Rilindja e djallit të veshur me Prada

0
524

Nga Albano Zhapaj

Filozofia, si mjet i përdorimit politik,  është pjesë e jetës së përditshme dhe ka ndikuar gjithmonë të gjitha fushat e dijes dhe të jetës,  duke komunikuar atë çka i intereson politikës, nëpërmjet përdorimit të elementëve zakonorë më të dashur apo dëshiruar  të një populli në periudha të ndryshme, përfshirë edhe elementë të modës si metodë efikase dhe imponues në popull,  për të importuar perceptimin e ndryshimit për mirë të një shoqërie të caktuar.

Politika e ndryshimit nëpërmjet luksit të modës dhe ngjyrave të ndezura  kushtëzohet gjithmonë nga mendimi, nga filozofia dhe nga komunikimi persuaziv (imponues/bindës) në momente të caktuara historike dhe kjo është konsideruar në vende të tjera evropiane si një fenomen që sjell ndryshime të konsiderueshme sociologjike. Edhe Italia, në qeverinë e dytë “Berlusconi”  u magjeps nga ngjyrat e bukura dhe pafundme mediatike që i jepeshin realitetit, aq sa pësoi një transformim edhe në mënyrën e të perceptuarit të arritjes së mirëqenies dhe begatisë personale e familjare.

Rrjetet e mëdha mediatike të atëherë Presidentit, Kavalier Berlusconi, kryen efektin e tyre social, duke bërë që shumica e italianëve të fillojë të ëndërrojë se edhe ata mund të arrinin të bëheshin pjesë e mirëqenies, të ngjashme me atë të Berluskonit dhe të mund të jetonin më mirë e pasuroheshin, falë kapaciteteve që ofronte ultramiliarderi president (ne i themi kryeministër), i zhytur në luksin e shfrenuar të modës, ngjyrave, femrave të reja e  të bukura dhe komunikimit karizmatik nëpërmjet batutave, humorit, talljes më kundërshtarët, e sidomos përçmimin ndaj vartësve. Rezultatet normalisht u panë që dolën ndryshe: Italia nga një shoqëri prodhuese u shndërrua në një shoqëri shërbimesh. Njerëzit u zhgënjyen por jeta vazhdon, në mos njëri tjetri, do ta qeverisë edhe Italinë, apo jo…!

Fenomeni i të bërit politikë ëngjëllore, të mashtruarit dhe të vjedhurit jo aq me lezet por hapur fare, ku e domosdoshme është që djalli të jetë i veshur me Prada, është një fenomen tepër kompleks që karakterizon fuqishëm shoqërinë e (jo)konsumit në të cilën jetojmë. Në një vend si Shqipëria ku kaosi ka shumëfishuar kompleksitetin, ku vlerat janë kamufluar me antivlerat, ku rezultati duartrokitet  pavarësisht mënyrës me të cilën arrihet, ku disfatat raportohen me buzëqeshje nga djaj të veshur me “modën e fundit”, ku ngjyrat e ndezura të sipërfaqes  mbulojnë  zbehtësinë e përmbajtjes,  ku vijat e bardha në rrugë (në formë pentagrami) bien më fort në sy se sa gropat anës saj, ku të jesh i varfër është sinonim i përuljes përpara shtetit dhe të jesh i pasur sinonim i përuljes së shtetit,  ka vend për shumë e shumë  pyetje, ka vend për meditime, reflektime, pra ka një hapësirë të mjaftueshme dhe të bollshme për të bërë filozofi.

Në këtë vend djalli politik i (pu)shtetit e ka kuptuar se për t`u shitur si ëngjëll, duhet të vishet me Prada dhe kur të flasë të përdorë gjithë elementët komunikues që karakterizojnë “naivin dhe të drejtin”, mundësisht të vet emocionohet kur tregon për vuajtjet e jetës së tij, pra djalli e ka kuptuar se midis politikës dhe shoqërisë qëndron moda, në një distancë aq të dukshme e të afërt, saqë ulet këmbëkryq arave “gju më gju me popullin” për t`i reklamuar këtij të fundit “sukseset dhe arritjet epokale”, ndryshimet rrënjësore dhe qasjen e re me njerëzit dhe mjedisin. Sovrani e duartroket, asgjë nuk kupton nga përmbajtja, pasi forma është më e shkëlqyeshme, e sheh oratorin-djall të buzëqeshur, me humor, dhe të veshur me aq ngjyra të bukura e të larmishme, nuk i shkon mendja në gjëra të këqija, edhe sikur të dojë.

Tek e fundit edhe doktori, momentalisht,  të shëron me fjalë të bukura, por gjithsesi nuk e bën dot pa veshjen e duhur, prandaj domosdoshmërisht i duhet përparësja e bardhë, bile sa më e bardhë, aq më i madh efekti tek pacienti. Për analogji edhe djalli duhet të vishet me Prada,  përndryshe nuk e bën efektin e duhur të propagandës të tij. Edhe ne, populli i thjeshtë, kur jemi mes miqsh, si të gjithë njerëzit kudo në planet, kur dëgjojmë që flitet për arritje apo suksese nga dikush me “fytyrë ë re”, karizmatik, që për më shumë se nëpërmjet fjalëve na flet nëpërmjet “modës” e kostumit të bukur, kravatës shumëngjyrëshe, përpara sfondeve të ri lyera të pallateve të vjetra, apo duke pirë një gotë shampanjë në bordin e avionit apo jahtit të tij personal, na vjen të mendojmë e të besojmë se kjo “fytyrë e re” ja vlen të na qeverisë, të na sjell ndryshimin, pra të na bëjë edhe ne të kemi mundësinë t`i kemi dhe shijojmë ato që ka ai. Ja që historia qenka e destinuar të përsëritet diku tjetër dhe nuk ma do mendja të jemi popull më i zgjuar se italianët.

Kohët e fundit komunikimi nëpërmjet “modës”  është kthyer (për djallin!) në një fenomen kryesisht politik për shkak se, si gjuhë e simboleve të figurave e ngjyrave komunikon, tek kundërshtari apo partneri, diçka të pashkruar dhe kjo diçka dihet që nuk ka një kuptim të caktuar në shoqërinë në të cilën jetojmë. Kur djalli zgjedh të vesh një “kostum të caktuar Prada”, nuk e bën sepse është i  tërhequr më shumë nga vlera e tij monetare, sesa nga vlera e tij simbolike, pasi vlerat simbolike bëhen më qartë objekt i interpretimeve të shumta, edhe pse mund të mos kenë vlera të njohura dhe sanksionuara shoqërore.

Kjo historia e djallit, që vishet me Prada, për të kaluar në sytë e miletit si ëngjëll mund të duket një gjë e zakonshme dhe, në një çast reflektimi, nuk bie në sy si fenomen në vetvete, por në fakt ajo reflekton një problem më të gjerë: garda e re (e djajve!) nuk e njeh më gardën e vjetër, duke propaganduar se ndryshimi i sotëm nuk kalon nëpërmjet reformimit të përmbajtjes por ndërtimit të një kategorie të re estetike, duke e shitur të vjetrën si të pavlerë dhe pa të ardhme, pikërisht se e vjetra është e “vjetëruar”. Kush nuk ka mëkatuar mjaftueshëm dhe nuk e beson këtë teori, le të hedhë gurin e parë dhe të shpjegojë nëse fenomeni nuk po ndodh realisht.

Engjëjt e vërtetë, intelektualët, ata që gjithmonë pëlqejnë të jetojnë të lirë, dëshirojnë që jeta dhe liria e vendit të jenë të paprekshme, dhe të pandikueshme nga dikush apo diçka. Është pikërisht besimi i tyre se liria është një vlerë e patjetërsueshme, ajo që i bën intelektualët e vërtetë, që të mos shpenzojnë në “Prada”  por të vishen thjesht e hijshëm në magazinat e prodhimeve në “seri” dhe përçmuar çdo gjë që në vlerë monetare është superiore aq shumë sa ti mbivendoset vlerës së lirisë.

Për njerëzit e vërtetë luksi i shfrenuar dhe ngjyrat e kostumeve të djallit nuk përbëjnë dallimin në mes të kulturës së lartë dhe kulturës së ulët. Por, po të gjykojmë fukarallëkun deri në mizerie, në kohën(qeverisjen) në të cilin po jetojmë, kuptojmë se po jetojmë në epokën e ndotjes;  ndotjes së vlerave nga antivlerat apo jovlerat, ndotjes së fisnikërisë nga batakçillëqet, ndotjes së ndershmërisë nga hajdutllëku, ndotjes së pastërtisë rinore nga korrupsioni i epsheve pusht(etare), ndotjes së realitetit nga virtualiteti, ndotjes së të mirës nga e keqja, gjykojmë se kemi arritur momentin ku e kemi pothuaj të pamundur për të përcaktuar kufij të qartë.

Nëse hapim të shikojmë lajmet në televizion, ato më së shumti janë zhytur në lajme estetike dhe monologje (pu)shtetarësh, ndërkohë që kanë zhvilluar potencialin ekspresiv dhe artistik të lidhur ngushtësisht me mesazhin që politika e “modës në fuqi”, kërkon të përçojë në popull.

E, ndërkohë, që ne përpara televizorit përpiqemi, sa herë që dëgjojmë monologjet dhe batutat plot humor, të reflektojmë përse  “ëngjëlli ynë shpëtues”, djalli i veshur me Prada, e ka zgjedhur sot atë lloj shfaqjeje monologjike, atë kostum, atë kravatë plot ngjyra e fantazi dhe kujt ëngjëlli botëror kërkon t`i ngjaj më tepër, ne kuptojmë se pas gjithë kësaj ka një studim, komunikim e reflektim, pra një filozofi të ndërtuar mbi një qëllim të pastër e të qartë: jetëgjatësinë e sundimit nëpërmjet mashtrimit të djallit të  veshur me Prada…!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here