Mos u çudisni kur moralin e bën dallaveraxhiu dhe maskarai me kostum zyrtar

0
794

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

Nuk ka asnjë moment kur njeriu të mos mendojë se sido që të jenë kohët, së paku maskarenjtë, imoralët, të degjeneruarit, ata që mendjen e kanë për lek dhe janë gati të shesin nënë e babë, përfshi edhe gruan si ofertë, do të vazhdojnë të bëjnë atë që dinë më mirë, por jo të shesin moral. Kjo mund të duket e tepërt për qeniet normale humane, por grupimi i mësipërm i atyre që fatkeqësisht hyjin në racën njerëzore, e bëjnë me zell edhe kur nuk thirren në apel. Gjejnë një mundësi, shfrytëzojnë një portal, hapin vetë një debat, fusin hundët vetë në një tjetër dhe së fundi, japin mend.

Kush janë këta? 

Dallaveraxhinj, ngatërrestarë, spiunë, njerëz të molepsur me ndjenë e fajit dhe inferioritetit, imoral, të paaftë, arrogant e prepotent, që për fat të keq kanë veshur kostum zyrtar. I gjen në të gjitha pozicionet, por më të rrezikshmit, janë drejtorë institucionesh, spitalesh, shkollash, teatrosh, të ndonjë ndërmarrje gjelbërimi etj. Ndërsa pozita e tyre rritet më tepër në institucionet qendrore, ku nuk përjashtohen të gjitha kategoritë: Këshilltarë, drejtor të përgjithshëm, përgjegjës sektori,  e deri tek specialistët e përjetshëm që përcjellin çdo qeveri. Nuk kanë asgjë për t’u mburrur me jetën e tyre, në kuptimin normal të saj. Të lumtur në paditurinë e vet, që e vlerësojnë me nota të larta akademike, përgjithësisht janë njerëz me gjysmë shkollim ose shkollim të marrë ndër vite, pak nga pak. Kjo i bën të ndihen inferior, duke i shtyrë gjithnjë e më shumë dozat e arrogancës e prepotencës. Raca e tyre për fat të keq, sa vjen e shtohet. Në planin personal, ata e quajnë një meritë të madhe që kanë pasur dashnore, ja kanë hedhur gruas së tyre sa herë kanë dashur, kanë spiunuar shokët e shoqet e dhomës, zyrës, kolektivit ku punonin, kanë qëlluar dikë me grusht, kanë hipur me flamurin e partisë së radhës në dorë, në majë të ndërtesës dhe e kanë valëvitur atë sa herë që është dashur. Mos u çudisni, kur t’i shikoni se kanë botuar edhe libra, madje monografi me vlera të mëdha. Nuk janë gjë tjetër vetëm kopje të shëmtuara të mendimtarëve, që përdhosen aq shumë në dorën e tyre, saqë e ke të vështirë të lexosh edhe origjinalët. Akoma më shumë mos u çudisni kur dalin flasin në televizor, gjysmë shqip e gjysmë në gjuhë të huaj. E “veçanta” e tyre është se kanë njohuri në të gjitha fushat e duke qenë se janë shumë të lexuar e të kultivuar, ngatërrojnë gjuhën e nënën me “gjuhën e profesionit të tyre”. Për çudinë e njerëzve të thjeshtë, por rrjedhojë  logjike e situatës që jetojmë këta njerëz, dominojnë nga sferat më të larta, e deri në ato më të ulëta. Madje ata parapëlqehen shumë, pasi nuk kanë skrupuj, etikë, edukatë minimale në komunikim. Harbutëria, arroganca dhe ndjesa për të bërë keq, i shkon për shat qeveritarëve të tanishëm. Sa më i lig, aq më shumë ngjit shkallët e hierarkisë, mbush xhepat, duke arritur qëllimin e pasurimit të shpejtë, përpara ndonjë ndryshimi të papritur ose para pensionit. Nuk janë të panjohur, janë krejt të hapur në publik. Nuk kanë asnjë ndjenjë keqardhje për atë që bëjnë. Në fund të fundit, pushteti është i tyre dhe populli është thjesht një masë që duhet t’u bindet. Janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që emri i tyre të mbetet për një kohët të gjatë në kujtesë dhe nuk ka as një pikë rëndësie për mirë apo për keq.

Përdorin mirë rrjetet sociale, duke postuar foto të ndryshme, enkas për të treguar se janë të pranishëm në ngjarjet më të mëdha, në institucionin e tyre. I gjen në Liban, Kazakistan, Finlandë, Angli e Itali. Por nuk mungojnë të na sjellin ndërmend drekra e darka “pune” me “kolegët” e tyre në Dibër, Gjirokastër, Burrel e Sarandë. Gjithçka bëhet në funksion të “së mirës publike”, se po të jetë për ata, vuajtjet nuk kanë të sosur. Në televizion shfaqen çdo muaj. Flasin për të gjitha, dinë gjithçka që ndodh, përdorin teknologjinë më të fundit, iPad, iphone dhe madje bëhen edhe moderatorë të debatit.

Po pse shoqëria është tërhequr zvarrë prej këtyre tipave?

Sepse këta parapëlqehen shuam prej pushtetit. Janë ushtarë të bindur deri në bythëlëpirje. Bëjnë të fortin me atë që e mendojnë të dobët. Janë gati të gërthasin më shumë se shefi i tyre, të kërcënojnë me një fjalor rruge a të harruar prej vitesh: “sillu morë”, “të nxjerr jashtë”, “është koha jonë dhe jo koha jote”, etj. Por përsëri nuk është faji i tyre. Shoqëria jonë në rastin më të mirë ul kokën përpara tyre e në rastin më të keq, i përulet deri në tokë me duke i pagëzuar me titujt shef, profesor, gjigant, i madh, mendimtar. Pavarësisht se ata janë pjesa më mediokre e shoqërisë, duke i ledhatuar kaq shumë binden, se janë ndër mendimtarët më të kulluar të këtij vendi. Ata madje i lejojnë vetes që ta marrin fjalën e ta lëshojnë kur duan, të mos pyesin për njeri, të mos dëgjojnë kritika, e pale të bëjnë dialog. Janë në monolog të përhershëm, në sharje e epitete, të aftë për të nxjerrë nga goja edhe fjalën e fundit, llogarimarrës dhe jo dhënës. Por përsëri këta pëlqehen shumë prej pushtetit e shoqërisë. Dhe kjo ndodh se shoqëria ruan ende në memorien e saj, imazhin e këtyre njerëzve që 3 dekada më parë ishin më shumë se të frikshëm. Por ka edhe arsye të tjera. Shumë mendojnë se “është më mirë të heshtësh, a t’jua hash kokën me të mirë”, “do ta durojmë edhe pak se nuk e ka të gjatë”, “gjithë jetën i lig ka qenë, kështu që edhe po t’i flasësh nuk nxjerr gjë”. Kjo i bën këta “trima” (që në të vërtetë janë frikacakët më të mëdhenj), të jenë edhe më krenar me veprën e tyre. Ata nuk kanë nevojë të këshillohen nga askush për t’i shkuar deri në fund të keqes se janë vetë këshilltarë. Nuk kanë nevojë të specializohen, se janë specialistë në fushën e së ligës dhe maskarallëkut. Nuk është e thënë t’i njoh kush me agjendën e marrëzisë sepse ata janë bërësit e agjendës.

Shoqëria i di, i ka identifikuar, i njeh dhe përsëri nuk reagon. Me thënien se “për të ligun, maskarain, spiunin, dallaveraxhiun ka Zot që i sheh”, nuk zgjidhet problemi. Me denoncimin, demaskimin, mospajtimin me të ligun dhe të ligën shoqëria tregon se ndryshon. Nëse nuk duam të na mposht e keqja, koha ka ardhur e ikur, por përsëri kemi në dorë të reagojmë. Të shporrim të ligjtë dhe t’i hapim rrugë të drejtës dhe të mirës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here