Për çfarë i ruan qeveria fondet buxhetore?

0
195

Buxheti i shtetit gjatë periudhës 9-mujore ka injektuar në ekonomi 77 milionë më pak se një vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, shpenzimet buxhetore ishin 10.5 miliardë lekë më të ulëta se fakti i vitit 2015 ose 3.6% më pak. Shpenzimet panë mosrealizim edhe me planin e këtij viti me rreth 10.3 miliardë lekë më pak ose 3.5% më të ulëta.

Uljen më të madhe në krahasim me planin e patën shpenzimet korrente, të cilat rezultuan 7.6% më të ulëta.

Fondet nuk janë shpenzuar sipas programit edhe për pushtetin lokal. Shpenzimet dedikuar bashkive të reja ishin 3.3 miliardë lekë më pak, ose rreth 11 për qind më të ulëta se plani i periudhës.

Ndërkohë, arka e shtetit shihet të ketë përfituar gjithashtu edhe nga interesat e ulëta të borxhit. Shpenzimet për interesa ishin 1.4 miliardë lekë më pak ose 5.2% më të ulëta.

Shpenzimet e operative dhe të mirëmbajtjes ishin gjithashtu 419 milionë lekë më të ulëta se programi i rishikuar i 9-mujorit.

Gjithashtu me ulje në raport me planin e rishikuar ishin edhe shpenzimet për ndihmën ekonomike dhe ato për papunësinë përkatësisht me -4.1% dhe -9.8%.

Sa u përket të ardhurave, mosrealizimin më të madh në raport me planin e shënoi TVSH me minus 3.9 miliardë lekë, (një tregues direkt ky i qarkullimit në ekonomi), që është amortizuar disi nga tejkalimi i planit për tatim fitimin (+3.6 miliardë lekë).

Të ardhurat nga taksat nacionale u rritën me 5.6%, por ishin 1.5 miliardë lekë më pak se plani për shkak të koniunkturës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Të ardhurat jo tatimore ranë me 16.4%, teksa vitin e kaluar ky zë u ndihmua nga të hyrat prej 4.5 miliardë lekësh si rrjedhojë e pagesës së tarifave të licencave celulare. Ky zë ka një mosrealizim me planin e rishikuar me rreth 1 miliard lekë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here