Ndryshojnë rregullat për deklarimin dhe pronat, gati amnistia e reduktuar fiskale

0
393

 

 

Ervin Kaduku

 

Ndryshojnë sërish rregullat fiskale. Nga data 1 shkurt e këtij viti të gjitha bizneset do të kenë mundësi që të krijojnë automakisht listëpagesat për punonjësit e tyre. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deklaroi se : “Listëpagesat do të krijohen automatikisht, për çdo periudhë tatimore, çdo datë 1 të muajit pasardhës, duke iu dhënë mundësinë të vijoni me deklarimin e tyre në të njëjtën mënyrë siç veproni me deklaratat e tjera tatimore. (pa pasur nevojë të krijoni listëpagesë ESIG 025)”.

Sipas burimeve zyrtare të DPT-së ky është një proces që do të shërbejë për lehtësimin e procedurave për listëpagesat, sikudër ndodh edhe me deklarimet e tjera tatimore.

Nga ana tjetër do të mund të shërbejë edhe si një kujtesë, kryesisht për bizneset e vogla për të dorëzuar këto lista dhe për të bërë ndryshimet që mund të jenë të nevojshme, siç janë hyrjet e reja apo largimet nga puna.

Deri tani bizneset, çdo datë një të muajit duhet të përditësonin listëpagesat e tyre, të reflektonin ndryshimet nëse kishte dhe të krijonte një direktori të re për muajin pasardhës. Por, krijimi i kësaj direktorie nuk do të jetë më i nevojshëm, pas datës 1 shkurt pasi do të gjenerohet automatikisht nga vetë sistemi.

Për biznesin pjesa ku do të duhej që të tregohej më shumë kujdes ishte pikërisht deklarimi i hyrjeve të reja ose të daljeve nga puna, pasi duhet të raportohen saktësisht datat.

 

Amnistia

Ministria e Financave ka hartuar draftin final për “Pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes së detyrimeve tatimore”. Ky ligj parashikon pagesën dhe fshirjen e detyrimeve tatimore të papaguara, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit, pas fshirjes së detyrimeve tatimore të papaguara. Për detyrimet tatimore, ashtu siç ka deklaruar dhe ministri i financave Ahmetaj së fundmi do të fshihen të gjitha detyrimet e krijuara deri në 31 dhjetor 2010. Nga 1 janari 2011 deri në 31 dhjetor 2014 do të falen gjobat me kusht që të paguhet detyrimi i plotë. Falje të gjobave do të ketë edhe pas vitit 2014, por vetëm për dy kategori. Së pari gjobat që u vunë në qershor të vitit të kaluar nga sistemi për vonesa të deklarimit të administratorit, por edhe vonesat në deklarimin e punonjësve. Një pjesë e bizneseve që kanë paguar këto gjoba pasi nuk arrinin të merrnin dot vërtetime mund të kërkojnë që ato të zbriten nga detyrimet që kanë për të paguar.

Së dyti, do të falen gjobat për kompanitë e kasave, që u vunë gjatë periudhës së aksionit anti-informalitet për vonesa në furnizimin me kasa fiskale.

 

Makinat

Drafti parashikon që, në përputhje me përcaktimet sipas këtij neni, hiqen nga qarkullimi të gjitha mjetet e regjistruara në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, për të cilat nuk është kryer asnjë veprim me këto mjete pas datës 31 dhjetor 2011 e në vijim.

Heqja nga qarkullimi e ketyre mjeteve bëhet pasi fshihen detyrimet tatimore të papaguara për to, si: taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksa vjetore e mjeteve të përdorura, taksa e mjeteve luksoze, si dhe gjobat e llogaritura për efekt të mospagimit të taksave. Subjektet/personat përgjegjës kanë të drejtë që brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të paraqiten pranë DPSHTRR për të kryer, pa pagesë, veprimet e heqjes nga qarkullimi të mjetit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi dhe mbajtjen aktiv të tij.

Personave të cilët paraqiten dhe kërkojnë moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi të mjetit ose mbajtjen aktiv të tij, u fshihen detyrimet tatimore për periudhat dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguajnë  detyrimet për periudhën  janar 2011 e në vijim, me përjashtim të gjobave dhe kamatevonesave të periudhes janar 2011 deri me dhjetor 2014  të cilat fshihen.

Nëse brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, personat e interesuar nuk paraqiten për të kërkuar mbajtjen aktiv të mjetit, DPSHTRR-ja do të kryejë pa pagesë, heqjen nga qarkullimi të mjetit dhe fshirjen e detyrimeve tatimore të tij.

 

Pronat

Afati për të bërë rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme përfundon në 28 shkurt të këtij viti. për çdo pronë që kryen rivlerësimin, në momentin e regjistrimit të vlerës së saj në ZRPP do të paguhet tatimi mbi diferencën, që është 2% për individët dhe 3% për bizneset. Presidentja e Dhomës Kombëtare të Noterisë Mimoza Sadushi shprehet se interesi për këtë proces ka qenë i lartë dhe shumë prona kanë pasur vlera shumë më larta krahasuar me çmimin që janë blerë.

“Ka nga ata qytetarë që bëjnë rivlerësimin për ta çuar pasurinë në vlerën që ka përcaktuar shteti sipas çmimeve të referencës. Në rastin kur ai do ta çojë më vlerën më lart se çmimet e referencës sepse realisht pasuria e tij ka një vlerë më të madhe, atëherë i drejtohet vlerësuesve”. Sipas Sadushit rivlerësimi kërkohet më tepër për apartamente të blerë më lirë dikur, por sot vlera e tyre është shumë më e lartë, dyqanet dhe trojet.

“Ata bëjnë verifikimin në vend të pasurisë. Më shumë mendoj që janë apartamentet ato që rivlerësohen, por nuk mbeten pas dyqanet apo trojet dhe qytetari gjithmonë do të paguaj 2% të diferencës që asaj që ka blerë me atë vlerë që ka sot”, u shpreh ajo më tej.

Por nëse ky interes do të jetë i lartë, do të duhet që afati i kësaj fushate për procesin e rivlerësimit do të duhet të shtyhet përtej shkurtit. Është qeveria ajo që vendos nëse do të ketë shtyrje apo jo.

Kjo fushatë për rivlerësimin e pasurisë u njoh si një lloj amnistie për të shmangur vlerat fiktive të pronave të ndryshme dhe rigjallëron ofertat në treg. Por, noterët rekomandojnë se rivlerësimi i pasurive të paluajtshme duhet të bëhet për çdo pronë përpara shitjes së saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here