Bluzat e bardha letër qeveritarëve: ‘Mjekimi i pakujdesshëm’ të trajtohet si çështje civile dhe jo penale

0
256

Një përfaqësi e bluave të bardha dhe shoqata e mjëkëve i ka dërguar një letër presidentit Bujar Nishani, kryeministrit Edi Rama si dhe kreyparlamentarit Ilir Meta ku i kërkon rishikimin e neneve që kanë të bëjnë me mjekimin e pakujdesshëm. Duke iu referuar shembjeve që vijnë nga vendet e BE-së ku ky nen përfshihet në çështjet e kodit civil, ata thonë se edhe Shqipëria duhet ta trajtojë këtë nen si çështje civile dhe jo penale. Në reagimin e tyre ata kanë marrë shkas nga arrestimet e mjekëve kohët e fundit, siç ishte dhe ai i dy mjëkëve në maternitetin ‘Koço Glozheni’, ku humbi jetën një grua dhe fëmija i saj ende pa lindur.

DEKLARATA

Drejtuar Presidentit të Republikës z.Bujar Nishani Kryeministrit z.Edi Rama Kreut të Kuvendit z.Ilir Meta Komisionit parlamentar të Shëndetësisë dhe Ligjeve Ministrit të Shëndetësisë z.Ilir Beqaj Ministrit të Drejtësisë z.Ylli Manjani Duke marrë shkas nga proceset e shumta gjyqësore apo arrestimet ndaj mjekëve në vitet e fundit, ne mjekët, të përfaqësuar nga shoqatat e mëposhtëme, ju parashtrojmë sa më poshtë;

Në legjislacionin penal shqiptar, në nenin 96 të Kodit Penal, është parashikuar vepra penale e “Mjekimit të pakujdesshëm”, e cila parashikon se:

“Mjekimi I pakujdesshëm I të sëmurëve nga ana e mjekut ose personelit mjekësor, si dhe moszbatimi I terapisë ose I porosive të mjekut nga personeli mjekësor apo farmacist, kur ka shkaktuar dëmtim të rëndë të shëndetit, ka rrezikuar jetën e pacientit ose ka shkaktuar vdekjen e tij, dënohet me gjobë ose dënim deri në 5 vjet”.

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar infektim të të sëmurëve me infeksion HIV/AIDS dënohet me burgim nga 3-7 vjet”.

Sipas këtij neni, kjo vepër penale trajton pakujdesinë e mjekëve apo të personelit mjekësor/farmacist në kryerjen e detyrës së tyre, në rastet kur përballemi me dëmtim të rëndë të shëndetit të pacientit, rrezikohet jeta e tij apo në rastin më fatkeq, shkaktohet vdekja e pacientit. Kuptohet që këto pasoja të rënda në shëndetin e pacientit duhet të jenë shkaktuar nga veprimet apo mosveprimet e mjekut dhe janë rrjedhojë e drejtëpërdrejtë e tyre.

Në botë cështjet e pakujdesisë mjekësore janë cështje civile, ndërsa në Shqipëri janë penale. Pse “Pakujdesinë” në Kujdesin Mjekësor bota e trajton si çështje civile? Pasi çështjet civile, në dallim me ato penale, kanë nivel të ulët prove, dhe këtu hyn edhe mjekësia, e cila nuk është një shkencë e saktë. Mjekimi i pakujdesshëm kurrësesi nuk mund të përdoret si baza e një akt-akuze, përndryshe do të futeshin në burg të paktën një herë përgjatë jetës gati 50 për qind e mjekëve dhe kryesisht ata të rinj.

Në trajtimin e rasteve të tilla, Shteti dhe Ligjbërësit duhet të marrin parasysh edhe interesin public. Shqipëria sot ka rreth 3.4 mjekë për 1000 banorë (gati 3 herë më pak se mesatarja evropiane). Mjekët klinicistë do të humbin kështu lirinë për diagnostikimin dhe trajtimin rutinë të pacientëve sidomos atyre me rrisk të lartë. Pra sistemi shëndetësor shqiptar është I dobët për të përballuar këto goditje. Nga ana tjetër në legjislacionin tonë penal, nuk parashikohet deri më sot asnjë përgjegjësi konkrete penale për vetë institucionin mjekësor dhe sistemin ku mjeku ofron shërbimet mjekësore. Kodi Penal, përjashton automatikisht nga përgjegjësia institucionin mjekësor dhe sistemin e ndërtuar prej tij edhe për kushtet kur kemi të bëjmë me gabime të sistemeve shëndetësore, pra gabime të cilat rezultojnë gjatë zbatimit të rregulloreve apo urdhëresave të cilat disiplinojnë shërbimet mjekësore.

Nuk mund të pretendohet të gjendet përgjegjësia penale në cdo rast vetëm te mjekët, të cilët në të gjitha rastet fatkeqe të ndodhura në spitalet e institucionet shëndetësore, janë të vetmit të cilët hetohen, ndalohen madje dhe arrestohen nga ana e prokurorisë sikur të ishin kriminelë të rëndomtë, në kushtet kur këta mjekë janë duke ushtruar detyrën e tyre dhe përvec rasteve të veprimeve dhe neglizhencës të rëndë konkrete te pacienti, nuk mund të jenë përgjegjës për vetë funksionimin e sistemit. Ashtu si dhe në legjislacionin e vendeve të përparuara (në sistemin e të drejtës si dhe fushën e mjekësisë), nga ana jonë gjykohet I domosdoshëm rishikimi I legjislacionit penal në këtë fushë kaq sensitive për publikun dhe kaq të prekshme për vetë mjekët, për shkak edhe të ngjarjeve të fundit të ndodhura, lidhur me hetimin dhe ndalimin e mjekëve, pavarësish përpjekjeve dhe zbatimit të protokolleve të tyre.

Sjellja përpara përgjegjësisë konkrete penale/administrative të institucioneve mjekësore, të sipitaleve e personave juridikë, për mos funksionimin e mosgarantimin e fundkisonimit të sistemit, është tashmë një domosdoshmëri dhe për këtë shkak ne paraqesim kërkesën tonë për krijimin e normave konkrete të së drejtës penale, për ndërshkimin e këtyre rasteve në të ardhmen, duke qartësuar dhe ndarë sakaq përgjegjësitë midis institucionit mjekësor e sistemit të garantuar prej tij dhe mjekut konkret. Në të kundërt, vijimi I punës nga mjekët, nën një klimë gati terrori dhe kërcënuese për lirinë e tyre, është I pamundur dhe me pasoja po kaq të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e pacientëve

Shoqata Shqipëtare e Mjeksësisë Perinatale Prof. Orion Glozheni

Shoqata Shqipëtare e Obst-Gjinekologjisë Prof.Nikita Manoku

Shoqata Shqipëtare e Kardiologjisë Prof. Artan Goda

Shoqata Shqipëtare e Diabetit Prof.Florian Toti

Shoqata Shqipëtare e Kirurgjisë së Përgjithëshme Prof.Nikollaq Kacani

Shoqata Shqipëtare e Pediatrisë Prof.Anila Godo

Shoqata Shqipëtare e Mjekësisë Interne Prof. Mihal Tase Shoqata

Shqipëtare e Urologjisë Prof Flamur Tartari

Shoqata Shqipëtare e Laboratorit Prof Anyla Bulo

Shoqata Shqipëtare e Pneumologjisë Prof Hasan Hafizi

Shoqata Shqipëtare e Infekto-Virusologjisë Prof Arjan Harxhi

Shoqata Shqipëtare e Epidemologjisë Prof Enver Roshi

Shoqata Shqipëtare e Kadiokirurgjisë Prof.Ali Refatllari

Shoqata Shqipëtare e Kirurgjisë Plastike Prof Gjergj Belba

Shoqata Shqipëtare e Imazherisë prof. Aqif Gjokutaj

Shoqata Shqipëtare e Nefrologjisë Prof Myftar Barbullushi

Shoqata Shqipëtare e Otorino-Laring Prof Narina Sulcebe

Shoqata Shqipëtare e Mjekut të Familjes Prof Vladimir Shyqyriu

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here