Fondi i solidaritetit/ Të pakënaqur me pensionet, ja ku do të merren paratë e shpërblimit

0
212

Nëse të gjithë pensionistët përfitojnë një shpërblim prej 6 mijë lekësh, atëherë vetëm fatura e shpërblimit të pensionistëve do të rezultonte rreth 3.6 miliardë lekë

Pas vendimit të Qeverisë për të shpërblyer pensionistët me vlerën e 6 mijë lekëve të reja, përfituesit shprehen të gëzuar. Por mosha e tretë shprehet e pakënaqur me masën e pensionit në terësi, pasi sipas tyre kjo pagesë nuk u mjafton për të blerë ilaçe dhe ushqime. Pensionistët shprehen optimistë për masën prej 6000 lekë si shpërblim në fundvit, shumë që i shtohet pensionit të tyre. “Në krahasim me vitet e tjera na u duk mirë, ishte një çikë më shumë, por ne jemi shumë dobët me ato pensione të vogla. Megjithatë ne kënaqemi me kaq. Disa nga të moshuarit shprehin pakënaqësi për pensionin e ulët që marrin, duke e konsideruar atë si të pamjaftueshëm për t’u kuruar nga ana shëndetësore dhe për të festuar festat” tha një pensionist. Por nga ana tjetër një tjetër pensionist është shprehur se pensionet nuk u dalin as sa për të blerë ilaçet. “Jam pensionist prej 11 vitesh dhe mua më duket kjo një gjë që nuk ndryshon shumë tek pensionistët. Pensionet në përgjithësi janë qesharake, të ulëta. Duhen rritur pensionet, jo të japësh ndonjë thërrime në fund të vitit” tha pensionisti. Posta Shqiptare është në pritje të konkretitizimit të vendimit të Qeverisë për të vijuar shpërndarjen sipas kalendarit. Më herët  qeveria ka bërë të ditur se rritja e pagave dhe pensioneve do të fillojë nga 1 marsi i vitit 2017.

Fondi i qeverisë

Të mërkurën kryeministri shpalli një paketë solidariteti në ditët e fundit të vitit, që parashikon shpërblim për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike dhe ata me aftësi të kufizuara. Gjithashtu, paketa parashikon edhe dëmshpërblimin për familjet e përmbytura dhe për fermerët e dëmtuar nga dermatoza nodulare. Në fakt, ende nuk ka një faturë të qartë financiare për Fondin e Solidaritetit. Sipas statistikave më të fundit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Shqipëria ka rreth 607 mijë pensionistë, por nga këta vetëm 483 mijë janë pensione pleqërie, ndërsa diferenca janë pensione invaliditeti dhe pensione familjare. Nëse të gjithë pensionistët përfitojnë një shpërblim prej 6 mijë lekësh, atëherë vetëm fatura e shpërblimit të pensionistëve do të rezultonte rreth 3.6 miliardë lekë. Përfshi edhe dëmshpërblimet për fermerët dhe familjet e përmbytura, fondi do të kalonte shumën e katër miliardë lekëve. Qeveria ende nuk e ka bërë të qartë se si do të financohet ky Fond Solidariteti, që sigurisht nuk është i parashikuar në buxhetin vjetor.

Nga sa mund të kuptohet deri tani, ky fond nuk do të financohet me huamarrje shtesë. Deri në fund të tetorit, buxheti ishte me suficit, për shkak të mosrealizimit të konsiderueshëm të shpenzimeve. Gjatë muajit Dhjetor, u parashikua një rritje prej rreth 7 miliardë lekësh në kalendarin e huamarrjes, por që besohet se do të plotësojë boshllëkun nga mossigurimi i plotë i shumave të kërkuara në ankandet e mëparshme. Pas rishikimit në mesin e muajit nëntor, qeveria nuk ka planifikuar ankande shtesë për huamarrje deri në fund të vitit. Më datë 20 dhjetor do të organizohen vetëm ankandet e planifikuara të bonove dhe obligacioneve, që konsistojnë kryesisht në rifinancim të borxhit ekzistues. Duke qenë se nuk planifikohet rritje e deficitit, atëherë duket se Fondi i Solidaritetit duket se do të financohet duke rialokuar shpenzime nga zërat e tjerë të buxhetit. Me shumë të ngjarë, qeveria mund të përdorë për fondin e kontigjencës, që sipas buxhetit të rishikuar prek vlerën e 3.8 miliardë lekëve, shumë kjo krejt e papërdorur deri në fund të tetorit dhe që është e përafërt me vlerën e supozuar të shpërblimit për pensionistët.

Ndërkohë, shpërblimi për familjet në ndihmë ekonomike dhe dëmshpërblimet për fermerët dhe familjet e përmbytura mund të financohen me paratë e shpenzimeve të tjera të parealizuara. Këtu përfshihen edhe 2.2 miliardë lekë më pak për interesa borxhi më pak se plani, të paguara deri në fund të tetorit, që mund të jenë gjithashtu një tepricë e mundshme për të financuar Fondin e Solidaritetit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here