Rasti i dhunës në familje/ Gruaja shqiptare hesht ndaj dhunës, shkak kushtet ekonomiko-sociale dhe mentaliteti

0
334

 

Ajo nuk ishte prej guri e as prej druri, por prej mishi dhe gjaku, i cili po i rridhte në fytyrë. Asaj nuk i interesonte veprimi i bashkëshortit, por sytë tanë që nuk e shmangnin dot një situatë të tillë.
Dhuna është një fenomen i njohur në çdo cep të Shqipërisë. Në momentin që del jashtë derës së shtëpisë, asgjë nuk është më e sigurtë, sepse është e pamundur të mbështjellësh frikën me sigurinë. Kudo shikojmë dhe dëgjojmë ushtrimin e dhunës, nga nxënësit e shkollave mes njëri-tjetrin, mësuesit ndaj fëmijëve dhe burrit ndaj gruas. Janë të rënda për t’u raportuar, por ndodhin. Janë fenomene që na shoqërojnë, të cilat ndoshta nuk justifikohen,sepse dhuna si fenomen nuk ka justifikim, por përballohen. Ajo që nuk përballohet është kur dhuna  ndodh brenda mureve të shtëpisë tende, duke tu bërë pjesë e përditshmërisë. Femrat janë ato që i prek më shumë ky fenomen që po ecën me ritme të shpejta duke mbërthyer fort shumë familje shqiptare.

Rasti

Familja Hysa në qytetin e Vlorës është tipikja e familjeve ku dhuna është bërë pjesë e përditshmërisë. Zonja e shtëpisë Sh. e ka të përditshme një të rrahur nga bashkëshorti i saj . Është për të ardhur keq se si ai e keqtrajton dhe ajo nuk mund të ndryshoj asgjë.
Por, ky është realiteti i hidhur që si znj. Sh, e jetojnë dhe shumë femra të tjera. Ato janë nënat tona, motrat tona, shoqet tona, dhe shpesh jemi edhe ne, që ndonjëherë nuk e kuptojmë, ose ka raste të tjera që nuk duam ta pranojmë, dhe gjithë kjo vjen si pasojë e mentaliteti. Znj. Sh. është rreth të 45-ve, shtëpiake dhe nënë e tre vajzave, ndërsa F me profesion është polic. Duket ironi e fatit se si një polic rreh gruan e tij, sepse polici në gjakun e tij ka rendin, sigurinë dhe jo panikun e frikën. Një herë e ka rrahur aq fort dha kaq shumë sa ra pa ndjenja. Sapo ishte kthyer nga puna, nën efektin e alkoolit, ndërsa ajo po kthehej nga dyqani. E tërhoqi zvarrë nëpër rrugët e lagjes, duke sharë dhe ofenduar. Grushtet njëri pas tjetrit binin në trupin e saj thatanik dhe vocërrak. Por, jo vetëm grushte, por shkelma kaq të fortë, që më shumë të dhimbin në shpirt.
Ajo nuk ishte prej guri e as prej druri, por prej mishi dhe gjaku, i cili po i rridhte në fytyrë. Asaj nuk i interesonte veprimi i bashkëshortit, por sytë tanë që nuk e shmangnin dot një situatë të tillë.
Sh. nuk rezistoj dot më, ashtu e përhumbur, duke kërkuar me ngurim që ai ta lëshonte, ra pa ndjenja në tokën e pluhurosur e të thatë. Vajzat rënkonin pas saj të lemerisura dhe duke u mbështetur njëra-tjetrën. Ai, “babai” i tyre dhe “bashkëshorti” i saj ndihej i lumtur, i plotësuar, ndoshta i kishte munguar një veprim i tillë prej ditësh. Kjo grua  jeton këto situata çdo ditë në familjen e saj.

 

 

Denoncimet

Sipas psikologëve, arsyet se pse gratë nuk i denoncojnë rastet e dhunës janë të shumta, por jo të justifikueshme.  Gratë që denoncojnë dhunën e burrit të tyre, janë të pakta dhe kjo ndodh për një serë arsyesh. Pikë së pari, gratë, janë akoma preh e paragjykimeve. E konsiderojnë një veprim të turpshëm, nëse do të vetëmbrohen dhe do ti denoncojnë burrat  e tyre. Pavarësisht se janë të dhunuara prej vitesh, ato nuk e raportojnë gjendjen e tyre, duke shfaqur një personalitet tjetër në shoqëri .Sepse jetojnë në një mentalitet ku shoqëria është maskiliste dhe gruaja konsiderohet si “shtojcë’’ e burrit edhe në vitet e kësaj demokracie të lartë. Kanë frikë të tregojë realitetin në të cilin jetojnë, sepse dhe ndoshta nuk e pranojnë dot pavarësisht se kanë vite të dhunuar. Ato ecin me një shprehje të urtë që populli ka thënë dikur: “Sa vrima ka muri, aq halle ka burri”, e gjithë kjo vjen si pasojë e botëkuptimit të tyre, arsimimit të munguar dhe kushteve jo të favorshme ekonomike për një mjedis të ngrohtë familjar. Vazhdon më tej me faktorë të tjerë, ku sipas psikologeve këto femra kanë një vetëvlerësim të ulët për veten. Duke bërë që ti ushtrohen burrit të tyre, deri në ekstrem dhe të tolerojnë dhunën që përdoret ndaj tyre.

Pasojat e këtij fenomeni

Disa nga pasojat e këtij fenomeni janë divorci. Nga studimet e bëra, rezulton që është rritur numri i divorceve në familjet shqiptare. Dhe një nderë arsyet është dhuna që burrat ushtrojnë ndaj grave të tyre. Duke i bërë këto të fundit të kërkojnë divorcin pranë autoriteteve përkatëse. Por nuk është vetëm divorci  i cili po rritet nga viti në vit në vendin tonë. Ky fenomen po rrit fëmijë me pasoja të mëdha, duke e trazuar psikologjinë e tyre. Dhuna në familje i bënë fëmijët të jenë më agresivë në shoqëri, duke e përdorur dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit, për të treguar kushtet në të cilën ata rriten. Një tjetër pasoj e rëndë është degradimi i krijimit të familjes me baza të shëndosha, duke bërë që shumë të rijnë t’i largohen përgjegjësisë së krijimit të familjes.

A mund të ndryshohet?

Kjo është situata në të cilën jetojmë. Jetë e hidhur, e vështirë, e papërballueshme, por ekziston, është aty ku jemi dhe ne. Nga e gjithë kjo lind pyetja “A mund ta ndryshojmë këtë situate?” Sigurisht që e ndryshojmë, por vetëm zëri i znj. Sh nuk mjafton, sepse është i pafuqishëm dhe i padëgjueshëm i vetëm. Nëse do t’i bashkëngjiteshin dhe zëra të tjerë do të bëhej i fuqishëm. Nëse media do të punonte për t’i zbardhur këto ngjarje,  dhe ti kushtonte më shumë vëmendje. Nëse shteti do të merrte masa, dhe nuk do të ishte kaq egoiste, duke u marrë përgjithësisht me problem të vogla. Pasi dhuna në familje është plage e vjetër në shoqërinë tonë.  Nëse këto gra do t’i bënin të dukshme këto ngjarje të jetës së tyre,  duke i denoncuar të gjitha rastet dhe duke kërkuar të drejtën e tyre. Rastet do të ishin të pakta në numër, për të mos thënë inekzistente. Por, nëse ne si shoqëri do të ecim gjithmonë me këtë “Nëse” çdo gjë do të mbetet aty ku është. Asgjë nuk do të ndryshojë, sepse ne nuk jemi të fortë t’ia përballojmë. As znj. Sh, as femrat e tjera nuk meritojnë të jetojnë nën petkun e dhunës. Njeriu, nëse e mbështjell vlerën e tij në këtë guaskë të ashpër dhune, është i padukshëm edhe pse mund të jetë gjigant.
Dhe këto femra do të jetojnë në këtë guaskë të kufizuar të veprimtarisë së dhunës dhe janë të padukshme, kur nuk e shfaqin hapur guaskën në të cilën jetojnë, sepse thjeshtë është e vështirë që organet kompetente t’i identifikojnë. E nëse znj. Sh do ta shfaqte, realiteti ndoshta nuk do të ishte më i bukur, por ky burrë nuk do të ishte ai që është sot!

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here