Përhapja e kanabisit bllokadë për integrimin, a do vijojë Rama ta mbajë ministër Tahirin?

1
195

Kanabisi i përhapur në të gjithë vendin po i kthehet kundër qeverisë. Teksa Saimir Tahiri dhe Edi Rama kanë deklaruar se kjo qeveri ka shkatërruar më shumë kanabis se çdo qeveri tjetër, duket se tani lidhjet e policisë me trafikantë dhe kthimi i Shqipërisë në Kolumbi është shkak i bllokimit të integrimit në Bashkimin Europian. Janë tre shtete që kanë vënë kusht luftën ndaj drogës me qëllim hapjen e negociatave: Gjermania, Holanda dhe Austria. Teksa për qeverinë 99% e kanabisit është asgjësuar, nuk mendojnë kështu vendet e BE. Kanabisi duket se prevalon mbi kushtin e reformës në drejtësi. Teksa për bllokimin e vetingut qeveria fajëson opozitën dhe Gjykatën Kushtetuese, kush mban përgjegjësi për kanabisin? Opozita ka fajësuar për muaj me radhë ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Sipas këtij të fundit, Guardia Di Finanza ka vlerësuar qeverinë, mirëpo nuk ndodh kështu me vendet e tjera. Pyetja që shtrohet është: A do të marrë kryeministri masa ndaj ministrit, pasi është ai bllokuesi i negociatave? Teksa kemi 3 shtete që thonë se nuk është bërë mjaftueshëm me luftën ndaj drogës, a duhet të mbajë dikush përgjegjësi? Emri i Saimir Tahirit është përfolur disa herë se mund të largohej nga posti që mban. Edhe brenda koalicionit të majtë ka pasur shumë rezerva për fenomenin e drogës, ku vetë ministri i Drejtësisë që përfaqëson LSI ka thënë hapur se është fenomen shqetësues dhe duhet të dalë ushtria në terren. Por pavarësisht pakënaqësive, Tahiri ka vijuar të qëndrojë në detyrë dhe të mbrohet nga kryeministri. Por teksa tani gjithë kambanat e BE bien për Saimir Tahirin, është në pikëpyetje lëvizja që do të bëjë kryeministri i vendit. Raportet e ndërkombëtarëve dhe deklaratat e ditëve të fundit duket se po lëkundin pozitën e Saimir Tahirit. Nuk përjashtohet mundësia që Rama të marrë masë ekstreme ndaj ministrit Tahiri për ta larguar nga posti. Por duke qenë se ai është ndër ministrat më të afërt të tij, mund të ndodhë që dhe të mbyllë njërin sy. Gjithçka mbetet të shihet pasi të merret vendimi në dhjetor nëse do ketë apo jo hapje negociatash.

Shqipëria e kthyer në Kolumbi 

Dy vitet e fundit, Shqipëria është kthyer në një Kolumbi për Bashkimin Evropian. Janë një sërë shtetesh, sidomos Holanda e Italia, që e kanë thënë para mediave të tyre se e gjithë Evropa furnizohet me kanabis nga vendi ynë. Kjo është cilësuar si shumë e rëndë nga shtetet e BE, me argumentin se nuk ka se si të anëtarësohet një shtet, i cili është i mbushur me kanabis. Nga ana tjetër kemi vetë ministrin Tahiri dhe kryeministrin Rama, të cilët vijojnë të pretendojnë se është asgjësuar pjesa më e madhe e kanabisit. Ata i janë referuar shifrave të Guardia di Finanza. Por nëse i interpreton si duhet shifrat, del qartë se në 2016 vendi ynë është mbuluar nga kanabisi, nga Veriu në Jug. Të dhënat u interpretuan edhe nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili tha se gjatë këtij viti ka më pak hektarë të raportuar me kanabis sativa. Por një shifër e tillë “suksesi” del pasi ministri krahason shifrat e vitit 2016 me vitin 2013 dhe jo me 2015. Por, ndryshe nga sa pretendon ministri Tahiri se këtë vit ka pak kanabis se tre vite më parë, nëse bëhet një krahasim i shifrave me 2015, del se përgjatë këtij viti është mbjellë 169 hektarë më shumë kanabis sativa. Kështu, sipas raportit në vitin 2015 janë raportuar 44.7 hektarë tokë e kultivuar me kanabis. Ndërsa gjatë këtij viti nga monitorimi nga muaji qershor deri në shtator, janë raportuar 213.4 hektarë sipërfaqe e mbjellë me lëndë narkotike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here