Komentet e Vlahutinit tregojnë shpërfilljen e saj për vlerat demokratike

0
318

Ditën e shtunë Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin gjatë një vizitë pune në Vlorë iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për situatën politike në vend. Përgjigjia e saj se mbajtja apo  jo e zgjedhjeve në qershor nuk do të prekë zbatimin e projektit të turizmit që ajo po vizitonte, tregoi shpërfillje të thellë për parimet demokratike dhe zhvillimet e krijuara nga përfaqësia e BE-së në Shqipëri.

Pikë së pari, është e papranueshme që përfaqësuesja e Bashkimit Europian, parlamenti i të cilit ka ngritur shqetësimin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të shpërfillë me kaq lehtësi mundësinë e moszhvillimit apo shtyrjes së zgjedhjeve si diçka të parëndësishme për BE-në.

Përgjatë mandatit të saj si ambasadore, Vlahutini asnjëherë nuk është shprehur në mënyrë domethënëse për problemin e zgjedhjeve, por në vend të tyre ka ngritur reformën në drejtësi në një objekt fetishi që do të kuronte me magji të gjitha sëmundjet e sistemit politik shqiptar. Kjo i ka dhënë zemër Kryeministrit Rama për të lëshuar deklarata të tilla si kjo më poshtë:

Edhe sikur askush të mos hyjë në zgjedhje, PS do të hyjë në zgjedhje dhe do të fitojë 140 deputetë në parlament dhe me votat e tyre do të kalojë vetingun dhe çdo ligj tjetër të reformës në drejtësi.

Në thelb ky është një argument për autokraci, por Vlahutin ka heshtur si memece për pasojat shkatërruese që  ka sjellë në Shqipëri politika qëllimisht e verbër dhe me një prioritet të vetëm e BE-së.

Ndoshta ne duhet t’i kujtojmë asaj se çdo reformë, në veçanti një reformë aq eksperimentale dhe me pasoja aq të mëdha sa reforma e drejtësisë, ka nevojë për mbështejen e një shumice sa më të gjërë parlamentare.

Edhe pse reforma (shkel e shko) kushtetuese u miratua me mbështetjen e të dy krahëve politikë, të gjitha ligjet e tjera të reformës u kaluan vetëm nga qeveria Rama, dhe aktualisht Kuvendi ka hyrë në rrugën e bërjes antikushtetuese dhe, për rrjedhojë, të pavlefshme të të gjithë reformës.

Ndoshta, ne nuk duhet të habitemi që Vlahutini ka një padije të tillë për vlerat e demokracisë apo që ajo e ka kaq të lehtë ta anashkalojë mundësinë e mos zhvillimit të zgjedhjeve, ose, akoma më keq, të mbajtjes së zgjedhjeve pa opozitën.

Në fund të fundit, Vlahutini nuk ka mbajtur asnjëherë ndonjë post të zgjedhur në jetën e saj. Ajo nuk është as diplomate karriere e BE-së, emërimi i së cilës në Shqipëri do të ishte bërë për meritë. Ajo është emërim politik i Kroacisë në kuadrin e posteve që Kroacia përfiton si anëtare e BE-së, pasi kishte shërbyer më parë si këshilltare e Presidentin kroat.

Vlahutinit nuk i është dashur asnjëherë të mbrojë opinionet, gabimet apo arritjet e saj përballë votuesve, gjë e cila ka ndikuar në kultivimin e një arrogance që duket se është e përhapur kudo në qarqet e Komisionit Evropian.

Kjo arrogancë e zyrtarëve të pazgjedhur, të cilët janë të parashutuar kryesisht në vende periferike dhe që kanë si qëllim parësor karrierën e tyre personale dhe jo mirëqenien e BE-së apo të vendit ku janë emëruar, ka sjellë reagimin e ashpër në të gjithë Evropëntë të partive populiste, të majta e të djathta, të cilat me të drejtë deklarojnë se ka një defiçit të madh demokratik në infrastrukturën politike të BE-së, në veçanti në udhëheqjen e tij.

Askund tjetër nuk ka dalë më shumë në pah kjo arrogancë se sa në Shqipëri gjatë muajve që i paraprinë botimit të raportit të BE-së për përparimin e vendit. Ndërsa Komisioni Evropian, me propagandën e vazhdueshme të zëdhënëses Maja Kocijancic dhe Vlahutinit (të dyja me prejardhje nga vendet e ish-Jugosllavisë) në pararojë, refuzoi të përqëndrohet në ndonjë çështje tjetër veç reformës në drejtësi, Parlamenti Evropian e në veçanti europarlamentarët e djathtë gjermanë dhe austriakë u dhanë më shumë zë shqetësimeve për gjendjen politike në Shqipëri.

Si zakonisht, ky dallim në qëndrime u kthye në një luftë indirekte midis PS-së dhe PD-së—PS u fsheh pas Komisionit Evropian, ndërsa PD u rreshtua pas eurodeputetëve konservatorë. Edhe pse varianti përfundimtar i raportit për Shqipërinë ishte qartazi një kompromis ndërmjet këtyre dy “fraksioneve” në BE, Komisionit të pazgjedhur dhe Parlamentit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Vlahutini ka përsëritur si gramofon i prishur vetëm mantrën e saj për reformën në drejtësi.

Thelbi i çështjes është: Vlahutini ka investuar të gjithë karrierën e saj politike në reformën në drejtësi. Përveç disa investimeve në turizëm, të cilat vuajnë nga të njejtat vonesa dhe i njejti korrupsion që ndeshet kudo në vend, trashëgimia që do lërë pas Vlahutini në Shqipëri—dhe për pasojë karriera e saj e mëtejshme—do të gjykohen tërësisht nga zbatimi “me sukses” i reformës në drejtësi. E vendosa “me sukses” në thonjëza, sepse rezultati i vërtetë i reformës nuk ka asnjë rëndësi për të. Për të mjafton që të mund ta vendosë reformën në CV-në e saj. Zgjedhje ose jo, dekriminalizim ose jo, drogë ose jo— çdo gjë duhet t’i hapë rrugën ambicies së saj të verbër dhe të keqdrejtuar.

Fatkeqësisht (për Shqipërinë), karrierizmi i Vlahutinit ka çuar në shpërfilljen aq të madhe dhe të gjithanshme të vlerave demokratike sa askush në këtë vend nuk guxon më të besojë apo të shpresojë se BE-ja, të cilën Vlahutini përfaqëson në fund të fundit, kujdeset për demokracinë në Shqipëri.

Pavarësisht se si apo se kur do të mbahen zgjedhjet, apo edhe nëse nuk do të mbahen, sikurse u shpreh Vlahutini BE do të vazhdojë të investojë në projektet qeveritare të turizmit (duke shkatërruar rrugës trashëgiminë e paçmueshme kulturore), dhe do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e një ligji që do të përfundojë në një copë letër pa vlerë.

Dhe ndërsa çdo ditë bëhet gjithnjë e më e dukshme se sa thellë ka i hedhur rrënjët e saj në qeverisje bota e krimit, Vlahutini çlodhet duke notuar në pishinën e saj private dhe duke shijuar ëmbëlsirat franceze pas dritareve me xhama të blinduar. Nga ana tjetër e murit 2,5 metra të lartë që rrethon vilën e saj 2 milionë euroshe, Gjin Gjoni pret barin zbukurues në oborrin para vilës së tij dhe fshin pluhrat nga koleksioni i tij i orëve. Në Rolling Hills mbretëron qetësia.

E ardhmja politike e Shqipërisë është larg të qenit e qetë, por nëse ajo do të përfundojë në kaos, do të çojë në lindjen e populizmit me bazë etnike apo në një autokraci të llojit të Erdoganit, një pjesë e fajit dhe e barrës duhet të bjerë drejtpërdrejtë mbi shpatullat e Komisionit Evropian dhe të figurinës të paaftë dhe injorante të BE-së në Shqipëri.

Si flamurmbajtëse e vlerave demokratike dhe e politikës në shërbim të të mirës publike, BE-ja nuk mund ta kishte djallosur më keq se sa të “emëronte politikisht” një person që nuk kupton as njërën dhe as tjetrën nga këto dhe që, me shumë gjasa, do t’ia hedhë pa u lagur. exit.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here