Larg mëdyshjeve dhe shënjestrave të dyzuara, koha për opozitë ballore

0
193

Nga Gëzim Saliu

Zgjedhjet e 25 qershorit padyshim u cënuan rëndë nga parregullsitë e shumta që u vërtetuan më pas edhe nga raporti i OSBE/ODIHR-it ,por edhe nga provat me zë e figurë të rasteve të shitblerjes dhe tjetërsimit të votës. Përkundrejt qëndrimeve të partisë fituese të këtyre zgjedhjeve, e cila duke marrë shkas edhe nga marrëveshja me Partinë Demokratike, e cilësoi 25 qershorin si procesin më të kontrolluar nga brenda nga pakica parlamentare në historikun e politikës shqiptare, mbetet fakt se standarded u cënuan. Në raportin e OSBE u përcaktua qartësisht se në këto zgjedhje pati vonesa dhe parregullsi; ndërhyrje nga aktivistë partiakë të autorizuar; transparencë jo gjithnjë të garantuar si edhe besimi të ulët elektoral. Gjithashtu ishin të shumta akuzat jo pa bazë ndaj Partisë Socialiste për një fluks parash të përdorur për blerjen e votuesve, para të cilat sipas akuzuesve ( jo vetëm opozitarë) vinin nga trafiku i lëndëvë narkotike, i cili pati boom-in e tij më të madh gjatë 4-viteve të qeverisjes së shkuar. Përpos këtij diskutimi, i cili kërkon një analizë më vetë për faktin se cilat duhet të jenë hapat që duhet të ndërmerren nga të gjithë faktorët e përfshirë në proces për të çrënjosur përfundimisht “kulturën” e zgjedhjeve të blera, ajo që mbeti nga 25 qershori ishte rezultati i prodhuar. Dhe fakti është se në krye të vendit do të jetë një qeveri e tëra socialiste me pushtet të pakufizuar dhe me një “timonier” të vetëm.

Në këto kushte e gjithë vëmendje përqëndrohet tek krahu opozitar, i cili në këtë mandat nuk duhet të ketë vend për asnjë mëdyshje apo target “gri” në betejën e tij të shtrirë në disa fronte. Rezultati zgjedhor diktoi se opozita do të përbëhet nga dy parti kryesore sic janë : partia Demokratike e cila mori 43 mandate dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që arriti të marrë 19 mandate deputeti. Duhet theksuar se këto dy parti janë tërësisht të kundërta sa i përket ideologjisë apo edhe ideve programore, ku PD militon djathtas dhe LSI qartësisht majtas. Po ashtu në katër vitet e fundit PD ka qenë në opozitë e ndërsa LSI në qeveri, megjithëse kjo e fundit është dalluar jo pak herë për zërin kritik brenda rradhëve të mazhorancës.

Por përtej këtyre dallimeve të qarta mes dy partive, të cilat me siguri do të mbeten të tilla edhe në vazhdim ( ndoshta gjithmonë) , situata aktuale politike me një mono-mazhorancë të super pushtetshme paraqet domosdoshmërinë e një aksioni të përbashkët opozitar. Aq më tepër që PS ka vërtetuar jo në pak raste në 4 vitet që lamë pas, se është e prirur ndaj gjithëpushtetit, arrogancës qeveritare dhe favoreve klienteliste. Në këto kushte, duket me rëndësi parësore që dy partitë kryesore të pakicës të jenë të bashkuara në aksionin opozitar duke krijuar një front ballor dhe pa ekuivoke ndaj mono-mazhorancës. Një opozitë e përçarë në betejën e saj do t’i shërbente më së miri partisë së vetme në pushtet për të ecur e qetë në rrugën e saj “private” të pushtetit.

Nga ana tjetër ky unifikim beteje opozitare nuk shkrin aspak dallimet e shumta që kanë dy partitë me njëra-tjetrën, përkundrazi lë të hapura edhe qëndrimet e ndryshme për çështje të shumëllojshme që mund të vijnë nga vendimmarrje të qeverisë apo projektligje të caktuara.  Unifikimi i betejës opozitare do të jetë i vlefshëm për çështje apo vendimmarrje ku qeveria qartazi shkel ligjin, ndërmerr veprime arbitrare kundër interesit publik, nxit korrupsionin dhe krimin, favorizon klientelën pranë pushtetit apo edhe nuk arrin përmirësime në sekorët bazikë të shoqërisë.  Në të tilla raste, padyshim të dyja partitë opozitare nuk munden të kenë qëndrime të ndryshme, beteja e tyre duhet të jetë e përbashkët dhe me target të përcaktuar qartë. Në të kundërt, partia e pushtetit do të ketë mundësi më të mëdha për të paraqitur të “vërtetat” e saj, duke marrë argumente shtesë edhe nga qëndrimet e përçara të kampit opozitar.

 

Ndërkohë përgjatë këtyre muajve të verës, që pas zgjedhjeve të 25 qershorit është vënë re një front opozitar me qëndrime të ndara dhe pa fuqinë e duhur për t’iu kundërvënë mazhorancës socialiste. Në këtë situatë mund të themi se ka ndikuar edhe stina, pasi sic ka ndodhur shpesh në politikën shqiptare, pas zgjedhjeve e deri në konfigurimin e qeverisë së re, janë të pakta reagimet opozitare të asaj që sapo është përcaktuar si pakica e re parlamentare në vend. Kështu nga njëra anë, PD është mjaftuar me disa qëndrime në rrjetin social të kryetarit dhe përfaqësuesve të saj apo edhe me deklarata për shtyp në emër të partisë, duke mos pasur asnjë dalje publike nga foltorja e selisë blu. Tek demokratët është vënë re një venitje në opozitarizëm, kjo edhe në saj të humbjes së thellë në zgjedhje por edhe për shkak të debatit të brendshëm  që u zhvillua në korrik për kryetarin. Po ashtu PD është sulmuar gjatë këto kohë edhe për marrëveshjen që kryetari Basha përmbylli me kryeministrin Rama, e cila rezultoi një dështim sa i përket synimeve të opozitës për të ruajtur zgjedhjet nga shitblerja. Madje përgjatë këtyre dy muajve të fundit nuk kanë munguar akuzat ndaj PD-së për një sulm të vakët ndaj Ramës, ku sipas kritikëve, shenjestra e demokratëve është përqëndruar vetëm tek disa ministra të caktuar apo çështje të dorës së dytë.  Ndërkaq LSI është dukur më aktive përgjatë korrikut e gushtit, ku krahas qëndrimeve thuajse të përditshme të përfaqësuesve të saj në rrjetin social, nuk kanë munguar edhe deklaratat e drejtpërdrejta nga selia e partisë për disa çështje . Po ashtu është vënë re se kjo parti e ka përqëndruar tërësisht spektrin e opozitarizmit të saj tek kryeminstri Rama, ku në cdo dalje publike apo qëndrim në rrjetet sociale targeti kryesor ka qenë kreu i qeverisë.

Mbetet të shihet në vazhdim se cila do jetë mënyra dhe forma se si këto dy parti opozitare do e zhvillojnë betejën e tyre përballë  Partisë Socialiste në pushtet. Ajo që mbetet të shpresohet është që kjo valë e zbehtë opozitare e verës të kalojë me gushtin. Nga shtatori, kur edhe nis zyrtarisht politika aktive,  duhet nisur të kultivohet fryma e një fronti të gjerë opozitar, ballor dhe pa ekuivoke. Në të kundërt, timonieri dhe makina që drejton do të jenë të pandalshëm në rrugëtimin e tyre, që ka shumë dritëhije në kuadër të synimeve dhe vendmbërritjes.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here