Dyfishohen transfertat e kompanive të huaja jashtë Shqipërisë

0
174

Kompanitë e huaja që kanë aktivitet në Shqipëri rezultojnë të kenë pasur një vit të mbarë në 2016-n, duke iu rikthyer fitimeve të larta, që më pas i kanë transferuar te mëmat e tyre në vendin e origjinës.

Sipas të dhënave të Bilancit të Pagesave të tremujorit të parë 2017, në zërin të ardhura hyrëse dhe dalëse nga investimet, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, flukset dalëse rezultuan në nivelin e 71 milionë eurove: në formën e pagesave të dividendëve dhe fitimit të riinvestuar (53 milionë euro) dhe në formën e pagesave të interesave (17 milionë euro). Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, fitimet e transferuara (përfshirë dhe interesat e paguara) janë dyfishuar, ndërsa kanë arritur nivelin më të lartë që nga viti 2008, kur ishin 88 milionë euro (viti 2008 shënoi kulmin e fitimeve të dy kompanive celulare, që deklaruan norma fitimi mbi 50% dhe të dy operatorët së bashku raportuan fitime prej rreth 200 milionë eurosh, sipas bilanceve të deklaruara). Gjithashtu, edhe bankat kishin fitime të larta në 2008-n. Bankat (kryesisht Raiffeisen, BKT, Intesa Sanpaolo) dhe dy operatorët e mëdhenj të telekomunikacioneve (Vodafone dhe Telekom Albania) janë ndër kompanitë më të mëdha dhe më fitimprurëse në Shqipëri.

Ndërsa konkurrenca në tregun e telekomunikacioneve u rrit dhe bankat filluan të ndienin peshën e kredive me probleme, fitimet e transferuara ranë pas 2008-s. Në tremujorin e parë të vitit 2016, ato zbritën në 35 milionë euro, duke reflektuar fitimet e ulëta të kompanive të telekomunikacioneve (rreth 20 milionë euro për dy operatorët e mëdhenj). Për 2016-n, të dhënat e kompanive celulare nuk janë publikuar ende, ndërsa sistemi bankar raportoi fitime prej rreth 70 milionë eurosh.
Rritja e transferimit të fitimit në tre muajt e parë të 2017-s u vlerësua nga operatorët e tregut valutor si një nga arsyet që ndikoi në forcimin e euros në janar, kur monedha e përbashkët u ngjit në 137 lekë, pas rënies në 134.5 lekë në dhjetor. Por, pas përfundimit të valës së transferimit të fitimeve, euro ka rënë në nivele edhe më të ulëta, duke u këmbyer aktualisht me 133.37 lekë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here