Kokëdhima-Ramës: Po shkatërron PS

0
197

Kreu i lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka akuzuar sot Kryeministrin Edi Rama për shkatërrimin e vlerave të Partisë Socialiste. Në një deklaratë për mediat, në emër të Lëvizjes Zgjidhja, Kokëdhima thotë se ata që përfaqësojnë PS kanë marrë ‘çelësat e kashtës’ në kabinetin “Rama”, ndërsa në kabinet u përfshinë servilët dhe sekserët e kreut të qeverisë.

Ish-miku i kryeministri Edi Rama hedh akuza të ashpra ndaj një pjesë të ministrave që kanë portofolat kryesore në kabinetin e ri. “Ministrat e Edi Ramës, si rregull, janë servilë, mediokër, intrigantë dhe kukulla të Rilindjes. Kryeministri krijon vazhdimisht alibira, për ta mbuluar nivelin mjeran të kabineteve të tij, përmes disa zgjedhjeve rastësore dhe periferike, por gjithmonë ndër njerëzit me nivel e formim të ulët që të mos i “bëjnë hije shefit”!”,- deklaron Kokëdhima.

Kreu i Zgjidhja kritikon pranimin e posteve pa asnjë vlerë në kabinet nga figurat e njohura të PS-së. “Rama u tall me PS-në duke emëruar të vetmin “veteran” të saj, Pandeli Majkon, si ministër pa portofol, duke i dhënë çelësat e kashtës të një ministrie pa fonde dhe pa vartës, por përgjegjëse për Diasporën Shqiptare, e cila është po aq sa popullsia zyrtare brenda kufijve të vendit!!!”,- shprehet Kokëdhima.

Duke analizuar emrat e kabinetit “Rama”, Kokëdhima shprehet se Kryeministri po merr në pak duar gjithë kontrollin e parave publike. “Me “PS+”, Edi Rama do të kontrollojë e komandojë të gjitha fijet e shtetit duke vendosur personalisht e pa transparencë për gjithçka dhe duke shmangur plotësisht institucionet. Në vend të shtetit, që premtoi duke kërkuar për vete timonin dhe tepsinë, mbi rrënojat e themeleve të tij, Ai po ngre kultin, pushtetin dhe sundimin e tij. Rama ka tani një kabinet të ri qeveritar, por jo platformë qeverisëse, program e strategji kombëtare zhvillimi, përparësi dhe plane konkrete në interes të shtetit, të ligjit dhe të pupullit. Ai e ka përqëndruar pothuajse, të gjithë pushtetin në 4-5 duar, që janë faktikisht duart e tij!”,- shprehet Kokëdhima.

“Edi Rama u tha dje shqiptarëve se qeveria e tij e dytë do të jetë më shumë se e PS-së. Kabineti “Ps+”, në fakt, është vetëm bastardimi i mëtejshëm i Rilindjes së katër viteve të shkuara. Emrat e qeverisë së re, duhet të ishin miratuar në kryesi, por Rama u mjaftua vetëm duke çuar listën dhe marrë votën e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Ministra që vijnë nga radhët e PS-së janë minorancë dhe në poste pa peshë, ndërsa ministrat e Rilindjes janë të plotëfuqishëm, zotër të dy-tre ministrive të shkrira bashkë dhe do të menaxhojnë shumicën dërrmuese të fondeve të buxhetit, pasuritë, koncesionet dhe kontratat”,- shprehet Kokëdhima.

Në qëndrimin e tij, Kokëdhima hedh dyshime dhe për ndarjen e pushtetit nga Edi Rama ma emra që mungojnë në qeveri, por që do të kenë peshën kryesore në agjencitë e reja qeveritare. “Ministrat që u dogjën në qeverinë e shkuar, si Saimir Tahiri, mungojnë formalisht në kabinetin e ri, por ata do jenë “ministra në hije”. Atyre do t’u jepen në kontroll si feude politike dhe hapësira okulte pushteti, superagjencitë që krijohen nga bashkimet e agjencive aktuale”,- shprehet kreu i Zgjidhja, Kokço Kokëdhima.

Kreu i Zgjidhja akuzon Kryeministrin për mungesë vizioni në ekonomi dhe në procesin e integrimit të vendit. “Qeveria e re nuk do të jetë ajo e integrimit të Shqipërisë në Europë, por e integrimit me Serbinë në Jugosllavinë e re. Integrimi i vendit në BE është diçka për të cilën do të flitet gjithnjë e më pak, prandaj dhe u është besuar “delenxhinjve” dhe “të leshtëve”, siç i cilësoi Rama diplomatët shqiptarë nëpër botë”,- shprehet Kokëdhima.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here