Shifrat alarmante/ Shqipëria vendi me numrin më të lartë të aborteve

0
429

auto_aborto-new-york1462978723 abort-650x441-500x500_c

“Në vendin për 1000 mijë lindje kryhen 230 aborte, ndërsa në vendet e tjera të Evropës për kaq lindje bëhen vetëm 28 aborte”

Anesti Barjamemaj

Në Shqipëri paraqitet si një problem jo pak i madh edhe aborti. Shifrat për ndërprerjen e shtatzënisë janë rritur së fundmi, ku një në katër lindje abortohet. Këto shifra janë shumë të larta pasi Shqipëria është një vend i vogël dhe ky problem po ul shumë numrin e popullsisë. Abortimi po ul në mënyrë drastike numrin e lindshmërisë, dhe nga kjo gjë popullsia po njeh plakje. Shqipëria renditet si një ndër vendet me shifrat më të larta në Botë sepse për 1000 mijë lindje kryhen 230 aborte, ndërsa në vendet e tjera të Evropës për kaq lindje bëhen vetëm 28 aborte.  Këto shifra tregojnë që në Shqipëri shifrat janë shumë alarmante, pasi janë gati 10-fishi, në krahasimin me vendet e Evropës. Edhe pse janë bërë fushata të shumta sensibilizuese për të ulu numrin e aborteve, përsëri vendi ynë vijon të raportojë shifra alarmuese mbi kryerjen e aborteve.  Këto shifra konstatohen edhe në studimin më të fundit të kryer nga USAID-i, në të cilin rezulton se për 1000 lindje të gjalla në Shqipëri, kryhen rreth 230 aborte, ndërkohë që në vendet e tjera të Evropës përllogariten vetëm 28  aborte për 1000 lindje. Që do të thotë se në Shqipëri abortohen gati 25% e lindjeve, gjë që është një problem shumë shqetësues. Shkaqet për abortimin janë të shumta nga duke filluar nga mungesa e informacionit dhe frika mbi përdorimin e metodave të kontracepsionit, besimi i verbër tek metoda tradicionale e shmangies së shtatzënive të padëshiruara, si dhe kostoja e lartë e vizitave bëjnë që femrat shqiptare të përzgjedhin abortet për shtatzënitë e padëshiruara. Ky studim tregon se shkaku kryesor i shtatzënisë së padëshiruar dhe abortit është  mungesa e informacionit. Studimi tregon se janë partnerët meshkuj ata që nxisin gratë të mos përdorin metodat kontraceptive, duke ndikuar kështu në rritjen e numrit të aborteve. Por shifrat e aborteve rriten pasi, jo të gjitha ndërprerjet e shtatzënisë nuk deklarohen pasi kryhen në klinika private të cilat, nuk i regjistrojnë abortet e kryera. Nga burimet deklarohet se nga shtimi i pagesës, doktorët në klinika private arrijnë që të ruajnë konfidecialitetin dhe të mos e regjistrojnë në regjistrat  e tyre. Këto fshehje janë një vjedhje e dyfishtë, pasi shmangen edhe taksat. Nga ana tjetër, edhe vetë mjekët nuk japin informacionet e duhura për pacientët.  Një tjetër gjetje e studimit të USAID-it tregon se shpesh pacientët që kërkojnë të abortojnë, paguajnë para nën dorë te mjeku duke anashkaluar faturat e spitalit. Në sektorin publik, shërbimi i planifikimit familjar ofrohet falas, por procedurat për abort vullnetar kanë një tarifë prej 6 000 lekësh. Nga ana tjetër, pagesat informale për kujdesin shëndetësor në sektorin publik janë të zakonshme. Çmimi për këto shërbime në sektorin publik varion nga lloji i shërbimeve, por çmimet janë të pasqyruara në çdo klinikë. Ekspertët rekomandojnë që të synohet në tre drejtime që kanë të bëjnë me këshillimin e klientëve tё abortit mbi mundёsitё e ndryshme tё kontracepsionit, me fokus të veçantë nё uljen e miteve dhe frikës mbi përdorimin e metodave kontraceptive bashkëkohore. Më tej këshillohet se duhet bërë reduktimi i pengesave financiare mbi përdorimin e metodave bashkёkohore kontraceptive, si ato tё lidhura me vizitat shtesë dhe kërkesat për ekografi pasuese, nxitja e përfshirjes sё meshkujve nё edukimin mbi planifikimin familjar, si dhe zhvillimi i strategjive tё integruara pёr tё rritur komunikimin mes ofruesve tё shërbimeve shёndetёsore dhe klientëve apo partnerëve seksualë rreth planifikimit familjar dhe shëndetit riprodhues. Por ka raste edhe të që në klinika shtetërore kryhen aborte të cilat nuk regjistrohen në regjistra, pasi doktorët preferojnë që më mirë të marrin lekët nën dorë edhe më shumë se pagesa e detyrueshme. Kjo gjë është shtuar kohët e fundit, zakonisht ndodh në abortimin  femrave në moshë të re.

Shkaqet e shtatzënive të padëshiruara dhe të abortimit artificial

Shoqëria në Shqipëri ka ndryshuar shumë në krahasim me disa dekada më parë. të flisje për seksin dhe të flisje për masat mbrojtëse vite më para ishte shumë e rrallë. Sot në shkolla është futur edhe edukata seksuale, por përsëri seksi mbetet një tabu. Në shoqërinë shqiptare ende nuk mund të flitet hapur për këtë temë dhe si rrjedhojë njohuritë janë të pakta. Në shkolla edukata seksuale bëhet e cunguar dhe të rinjtë dalin nga bankat e shkollës me një mungesë të theksuar të informacionit për këtë temë. Mos informimi ndikon që të bëhen shumë gabime dhe të rritet numri i shtatzënive të padëshiruar, rrjedhimisht edhe numri i aborteve. Shqipëria njeh një numër të lartë abortesh dhe kjo për shumë arsye.

Frika nga përdorimi i metodave mbrojtëse

Faktorët që po mbajnë në nivele të larta numrin e aborteve rezultojnë të jenë informacion i ulёt mbi kontracepsionin bashkëkohor, si dhe frika që përdorimi i tyre do tё ketë efekte anësore mbi shëndetin.  Duke mos pasur informacion për një produkt të caktuar shumë njerëz refuzojnë që ta përdorin atë. Megjithëse sipas studimit të USAID të viteve të fundit, 69 për qind e grave të martuara në Shqipëri raportojnë përdorimin e planifikimit familjar, shumica e tyre përdorin tërheqjen (58 për qind) dhe vetëm 11 për qind e tyre përdorin një metodë kontraceptive bashkëkohore kundër shtatzënive të padëshiruara. Këto shifra tregojnë që edhe moshat e rritura ende nuk janë të familjarizuar me përdorimin e kontraceptivëve.  Kjo vjen si pasojë e frikës së konstatuar edhe në studime të mëparshme ku gratë shqiptare kanë frikë nga përdorimi i këtyre metodave për shkak të efekteve anësore mbi përdorimin e metodave bashkëkohore kontraceptivë. Keqkuptimet që hormonet shkaktojnë kancer apo sterilitet janë nga më të zakonshmet tek gratë shqiptare, keq informacione të cilat shpesh mbështeten dhe nga disa ofrues shërbimesh shëndetësorë. Në moshat e reja mos përdorimi i masave mbrojtëse është edhe më i lartë.

Mos këshillimi i duhur nga mjekët

Në Shqipëri në shumë raste shkohet për vizitë te mjekët e gabuar, ndonëse për shkak të mentalitetit  pyeten vetëm ata mjek që njihen edhe më parë. Shumë njerëz preferojnë që shkojnë të konsultohen më parë me mjekun që ata kanë besim dhe vetëm në rast se gjendja shëndetësore përkeqësohet, shkojnë të mjeku specialist. Por kjo gjë në vitet e fundi ka ndryshuar. Sipas studimit të kryer disa vite më parë thuhet që personeli mjekësor ёshtё burimi kryesor mbi marrjen e informacionit rreth planifikimit familjar. Gjithashtu mjekët obstetër-gjinekologë besojnë se ata janë personat e duhur për të informuar klientët e abortit mbi planifikimin familjar, por përsëri ata nuk ofrojnë informacion të mjaftueshëm për klientët e abortit. Përveç këtyre pengesave, ofruesit e shërbimeve rekomandojnë më shumë ekografi dhe vizita pasuese krahasuar me udhëzuesit e OBSH-së për gratë të cilat fillojnë përdorimin e metodave bashkëkohore. Nisur nga fakti i pagesës për çdo vizitë në sektorin privat, si dhe pagesat informale nё sektorin publik, analizat dhe vizitat shtesë për përdorueset e kontracepsionit bashkëkohor rritin koston financiare për këta klientë. Kjo shpjegon faktin se pse një përqindje e lartë e grave mendojnë qё vendosja e një nga metodat e kontracepsionit kushton më shumë se aborti. Për më tepër, analizat dhe vizitat shtesë ka tё ngjarë që tё rrisin frikën që klientët kanë rreth përdorimit të metodave kontraceptive bashkёkohore. Duke mos marrë informacionin e duhur nga mjeku por edhe nga neglizhenca e vetë personave, shtatzënitë e padëshiruara janë në rritje.

Pagesat nën dorë në sektorin publik

Një problem tjetër shumë i madh është edhe pagesa që bëhet nën dorë ose siç njihet ndryshe korrupsioni. Sipas studimit të kryer,  shumë pak nga gratë qё kishin kryer abortin nё sektorin publik nuk kishin paguar për këto shërbime (15 për qind). Midis atyre qё kishin paguar për kёtё shërbim, mesatarja e pagesës ishte rreth 6 159 lekë. Kjo pagesë ёshtё pak më e lartë se tarifa zyrtare (6 000 lekё), por ёshtё më e ulёt sesa mesatarja e pagesës nё sektorin privat 9 240 lekë. Rreth 38 për qind e grave të cilat kërkuan kujdes shёndetёsor nё sektorin publik, kishin kryer disa pagesa informale pёr shërbimin e abortit. Mesatarja e pagesës së klientëve për një ekografi nё sektorin publik ishte 1 000 lekë. Nё rast se njё klient vendos një DIU( masë mbrojtëse) dhe për çdo vizitë pasuese kryen dhe ekografi, atëherë do të kishim një kosto shtesë prej 2 500 lekësh. Pagesat e shumta në vizitat mjekësore nuk mund të përballohen nga të gjithë dhe për këtë arsye shumë aborte ndodhin për këtë shkak.

Ligji për abortin

Abortimi mund të bëhet vetëm kur rrezikohet shëndeti i gruas

Në republikën e Shqipërisë është miratuar një ligj “Për shëndetin Riprodhues”. Në këtë ligj përcaktohen të gjitha kushtet e një lindje dhe kujdesin që duhet të marrë një grua gjatë shtatzënisë.  Ligji nr. 8876, dt 04.04.2002, përcakton të gjitha detyrimet që ka ministria dhe vetë grua e cila do të lind gjatë dhe pas kësaj shtatzënie. Në këtë ligj për caktohet edhe procedura e abortit, që sipas këtij ligji një gjë e tillë është e lejueshme në republikën e Shqipërisë. Në nenin 11, pikën 1 të këtij ligji thuhet: “Gruaja ka të drejtë për një mëmësi të sigurt dhe për mënjanimin e shtatzënisë së padëshiruar, e cila mund të kërcënojë jetën e saj. Jeta e gruas nuk duhet ekspozuar ndaj rrezikut të lidhur me shtatzëninë, lindjen e pengesa të tjera që lidhen me pabarazinë gjinore”. Ky nen shpreh qartë arsyet e një ndërprerje të një shtatzënie, por që në shumë raste nuk respektohet sepse shumë vajza abortojnë edhe për arsye të tjera. Në shumë raste aborti bëhet për arsye ekonomike dhe nga presioni social. Shuma aborte bëhen në klinika të palicencuara dhe nga ndërprerja e shtatzënisë shumë të reja kanë pësuar probleme të theksuara, deri në rrezikim të mos ngeljes së shtatzënë.

Çfarë është aborti  spontan, shkaqet dhe pasojat e tij

Abort është humbja e një shtatzënie në 20 javët e para. Në fushën e mjekisë ky term është i njëjtë me termin e “abortit spontan”. Rreth 10 deri në 20 për qind të shtatzënive të njohura  përfundojnë në dështim, dhe më shumë se 80 për qind të  këtyre humbjeve  ndodh para  javës së 12. Kjo nuk përfshin situata në të cilën ju humbni një vezë të pllenuar  përpara  se të  vendoset një shtatzëni. Studimet kanë gjetur se 30 deri 50%  e vezëve të fekonduara humbin  para ose gjatë procesit të implantimit – shpesh më  herët sesa  një gruaje t’i vijnë periodat  në  kohën e pritshme.

Shkaqet kryesore të një aborti natyral

Aborti ka shkaqe të shumta, duke filluar që nga dëshira e prindërve për të ndërprerë shtatzëninë dhe deri të shkaqet natyrale. Më sipër folëm për shkaqet artificiale që e detyrojnë shumë njerëz që të marrin hapa të tillë, ndërsa më poshtë kemi listuar disa nga shkaqet natyrale. Mes 50 dhe 70% të  dështimeve të tremujorit të  parë mendohet të jenë ngjarje të rastit të shkaktuar nga anomalitë kromozomale në vezën e  pllenuar.

Mosha: Gratë më të mëdha në moshë kanë më shumë gjasa të krijojnë  një fëmijë me anomali kromozomale dhe të si rezultat të dështojnë. Në fakt, 40-vjeçaret kanë rreth dy herë më shumë  gjasa për të abortuar sesa 20-vjeçaret. Rreziku i abortit gjithashtu rritet me çdo fëmijë që lindin.

Probleme  të mitrës apo të qafës së mitrës: Duke pasur disa  anomali kongjenitale të  mitrës, ngjitje të rënda  të  mitrës (indeve të çara ), ose një qafë mitre  të dobët ose jo normalisht  të shkurtër (e njohur si insuficienca e qafës së mitrës) rrisin shanset për një abort. Lidhja midis fibroideve të  mitrës (një masë zakonisht  beninje) dhe abortit  është e diskutueshme, por shumica e fibroideve  nuk shkaktojnë probleme.

Infeksionet: Studimet kanë treguar një rrezik disi më të lartë për abort, nëse ju keni listeri, shyta, fruth, rubeola, citomegalovirus, parvovirus, gonorre, HIV dhe infeksioneve të tjera.

Pirja e duhanit dhe përdorimi i  drogave: Pirja e duhanit, pirja e alkoolit, dhe përdorimi i drogës si kokainë dhe MDMA (ekstazi) gjatë shtatzënisë mund të rrisë rrezikun për abort. Disa studime tregojnë një lidhje  në mes niveleve të larta të konsumit  të kafeinës  dhe një rritje të rrezikut për abort.

Medikamentet: Disa medikamente janë të lidhura me rritjen e rrezikut të dështimit të fëmijës, kështu që është e rëndësishme të kërkoni mjekun tuaj  për sigurinë e ndonjë ilaçi që jeni duke marrë, edhe kur ju jeni duke u përpjekur të ngjizni. Kjo vlen edhe për receta të rekomanduara nga mjeku apo ilaçe si  ibuprofeni dhe aspirina.

Faktorët nga babai: Pak dihet për mënyrën se si gjendja e babait ndikon në rrezikun e një çifti për abort, edhe pse rreziku bën të rritet me moshën e babait. Hulumtuesit janë duke studiuar nivelin në të cilin sperma mund të jetë dëmtuar nga toksina e mjedisit, por ende mundet për  të fekonduar një vezë. Disa studime kanë gjetur një rrezik më të madh të dështimit të fëmijës, kur babai ka qenë i ekspozuar ndaj merkurit, plumbit dhe disa kimikateve industriale dhe pesticideve.

Çfarë ndodh pas një aborti, cilat janë pasojat e tij?

Nëse kaloni vetë indet  ose i keni hequr atë, do të keni dhimbje  si ato menstruale-për  një ditë apo më shumë dhe gjakderdhje të lehta për një ose dy javë. Përdorni peceta në  vend të tamponave  dhe merrni ibuprofen ose Acetaminfen për dhimbje barku. Shmangni seksin, notin, dushin vaginal  dhe përdorni medikamente vaginale për të paktën disa javë  deri sa gjakderdhja  të ketë  ndalur. Nëse rridhni  gjak rëndë (njomni një pecetë higjenike  në një orë), keni  shenja të infeksionit (të tilla si ethe, dhimbje, ose shkarkimi vaginal me erë të keqe), ose të ndjeni  dhimbje të forta,  thirrni mjekun menjëherë ose shkoni  në urgjencë . Nëse gjakderdhja juaj është e rëndë dhe ju filloni të ndiheni dobësi marramendje, mund të kaloni në  gjendje shoku. Në këtë rast, telefononi  menjëherë  urgjencën. Por këto probleme mund të zgjasin për një kohë të gjatë dhe pas një aborti shumë raste kanë rezultuar që të mos ngelen më shtatzënë. Sipas psikologes aborti duhet të cilësohet si një mundësi e fundit sepse pasojat janë shumë të mëdha.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here