Basha: Përgjegjësia kryesore pë rezultatin e 25 qershorit më takon mua

0
189

Që prej 25 qershorit debati brenda PD ka qenë një nga temat kryesore të diskursit publik. Linja kritike e Lulzim Bashës të rizgjedhur në procesin e 22 korrikut, kanë vendosur të institucionalizojnë këtë lëvizje dhe t’i paraqesin kryetarit të PD-së një platformë me disa kërkesa.

Momenti politik është interesant edhe për disa zhvillime sa i përket situatës së krimit dhe të rendit e sigurisë në vend. Për këto dhe për çështje të tjera, në Top Story këtë të enjte ishte kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Intervista:

Sokol Balla: Vini në një moment kur është zyrtarizuar Lëvizja për Ringritjen e PD që ju kundërshton ju, linjën tuaj, mënyrën sesi jeni zgjedhur si kryetar. Ridvan Bode tha se Lulzim Basha tashmë duhet të japë dorëheqjen. A keni një koment për këtë institucionalizim të kësaj lëvizjeje brenda partisë tuaj?

Lulzim Basha: Partia Demokratike ka normat dhe institucionet e saj. Për mua si kryetar i saj në raport me detyrat që kam para anëtarësisë dhe në raport me moralin dhe vlerat është e rëndësishme që zëri kritik të dëgjohet dhe të ketë hapësirë në veprimtarinë e PD. Në këtë kuptim, krijimi i kësaj hapësire është detyra kryesore. I kam dëgjuar dhe do t’i dëgjoj vazhdimisht kritikët. PD është futur në një proces analize dhe konsultimi nga e cila do të dalë me vendime sa i përket organizimit dhe ndryshimeve statutore, por ndërkohë PD ka një detyrë shumë të rëndësishme para gjithë shqiptarëve si opozita e vendit dhe kjo detyrë është përballja me keqqeverisjen dhe tregimi i një shtegur të ri për Shqipërinë që sot është në prag gremine. Pra çështja forcimit të PD-së për t’iu përgjigjur sa më mirë qytetarëve në këtë kohë kaq kritike për vendin janë shqetësimi im kryesor. Në këtë kuadër çdokush që ka mendime dhe propozime do të vazhdojë të ketë hapësirën për t’u dëgjuar dhe së bashku me anëtarësinë e PD të kontribuojë që këto ndryshime ta bëjnë PD më të fortë dhe më të gatshme për t’u përballur me këtë sfidë të madhe të Shqipërisë.

Sokol Balla: Çfarë doni të thoni që do të ketë hapësira, pasi realiteti ka gjithmonë dy anë. E para, që në momentin që Berisha nuk është më kryetar i PD “mori fund periudha e drejtimit me autoritet” të PD. Që nga dita e parë që ju u zgjodhët në krye të PD në 2013, debatet brenda partisë kanë qenë të pranishme pothuajse çdo ditë. Ju nuk jeni shquar se i keni shuar, shtuar apo keni marrë masa që mund të jenë marrë në të shkuarën në PD. Por ama, ju keni deklaruar se nuk do të ketë fraksione përsa kohë ju do të jeni kryetar i PD. Atëherë, nga kjo platformë sa do të jeni të gatshmë të pranoni që të aplikohet?

Lulzim Basha: Është gabim që të shikohet si një proces negociatash mes meje dhe një grupi anëtarësh të PD.

Sokol Balla: Kështu e kanë paraqitur ata. Kanë hedhur…gati pothuajse për negociim, prandaj po ju pyes.

Lulzim Basha: Unë gjykoj që është një gabim i madh për publikun dhe në veçanti për anëtarët e PD ta vendosim këtë si një proces negociatash mes meje dhe një grupi anëtar të PD që kanë qëllimet e tyre, dëshirat e tyre për të kontribuar në forcimin e PD. Ky është një proces që është përfshirë e gjithë partia. Para 10 ditësh kryesia ka marrë një vendim unanim, që hap siparin e një procesi konsultimi me të gjithë anëtarët e PD. Vullneti im, por edhe këmbëngulja ime është dhe do të jetë gjithmonë që çdokush të gjejë hapësirën për t’u dëgjuar dhe konkuruar dhe për të garantuar konkurencën më të ndershme në forumet e PD. Kjo më karakterizon dhe në këto katër vite synimi im nuk ka qenë të shuaj, por të nxis debatin brenda PD. Si përfaqësues i një gjenerate shqiptarësh që u është dhënë mundësia të prekin kulturën dhe normat e perëndimit që në rini, që debati i argumentuar e shëndosh dhe e forcon bashkëpunimin mes njerëzve që ndajnë vlera dhe vizion për të nesërmen e vendit. PD është një grupim njerëzish që bashkohen në vlera, në kontribute dhe vizione sesi Shqipëria duhet të dalë nga kjo gjendje dhe të plotësojë dëshirat e qytetarëve që kanë probleme të jashtëzakonshme. Papunësia, emigracioni, mirëqënia e mbi të gjitha siguria. Qytetarët ndjehen të kërcënuar, të trembur, rrugët e qyteteve tona bëhen përditë skena të ngjarjeve makabre ku fëmijët e shqiptarëve po kërcënohen përditë. Misioni është t’u tregojmë shqiptarëve rrugëdaljet nga kjo situatë, që tejkalon çdo axhendë personale, ndaj PD i përvishet misionit për të dalë nga ky proces më e fortë pa përjashtuar askënd që me të vërtetë dëshiron të japë kontributin për një opozitë të fortë dhe alternativë të besueshme për qytetarët shqiptarë.

Sokol Balla: Ju përmendet disa gjëra, ku ka disa pika të përbashkëta me të ashtuquajturën platformë për ringritjen e PD. Edhe ata flasin për një proces 9 mujor konsultimi, debati. Flasin për garë, pra që ky grupim kërkon që të marrë pjesë në garë me një komision elektoral të brendshëm, me një komision garancish ku ata të kenë drejtimin dhe një pikë tjetër, dorëheqjen e kryetarit nëse humbet zgjedhjet. Në këtë fushatë konsultimesh që ka nisur PD, që përkon me fushatën e zgjedhjeve të brendshme…

Lulzim Basha: Është një fushatë konsultimi me anëtarësinë për të vendosur për hapat që do të hedhim edhe në raport me organizimin e brendshëm të PD dhe ndryshimet e statutit.

Sokol Balla: Mund të ketë një përputhje me këtë axhendën që ata e kanë hedhur për negociatë tek ju?

Lulzim Basha: Unë që prej zgjedhje sipas parimit “një anëtar, një votë” kam qenë në kontakt me anëtarësinë e PD dhe vazhdoj të jem në kontakt me të. Kjo është një çështje e cila sot diskutohet nga e gjitha baza. Cilat janë rrugët që duhet të ndjekim që PD të dalë më e fortë për t’u përballur me sfidat. Këtu çdokush pa asnjë përjashtim duhet dhe do të kenë hapësirën e garantuar për të dhënë idetë e tyre dhe për këdo që do të ketë dëshirën për të konkuruar.

Sokol Balla: Por ama jo si grupim i organizuar siç ata janë paraqitur?

Lulzim Basha: Sesi paraqiten anëtarët e PD, u takon atyre. Anëtarët janë të organizuar në nivel territorial në bazë të seksioneve dhe degëve. Janë të organizuar sipas fushave të jetës që ndjekin. Pra anëtarët e PD e kanë një organizim në bazë të rregullave të PD dhe zbatimi i këtyre rregullave dhe ndryshimi për ta bërë vendimarrjen më demokratike, më transparente është një nga qëllimet kryesore të procesit që ne i hymë.

Sokol Balla: Po në rast se ju sugjerojnë se ndoshta në PD për t’u lënë vend të gjithëve dhe për të shmangur një çarje të re, është mirë që të lejohen fraksionet?

Lulzim Basha: Është spekuluar shumë me çështjet e fraksioneve.

Sokol Balla: Ata si fraksion kanë dalë, sepse janë të organizuar tashmë.

Lulzim Basha: Fraksionet janë risi e partive ideologjike për një grup njerëzish që nuk ndajnë pikëpamjet e partisë të qëndrojnë dhe të ruajnë pikëpamjet e tyre.

Sokol Balla: Pra ju thoni që ky grup nuk ndan mendime të ndryshme nga ju?

Lulzim Basha: Unë nuk marr përsipër të komentoj asnjë bashkim anëtarësh të PD që mund të kenë një mendim për aksionin politik, një mendim për platformën e PD, që duhet të ketë rrjedhën e vet për t’u zyrtarizuar në parti, ose për t’u hedhur poshtë përmes rregullave që ka partia. Nuk ka dhe nuk mund të ketë fraksion kur vjen me propozime për ndryshimet statutore, apo që kanë të bëjnë me mirëqeverisjen e Partisë Demokratike.

Sokol Balla: U duk sikur ky grupim u motivua shumë pas daljes së Sali Berishës që ju kritikoi direkt për mënyrën sesi bëtë listat, duke shmangur forumet, duke futur ndoshta njerëz për interes, duke kritikuar platformën tuaj elektorale dhe këshilltarët tuaj elektoral dhe duket sikur ata u motivuan pas kësaj dalje të ish-kryetarit?

Lulzim Basha: Mua nuk më rezulton kështu. Ka një grup kritikësh ndaj meje dhe kritika kryesore e anëtarësisë ka qenë për kohën kur është bërë, para zgjedhje. Pra, nuk është diçka e re, por kanë qenë qëkur u shpallën listat për kandidatët për deputetë të PD-së. Por, unë i mbetem asaj që thashë; jam i hapur për të dëgjuar të gjitha kritikat konstruktive apo jo. Detyra ime si kryetar i PD është të tregoj gjerësinë maksimale që çdokush ta ndjejë veten të përfaqësues në debatin e nisur tashmë brenda anëtarësisë dhe është anëtarësia ajo që do të vendosë.

Sokol Balla: Në këtë studio Eduard Selami u distancua nga kjo lëvizje dhe tashmë u rreshtua pas jush, megjithëse hyn tek kritikët, në përpjekje për të ringritur PD dhe duke e quajtur legjitimitetin tuaj fakt të kryer, një gjë që e konteston grupi tjetër. Megjithatë, edhe zoti Selami edhe grupi i kritikëve që kërkojnë këtë garë, thonë se përse Basha nuk distancohet nga faktet që u treguan me zë dhe figurë që vota e 22 korrikut u manipulua? Pra i referohet rasteve që janë publikuar në mediat për mënyrën sesi është votuar më 22 korrik. 

Lulzim Basha: Në radhë të parë duhet të konstatohen faktet. Procesi i votimit për kryetarin e PD ka qenë procesi më masiv i një partie politike në Shqipëri. Edhe unë kam parë raste në Youtube, por nuk ka patur asnjë rast institucional që do të ngrihej dhe ndiqej nga komisioni i zgjedhjeve. Nuk ka patur asnjë rast të tillë. A do të thotë kjo që nuk ka pas asnjë shkelje? Jo dhe nëse ka pasur shkelje distancohem dhe i dënoj në mënyrën më të fuqishme. Ata që kanë pasur me të vërtetë këtë shqetësim, gjëja e parë që duhet të kishin bërë duhet t’i kishin dorëzuar tek institucionet e partisë dhe të mos i përdorin për të baltosur një proces që përfshiu afro 60 mijë demokratë.

Sokol Balla: Në daljen e tij publike, zoti Berisha dukej i shqetësuar për atë që mund t’i ndodhte PD nëse kjo çarje nuk mbyllej shpejt. Mendoni që kjo lëvizje mund ta çojë PD drejt një çarje të re?

Lulzim Basha: Absolutisht jo! Kushdo që ka interesin e PD në mendje e di këtë. Anëtarësia e PD është e zgjuar dhe di të ndajë shapin nga sheqeri dhe interesat publike nga ato personale. Aty ku ka propozime të vlefshme, që vërtetë shërbejnë për të bërë PD më të fortë jam i sigurtë që anëtarësia do të dijë t’i vlerësojë, t’i përqafojë dhe t’i mbështesë.

Sokol Balla: Por cili do të jetë mekanizmi? Këta ofrojnë mekanizmin e votës, pra thonë na testoni!

Lulzim Basha: Sigurisht që përmes mekanizmit të votës. Në këtë aspekt, nëse një nga propozimet është që PD të demokratizojë akoma më tepër vendimarrjen, s’është asgjë tjetër vetëm sekondim dhe mbështetje i asaj që unë mbështes gjatë këtij procesi, pra që të decentralizojmë më shumë vendimarrjen dhe që këto vendime të përfshijnë sa më shumë anëtarë të PD. Nëse ka pika ku kemi propozime të njëjta dhe të përafërta kjo kontribuon në forcimin e vendimarrjes së partisë. Efektivisht tek një pjesë e tyre nuk ka ndodhur asgjë përveçse nuk janë deputetë. Kjo nuk duhet të shërbejë as për të ulur dhe shkëputur vendimarrjen e Partisë Demokratike. Procesi sapo ka nisur dhe ai përfshin gjithë anëtarësinë.

Sokol Balla: Megjithatë, zoti Berisha ju bëri një kritikë të fortë që besoj se qëndron, që e bëtë këtë pa respektuar institucionet. Pra morët një vendim personal. Mendoni që keni bërë gabim kur bëtë një listë të tillë?

Lulzim Basha: Gjithçka ka ndodhur në një kontekst të veçantë dhe një afat kohor të kufizuar. U detyrova të marr një vendim personal dhe këtë nuk e kam fshehur. Ditën kur kam marrë këtë vendim kam thënë që kjo është hera e fundit kur kryetari i PD bën listën e deputetëve. Besoj që kjo që këtej e tutje do të jetë e drejta e anëtarësisë. Ka qenë një kthesë e fortë 90 gradë nga një protestë tek një marrëveshje politike që kaluam nga gjendja e protestës në fushatë. Unë nuk e kam fshehur asnjëherë këtë. Absolutisht që janë përgjegjësitë e mia dhe përgjegjësitë e mia janë kryesore si kryetar i PD. Ajo që dua të them sot, është që në nivelin taktik ka gjëra që duhet të ishin bërë ndryshe. Në nivelin politik nuk ka patur asnjë kompromis në kurriz të shqiptaëve.

Sokol Balla: Mendoni që do të ishte kjo lista nëse do të ishin pyetur forumet dhe mendoni që do të kishim të njëjtin rezultat nëse lista do të ishte ndryshe.

Lulzim Basha: Nuk mendoj se ka ndonjë dobi që të futemi në skenarë hipotetikë. Rrjedha e ngjarjeve imponoi këtë skenar. Më vuri para përgjegjësisë për të marrë vendime të vështira. Unë nuk iu shmanga kësaj përgjegjësie dhe mora këtë vendim të vështirë, sikundër m’u desh të merrja edhe para edhe pas. Përmes procesit që sapo ka nisur me anëtarësinë, të garantohet jo thjeshtë një ndryshim statutor, por një normë e re e vendimarrjes ku roli i anëtarësisë të jetë përcaktues, jo thjeshtë konsultues.

Sokol Balla: A ka një përgjegjësi Lulzim Basha për humbjen më 25 qershor?

Lulzim Basha: Përgjegjësia kryesore e humbjes në zgjedhje më takon mua dhe e kam bërë këtë proces analize sepse nuk mund t’i ikja edhe gjatë procesit të zgjedhjeve për kryetar të partisë. Për pjesën brenda nesh…. Mos harroni se ne dolëm nga një “luftë”, ishim në zgjedhje në një “luftë” me krimin e organizuar, jo me kundërshtarët politikë, por me krimin e organizuar në aleancë me kundërshtarin politik. sa i përket faktorit të brendshëm, përgjegjësia kryesore është e kryetarit, është e imja.

Sokol Balla: Keni thënë që marrëveshja e 18 majit ka vdekur, do të thotë kjo se kërkoni një marrëveshje të re?

Lulzim Basha: Se çfarë kam thënë unë nuk është një parrullë politike. Po të thoja që marrëveshja është ende gjallë do të ishte një gënjeshtër për të gjithë shqiptarët.

Sokol Balla: Pala tjetër pretendon që marrëveshja vazhdon.

Lulzim Basha: Ky është cirk! Thelbi i marrëveshjes ishte që të bëheshin të gjitha përpjekjet për të garantuar votën e shqiptarëve. Deri para një jave e thonte vetëm opozita, si sot një javë e ka thënë OSBE/ODIHR. Dimensioni i shit-blerjes së votës u konstatua për herë të parë si një dimension masiv dhe sistematik në të gjithë Shqipërinë. Në rekomandimet prioritare të OSBE, i pari është reforma zgjedhore dhe i dyti masa kundër shit-blerjes së votës, presionit të administratës dhe aktivitetit kriminal në fushatë. Pra janë tre çështje që dominojnë raportin. Nga raporti nxjerrim që vota e 25 qershorit u ble, u dhunua dhe u tjetërsua.

Sokol Balla: Nuk e thotë këtë raporti.

Lulzim Basha: Këtë e nxjerrim nga raporti. Nëse raporti rekomandon reformë prioritare masat kundër shit-blerjes së votës, do të thotë që raporti ka guxuar më së fundi të thotë atë që nuk guxoi në 2015, të thotë atë që këtu problemi kryesor është shit-blerja e votës dhe dhunimi i saj. Ky është një problem shumë i madh për Shqipërinë. A jemi sot në një gjendje ku shumica e shqiptarëve duan të ikin nga vendi? Si asnjëherë më parë! Papunësia është thelluar, çmimet janë rritur dhe tani po bëhen gati të rrisin prap taksat dhe krimi sundon rrugët. Pse kemi ardhur këtu? Mendoni që mirditorët votuan librat me çmime tregu kur kishin në dorë të votonin platformën e Partisë Demokratike? Sot nuk kemi një qeveri që vjen përmes një vote të lidhur me bilancin dhe alternativën, por përmes një vote të tjetërsuar nga krimi. Ky është problemi kryesor i këtij vendi. Reforma elektorale nuk e zgjidh dot këtë problem. Reforma duhet të nisë tani për të nisur me votimin dhe numërimin elektronik.

Sokol Balla: Raporti i OSBE nuk e përmendte fare këtë. Thotë që kjo është në dorë të partive politike.

Lulzim Basha: Sigurisht në dorë të partive në kushtet kur procesi sundohet nga krimi dhe bandat. Votimi elektronik jep mundësinë për të bërë njëfarë kufizimi. Po nuk pati vullnet politik për të shkëputur lidhjen krim-politikë, çdo sistem zgjedhor të zgjedhim ne, qeveria nuk do të vijë për shkak të besimit të qytetarit sepse sheh alternativën që i pëlqen, por përmes tjetërsimit të votës.

Sokol Balla: Jeni dakord me sugjerimin e OSBE/ODIHR për komisione apartiake?

Lulzim Basha: Në parim po. Në praktikë çfarë do të thotë kjo? Kush janë apartiakët në Shqipëri? Administrata është në presion të tmerrshëm, mësuesit nën presion të tmerrshëm.

Sokol Balla: S’e di! Ndoshta bankierët, si në Angli.

Lulzim Basha: Mos flasim për efektet financiare që ka droga se edhe për ato ka raporte që tregojnë që sistemi financiar në Shqipëri ka rënë pre e pastrimit të parave të drogës, që është sot një sektor më i madh se punët publike.

Sokol Balla: Ju thoni që niveli i dytë i bankave, që quhet një sukses i Shqipërisë të viteve 2000, ka rënë pre e pastrimit të parave të krimit?

Lulzim Basha: Ne disponojmë informacione si opozitë që kanë nisur fajdet e baronëve të drogës dhe bizneset në gjendje katastrofike që janë, e kanë më kollaj të shkojnë tek peshkaqenët sesa të shkojnë tek sistemi bankar. Këtë e kam deklaruar më parë që paratë e drogës do të depërtojnë në ekonomi dhe në financat e shtetit. Sot me bankat shqiptare rivalizojnë peshkaqenët e fajdeve me paratë e drogës. Reformën zgjedhore e kemi shtruar për një arsye sot, që sa më shpejt të nisë puna për ngritjen e sistemit elektronik. Por kjo nuk mjafton. E para ndërgjegjësimi i çdo shqiptari, në veçanti i atyre që kanë qenë në presion të votojnë përkundrejt parave dhe kërcënimeve apo atyre që u kanë thënë rrini në shtëpi dhe mos votoni për t’iu bashkua atyre mbi 450 mijë vetëve që nuk iu përkulën krimit për t’u bërë bashkë. Nuk ka rrugë tjetër për ta ndalur këtë të keqe. Kjo është një e keqe që e ka burim tek politika. Është qeveria, është Edi Rama që u hapi derën këtyre. Krim të organizuar në Shqipëri ka patur gjithmonë. Ndryshimi sot është që kemi një shkëmbim favoresh mes politikës dhe krimit.

Sokol Balla: Dhe ky është problem vetëm i Edi Ramës thoni ju?

Lulzim Basha: Në këtë rast, në këto zgjedhje krejtësisht i Edi Ramës.

Sokol Balla: Ju jeni akuzuar nga një ambasador tjetër amerikan, jo publiksht siç doli Donald Lu, por në një kabllogram të publikuar nga Ëikileaks më 13 korrik të vitit 2009, ku zoti Ëithers ju akuzon ju personalisht, zotin Alibeaj dhe të ndjerin Sokol Olldashi se keni ndihmuar një element kriminal të lirohet nga burgu para zgjedhjeve të qershorit të 2009.

Lulzim Basha: Kjo nuk është e vërtetë! Zoti Ëithers në këtë kabllogram për të bërë një balancë për faktet e tmerrshme që jep për të tjerët për lidhjet e titullarëve të PS me krimin e organizuar dhe trafiqet, për të cilët në kabllogram thuhet se u është ndaluar hyrja në SHBA, thotë që një burim i PS pretendon se Basha etj, etj. Unë që atëherë e kam refuzuar si një shpifje të pastër.

Sokol Balla: Pra thoni që PD ka qenë imune ndaj kësaj sëmundjeje?

Lulzim Basha: Po them diçka tjetër që s’ke si mos e verifikosh, që në 2009 PD futi Shqipërinë në NATO, që në 2010 PD mundësoi heqjen e vizave. Këto dy hapa janë të pamendueshëm pa një luftë kundër krimit të organizuar. Unë kam qenë edhe autor se kam qenë ministër i Brendshëm. Ne kemi patur rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe bandat jo vetëm që nuk bënin ligjin, por ishin prapa hekurave. Në 2005 krimi kishte vënë poshtë politikën dhe ne na u desh një përpjekje gjigante, që rezultoi e suksesshme sepse kishte vullnet politik. Çfarë ka ndodhur sot? Pse bandat kontrollojnë territoret dhe pse rrezikojnë jetën e fëmijëve nëpër sheshet e qyteteve, ku një herë në dy ditë kërrcet automatiku? E vetmja gjë që ka ndodhur është që nuk ka vullnet politik sepse ata që janë përgjegjës për të drejtuar luftën kundër krimit, ata janë të lidhur me krimit dhe konkretisht ata emra që përmenda dhe dhjetra të tjera nga Shkodra në Sarandë dhe nga Korça deri në Durrës janë patericat politike të Edi Ramës. Me ta ka dhunuar vullnetin e qytetarëve dhe me ta ka tjetërsuar  vullnetin më 25 qershor. Kjo është situata sot.

Sokol Balla: Dini diçka më shumë për këto 20 familje dhe 4 klane të përmendura nga ambasadori Lu?

Lulzim Basha: Ambasadori nuk ka thënë diçka të re. Ai ka përsëritur ato që ka thënë Departamenti i Shtetit dhe vetë ka cituar raportin e DASH, të cilin edhe në seancat e kaluara parlamentare e kam cituar për të hedhur poshtë një përpjekje të mjerë të Kryeministrit që këto janë shpifje të opozitës. DASH e ka thënë qartë, që Shqipëria është sot bazë e krimit të organizuar. Ambasadori ka lexuar këtë raport dhe ka përsëritur thirrjen që qeveria t’i shpallë luftë krimit. Kjo nuk është çështje policësh të korruptuar, por politikanësh të lidhur me krimin, ndaj t’i kërkosh Edi Ramës të luftojë krimin është njësoj si t’i kërkosh të luftojë vetveten.

Sokol Balla: Keni thënë që do të nisni një aksion të ri politik sa i përket luftës kundër krimit. Dorëzuar në prokurori një kërkesë për hetime të mëtejshme për dy deputetë, një të PDIU dhe një të PS. Keni të dhëna konkrete që për zotin Gjetani dhe zotin Rakipi kanë lidhje apo të shkuar kriminale?

Lulzim Basha: Krimi dhe problematika që shkakton tek njerëzit, burimi kryesor nuk janë mediat apo analizat tona, është kontakti me njerëzit. Njerëzit janë të trembur nga krimi, prek jetën e tyre. Kanë frikë nga krimi. Krimi goditi me makinë të blinduar policinë, e vuri përpara. Të gjitha këto ndodhin sepse peshku është qelbur nga koka, sepse politika është bërë njësh me krimin. Ne vazhdojmë misionin tonë dhe misioni ynë është zbatimi i plotë i ligjit të dekriminalizimit. Në këtë kuadër ne mbledhim informacione. Për këta dy deputetë kemi informacione të besueshme dhe i jemi drejtuar Prokurorisë të bëjë detyrën e saj. Jemi në shqyrtim të informacionit edhe për deputetë të tjerë të mazhorancës. Jemi në verifikim dhe u bëj thirrje qytetarëve që të denoncojnë.

Sokol Balla: Një aksion të tillë e paralajmëroi edhe zoti Balla, kryetar i Grupit Parlamentar socialist, por një ditë më parë zonja Kryemadhi, kryetarja e LSI-së propozoi krijimin e një fronti kombëtar kundër krimit dhe ftoi parti të majta dhe të djathta që t’i bashkohen asaj. Do t’i merrni në konsideratë këto oferta? I gjykoni si të sinqerta këto dy oferta?

Lulzim Basha: Nuk e kam parasysh këtë të zotit Balla, por PS për fat të keq dhe këtu nuk e kam fjalën për anëtarët e thjeshtë, por e kam fjalën për lidershipin, sot nuk është zgjidhja, por është problemi dhe aleanca e shpallur e tyre me krimin. Kam katër vjet që e them këtë dhe koha për fat të keq më ka dhënë të drejtë. Nuk zgjidh asgjë në Shqipëri, asgjë nuk zgjidhet, as korrupsioni i vogël i administratës pa shkëputur kokën e qelbur dhe këtu janë të ftuar të gjithë, sepse pa fituar këtë betejë Shqipëria nuk ka të ardhme.

Sokol Balla: Ky fronti i përbashkët që po konceptohet kundër krimit dhe lidhjeve të tij me politikën, mund të jetë një bazë bashkëpunimi serioz dhe afatgjatë këto katër vite me LSI-në, se më bëri përshtypje edhe ai takimi i përzemërt me Monika Kryemadhin në Parlament?

Lulzim Basha: Takimin e përzemërt ta diskutojmë në emisionin e Pasdites. Ne këtu jemi në emision politik dhe këtu nuk flasim për gjëra që kanë një interes sipërfaqësor. Thelbi politik është që PD është e vendosur në këtë betejë dhe në kushtet kur kemi një kundërshtar të bërë njësh në aleancë me krimin ne jemi në llogore. Kushdo që ndodhet në të njëjtën llogore për të mbrojtur interesat e njerëzve është i mirëpritur. Pozicioni ynë është i qartë dhe nuk kushtëzohet nga asgjë tjetër përveç interesit të qytetarëve.

Sokol Balla: Aleancë formale mes dy partive?

Lulzim Basha: Iu përgjigja qartë kësaj pyetjeje. Aleancat formohen kur je në qeveri. Në opozitë ka qëndrime për krimin, për plehrat, për taksat. Janë këto që përcaktojnë sesi sillen forcat politike karshi njëra-tjetrës. Qëndrimi ynë është i qartë dhe unë ftoj forcat e tjera politike që të mbajnë qëndrime të qarta për luftën kundër krimit të organizuar, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për ekonominë në kolaps, për ngritjen e taksave, që është gjëma më e madhe që po i bëhet këtij vendi.

Sokol Balla: Kujt i referoheni kur flisni për rritjen e taksave?

Lulzim Basha: Ka një plan të qartë për të rritur taksat, sepse qeveria ka dështuar në katër vite me programin fiskal. Ka rritur borxhin, ka rritur taksat dhe ekonomia është në kolaps.

Sokol Balla: Si mund të ndodhë kjo kur FMN thotë se ekonomia është në rritje me mbi 4 përqind?

Lulzim Basha: Jo! Edhe po ta marrim për të mirëqënë shifrën e INSTAT-it. FMN i referohet gjithmonë INSTAT dhe INSTAT sot është totalisht nën kontrollin qeveritar. Po le ta marrim edhe këtë shifër për të vërtetë dhe kjo rritje vjen nga dy investime të huaja të planifikuara gjatë qeverisjes së PD; TAP dhe investimi në hidrocentralet në Banjë dhe të Moglicës. Këto janë investime të mëdha, por të kufizuara në gjeografi dhe në impaktin që japin. Nuk kanë impakt në rritjen e punësimit, pra është një lojë me shifrat. Shqipëria është në krizë të thellë ekonomike dhe këtë nuk e ka kompensuar fakti që paratë e drogës konkurojnë me investimet publike të qeverisë. Pra, investimi më i madh i qeverisë Rama është droga dhe jo investimet publike.

Sokol Balla: Keni një qëndrim tek ekonomia?

Lulzim Basha: Marrëzia e fundit është ideja që tani TVSH të paguhet nga biznesi i vogël. Pra, zhdukja e biznesit të voglë. Është sharlatanizëm ekonomik që vjen nga dyshja që ka një rekord dështimesh në ekonomi, që është Rama-Ahmetaj, por është më shumë se sharlatanizëm ekonomik. U tregon qartë shqiptarëve se kujt u shërbejnë këta njerëz. Prej kohësh manjatët kërkojnë që t’u transferohet TVSH-ja tek biznesi i vogël dhe këta nuk bëjnë gjë tjetër, por janë bërë shërbëtorët e manjatëve. Kjo është shkatërruese për biznesin e vogël. Do të kërcënojë mbi 280 mijë vende pune që janë të lidhura drejtpërdrejtë me biznesin e vogël. I shkatërron dhe i çon në faliment total sepse biznesi i vogël nuk ka kapacitete që të angazhohet në pagesën e TVSH-së dhe rimbursimin e saj, sepse vetëm kontabilistët për t’u përfshirë në këtë veprim, do të thotë që të gjithë fitimin e vet të paguajë llogaritarin. Nuk mund të ndodhë kjo. Zgjidhja është rritja e kufirit të biznesit të vogël tek 12 milionë lekë dhe kjo do të mundësojë nga njëra anë të zgjidhet një problem i drejtë në raport me biznesin e madh për këto fatura dhe e dyta, do të çlirojë biznesin e vogël, që është shtylla e ekonomisë shqiptare që në këto ditë kaq të vështira të mos ketë një çekan tjetër mbi kokë. Prandaj është një sharlatanizëm që rrezikon edhe më shumë gjendjen ekonomike në të cilën gjendet vendi.

Sokol Balla: Sa i përket propozimeve që ju do të bëni. Si mendoni do të jetë aksioni opozita këto katër vjet përballë arrogancës së numra dhe të një mandati të dytë?

Lulzim Basha: Nuk ka asnjë shpresë që të ketë një funksionim normal mazhorancë-opozitë, ku mazhoranca do të përballet me alternativat e saj, opozita të ketë propozimet e saj. Gjithçka është fiktive sepse nis me shtrembërimin e votës. Nuk mund t’u thuash shqiptarëve që ju meritoni librat me çmime tregu sepse këtë qeveri votuat, sepse kjo nuk është e vërtetë sepse mes votës për libra me çmime tregu dhe votës për libra të subvencionuar nga buxheti i shtetit, natyrisht që shqiptarët do të zgjidhnin këtë të dytën.

Sokol Balla: Kjo mazhorancë do të jetë për katër vite, nëse gjërat shkojnë në një rrjedhë normale demokratike.

Lulzim Basha: Nëse gjërat shkojnë në një rrjedhë demokratike, kjo qeveri bie që nesër. Zgjidhja është kjo, si të kthejmë rrethanat për një demokraci funksionale? Hapi i parë është të nisim reformën zgjedhore, votimin dhe numërimin elektronik. Ky hap është i pamjaftueshëm sa kohë qeveri është e lidhur me krimin, ndaj lufta ndaj krimit të organizuar dhe lidhjeve qeveritare me të është prioritet absolut. Kjo nuk zgjidhet as duke i bërë thirrje ndërgjegjes së Xhafës as duke i bërë lajka Edi Ramës. Edi Rama nuk e lufton dot krimin sepse i bie të luftojë vetveten. 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here