyer në një institucion gjobash. Si i shihni këto qëndrime?

Në fakt mjerisht edhe tani Autoriteti Kombetar i Ushqimit vazhdon të konsiderohet si një repart policor që mbyll, bllokon, vë gjoba dhe penalitete. Këto ditë po dëgjojmë nga ky institucion vetëm shprehjet u mbyll, ju hoq, u pezullua, pra aksione tipike policeske. Një institucion që me mekanizmin e shtrengesave kërkon të përmiresojë gjendjen e sigurisë ushqimore në vend shkon drejt dështimit.

Nuk po degjojmë, për shpallje të kritereve dhe të standarteve të cilësisë dhe të sigurisë së ushqimit, nuk po dëgjojmë për praktika të mira të prodhimit, përpunimit dhe tregëtimit të produkteve, të afishuara dhe vënie afateve për bizneset për respektimin e tyre. Por vetem dil përjashta, të hiqet licensa, bllokohesh gjobitesh,paditesh etj.

Nuk po dëgjojmë nga ky institucion për llojet e analizave të ushqimit për parandalimin e ndotësve. Nuk po dëgjojmë nga ky institucion për fushata të sensibilizimit të konsumatorit ndaj rreziqeve me prejardhe ushqimore. Nuk po njihemi me strategjinë e institucionit për parandalimin dhe kontrollin e rreziqeve ushqimore. Nëse nuk arrihen këto, jam dakort me Kryeministrin që do të vazhdojmë me praktikën e institutit të gjobvënies së Ushqimit.

 

4-Një tjetër paralajmërim i qeverisë lidhet me thertoret në të gjithë vendin, ku sipas kreut të qeverisë brenda 100 ditëve “nuk do të ketë më therje në rrugë”. Cfarë mendoni lidhur me këtë aksion?

Pavarësisht se duhet përshëndetur, keto nuk mund të jenë objektiva qeveritare por objektiva prej kryetarësh komunash. Objektiv qeveritar tre mujor duhet të ishte përshembull përfundimi i sistemit të identifikimit, regjistrimit të kafsheve të prodhimit në shkallë vendi dhe garantimi i gjurmueshmërisë së prodhimeve blegtorale nga ferma deri ne pjatë. Nuk kam se cfarë të them më tepër, mbetet për t’u parë.

 

5- Pak ditë më parë ngritët alarmin se vendi po kërcënohet seriozisht këtë dimër nga përmbytjet dhe se ky rrezik sipas jush vjen më së shumti nga shkrirja e drejtorisë së ujërave në Ministrinë e Bujqësisë. Nisur nga fakti se jemi në hyrje të sezonit të shirave, a mund të na e shtjelloni më shumë këtë problematikë që rrezikon të kalojë vendi.

Shpresoj që qeveria të tërhiqet nga shpallja me nxitim e largimit nga Ministria e Bujqësisë, të sektorit të Administrimit të Ujërave. Nuk kam as më të voglin dyshim se kjo do ta fuste në kolaps të gjithë sistemin e parandalimit dhe të mbrojtes nga përmbytjet por edhe sistemin e ujitjes ne vend. Një hap i rrezikshëm dhe jo mirë i menduar është edhe kalimi në administrimin e bashkive të sistemit të kanaleve të dyta. Sic po e tregojnë edhe faktet deri tani, me pak përjashtime, mirëmbajtja dhe investimet në kanalet dytësore në zonat rurale nuk është në vëmendjen e bashkive, të cilat kanë si përparesi investimet në qendrat urbane duke lënë jashtë vëmendjes dhe të investimeve infrastrukturën e fshatit.

Ky destrukturim dhe kjo reformë u bë edhe në kundershtim me strategjinë e administrimit të infrastrukturës së kullimit dhe të vaditjes të Bankës Botërore dhe për rrjedhojë pritet të dështojë. Pres që të reflektohet sa nuk është vonë.

 

6– Cili është mendimi juaj për krijimin e frontit të përbashkët opozitar?

Levizja Socialiste per Integrim është shprehur qartazi për krijimin e një fronti unik opozitar, i cili presupozon sintoni dhe sinkroni të veprimit opozitar në denoncimin e trafiqeve, të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në denoncimin e përdorimit të administratës dhe strukturave të policise si dhe të parave të pista në zgjedhje. Denoncimin e shtrëngesave fiskale për bizneset e vogla dhe mbështetjen e oligarkëve,diskriminimin e shtresave në nevojë. Këto do të duhej te ishin edhe pararendëse të hapit tjetër ,pra  të ndërtimit të një koalicioni të ndërtuar mbi principe dhe piketa të qarta marrëveshjeje.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here