Votëbesohet nga Konventa si kryetare e LSI/ Kryemadhi: Do ta çojmë për skrap qeverinë e krimit dhe vjedhjes së votave

0
146

 

 

“Ju jap fjalën e nderit të një nëne që nuk do të ndalem asnjë sekondë për të luftuar deri në fund që ky vend mos jetë më vatra e krimit, e drogës dhe e oligarkëve, qoftë kjo dhe me çmimin më të madh, atë të jetës time!”

 

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvillon dje Konventën Kombëtare Zgjedhore, ku pas dorëheqjes së Petrit Vasilit u votua unanimisht nga delegatët si kryetare Monika Kryemadhi. Ndërsaq Luan Rama u zgjodh në postin e Zv.Kryetarit të LSI-së dhe z Erisa Xhixho u zgjodh Nënkryetare e LSI-së.  Monika Kryemadhi në fjalën e mbajtur në këtë Konventë pas zgjedhjes si Kryetare e LSI-së, siguroi shqiptarët se tashmë do të kenë një opozitë të fortë e pa ekuivok kundër krimit.  Ndërsa lëshoi akuza ndaj PS dhe Edi Ramës për blerje votash me 25 qershor, ajo e garantoi Kryeministrin se do ta çojë për skrap qeverinë e tij. “Edi Rama me paratë e drogës mund të blejë opozitën e deritanishme, mund të blejë edhe një ndërkombëtar, por me gjithë paratë e rruzullit tokësor, heshtjen e LSI-së kurrë nuk ka për ta blerë.  Mbi 20 mandate u tjetërsuan për të krijuar një pseudomazhorancë, e cila angazhimin e parë që pati, ishte miratimi për Ligjin e Mbetjeve. Ne ishim kundër këtij ligji famëkeq, i cili do ta kthente Shqipërinë në një botë të stërmadhe të plehrave dhe mbetjeve radioaktive, do ta kthente Shqipërinë në një qendër të mafies ndërkombëtare. Ne ishim kundër kapjes së drejtësisë për ta përdorur si një armë politike kundër opozitës së djeshme dhe kundër çdo veprimi arrogant, të njëpasnjëshëm që do të prodhonte herët ose vonë një destabilitet politik. Ne ishim kundër zhvillimit të zgjedhjeve pa opozitën, që do të sillte një deformim të tmerrshëm të sistemit demokratik në Shqipëri, i cili edhe sot pas 27 viteve, vazhdon të jetë i brishtë. Me këto kundërshtime parimore dhe në emër të interesit të të gjithëve, ne fituam nderimin e shqiptarëve dhe urrejtjen e kreut të rilindjes arrogant. Por, urrejtja dhe zemërimi, inati dhe mllefi i tij u shtua edhe më shumë ndaj nesh, vetëm sepse ne i thamë shqiptarëve të vërtetën se ç’kishte ndodhur për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Për veprimet kriminale dhe neveritëse të Policisë së Shtetit, e cila u kthye në policinë e rilindjes së krimit. Ata e dinë mjaft mirë se sot LSI-a është e vetmja forcë e mirëfilltë opozitare dhe e fuqishme. Ata nuk do ta kenë kurrë shansin të bëjnë pazare me ne në kurriz të shqiptarëve dhe në kurriz të së vërtetës. Ne do të jemi një forcë udhëheqëse opozitare. Ne do të jemi ata që do ta çojmë për skrap qeverinë e krimit të organizuar dhe të shitblerjes së votave. ”, tha Kryemadhi.

 

Premtimet për një opozitë ballore e pa ekuivoke

 

Duke falenderuar delegatët për besimin që i dhanë si kryetare e LSI-së, Kryemadhi pohoi se për asnjë sekondë kjo opozitë e re nuk do lodhet duke denoncuar oligrakinë si edhe lidhjet e krimit e drogës me pushtetin. “Sot ju më dhatë votën për t’ju drejtuar në opozitë. Kjo është detyrë pa kushte për mua dhe unë ju jap fjalën e nderit, jo të një gruaje, as të burri, por ju jap fjalën e nderit të një nëne që nuk do të ndalem asnjë minutë, asnjë sekondë, jo vetëm për të denoncuar, por për të luftuar deri në fund që ky vend të mos jetë më vatra e krimit, e drogës dhe e oligarkëve, qoftë kjo dhe me çmimin më të madh, atë të jetës time! Nuk do të ndaloj kurrë që ky vend i bekuar nga Zoti, të kthehet në një vatër të krimit, të terrorit, të varfërisë. Nuk do të pranojmë kurrë që ky vend i jashtëzakonshëm i kësaj rinie të jashtëzakonshme të shitet dhe të blihet me litarin e bukës së gojës”, pohoi ajo.

 

Më tej kryetarja e LSI-së theksoi se Shqipëria ndodhet sot në rrezikun potencial të një qeverie të marrë peng nga mafia, krimi dhe droga. “Shqipëria ndodhet sot në rrezikun potencial të një qeverie të marrë peng nga mafia, krimi dhe droga. Ndaj detyra jonë kryesore mbetet zgjerimi i hapësirës opozitare, përfshirja në të e të rinjve, intelektualëve, njerëzve të ndershëm që sot janë të zhgënjyer dhe jo vetëm simpatizantë e LSI, por me çdo demokrat, socialist që beson tek e ardhmja e vendit, e cila nuk mund të lihet në dorën e një grupi njerëzish që po na çojnë drejt greminës. Ju jap fjalën e nderit, ju jap fjalën e zemrës sime.  Ju jap fjalën e nderit që do të jem me të rinjtë dhe të rejat, me gratë e LSI, të cilat ishin energjia dhe zemra e fushatës tone. Nuk do të ndalet as Lëvizja Rinore për Integrim, rinia jonë e mrekullueshme. Me LGI me grat tona të jashtëzakonshme, me këto dy forca lëvizjes që i dhanë forcë, jetë dhe shpresë LSI-së. LSI duhet të hapet edhe më shumë drejt të rinjve, studentëve, profesorëve të shoqërisë civile”, nënëvizoi Kryemadhi.

 

Në fund të fjalimit të saj, pasi falenderoi kandidatët për deputetë dhe numëruesit që sic theksoi Kryemadhi u gjendën në valën e terrorit shtetëror, kryetarja e LSI-së kishte një falenderim edhe për themeluesin e kësaj force politike.  “Dua të falënderoj Ilir Metën që na dha mundësinë dhe krijoi Lëvizjen Socialiste për Integrim. Krijoi një forcë politike, që në themelin e saj ka bazat e socialdemokracisë, në themelin e saj ka solidaritetin, në themelin e saj ka përkushtimin ndaj njerëzve, në themelin e saj ka shtresën e shqiptarëve të vërtetë që e duan Shqipërinë dhe janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për Shqipërinë.  Dua ta mbyll me një varg: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar, zemrën ti ma gatove, plot me dashuri dhe me zjarr”. Kjo është motoja që rreh në zemrën time që kur kam qenë themeluese e rinisë eurosocialiste, dashuria për Shqipërinë, dashuria për Atdheun, dashuria për të ardhmen e fëmijëve të Shqipërisë”, përfundoi fjalën e saj Monika Kryemadhi, kryetarja eLSI-së.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here