“Brenda 4 orësh”/ Rikthehen grabitjet, për pak kohë regjistrohen 3 raste, autorët në drejtim të pa ditur

0
142

 

Grabitjet u shënuan në Tiranë, Korçë dhe Fier. Në Tiranë u grabit një bankë e nivelit të dytë. Në Korçë u grabit biznesi i materialeve të ndërtimit. Në Fier është grabitur menaxheri i një firme private

Besar Bajraktaraj

Grabitjet e bizneseve, bankave, karburanteve, individëve etj, janë ngjarje që po përsëriten gjithnjë e më shumë kohët e fundit. Pas një serë grabitjesh të karburanteve, ku gjashtë të tilla u shënuan në muajin tetor dhe vijuan edhe muajin nëntor dhe dhjetor, grabitjet rikthehen sërish në vëmendje. Bëhet fjalë për 3 grabitjet e radhës të cilat u regjistruan brenda një harku kohor të shkurtër, për 4 orë. Grabitjet u shënuan në 3 qytete të vendit, përkatësisht në kryeqytet, në Fier dhe në Korçë. Kështu një bankë e nivelit të dytë është grabitur në mëngjes dje nga persona ende të paidentifikuar. Sipas burimeve të policisë bëhet me dije se dy persona të maskuar dhe të armatosur, kanë arritur të hyjnë në një bankë pranë “21 Dhjetorit” në kryeqytet, por nuk dihet sasia e parave që kanë grabitur. Pasi në bankë ka rënë alarmi atë janë larguar me një motor të vogël. Banka ndodhet vetëm 100 metra nga komisariati i policisë, çka ka bërë që blutë e kryeqytetit të vihen menjëherë në ndjekje të tyre. Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar një armë zjarri që mendohet se i ka rënë nga duart njërit prej grabitësve nga nxitimi për t’u larguar.

Skema e grabitjes së bankës

Autorët kanë mbërritur me një motor të vogël para bankës, me kapele në kokë dhe shall. Më pas ata kanë hyrë qetësisht në bankë dhe në atë moment i kanë drejtuar armën punonjësit të sigurisë së bankës. Grabitësit kanë dashur të përfitojnë nga fakti që para orës 09:00 në bankë nuk ka punonjës, por kur kanë shkuar drejt kasafortës për të kryer grabitjen, diçka nuk ka shkuar sipas parashikimeve të tyre. Ndërsa tentonin ta hapnin, në bankë ka rënë sinjali i alarmit. Të kapur në befasi, ata kanë lënë edhe pistoletën brenda ambienteve të bankës, kanë marrë një sasi parash që ishin jashtë kasafortës, duke ia mbathur më pas me motorin e parkuar jashtë. Edhe drejtoresha e bankës ka konfirmuar dje se kasaforta nuk është hapur dhe se grabitësit kanë marrë një sasi parash që ndodheshin jashtë saj, por shuma nuk bëhet ende e ditur. Policia mbërriti në vendngjarje e cila sekuestroi kamerat e sigurisë së bankës. Nga pamjet e bizneseve përreth autorët e grabitjes janë larguar me shpejtësi në një rrugicë në pjesën e pasme të bankës. Njëri prej grabitësve në videon e kamerave të sigurisë, duket të ketë veshur xhup të kuq, ndërsa tjetri të zi. Në momentin e hyrjes në bankë ata mbanin shall dhe kapele për të mos u identifikuar, ndërsa brenda bankës kanë lënë edhe pistoletën me të cilën kërcënuan rojën e bankës. Sakaq, burime nga policia thonë se janë pranë identifikim të dy grabitësve. Por lidhur me këtë ngjarje blutë deklaruan: “Rreth orës 08:25, tek një filial i një banke të nivelit të dytë, tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, kanë hyrë dy shtetas të dyshuar me armë zjarri dhe të maskuar me shall dhe kapele, të cilët pasi kanë neutralizuar punonjësit e sigurisë së bankës, kanë marrë një sasi lekësh në kasë. Nga veprimet e para, është sekuestruar një armë zjarri  pistoletë e cila dyshohet se është lënë nga autorët. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po punon për identifikimin e personave dhe kapjen e tyre. Ndërkohë shërbimet e policisë po krehin zonën përreth si dhe janë ngritur pika kontrolli”.

Grabitësit lënë armën në vendngjarje

Nga veprimet e para, është sekuestruar një armë zjarri i cila është lënë në bankë nga njëri prej autorëve. Ata kanë lënë pas një pistoletë që i ra nga duart njërit prej tyre nga nxitimi për t’u larguar. Pritet që pikërisht kjo armë e cila është gjetur në ambientet e brendshme të bankës të jetë pika kryesore që do të çojë policinë në identifikimin e autorëve. Shenjat e gishtërinjve në të dhe shkrepjet që ka bërë do hedhin dritë mbi ngjarjen. Sipas policisë, edhe kamerat e sigurisë te bizneseve aty rrotull pritet të jene një tjetër pikë e fortë që do të çojë në identifikimin e shpejtë të autorëve. Policia ka ngritur pika kontrolli në Tiranë dhe po kontrollohen njerëz që lëvizë me motorë në harkun kohor qe ndodhi grabitja.

Korçë/ Maskat lidhin me litar rojën dhe marrin 7 milionë lekë

Grabitja tjetër është raportuar nga policia e Korçës, e cila njoftoi tre persona të maskuar dhe të armatosur, kanë grabitur një biznes materialesh ndërtimi në Korçë. Grabitja ka ndodhur pas mesnate rreth orës 01:35 në fshatin Bulgarec, ku tre persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur të marrin paratë që ndodheshin në kasafortë. Sipas policisë së Korçës në godinë ka qenë vetëm roja, i cili është lidhur më litarë nga autorët. Më pas grabitësit kanë arritur të hapin kasafortën duke marrë paratë e xhiros së bërë në fundjavë, 7 milionë lekë të vjetra.

Biznesi me materiale ndërtimi, rezulton në pronësi të shtetasit L.L. Ky i fundit, siç bëhet e ditur,  natën e djeshme është përballur edhe me një fatkeqësi tjetër, atë të ndarjes nga jeta të babait të tij. Policia po merr në pyetje rojën dhe po heton përmes pamjeve të kamerave të sigurisë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Lidhur me këtë ngjarje burime pranë policisë njoftuan: “Më datë 19.12.2016, rreth orës 01.35, jemi njoftuar se në fshatin Bulgarec, në biznesin privat (prodhime materialesh ndërtimi) të shtetasit L.L, kanë hyrë dy persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët dyshohet se kanë vjedhur një sasi parash brenda kasafortës së biznesit dhe më pas janë larguar. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj”.

Fier/ Hajdutët me armë i rrëmbejnë 22 milionë lekë një firme private

Grabitje a radhës është shënuar në qytetin e Fierit ku është marrrë një sasi e konsiderueshme lekësh në një firmë me pajisje elektronike. Kjo është e treta brenda 4 orëve në vendin tonë. Grabitjet nisën këtë të hënë me bankën e nivelit të dytë tek zona e 21 Dhjetorit në kryeqytet, ku ende nuk është zbuluar sasia e parave të marra, ndërsa vetëm një orë pas saj, u grabit një fabrikë e një ndërtuesi të fuqishëm në Korçë, ku hajdutet arritën të marrin të gjitha paratë që kishte në kasafortë. E treta është kjo e ndodhur pak minuta më parë në Fier, ku pre e grabitjes ka rënë një firmë që tregtonte pajisje elektronike. Policia ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa paraprakisht mësohet se grabitësit nën kërcënimin e armës i kanë marrë menaxherit të firmës 22 mln lekë të vjetra. Lidhur me këtë ngjarje policia e Fierit deklaroi: “Më datën 19.12.2016, rreth orës 10:45, në lagjen “Apollonia”, në afërsi të shkollës “Dertliu”, dy persona të paidentifikuar, i kanë marrë nga dora çantën menaxherit të AZA Elektronik dhe janë larguar me shpejtësi. Dyshohet se në çantë kishte rreth  2 milion lekë. Policia po punon për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.

Tre grabitje për 4 orë, Qato: Ka ulje të veprave penale, numri më i ulët se një vit më parë

Lidhur me tre grabitjet me armë të ndodhura në 24 orët e fundit në Korçë, Tiranë e Fier, ku ende nuk ka asnjë të arrestuar apo të shpallur në kërkim, Altin Qato, Drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit, tha se numri i veprave kriminale është më i ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë. “Kemi hartuar një plan. Është bërë një përforcim i masave për kontrollin e territorit. Ka një ulje të veprave penale, por numri është më i ulët se një vit më parë. Për ngjarjen në Tiranë dhe Fier shumë shpejt do të japim emrat dhe arrestimin e autorëve”, tha Qato. Gjithashtu në konferencë për shtyp Qato tha se duke filluar nga pasditja e djeshme, të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit do të jenë në terren për të garantuar siguri dhe mbarëvajtje gjatë festave të fundvitit. I pyetur nga gazetarët mbi aksionin e Policisë për arrestimin e Klement Balilit, Qato tha se “Do të kërkojmë arrestimin jo vetëm të Klement Balilit, por të të gjithë personave të shpallur në kërkim”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here