Vijon diskriminimi nga ana e Kryeministrit hakmarrës për kryebashkiakun, Bashkinë dhe qytetarët e Kamzës Kryetarët e bashkive të vendit u thirrën sot në një takim në Kryeministri nga kreu i qeverisë, por Edi Rama nuk thirri kryetarin e Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu. Ky Kryeministër hakmarrës vijon të diskriminojë jo vetëm Bashkinë, kryebashkiakun e saj, por edhe qytetarët e Kamzës, duke harruar që Kamza është Bashkia e gjashtë në shkallë vendi. “Programi i Rilindjes Urbane është një urë shumë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe bashkive”, – është shprehur Kryeministri sot, por këtë frymë bashkëpunimi nuk e ka shtrirë te bashkitë e djathta, veçanërisht te Bashkia e Kamzës, të cilën për katër vjet rresht e ka diskriminuar, jo vetëm si institucion, por edhe qytetarët e saj. Më absurde dhe më e dhimbshme bëhet kjo, kur mendon se në këtë qytet nuk jetojnë vetëm demokratë, por edhe qytetarë të bindjeve të majta apo bindjeve të tjera, të cilët e vuajnë diskriminimin e këtij Kryeministri hakmarrës. Ritheksojmë edhe një herë në 4 vjet kjo qeveri nuk ka akorduar asnjë fond apo financim për rreth 130 projekte të paraqitura qeverisë. Ndoshta mosthirrja e kryebashkiakut Xhelal Mziu në këtë takim vjen për këtë shkak, pasi asnjë qindarkë nuk i është dhënë njësisë vendore që drejton z. Mziu për tri mandate rresht. Vijon kështu ende që të mos ketë frymë bashkëpunimi nga ana e qeverisë, pavarësisht nga nevojat që kanë banorët e Kamzës dhe të Paskuqanit për investime publike në fusha jetike për ta.