Një jetë me Kozencën, magazinieri shqiptar nderohet për Krishtlindje

0
307

“Historia e tij është e njëjtë me shumë nga bashkatdhetarët e tij që e kanë parë Italinë si vendin e ëndrrave. Ai, ‘El Doradon’ e tij e ka gjetur në Kozenca”. Sajti informativ italian i lajmeve “GianlucaDiMarzio” sjell historinë e shqiptarit Desdan Mata, i cili ia ka kushtuar jetën e tij një klubi futbolli në shtetin ku emigroi me gomone.

“Në këtë vend, emri i tij është i lidhur ngushtë me atë të skuadrës kuqeblu të qytetit. Burrin shtatshkurtër e njohin të gjithë dhe simpatia që kanë për të, nuk ka të bëjë aspak me gjatësinë që ka. Humanizmi që e karakterizon e ka bërë atë që të jetë një ndër më të vlerësuarit dhe më të dashurit në këtë klub.

Desdan Mata, që për të gjithë njihet si Danieli, është magazinieri i Kozencës. Ka mbërritur në Itali në vitin 1993 me një gomone që e ka sjellë nga Shqipëria në Brindizi. Që në fillim ai ka jetuar në Mendikono, një vend i vogël pranë Kozencës, ku më parë kishte mbërritur vëllai i tij. Nuk kishte leje qëndrimi në Itali dhe për katër vite rrojti me zemër në dorë nga frika se mos e zbulonin dhe e nisnin sërish në shtëpinë e tij. Gjatë kësaj periudhe, endej sa në një punë te një tjetër.

Në 1997-n u pajis me dokumente dhe në vitin 2002 mori edhe familjen e tij në Itali. Pak muaj më vonë, ishte skuadra e futbollit të Kozencës që i ofroi një mundësi punësimi. Daniel qëndronte gjithmonë i fshehur, si “vjedhurazi” në punën e tij, si për të mos rënë në sy. Nga viti i Serisë B, deri në atë kur ekipi ra në Serinë D, ai ka qenë gjithmonë pjesë e skuadrës.

Gjithmonë e më shumë duke dalë në pah me mirësinë e tij. Gjithmonë e më shumë një pikë referimi për këdo futbollist që iu bashkua Kozencës dhe për anëtarët e stafit të kësaj skuadre. Të dëgjoje të flitej keq për të, ishte e pamundur. Cilido gazetar që afrohej në “Sanvitino” për të ndjekur stërvitjen e Kozencës takonte fillimisht Danielin dhe ndante një kafe miqësore me të.

mata_destan

Pas shumë vitesh është koha që ai të marrë një shpërblim, për gjithçka të mirë që ka bërë në këtë klub. Dhurata e Krishtlindjes për Danielin është nga lojtarët e Kozencës dhe i gjithë stafi i kësaj skuadre, ai teknik dhe mjekësor. Për të ka një makinë të re. Ajo që Danieli përdorte ishte vjetruar shumë dhe i sillte shpesh shumë telashe.

Pak para një seance stërvitore të skuadrës, nuk ishte Danieli që kishte mbërritur i pari për të bërë gati bazën materiale. Ishte e gjithë skuadra që i kishte sjellë një makinë të re. Madje, edhe me një fjongo të kuqe sipër. Një dhuratë e vërtetë dhe e duhura për idhullin e këtij klubi, që nuk ka ngurruar t’i përqafojë të gjithë për t’i falënderuar për makinën e re tip ‘Lancia Y’. Nga menaxheri i skuadrës deri te lojtari i fundit.

Një veprim i madh, që i shkon për shtat asaj që ka bërë ky njeri për këtë klub dhe në këtë skuadër. Një raport që e vërteton akoma më shumë shprehjen që thuhet zakonisht në këtë qytet: Thuaj Daniel dhe të vjen ndërmend Kozenca. Thuaj Kozenca dhe sill ndërmend Danielin. Nganjëherë, jeta mund të jetë e mrekullueshme për ato që sjell…”./panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here