Interesat e bonove, ekspertët: Rritja do të vazhdojë pasi diktohet nga faktorë të qëndrueshëm

0
248

 

Yield-et e bonove të thesarit dhe të obligacioneve kanë shfaqur ecuri rritëse në tremujorin e tretë, duke prapësuar tendencat e vërejtura gjatë dy tremujorëve të parë të vitit. Rritja e yield-eve ka qenë e përgjithshme, por ajo është shfaqur më e fortë në maturitetet 2-, 7- dhe 10-vjeçare, çka është materializuar në rritje të nivelit dhe të pjerrësisë së kurbës së yield-eve. Ndryshimi i kurbës ka reflektuar si kërkesën e rritur për financim nga qeveria, ashtu edhe ofertën e reduktuar të sistemit bankar në ankande. Gjatë vitit, interesat kishin rënë, madje deri poshtë kufirit të normës bazë, çka solli gradualisht një ulje të interesit të investitorëve dhe preku raportet mes kërkesës dhe ofertës. Rezultati ishte një korrektim në rritje i interesave për bonot dhe obligacionet. Ekspertët parashikojnë që kjo tendencë e tregut mund të vazhdojë edhe në një të ardhme të afërt, çka nënkupton një rritje të mëtejshme të interesave. Sipas tyre, rritja e interesave të bonove dhe obligacioneve do të vazhdojë pasi diktohet nga faktorë të qëndrueshëm dhe mund të rrisë leverdinë e investimit në këto instrumente. Yield-i mesatar i bonove të thesarit 12-mujore u rrit në 1.60% në muajin shtator, kundrejt nivelit 1.30% të shënuar në fund të muajit qershor. Në fund të muajit tetor ai u rrit në 2.05%. Ecuri të njëjtë kanë treguar edhe yield-et e obligacioneve, ku janë regjistruar rritje në çdo ankand. Pjesëmarrja e bankave në ankande është zvogëluar dhe titujt me interes fiks10 kanë njohur ulje më të madhe të kërkesës së bankave. Yield-i i obligacionit 2-vjeçar u ngjit në 2.03% në muajin shtator dhe 2.70% në muajin tetor, nga 1.50% në muajin qershor. Në ankandet e obligacioneve 5- dhe 7-vjeçare, yield-et respektive rezultuan 4.25% dhe 4.89%, nga 3.93% dhe 4.0% që ishin në ankandet paraardhëse. Edhe obligacioni me interes të ndryshueshëm 5-vjeçar ka njohur rritje të marzhit të kërkuar, duke konfirmuar prirjen e përgjithshme rritëse të normave të interesit në tregun e letrave të borxhit të qeverisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here