Ligji i ri/ Çfarë po bëhet me premtimet për pronat?

0
390

 

Megjithëse ligji i ri ‘Për trajtimin e pronës’ nuk ka një faturë financiare se sa kushton kompensimi, qeveria në mënyrë indirekte thotë se do të mbyllë procesin e kompensimit në 10 vitet në vijim

Ervin Kaduku

 

Teksa nevojat për kompensimin e ish pronarëve janë shumë më të larta në krahasim me fondet buxhetore në dispozicion sërish qeveria nuk arrin të alokojë në drejtim të kësaj shtresë edhe sasitë e programuara në buxhetet vjetore. Sipas të dhënave fiskale paraprake të Ministrisë së Financave në vitin 2016 ish/pronarët morën 1.5 miliardë lekë si kompensim nga fondet buxhetore nga 3.6 miliardë të tilla që ishin programuar, duke u realizuar në vetëm 41 për qind të planifikimit. Nga fondet për kompensimin e ish-pronarëve kanë tepruar 2,1 miliardë lekë ose 15 milionë euro të cilat kanë shkuar për uljen e deficitit buxhetor. Megjithëse ligji i ri ‘Për trajtimin e pronës’ nuk ka një faturë financiare se sa kushton kompensimi, qeveria në mënyrë indirekte thotë se do të mbyllë procesin e kompensimit në 10 vitet në vijim, me një faturë të përgjithshme të kompensimit që është 50 miliardë lekë.

Ligji i ri që hyri në fuqi vitin e kaluar e zhvlerëson faturën e kompensimit me gati 7 herë sipas shembujve tipikë në zonën e Tiranës. Por shoqatat e ish-pronarëve pretendojnë se duke përllogaritur si kompensim të tokës truall kadastrën e vitit 1944, fatura e kompensimit zhvlerësohet shumëfish. Qeveria, nëpërmjet Agjencisë së Trajtimit dhe Kompensimit të Pronës, ka vendosur të kompensojë ish-pronarët me një shumë prej 50 miliardë lekësh, ose 370 milionë euro, deri në vitin 2025.

Deri në vitin 2020, shuma vjetore që do të akordohet nga buxheti i shtetit nuk do të jetë 3-45 miliardë lekë në vit, ndërsa pas këtij viti, deri në 2025, fondi vjetor është parashikuar të rritet gradualisht vit pas viti për të arritur në vitin e 10 të kompensimit që i takon 2025 në 7.6 miliardë lekë.

Sipas të dhënave të Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës ka njohur për efekte kompensimi mbi 80 mijë hektarë tokë truall. Me ligjin e ri, ku referenca do të jetë sipërfaqja truall në vitin 1944, toka truall për kompensim nuk është më shumë se 5-7 mijë hektarë në të gjithë vendin. Reduktimi me këtë përmasë i kompensimit të tokës truall e redukton faturën në mënyrë drastike.

Shtetëzimi i pasurive të paluajtshme nga reforma agrare e viteve 1950-1960 nuk qe asgjë para ndarjes për frymë të tokës bujqësore dhe fragmentarizmit në 3 milionë pasuri që bëri qeverisja demokratike në vitin 1991 me ligjin 7501. Toka bujqësore e dhënë në përdorim ka krijuar 500 mijë pronarë të rinj në kurriz të pronarëve realë, sot nuk mund të zhbëhet më. Qeveria ka nisur procedurat për të bërë pronarë përdoruesit e 7501, ndërkohë zhvillimi i bujqësisë, turizmit, investimeve private do të mbeten përjetësisht peng i këtij zhvillimi të çorganizuar gati me dashje në ndarjen e pronësisë.

 

Rivlerësimi

Afati rivlerësimit të pronave me taksa të zbutura do të shtyhet deri më 31 maj.

Ministria e Financave ka vendosur t’u japë më shumë kohë individëve dhe bizneseve për të rivlerësuar apartamentet apo pronat e tjera që disponojnë me çmimet e tregut, për të ulur barrën fiskale që duhet të paguajnë në rast shitjeje të tyre.

Sipas legjislacionit tatimor, shitja e një prone i nënshtrohet taksës 15 për qind, e cila llogaritet mbi diferencën mes çmimit të shitjes dhe atij të blerjes. Pra, nëse një individ e ka blerë një apartament 50 mijë euro para disa vitesh, por e shet atë 70 mijë euro, atëherë ai duhet të paguajë një taksë 15 për qind mbi diferencën prej 20 mijë euro.

Meqënëse shumë prona në Shqipëri janë blerë në kohën kur çmimet ishin më të ulëta, Ministria e Financave miratoi një udhëzim, i cili i jep mundësi qytetarëve apo biznesit që t’i rivlerësojnë këto prona me çmimet aktuale duke paguar një taksë jo më 15 për qind, por vetëm 2 për qind.  Udhëzimi ka hyrë në fuqi më 1 shtator të vitit të kaluar dhe përfundonte në fund të muajit shkurt. Por burime nga Ministria e Financave thanë se për shkak të fluksit të rivlerësimit që vazhdon të mbetet i lartë, afati i tij do të shtyhet deri më 31 maj.

Hileja me taksat?

Në fakt, deklarimi i vlerës së vërtetë të pronës mund të ndikojë në rritjen e taksave në bazë të çmimit të rivlerësuar të saj. Ministria e Financave ende nuk ka deklaruar se cila do të jetë kjo formë tatimi, por në momentin që tatimi i pasurisë do të bëhet sipas vlerës së pronës dhe jo siç është sot, në bazë të metrit katror, taksa që do të paguajnë ata dhe që do të rritin vlerën e shtëpisë përmes këtij procesi, do të jetë më e madhe…

Ekspertët e qeverisë, krahas amnistisë së rivlerësimit, janë duke asistuar formulimin e një drafti për të realizuar kadastrën fiskale. Projekti synon që të gjitha pronat dhe asetet që janë pasuri të regjistruara të hidhen në një sistem elektronik dhe të kenë të dhënat për vlerën reale të tyre. Për pasuritë, të cilat nuk kanë deklaruar vlerën reale, baza e tatueshme do të jetë ajo e çmimit fiskal të vendosur nga qeveria.

Deklarimi i vlerës së vërtetë të pronës, mund të ndikojë në rritjen e taksave në bazë të çmimit të rivlerësuar të saj. Ministria e Financave ende nuk ka deklaruar se cila do të jetë kjo formë tatimi, por në momentin që tatimi i pasurisë do të bëhet sipas vlerës të pronës dhe jo siç është sot, në bazë të metrit katror, taksa që do të paguajnë ata dhe që do të rritin vlerën e shtëpisë përmes këtij procesi, do të jetë më e madhe.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here