Revolucioni i ndërgjegjes sociale dhe “njeriut privat”…

0
238

Nga Gëzim  Tushi

Edhe pse ndoshta nuk e artikulojmë shumë në jetën e përditshme ndryshimin e madh, transformimin e thellë që ka pësuar shoqëria shqiptare në përmbajtje, formë dhe sidomos në thelbin e dikurshëm social të saj, është fare e sigurt që gradualisht vendin e njeriut supersocial, hiperkolektivist, të shkrirë me dhunë horizontalisht në strukturat sociale banale, po e zë shfaqja e sigurt e dimensionit individualist e personalist të “Njeriut Privat”. Procesi edhe pse ka vështirësitë e veta të realizimit të këtij transformimi si dhe pengesat e inercisë së shoqërisë tradicionale të ndërtuar si “turmë sociale”, realiteti na dikton që të pranojmë vlerën e shfaqjes së “shoqërisë së vogël”, në qëndër të të cilit është njeriu me qëllime personale, synime sociale të ridimensionuara. Ky është njeriu i kohës postmoderne, i cili përmes “revolucionit” të ndërgjegjies individuale shfaqet si thelb dhe substancë e shoqërisë postmoderne.

Postmoderniteti është faktori që po determinon në shoqërinë shqiptare krijimin e kushteve të reja sociale, në të cilat po shfaqet bujshëm natyra e “njeriut privat”, i cili ndryshe nga njeriu i dikurshëm supersocial është duke kristalizuar filozofinë e re të mënyrës së jetës së personalizuar, individit që udhëhiqet nga mentaliteti social i të përveçmes. Në këto kushte është fare e natyrshme që në vend të filozofimeve për “njeriun social” në përgjithësi, të sjellim ide për jetën e vërtetë, natyrën konkrete të “njeriut privat” si “qënie e personalizuar”, që nuk është më qënie dogmatike teorike apo subjekt i formatuar në formate ideologjike, përtej dimensioneve të vërteta të “njeriut konkret”. Ai është njeriu që jeton me ne dhe ne që jetojmë bashkë me të.

Me sa duket globalizmi, mondializimi i jetës, thyerja e ndarjeve sociale dhe barrierave kulturore, etnike e nacionale do të determinojë që “njeriu privat” të bëhet jo vetëm “qënie universale” e kohës por edhe baza, substanca e jetës postmoderne. Në këto kushte është e domosdoshme të pranojmë dhe të mësohemi me të vërtetën, se në shoqërinë shqiptare vendin e ideve të vjetra për njeriun e vlerësuar vetëm si “qënie sociale” pa identitet personal, po e zë shfaqja e njeriut privat me identitet konkret. Mbase për shkak të së kaluarës tonë superkolektiviste të bazuar dhe mbështetur mbi “njeriun social” me kapacitete të sforcuara socialiteti dhe sociabliteti, vazhdon reminishenca e vjetër e konceptimit të deformuar të natyrës filozofike dhe thelbit social të shfaqjes në jetën e përditshme të “njeriut privat”.

Në të vërtetë transformimi që ka pësuar shoqëria shqiptare shfaqet hapur në ndryshimin e vetë natyrës së saj, si mbështetje për praninë e njeriut me dimension të kufizuar social, apo që më së shumti duke qënë i bindur që trupi dhe jeta e tij janë së pari “pronë private”, kanë filluar me këmbëngulje, pse jo shpesh herë edhe me një lloj arrogance sociale, në mënyrën e ndërtimit të jetës dhe lidhjet e personalizuara me të “tjerët”, shfaqet me tipologjinë e qartë të “njeriut privat”.

“Njeriu privat” substancë e shoqërisë postmoderne…

Ne kemi nevojë ta kultivojmë në shoqëri idenë e bashkëjetesës, ndërtimit të lidhjeve dhe marrëdhënieve të personalizuara “individin privat”. Sepse jeta postmoderne është një epokë e re, e cila nuk mund të zhvillohet pa patur në bazën e vet, pa garantuar ekzistencën e pacënuar të sovranitetit individual e të personalizuar të “njeriut privat”. Sepse tani është bërë e mundur prania e padiskutueshme e “individit privat, pronar i trupit të tij, i organeve të tij dhe zotërues i lirë i forcës së tij të punës”. (Vincent Descombes,Vetja dhe tjetri f. 240)

Kjo shoqëri nuk funksionon më as mbi bazën e dogmave ideologjike të vdekura të shekullit të kaluar, as mbi bazë të filozofive teorike e akademike që njerëzit i kanë mësuar në mënyrë skolareske në shkollë. Sot njerëzit kanë vlerësim të madh për jetën private, për ta ndërtuar atë mbi bazën e personalizuar të filozofisë së jetës me synimeve pragmatiste dhe sipas cilësive abstrakte të determinuar nga modulet e qytetërimit postmodern. Që është tejet individualist dhe shumë i personalizuar.

Shfaqja e “njeriut privat” është një proces kompleks. Ai është duke bërë një “revolucion” të vërtetë të ndërgjegjes dhe vetes, duke vënë në krizë ekzistenciale shumë sjellje e paradigma sociale të jetës tradicionale dhe njeriut super social. Kjo jetë dhe stili postmodern i të jetuarit të “njeriut privat”, ka tendencën e një lloj “çkodimi” të modeleve të vjetra të socialitetit duke prekur thellë shumë tabu sociale, rregulla morale, determinime të vjetra të sjelljes në shoqërinë e sotme shqiptare.

Madje të gjithë si qytetarë jemi dëshmitarë okularë dhe aktivë për të vlerësuar faktin që në shoqërinë shqiptare tani është prekur dhe po ndryshon gjithçka: ritualet, ceremonialet dhe format e sjelljes sociale, që në të kaluarën janë konsideruar si modele të përbashkëta e shoqërisht të shenjtëruara dhe të detyruar për çdo njeri. “Njeriu privat” është “tjetër” njeri, sepse duke qënë produkt i kohës, gradualisht tenton dhe mëson të gjejë rrugët, format dhe mënyrat e të jetuarit privatisht. Sepse “Jeta postmoderne në përgjithësi nuk “thërret asnjë besim apo shenjt për funksionimin e saj”.

Në esencë “revolucioni i ndërgjegjies” së njeriut të kohës sonë është kthyer në mjet që vazhdimisht dhe sistematikisht po shkatërron tek struktura e sjelljes së “njeriut privat”, besimet dhe ndalesat e vjetra që nuk i shërbejnë kohës, që tri dekada më parë kanë qënë thjesht “pranga” për “njeriun social”, me cilat shoqëria banale super kolektiviste, shteti totalitar antinjerëzor e mbajtën njeriun tonë për gati gjysëm shekulli në robëri trupore, shpirtërore, ideologjike.

Unë e kuptoj që këto ndryshime të vrullshme e turbulente, ky “revolucion i madh” i ndryshimit tërësor të ndërgjegjies individuale të “njeriut privat”, ka sjellë anomali e keqkuptime, prishje të ekulibreve të vjetra, vështirësi në gjetjen e ekuilibreve të reja. Kalimi nga njeriu si qënie sociale e “butë” tek individi privat e me sjelljes super të personalizuara, unike e të pangjajshme me të tjerët do të sillte shumë turbulenca kalimtare. Kjo është fare e kuptueshme dhe e shpjegueshme, sepse ne kemi kulturë historikisht të cunguar për privaten, individualen, intimen, personalen dhe të personalizuarën, për trupin si pronë private, etj.

Kjo nga që tërë jetën jemi mësuar vetëm me “individin social”, njeriun e tretur në turmë. Sot shoqëria nuk mund të zhvillohet pa patur në bazën e vet, pa garantuar ekzistencën e pacënuar të mënyrës së personalizuar të jetesës, pa siguruar sovranitetin e sjelljes së individit privat. Në shumë analiza e studime sociologjike flitet se postmoderniteti ka krijuar terrenin social për shfaqjen e dimensionit të “njeriut privat” apo e thënë ndryshe, të njeriut që ka filluar të bejë “revolucionin e vetvetes” si një mjet efikas që e ndihmon të bëhet “njeri i çliruar” nga statuset e qëndrueshme të kohës së vjetër. Sepse “njeriu privat” në shoqërinë shqiptare tashmë është duke “kërcyer” në valët e jetës postmodernem, për pasojë është i lirë të ndryshojë gjithçka tek vetja dhe mënyra e personalizuar e jetës.

Si kurrë më parë shqiptarët kanë marrë iniciativa të pabesueëshme që mund të ndodhnin në jetën e tyre tri dekada më parë. Ata kanë ndryshuar vendbanimin duke u shfaqur si njeri postmodern që e ndërton jetën pa qënë i diktuar nga një “territor i qëndrueshëm” dhe një “jete fikse”. Ai ka plane e projekte personale, lëviz, ndryshon veshje, mode, çdo gjë.

Njeriu privat dhe “falsiteti i njeriut social…

Por nga ana tjetër duhet pranuar që postmoderniteti që favorizon shfaqjen organike të “njeriut privat”, në të njëjtën kohë kjo situatë është e shoqëruar nga shumë dukuri të reja sociale, të cilat janë të panjohura më parë. Në përpjekjet e vështira për t’u përshtatur me këtë realitet, krahas “njerëzve privatë”, që kanë siguruar identitetin individual, përshtatshmëri sociale me imperativat e kësaj jete, shfaqen njerëz që kanë probleme për shkak të mungesës së aftësive të adoptimit për të ndërtuar raportet e drejta midis të drejtës për të patur dhe shfaqur natyrë private, socialitet të ngushtë dhe rrezikut të presionit social që e detyron njeriun të shfaqet përmes krijimit të “vetes false”.

Sa më i ngadaltë të jetë procesi social dhe individual i formimit të vlerës së shfaqjes së “njeriut privat”, aq më i pranishëm do jetë individi në dukje shfaqet me natyrë sociale, por që në thelb duke qënë i pafuqishëm për të ndërtuar jetën private gjen si mënyrë adoptimi shfaqet me “veten false”. Në këto kushte është i natyrshëm reagimi antiindividual e kundër personalist. Ky reaksion social ndikon që në vend që të shtohen njerëzit që luftojnë për të krijuar identitetin spikatur të “njeriut privat”, shtohen zërat për nevojën e socialiteteve të vjetra e të pamunduara, që kanë qënë bazë për  “Shoqërisë së Madhe” të dikurshme apo për forcimin e një lloj socialiteti me dimension fals. Kjo tendencë sociale që përpiqet të ndalojë përmasat e shfaqjes së “njeriut privat” është një nga dukuritë sociale degraduese në shoqërinë e sotme shqiptare.

Ka ikur koha kur individi si qënie tërësisht sociale duhej me patjetër të përshtatej jo aq me “imperativat e brendshme private” por me “urdhëroret shoqërore”, duke u endur në shoqërinë e madhe si ameba, duke maskuar “un”-in e vet përballë kërkesave unike e ultimative të shoqërisë. Me sa edhe shoqëria jonë e ka bërë të udhës zhvillimin e “natyrës private” të njeriut, duke bërë të mundur që të zhvillohen ato tipare e karakteristika që janë individualisht dhe shoqërisht të nevojshme. Kjo do të thotë se natyra e njeriut postmodern duhet vlerësuar jo vetëm si subjekt empirik i lirë nga ana psikologjike e substanciale, por edhe në kushtet e një sinteze humane e cila mund ta bëjë njeriun qënie sociale të natyrshme dhe vlerësues e “zotërues të vetvetes”…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here