Biznesi: Ja pse nuk nxiten siç duhet investimet në vend

0
187

–   Këshilli i Investimeve propozon një numër masah që duhet të adoptojë qeveria ndaj biznesit

Këshilli i Investimeve analizon se zgjidhja e shpejtë, efektive dhe e drejtë e mosmarrëveshjeve me biznesin brenda vetë organeve administrative është domosdoshmëri për nxitjen e investimeve në vend. Më poshtë janë 12 rekomandimet për qeverinë. Mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve të administratës publike dhe biznesit mbartin kosto të konsiderueshme për palët dhe njëkohësisht sjellin pasiguri dhe mosbesim për investime të mëtejshme si te bizneset vendase, ashtu edhe ato të huaja. Këshilli i Investimeve ka bërë një vëzhgim të hollësishëm mbi procedurat e vështira të apelimit që kalon biznesi në institucionet apeluese në vend. Në takimet e realizuara me bizneset dhe Anketat e Sekretariatit, biznesi është konstatuar se, institucionet buxhetore dhe stafi i punësuar në to, shpesh injoron apo nuk njeh ligjet e funksionimit të tyre, rregullat dhe ndërmerr vendime arbitrare dhe jokoherente me ligjet në fuqi”.

Punimi synon evidentimin e problemeve kryesore në lidhje me ankimin/apelimin. Analiza e Këshillit të Investimeve vë në dukje se, evidentimi i institucioneve me mosmarrëveshjet më të shpeshta me biznesin filloi në bazë të të dhënave të marra nga gjykatat administrative për vitin 2014 dhe vitin 2015. Kështu, institucione si tatimet, doganat, inspektoratet, vendimet e të cilave kanë impakt financiar të konsiderueshëm për bizneset, rezultojnë të kenë numrin më të lartë të padive të biznesit të regjistruara në Gjykatat Administrative të të gjitha shkallëve për vitin 2014 dhe vitin 2015. Ndërkohë, gjykatat administrative janë në pamundësi objektive për të shqyrtuar çështjet brenda afateve ligjore. Kështu po të konsiderohet numri i lartë i çështjeve të regjistruara dhe numri i kufizuar i gjyqtarëve (vetëm në Gjykatën Administrative të Apelit janë të mbartura në total rreth 12,000 çështje që priten të gjykohen nga 7 gjyqtarë), problematika është evidente. Gjithashtu vonesat shkaktohen edhe nga objekti i gjerë i mosmarrëveshjeve administrative që shqyrtohen përpara këtyre gjykatave, ku rreth 50% e çështjeve nuk kanë lidhje drejtpërdrejt me bizneset.

Për këtë arsye, zgjidhja e shpejtë, efektive dhe e drejtë e këtyre mosmarrëveshjeve brenda vetë organeve administrative është domosdoshmëri për nxitjen e investimeve në vend. Kjo kërkon përmirësimin e kapaciteteve institucionale në vend. Nga ana tjetër, edhe vetë bizneset duhet të bëjnë më shumë në rritjen e kapaciteteve të brendshme me ekspertizë të kualifikuar, për të njohur dhe për të zbatuar detyrimet ligjore kundrejt institucioneve.

Në kuadër të analizës së të gjitha mekanizmave të mundshme të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve midis biznesit dhe administratës, Sekretariati konsideroi edhe Ndërmjetësimin dhe Arbitrazhin Kombëtar si metoda alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Për të përmirësuar procedurat e apelimit Këshilli i Investimeve doli me 12 rekomandime ndaj autoriteteve shqiptare.

Rekomandimi 1, më shumë akses në apelim

Ligjet përkatëse, veçanërisht ato në fushën fiskale, duhet të lehtësojnë parakushtet për ankimim administrativ ndaj akteve të administratës, në mënyrë që të rritet aksesi i biznesit. Pavarësisht se janë kryer përmirësime në këtë aspekt (p.sh.: parashikimi në Ligjin 9920 i Garancisë Bankare si alternativë e parapagimit të shumës së detyrimit) përmirësime të tjera kërkohen. Aksesi më i mirë mund të arrihet nëpërmjet njërës prej alternativave të mëposhtme: Bizneset të parapaguajnë vetëm një pjesë të vogël të shumës së detyrimit (pa përfshirë gjobat) tatimor apo doganor të rivlerësuar; ose në vend të parapagimit të një pjese të detyrimit, subjektet të paguajnë vetëm një tarifë administrative të pakthyeshme për depozitimin e ankimit administrativ pranë strukturës apeluese, (p.sh., sipas modelit të zbatuar aktualisht për ankesat e paraqitura nga bizneset në KPP). Në këndvështrimin e Sekretariatit, bizneseve dhe të ekspertëve të intervistuar alternativa e dytë konsiderohet si më e përshtatshme. Tarifa administrative e paguar në këtë rast do të ishte e dedikuar vetëm për të mbuluar shpenzimet administrative të strukturës së pavarur që do të shqyrtonte ankimet administrative në fushën tatimore dhe doganore. Kjo jo vetëm që do të lehtësonte aksesin e bizneseve në procedurat e ankimit administrativ, por do të lehtësonte strukturat e apelimit nga “barra” për të mbrojtur në çdo rast veprimet e administratave tatimore dhe doganore dhe do të rriste pavarësinë efektive të tyre.

Legjislacioni në fushën tatimore dhe doganore duhet të lërë të hapur mundësinë e ankimit administrativ edhe nga subjektet ‘de facto’ të falimentuara, kur këto të fundit të arrijnë ta provojnë këtë situatë (p.sh., nëpërmjet një raporti të një eksperti të pavarur të fushës).

Rekomandim 2, të zbatohen vendimet

Vendimet e Drejtorisë së Apelimit të Tatimpaguesve (DAT), si organi më i lartë administrativ për të vendosur mbi çështjet e Apelimit, duhet të jenë automatikisht të detyrueshme për Drejtoritë Rajonale të Tatimeve. E drejta e Drejtorive Rajonale të Tatimeve për të ankimuar më tej në gjykatë vendimet e DAT sipas parashikimit të Nenit 109/3 të Ligjit Nr.9920 duhet të shfuqizohet, konkludon Këshilli i Investimeve.

Rekomandim 3, të rritet pavarësia e DAT

Të rritet efektivisht pavarësia e DAT dhe ndarja e funksioneve të saj nga struktura e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT). Rekomandohet krijimi i një organi kolegjial apelimi, në trajtën e një “quasi gjykate” në kuadër edhe të planeve për bashkimin e administratës tatimore dhe administratës doganore. Kjo strukturë apelimi duhet të krijohet me ligj të veçantë dhe të shqyrtojë ankimet administrative (duke filluar nga një shumë e caktuar), ndaj akteve të administratës tatimore dhe asaj doganore. Në përbërje të saj duhet të ketë profesionistë me integritet të lartë nga fusha e drejtësisë dhe ekonomisë, me përvojë në çështjet tatimore dhe doganore. Funksionimi i kësaj strukture të bëhet mbi bazën e parimeve të arbitrazhit, ku palët në mosmarrëveshje të kenë të drejtë të zgjedhin komisionin përkatës (ose vetëm disa nga anëtarët e tij) që do të merret me shqyrtimin e ankimit administrativ. Vendimet e kësaj strukture mund të ankimohen sikurse dhe sot në gjykatat administrative. Rekomandohet që afatet për paraqitjen e ankimeve ndaj akteve administrative përkatëse të jenë të unifikuara, 30 ditë nga dita e marrjes dijeni për aktin administrativ, rekomandon Këshilli i Investimeve.

Rekomandim 4, të unifikohen apelimet për inspektoratet

Sugjerohet që të ketë një unifikim dhe centralizim të apelimit të inspektorateve në Inspektoratin Qendror për të rritur profesionalizmin, pavarësinë dhe besimin e ankimit në Inspektoratet Shtetërore.

Rekomandim 5, konsultim paraprak me biznesin

Të ngrihen mekanizmat e konsultimit paraprak me biznesin për trajtimin e problematikave dhe zgjidhjen e tyre. Mungesa e konsultimit paraprak me bizneset në një sërë iniciativash ka sjellë edhe një numër të lartë të mosmarrëveshjeve administrative, të cilat duhet të trajtohen nga strukturat apeluese. Vlerësohet se ekzistenca e këtyre mekanizmave do të mundësonte nxitjen e dialogut midis palëve dhe uljen e numrit të mosmarrëveshjeve.

Rekomandim 6, të unifikohen afatet për ankimim

Unifikimi i afateve të ushtrimit të së drejtës së ankimit administrativ është i domosdoshëm. Rekomandohet që afati i ushtrimit të ankimit administrativ të jetë brenda 30 ditëve nga dita e marrjes dijeni mbi aktin administrativ. Referuar edhe Progres-Raportit 2015 të BE-së, me hyrjen në fuqi në Kodit të Ri të Procedurave Administrative, i hartuar sipas standardeve europiane, pritet një lehtësim i mëtejshëm i procedurave administrative për biznesin dhe qytetarin. Në këtë kuadër kërkohet përgatitja, rishikimi, publikimi në kohë i procedurave të veçanta administrative për të qenë në përputhshmëri me Kodin e Ri, si dhe ndërgjegjësimi i vetë institucioneve.

Rekomandim 7, qëndrueshmëri e stafeve apeluese

Qëndrueshmëri e stafit dhe ngritje e vazhdueshme profesionale e strukturave të apelimit në institucione. Programe trajnimi të përbashkëta midis bizneseve dhe administratës do të parandalonin mosmarrëveshjet midis palëve. Njëkohësisht sugjerohen edhe trajnime të vazhdueshme dhe të përbashkëta midis Gjykatave Administrative, Administratës Tatimore dhe Doganore nëpërmjet Shkollës së Magjistraturës me ndihmën edhe të shoqatave të biznesit si p.sh., Shoqata Shqiptare e Bankave. Kjo do të ndihmonte edhe në unifikimin e praktikave, si për administratën, ashtu edhe për Gjyqësorin.

Rekomandim 8, të unifikohen praktikat e apelimit

Unifikimi i praktikave dhe përgatitja e komentarëve për rastet e ngjashme sidomos në Tatime, Dogana dhe Inspektorate, mundësisht në këndvështrim sektorial si ai bankar, agro-industri, burime natyrore, etj. Në këndvështrimin e bizneseve, ekspertëve dhe grupeve të interesit të kontaktuara nga Sekretariati, unifikimi i praktikave të konsoliduara shikohet si një ndër elementët më të domosdoshëm, të cilët do të reduktonin në një masë të konsiderueshme numrin e ankimeve ndaj vendimeve të administratës tatimore dhe përmirësimin e treguesit të perceptimit të bizneseve lidhur me të. Një rol shumë të rëndësishëm në unifikim mund të luajë edhe Avokatura e Shtetit, nëpërmjet rolit të saj aktiv me interpretime për çështje ligjore me karakter përgjithësues, për të gjithë administratën publike. Për këtë janë të nevojshme edhe ndryshime ligjore në Ligjin Nr. 10018, datë 13.11.2008 “Për Avokaturën e Shtetit”.

Rekomandim 9, të kryhet koordinimi ndërmjet institucioneve

Përmirësim të koordinimit institucional, informatizim të sistemeve midis institucioneve të administratës dhe shkëmbim të informacionit, mundësisht elektronikisht dhe në kohë reale si p.sh., Tatime, Dogana, ZVRPP, Drejtoritë e Transportit etj. Kjo do të lehtësonte biznesin nga sorollatjet, burokracitë dhe kërkimet e dokumenteve zyrtare nëpër institucione të ndryshme. Shumë i rëndësishëm në këtë aspekt është bashkëpunimi paraprak dhe mendimi i Avokatit të Shtetit përpara se rastet të përfundojnë në Gjykatë për të reduktuar barrën e kostove, si për biznesin edhe për administratën.

Rekomandim 10, rekomandimet e KLSH, jo zbatim apriori

Sugjerohet që Këshilli i Ministrave të udhëzojë organet e administratës publike në varësi të tij, për procedurat që duhet të ndiqen në rastin e zbatimit të rekomandimeve të lëna nga raportet e KLSh. Organet e administratës publike duhet të shqyrtojnë me grupe pune detyrat dhe rekomandimet e lëna nga KLSh, duke shmangur zbatimin apriori të tyre, sidomos në rastin kur nga zbatimi i tyre arbitrar, cenohet siguria juridike dhe të drejta të ligjshme të bizneseve. Kjo do të ulte edhe kostot për buxhetin e shtetit, në rastin kur e drejta e bizneseve do të vendosej në vend nga gjykatat dhe shteti do të ishte i detyruar të dëmshpërblente bizneset për dëmin e shkaktuar.

Rekomandim 11, vendimet të publikohen sistematikisht

Vendimet e DAT/Inspektorateve/DPD duhet të publikohen në mënyrë sistematike (duke siguruar mbrojtjen e të dhënave konfidenciale për aq sa është e mundur). Ky detyrim duhet të përcaktohet në mënyrë të qartë në legjislacionin përkatës të zbatuar nga këto institucione.

Rekomandim 12, të publikohen raporte vjetore për apelimin

Publikimi i raporteve vjetore të DPT, DPD dhe inspektorateve të veçantë si dhe përfshirja në këto raporte vjetore edhe të rezultateve të ankimeve administrative dhe informacion mbi ecurinë e tyre në Gjykatë. Më poshtë, janë përfshirë edhe rekomandime të tjera konkrete të sugjeruara gjatë takimeve të Sekretariatit me gjykatat, nga ekspertë dhe dhomat e tregtisë për lehtësimin e punës së Gjykatave Administrative apo të strukturave të apelimit/ankimimit nëpër institucione.

 

Ndër këto rekomandime mund të përmendim:

  1. Gjykata Administrative e Apelit kur lë në fuqi me të njëjtin arsyetim vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, të mos jetë e detyruar të bëjë zbardhjen e arsyetimit të plotë të vendimit, me përjashtim kur kjo kërkohet nga njëra prej palëve. Ky rekomandim do të lehtësonte barrën e Gjykatës Administrative të Apelit dhe do ta bënte më të shpejtë atë.
  2. Konsultimi paraprak me bizneset lidhur me iniciativat ligjore dhe institucionale që i prekin ato, është i domosdoshëm. Parashikimet e Ligjit Nr.146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik” duhet të zbatohen nga institucionet. Kjo do të minimizonte numrin e mosmarrëveshjeve administrative.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here