Atentat para derës së shtëpisë shijaksit të dënuar për trafik droge/ Çfarë dëshmoi në Polici

0
170

Të tjera detaje dalin në dritë lidhur me antetatin që iu bë dy ditë më parë në Shijak Saimir Gjepalit, një ish-i dënuarin për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ai mbeti i plagosur nga plumbat, pasi persona ende të paidentifikuar i kishin zënë pritë në afërsi të banesës së tij në Shijak.

Sakaq, Policia vijon hetimet për zbardhjen dhe identifikimin e autorëve, që tentuan të eliminonin në atentat Gjepalin.

Grupi hetimor, i cili u ngrit menjëherë për të hetuar ngjarjen, ka përcaktuar dy pista në lidhje me shkakun e këtij atentati, që fatmirësisht Gjepali arriti t’i shpëtonte: të kaluarën e tij kriminale në fushën e narkotrafikut dhe ndonjë konflikt të mundshëm të 42-vjeçarit të kohëve të fundit, raporton “Panorama”.

Gjatë 48 orëve të fundit, policia ka shoqëruar mbi 15 persona në komisariat, mes tyre të dyshuar dhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Vetë shënjestra e këtij atentati ka pohuar për policinë se nuk ka dyshime konkrete te ndonjë person.

Për shkak të errësirës, ai i ka pohuar policisë se nuk ka arritur të dallojë personat që qëlluan në drejtim të tij. Ngjarja ndodhi teksa ishte duke u kthyer në banesë rreth orës 02:20 të së mërkurës me automjetin e tij “Range Rover”.

Ai ka pohuar se në momentin që i ishte afruar banesës në lagjen “Ballias” (Shijak) ka dëgjuar të shtëna armësh dhe është përpjekur t’u shmangej plumbave, por nuk ka arritur të identifikonte dot autorët që i kishin zënë pritë pranë shtëpisë, raporton “Panorama”.

Si pasojë e të shtënave, 42-vjeçari mbeti i plagosur në parakrah, por fatmirësisht pa probleme për jetën. Pasi ka marrë mjekim në spitalin rajonal të Durrësit, Gjepali është larguar për në banesë.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të kalibrit 9 mm, ndërsa asnjë prej kamerave të instaluara në objektet e zonës nuk kanë imazhe nga lëvizja e autorëve, të cilët duke përfituar nga errësira kanë mundur të largohen.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here