Analisti Fatos Lubonja ka komentuar situatën politike në vend, mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, si dhe ftesën e Ramës ndaj Metës në lidhje me fatin e koalicionit. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, Fatos Lubonja tha se “Rama do të tregojë se nuk i nënshtrohet LSI-së, por nga kjo e fundit ka më shumë pasiguri”.
Analisti Lubonja u shpreh se konfliktualiteti mes palëve është rritur dhe duhet të ketë një zgjidhje, pasi situata është në kurriz të shqiptarëve.
Gjithashtu ai tha se klasa politike nuk ka një “arbitër”. Sipas tij përsëritja e koalicionit PS-LSi nuk është zgjdhje për situatën e krijuar në vend, ndërsa shtoi se nuk janë mbajtur premtimet e bëra prej tyre për 4 vitet e qeverisjes.
“Tek LSI ka më shumë pasiguri. Rama do të tregojë se nuk i nënshtrohet LSI. Kjo situatë është në favor të Metës, pasi ka dy favore. Njëra është se një parti duhet të rrijë gjithmonë në pushtet dhe tjetra është se është faktor ndërmjetësi. Krizat ndonjëherë mund të shfrytëzohen. Unë mendoj se duhet të ketë një dialog dhe nuk mund të vazhdohet me këtë konfliktualitet i cili është thelluar. Ky konfliktualitet është në kurriz të të gjithëve ne. Duhet një lloj momenti që të rilindë gjithçka. Rilindje nuk po e përdor pasi nuk kemi rilinduar noj herë. Unë mendoj se as vullnet për dialog nuk ka. Kjo klasë politike e ka bërë profesion konfliktin. Kemi 25 vite që klasa politike nuk ka një ‘arbitër’ dhe këta duan të jenë edhe “lojtar” edhe ‘arbitër’ vetë. Këtë ata duan ta vazhdojnë. Pra duhet një “arbitër”,- tha Lubonja.
Ndërkohë i pyetur nëse ekziston një lloj krize mes PS dhe LSI dhe nëse duhet të vijojë koalicioni, Fatos Lubonja u shpreh se LSI ka pasur shumë kritika ndaj qeverisë dhe duhet ndryshim, pasi po shkohet drejt një qeverie “erdoganizmi”.
“Po të ndjekësh të gjitha qëndrimet që ka pasur LSI, ka shumë kritika ndaj qeverisë. Stabiliteti është në rrezik. Thonë që LSI ka 25% të administratës së vet. Thellimi i krizës duket dhe ka pasur një luftë nën brez, si dhe kërcënime dhe shantazhe. Është një politikë e korruptuar. Duhet ndryshim mendoj. Mund tju imponohet një situatë shqiptarëve dhe të shkohet në një situatë ‘erdoganizimi’. Në këtë luftë ka interesa. Unë mendoj se po qeveriset keq. Ky koalicion është në kundërshtim me premtimet që kanë bërë”,- u shpreh Fatos Lubonja.
Analisti Lubonja tha se është me rëndësi që të forcohet ekonomia e vendit, të rritet siguria e qytetarëve dhe të luftohet fenomeni i kanabisit.
“Kjo nuk është ekonomia e shëndoshë kjo, është një tumor që rritet. Kur rritet kanabisi dhe nuk rritet bujqësia, nuk është shëndet. Dhe kjo është puna që presim ne? Jo, ne presim dinjitet. LSI është vonë, duhet të kishte reaguar më parë”, tha ai.
Sa i takon protestës së opozitës, që vijon prej 18 shkurtit, Lubonja tha se është e vështirë të premtohet “Republikë e re” duke ndjekur praktikën e vjetër.
“Republika e re është gjë e madhe. Këta të gjithë venë falen tek ndërkombëtarët. Por kjo është republikë e vjetër. Shumë gjëra aty bëhen për të mbajtur entuziazmin e njerëzve. Janë në një njëjtin stil siç bënte Rama para ca vitesh”, tha Lubonja.