Flet kryesuesja e listës për Tiranën Klajda Gjosha: Të lodhur nga politika arrogante dhe e fasadës. Arsyet pse LSI do dalë forcë e parë

0
619

 

“Sot listat e LSI nuk kanë biznesmenë, s’kanë persona me dritëhije, por të rinj që kanë dëshirë të bëjnë më të mirën për vendin”

“Qytetarët shohin dhe besojnë tek LSI, një shans për më shumë mirëqenie. Kontratën tonë më të rëndësishme e kemi me qytetarët”

“LSI ka qenë gjithnjë faktor stabiliteti, një parti që funksionon mbi konsensusin, fjalën e mbajtur, mirënjohjen dhe parimet”

Kryesuesja e  listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së për qarkun e Tiranës Klajda Gjosha flet në një intervistë për “standard” lidhur me pritshmëritë që ka kjo forcë politike në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Ministrja e Intergrimit komenton po ashtu përfshirjen e shumë të rinjve në listat e kandidatëve për deputetë të LSI-së e ndërsa i cilëson ata si asetin më të madh që kjo parti.

Gjosha, ju kryesoni listën e kandidatëve të LSI –së për Tiranën. Si ndiheni për këtë vlerësim dhe përgjegjësi njëkohësisht?

E shoh si një vlerësim shumë të madh, por edhe një përgjegjësi akoma dhe më të madhe, këtë besim që më është dhënë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndjehem shumë mirë sepse lista e Tiranës, jo vetëm  është një listë e mbushur plot me të rinj të shkëlqyer të Lëvizjes Rinore për Integrim, por kryesohet nga 3 vajza, duke sjellë një tjetër risi në këtë fushatë zgjedhore, duke treguar me vepra se LSI vlerëson vërtet rolin e grave në politikë dhe për asnjë moment nuk i mendon ato si një dekor, apo si çështje kuotash.

Çfarë mendoni lidhur me gjobën e KQZ ndaj LSI-së, për shkak se në krye të listave të kandidatëve për deputetë në kryeqytet, forca ku ju bëni pjesë vendosi tre femra, duke thyer kështu sipas institucionit kryesor zgjedhor në vend, kuotën gjinore?

Ne në LSI asnjëherë nuk kemi barazuar gratë dhe vajzat tona as me kuota dhe as me gjoba. Personalisht mendoj se gjoba e vendosur është një gjobë e pa drejtë, një gjobë që tregon se institucionet shqiptare duhet të emancipohen akoma dhe më shumë, por nga ana tjetër na bën ne akoma edhe më të forta për të treguar se t’i japësh një shans gruas, është gjithmonë një shans për gjithë familjen dhe gjithë shoqërinë shqiptare dhe LSI e cila përfaqësimin e grave e ka në masni 50% me 50% edhe në statut ka qenë promotore e ndryshimit real, ku gruaja shihet si një figurë e fortë në familje, në politikë, kudo. Unë besoj fort se gratë dhe vajzat janë shtylla më kryesore  e rritjes së pandalshme të lëvizjes socialiste për integrim. Ato janë një potencial i jashtëzakonshëm dhe mund të japin kontributin e tyre për ta bërë Shqipërinë më të mirë, pasi gratë dhe vazjat nuk e duan konfliktin, nuk i duan retorikat, ato duan zgjidhje për familjet e tyre, një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

Ajo që nuk kaloi pa u vënë re në listat e kandidatëve të LSI – së ishte një përfshirje e madhe e të rinjve. Si e shikoni hyrjen e tyre në politikë dhe a mendoni se janë gati për t’u bërë pjesë e Kuvendit dhe për të marrë një përgjegjësi të lartë përfaqësuese?

Lëvizja rinore për integrim është frymëzimi dhe furnizuesja më e madhe me energji e LSI. Është një lëvizje që zmadhohet me ritme të paimagjinueshme, pasi LSI  mbështet realisht të rinjtë dhe që në themelet e krijimit të saj, ka besuar tek ata për të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Hyrjen e të rinjve në politikë e shoh si asetin më të madh që ne kemi. Sot listat e LSI nuk kanë biznesmenë, nuk kanë persona të cilët ndonëse mund të kenë një CV mjaft të pasur, kanë dritëhijet e tyre për arsyet pse janë futur në politikë. Sot LSI ka një listë kandidatësh të rinj të cilët kanë dëshirë të bëjnë më të mirën për vendin e tyre. Janë të rinj që duan dijen. Janë të rinj të cilët shohin nga e ardhmja europiane e Shqipërisë. Janë të rinj që meritojnë një shans që të tregojnë veten. Askush më mirë sesa të rinjtë nuk mund të sjellin një frymë tjetër të të bërit të gjërave në vendin tonë. Besoj jemi të gjithë të lodhur nga politika e vjetër, politika arrogante, politika e fasadës. Shqiptarët meritojnë më shumë se kaq.

LSI nuk e ka fshehur ambicien, por edhe angazhimin për të dalë forcë e parë në këto zgjedhje. Në këndvështrimin tuaj, çfarë rezultati do të arrijë Lëvizja Socialiste për Integrim ?

Unë nuk dua të bëj parashikime, por më lejoni t’ju them me bindje të plotë. Jam çdo ditë në dhjetra takime në Tiranë. Krahasoj gjithashtu vitin 2013 ku unë kam kandiduar në kryeqytet. Ka një diferencë të jashtëzakonshme dhe jam krenare që çdo ditë LSI i bashkohen dhjetra e qindra gra, burra, të rinj, familje shqiptare të cilat shohin te LSI shpresën për një jetë më të mirë, shohin dhe besojnë se një shans për më shumë mirëqenie e gjejnë vetëm në LSI. Janë qytetarë të cilët janë tashmë të bindur se LSI nuk i tradhëton, LSI nuk bën pazare me votën e tyre, por kujdeset për ta. Ndaj ne besojmë se në këto kushte, nuk asnjë arsye pse të mos artikulojmë dhe të themi hapur duke i parë në sy qytetarët shqiptarë se LSI meriton të jetë forcë e parë politike.

Kjo fushatë e LSI – së është ndërtuar mbi ofrimin e një shansi të trefishtë, ku duke i ofruar një mundësi një gruaje, i jepni shansin edhe fëmijës, edhe familjes. Na flisni pak për këtë nismë dhe për shtyllat e tjera ku mbështet programi i LSI-së në këto zgjedhje?

Shansi i trefishtë është  boshti i alternativës sonë. Ne kemi tashmë një program të detajuar për gratë, një program të detajuar për arsim cilësor, por edhe programin e përfunduar për punësimin e të rinjve i cili është një program realist, një program i fokusuar tek tregu i punës. Ne synojmë që për 4 vjet të ulim me 50% papunësinë e të rinjve. Shifrat flasin se 30% e të rinjve sot, janë të papunë dhe automatikisht familjet e tyre janë të bindur se të gjitha sakrificat ua kanë çuar dëm sakrificat. LSI me politikat e saj do të stimuloje bizneset për të  reduktuar koston e tyre duke mundësuar  ofrimin e  “punës së pare” një të riu apo të reje përmes subvencioneve, lehtesimin e taksave apo kreditimin bankar me interesa te buta. Në programin tonë janë detajuar masat që do të merren për të ulur papunësinë  nga 30% aktualisht në 15 % brenda 4 viteve. Plani ynë për punësimin e të rinjve ka 10 pika dhe ua them me bindje është një nga angazhimet më serioze dhe më realiste që në kemi për të rinjtë. LSI synon që të hapë 100 mijë vende punë për ta në sektorë si : Sektorin bujqesor, te agro-industrise dhe peshkimit Sektori i turizmit, sektorii i infrastruktures, energjetikes dhe Industrise dhe  sektorin e sherbimeve profesionale

 Si e keni parë koalicionin 4 – vjeçar me Partinë Socialiste dhe a do të preferonit një tjetër 4- vjeçar bashkëpunimi me PS – në?

 Ajo që do të dua të theksoj është se LSI i ka qëndruar pikë për pikë korrekte këtij koalicioni dhe ka dhënë kontributin e saj më maksimal për realizimin e reformave madhore në vend, ku do të përmendja pa asnjë hezitim reformën në drejtësi e cila është sot reforma kyçe për vazhdimësinë e procesit të integrimit. Kjo reformë pa LSI dhe liderin historik të saj z. Ilir Meta, nuk do të ishte miratuar asnjëherë me konsensus dhe ne sot nuk do të kishim një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave.  LSI ka qenë gjithnjë faktor stabiliteti, një parti që funksionon mbi konsensusin, fjalën e mbajtur, mirënjohjen, parime të cilat do të vijojë të mos i tradhtojë për asnjë çast, pasi ne koalicionin dhe kontratën tonë më të rëndësime e kemi me qytetarët shqiptarë dhe interesat e tyre mbi çdo interes të vogël partiak.

Prej 4 vitesh ju keni qenë në krye të një kabineti të rëndësishëm siç është ai i Ministrisë së Integrimit dhe keni ndjekur nga afër procesin dhe rrugën për t’u bërë pjesë e Unionit. E shihni të afërt caktimin e një datë për çeljen e negociatave?

Data për çeljen e negociatave është një datë që nuk mund ta përcaktojë askush sot, por dua të ritheksoj se sa më shpejt të kemi një implementim të reformës në drejtësi dhe zbatim të ligjit të vettingut, sa më shpejt te kemi rezultatet e para, aq më e afërt do të jetë kjo  datë.

Në rast të një fitoreje në zgjedhje dhe nëse do ju ofrohej sërish si post, do preferonit të ishit edhe për një mandat tjetër në krye të Ministrisë së Integrimit, apo do donit të kishit një target tjetër?

Për mua nuk ka fare rëndësi mandati im si Ministre dhe as nuk e kam menduar të targetoj këtë pozicion as përpara 4 vitesh dhe as tani. Unë jam e nderuar që LSI më dha mundësinë që  për 4 vite të jem Ministre e Integrimit Europian, të jap kontributin tim maksimal për procesin më jetik dhe më madhor për shqiptarët.

Në fund një pyetje përtej jetës politike, ndonëse duket e vështirë mos flasësh për të në këtë kohë fushate. Si kalon dita juaj pas përmbylljes së angazhimeve ditore politike? Kujt i dedikohet më shumë, koha e lirë e mbetur?

Të them të drejtën këtë periudhë nuk mund të diskutohet koha e lirë. Dita ime nis me angazhimin tim si Ministre e Integrimit dhe përfundon me shumë takime me qytetarët e Tiranës, në të gjitha njësitë, por veçanërisht tek njësia 1 ku unë jam edhe kryetare.  Është një periudhë shumë intensive, por kur shoh se sa qytetarë dëshirojnë çdo ditë të afrohen me LSI, mendoj se është një lodhje e cila ja vlen as të mos përmendet më.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here