Cilën formë revolte “rumune” po “bluan” PD. Plani në hije i revolucionit portokalli

0
1295

“Protesta e 18 shkurtit do jetë pikënisja e një “rrethimi kryeministror” që do zgjasë pa kthim pas”

Gëzim Saliu

Në 18 shkurt opozita ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë të marrin pjesë në një protestë që do organizohet përpara Kryeministrisë, duke vendosur në target keqeqeverisjen e kabinetit “Rama” si edhe mos plotësimin e kushteve për zgjedhje të lira e ndershme. Ndonëse frazat e zakonshme para tubimeve të tilla ripërsëriten edhe në këtë prag proteste, ku ndër më kryesoret rënditet thirrja për rrëzimin e qeverisë , ajo që mund të thuhet me siguri është se 18 shkurti nuk do ketë të njejtë ( as nga të shkuarit dhe as nga pasardhësit). Burime pranë selisë blu dhe përkatësisht stafit organizues të protestës bën të ditur për gazetën se protesta e së shtunës së ardhshme do jetë krejt unike në llojin e saj. Duke marrë për bazë zhvillimet në Maqedoni dhe së fundmi në Rumani, pritet që protesta e 18 shkurtit të mos jetë thjesht një tubim apo marshim. Pritet që ajo të jetë pikënisja e një vale protestash të pandalshme që do zhvillohen në vend, duke synuar minimalisht plotësimin e kërkesave për futjen e elektronikës në zgjedhjet e 18 qershorit dhe si qëllim maksimal ,rrëzimin e kryeministrit Rama nga posti i kreut të ekzekutivit.

Asnjë krahasim

Ajo që po thuhet më zë të lartë nga kryedemokrati Basha, eksponentët e lartë të partisë,  deputetët, sekretarët dhe së fundmi drejtuesit e bazave në të gjitha takimet që po zhvillojnë me qytetarët është qëndrimi sipas së cilit 18 shkurti nuk do ketë aspak ngjashmëri me asnjë tubim të zhvilluar në dekadën e fundit në Shqipëri. Për të mësuar më shumë rreth synimeve të opozitës, gazeta kërkoi disa informacione në selisë blu, kryesisht pranë stafit organizator të protestës. Këta të fundit na bënë të ditur  se ajo që mund të zbulohet deri më tani është fakti se protesta e 18 shkurtit do jetë pikënisja e një “rrethimi kryeministror” që do zgjasë pa kthim pas. Insisitimit të gazetës se edhe herë të tjera demokratët kanë premtuar vazhdimësi të pandalshme të protestave dhe krejt ndryshe ka ndodhur, stafi organizator ju përgjigj duke pohuar: “I keni parë protestat në Maqedoni e në Rumani, ato janë shembulli të cilin do ndjekim. Në rast se qeveria do vazhdojë veshin e shurdhët ndaj kërkesave të opozitës për përfshirjen e elektronikës në votime si edhe për zbatimin e dekriminalizimit, duke lënë jashtë kriminelët nga zgjedhjet, protesta e pandalshme do jetë e vetmja përgjgije që do marrë nga opozita”.

 

Për cilën Rumani?

Ajo që po përflitet gjithnjë e më shumë në korridoret e selisë blu është se shembulli më i qartë që duhet të ndjekë opozita për protestat e saj është ai i Rumanisë. Ndonëse referimi është për tubimet aktuale që u zhvilluan në sheshin “Fitorja”, ku me qindra mijëra qytetarët protestuan kundër qeverisë, nuk mungon në rradhët e opozitës edhe linja e “egër”. Kjo rrymë e cila përfaqësohet zakonisht nga disa deputetë  e aktivistë tradicionalë të PD-së kërkon të shkojë përtej skenarit rumun, duke ripërsëritur Rumaninë e viteve ’90. Sipas këtij grupimi, situata aktuale në Shqipëri nuk ka asnjë ngjashmëri me atë në Rumani dhe në këtë formë kundërpërgjgija ndaj qeverisë aktuale me tipin e protestave aktuale në Bukuresht do ishte e pamjaftueshme. Këto zëra shkojnë deri tek kërkesa e një protestë e tipit anti-regjim, të cilat u zhvilluan 26 vite më parë në të gjitha vendet ish-komuniste.

Në këtë pike, nuk mungojnë edhe qëndrimet publike të deputetëve, ku së fundmi Astrit Patozi deklaroi nga Kuvendi se situata aktuale në Shqipëri është shumë herë më e rëndë se ajo në Rumani. “Ka shumë prej nesh që kërkojnë që shqiptarët t’u ngjajnë medoemos rumunëve, të cilët po afrohen si model për të zgjuar reflekset e topitura të shoqërisë tonë për të reaguar. Ndërsa qeveria dhe zërat afër saj thonë të kundërtën, se nuk mund te ketë fare ngjashmëri mes dy vendeve. Mund të ngjaj si paradoks por unë jam më shumë me këta të dytët. Unë mendoj se ne nuk ngjajmë me Rumaninë, e di pse? Sepse ne jemi shumë më keq se Rumania. Shqiptarët kanë dyfish arsye për ta rrëzuar qeverinë e tyre”, ka pohuar Patozi.

Në të njejtën linjë janë shprehur edhe disa deputetë te tjerë, ku dje nuk mungonte reagimi i deputetes Albina Deda. “Prandaj do ketë 18-Shkurt, jo si rutinë politike opozitare, por si limiti i fundit i shpëtimit të demokracisë shqiptare. 18-shkurti nuk do ketë ngjyrat parciale të partisë, por do jetë respiracioni idrejtuar për të shpëtuar nga kulçedra e oligarkisë. 26 vite më parë pikërisht në ditë shkurti Rinia e Shqipërisë ju shkurtoi jetën busteve e statujave. Sot lipset që në muzeun e errët të kujtesës së dhimbëshme shqiptare të instalojmë dhe kadavrat e oligarkisë. 18 shkurti nuk është as rradhë e as rutinë, por manifestimi i dhimbjes njerëzore shqiptare nga një klikë pinjollësh e dalë fare!”, theksonte ajo në mesazhin e saj.

Por ajo që duket se qëndron në krye të linjës së protestës së 18 shkurtit është skenari aktual rumun, i cili parashikon protesta të pandalshme në shesh deri në plotësimin e kërkesave dhe dorëzimin e qeverisë.

Pak ditë më parë vetë kryedemorkati Basha e bëri të ditur një fakt të tillë, duke theksuar se lëvizja që do nisë në 18 shkurt do jetë e pakthyeshme. “Të ngrihemi bashkë në shembullin e kombeve të civilizuara si Maqedonia dhe Rumania t’i japim qeverinë shqiptarëve. Ndaj duhet të ngrihemi kundër kësaj bande që shtyn qytetarët drejt vetëvrasjes dhe t’i japim Shqipërisë një qeveri për qytetarët. Do i japim fund politikës që gënjen. Me 18 shkurt do të kthejmë qeverisjen tek qytetarët. Qytetarët do të mblidhen për të rrëzuar qeverinë e kriminalizuar. Me 18 shkurt lëvizja që nisim bashkë do të jetë e pakthyeshme”, ka pohuar Basha.

Po ashtu edhe ish-kryeministri Berisha ka theksuar se protesta e 18 shkurti do jetë e pandalshme. “Me 18 shkurt, Tirana do jete kryeqyteti i protestes ne Europe kunder Edi Rames, qeverise se tij organizate kriminale! Te gjithe ne Tirane! Te gjithe ne proteste”, ka bërë thirrje ai.

Revolucioni portokalli

Kriza e Ukrainës, rreth ndarjes së dukshme midis Perëndimit dhe Rusisë, filloi në Kiev, për t’u përhapur pastaj trazirat edhe në qytetet tjera, pasi qeveria e Viktor Yanukovychit refuzoi të nënshkruaj marrëveshjen e përforcimit të raporteve me BE-në për t’u drejtuar kah Rusia. Më 21 nëntor 2013, dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë, pasi qeveria njoftoi tërheqjen nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në dhe marrëveshjes për tregti të lirë, duke u përcaktuar në trashjen e raporteve mes Moskës dhe Kievit. Revolucioni portokalli përfshiu një sërë protestash dhe ngjarjesh politike që u zhvilluan në Ukrainë në fund të nëntorit 2004 deri në janar 2005. Ngjarjet u zhvilluan menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale të Ukrainës, të cilat u kritikuan për korrupsion masiv, frikësim të votuesve dhe falsifikim direkt të votave. Kievi ishte pika qendrore e lëvizjes, ku mijëra protestues demonstruan ditë për ditë. Në gjithë kombin, revolucioni u theksua nga akte të mosbindjes civile dhe greva të përgjithshme të organizuara nga opozita. Protestat çuan në rivotim duke i hequr pushtetin liderit aktual të Ukrainës.

Shembulli i revolucionit portokalli në Kiev mendohet si një ndër planet në hije të opozitës. Gjithnjë në varësi të zhvillimeve pas protestës së 18 shkurtit, demokratët duket se kanë marrë masat që të shkojnë edhe drejt një revolucioni portokalli në Shqipëri. Burimet pranë stafit organizator, të cilat për arsye nga më të ndryshmet kërkuan të mbeten anonim, theksuan për gazetën se mundësia që revolta të marrë përmasa “Ukraine” nuk është e pakët. Sipas tyre qeveria në gjithë këto kohë nuk ka dhënë aspak shenja të një frymë konsensuale apo bashkëpunimi për ato çështje apo reforma që i nevojiten demokracisë dhe shtetit ligjor. Në këto kushte, theksojnë ata, mundësia që qeveria të pranojë kërkesat e mijëra protesuesve në shesh të udhëhequr nga opozita do jetë e vogël. Nisur nga kjo, duke i lënë shumicën e parashikimeve, zhvillimeve të mundshme që do vijnë pas 18 shkurtit, burimet theksojnë se një revolucion portokalli në Shqipëri nuk është jashtë skenarëve, aq më tepër kur përballë sipas tyre ke një qeveri gati të ngjashme me një regjim.

 

Axhenda e 18 shkurtit

 

Protesta e 18 shkurtit ka ngritur  në këmbë të gjithë strukturat e Partisë Demokratike, qoftë në qendër e ashtu edhe në bazë. Strukturat e selisë blu në të gjitha njësitë e vendit tashmë janë urdhëruar nga lideri demorkat që të mobilizohen për t’i dhënë dorën e fundit axhendës që do të ndiqet në protestën e 18 shkurtit. Përfaqësuesit e PD-së janë autorizuar nga kryetari, që të shpërndahen në degët që përfaqësojnë, për të takuar qytetarë, duke i mbushur mendjen që të jenë prezent në shesh për të protestuar. Po ashtu një punë të madhe në këtë pjesë po bën edhe forumi rinor i cvili ka marrë përsipër të shpërndajë rreth 100 mijë ftesa për qytetarët shqiptarë shtëpi më shtëpi, duke synuar sa më shumë pjesëmarrje anti-qeveri në 18 shkurt.

Ndërkohë prej ditësh, kryedemokrati dhe deputetët e djathtë kanë intensifikuar thirrjet për qytetarët për të marrë pjesë në protestën që do organizohet përballë Kryeministrisë. Madje deputetët e Partisë Demokratike, deri në protestën e 18 shkurtit kanë vendosur të braktisin komisionet parlamentare për t’u përqendruar në zonat e tyre elektorale. Nga bojkoti përjashtohen vetëm deputetët pjesë e komisioneve hetimore, të cilët do të jenë prezentë në mbledhje. Në mbledhjen e kaluar të grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, u kërkoi deputetëve angazhim maksimal për të organizuar dhe mbledhur sa më shumë qytetarë ne bulevard para kryeministrisë mesditën e 18 shkurtit. Ndërkohë vetë Basha në kuadër të protestës, ka nisur një tur takimesh me qytetarë dhe strukturat në Tiranë dhe rrethe. Duke marrë shkas nga protestat në Rumani ku populli është ngritur kundër qeverisë, kryetari i PD-së ka pohuar se shqiptarët me 18 Shkurt duhet të ngrihen të protestojnë me të njëjtën frymë.

Në axhendën parapërgatitore të protetës, e cila pritet të rishikohet në ditën në vazhdi deri në 18 shkurt,  ështe e konfirmuar se protesta do të zhvillohet para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ndërkaq grupi i qytetarëve i prirë nga opozitarët do të nisë protestën nga nga sheshi “Skenderbej”, ku turma të organizuara në bazë të rretheve do të marshojnë drejt Kryeministrisë.

Ndërkohë para godinës së Kryeministrisë  do të ngrihet një podium, në të cilin do të flasin figurat kryesore të opozitës, shoqërisë civile por edhe qytetarë të thjeshtë. Po ashtu sipas parashikimeve në podiumin e ngritur, fjalën do ta marrin përfaqësuesit e sindikatave dhe shoqërisë civile, për t’u pasuar më pas nga deputetë të Partisë Demokratike dhe aleatët e saj e ndërsa fjala përmbyllëse do të mbahet nga kreu demokrat.

 

Protesta si test

Por krahas efektit parësor të protestës së 18 shkurtit, e cila bazohet tek kërkesat opozitare si edhe tek mllefi popullor kundër keqqeverisjes, tubimi i së shtunës së ardhme do jetë edhe një test për Partinë Demokratike dhe opozitën në tërësi. Numri i qytetarëve pjesëmarrës sigurisht do shërbejë fillimisht thjesht si statistikë por në kuadër të një pikëpamje më të gjerë ai mund të jetë edhe një test mbi mbështetjen që ka opozita në popull, fiks pak muaj para zgjedhjeve. Ndonëse demokratët dhe opozita në tërësi nuk është aspak e interesuar në  aspektin e shifrave, pasi sic theksuam më sipër protesta do jetë pikënisja e një vale tubimesh që nuk do ndalen deri në arritjen e objektivave, sigurisht nga ana elektorale nuk mund të mos merret parasysh edhe kjo anë e medaljes. Nëse pjesëmarrja në protestën e 18 shkurtit do jetë masive, padyshim kjo mund të cilësohet si një përgjigje e mirë për demokratët në kuadër të 18 qershorit. Po ashtu pjesëmarrja do jetë edhe një test për qeverinë aktuale, pasi turma në shesh do vërtetojë se sa nga 1 vit e pak muaj më parë është rritur ose zvogëluar irritimi dhe kundërshtia e qytetarëve ndaj ekzekutivit “Rama”. Dhe për ta vërtetuar këtë nuk mbetet gjë tjetër vetëm se të presim 18 shkurtin, i cili sic thamë në nisje të shkrimit, nuk do jetë aspak “përsëritës” dhe “monoton”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here