“Ballkani, “arenë europiane” ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit”

0
300

Instituti Amerikan i Parashikimeve Strategjike Stratfor vlerëson që Ballkani është edhe një “arenë europiane” tjetër, që do të tërheqë vëmendjen e Rusisë dhe të Perëndimit në tremujorin e fundit të këtij viti.

“Pas referendumit të diskutueshëm në Republikën Serbe, i cili u mbajt, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përgatitjet për veprime të mëtejshme të serbëve të Bosnjës, në mënyrë që ta forcojnë autonominë e tyre në kurriz të institucioneve federale, do të çojnë në tensione ndërmjet grupeve etnike në atë vend”, shkruan Stratfor në parashikimet e veta për tremujorin e katërt të vitit 2016.

Kjo, vlerësohet në tekst, tani për tani do të mbetet konflikt i intensitetit të ulët, por “mbështetja e Rusisë qëndrimit serb dhe mundësia e shpërthimit të konflikteve etnike ia ofron Rusisë edhe një arenë për ndërmjetësim në negociatat me europianët dhe amerikanët”, shprehet Instituti amerikan.

Në ndërkohë, siç parashikon ky institut, Bashkimi Europian me gjasë do t’i lejojë vendet përgjatë rrugës ballkanike të migrimit që t’i mbajnë të mbyllur kufijtë, me qëllim të dekurajimit të emigrantëve në përpjekjen për të arritur deri te ai bllok.

Debati në BE, parashikon Stratfor, do të nisë edhe në drejtim të ofrimit të ndihmës më të madhe financiare për vendet në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme, me qëllim për t’i nxituar qeveritë e atjeshme që të bëjnë më shumë për ta parandaluar emigrimin.

Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2016, Bashkimi Europian do të debatojë edhe për politikën e vet nga këndvështrimi rus, theksohet në parashikimet e Institutit Amerikan, duke vlerësuar se kjo, edhe një herë, do të nxjerrë në dritë ndarjet e brendshme për shkak të politikave ndaj Moskës, sidomos kur është fjala për sanksionet lidhur me krizën në Ukrainë.

“Sanksionet do të mbeten në fuqi në tremujorin e katërt, por lodhja nga sanksionet dhe lobimi intensiv i Rusisë në Europë do te inkurajojë një debat të ashpër në lidhje me qasjen për sanksionet ruse në fillim të vitit 2017 dhe nëse duhet marrë në konsideratë relaksimin e tyre të njëanshëm në këmbim të progresit, duke respektuar Protokollin në Minskut”, parashikon Stratfor.

Instituti Amerikan parashikon që në tremujorin e fundit të vitit tre faktorët kryesorë do të ndikojnë në marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit – ditët e numëruara të Administratës së presidentit të SHBA-ve, Barak Obama, votimet e ardhshme në BE për sanksionet kundër Rusisë dhe stresi ekonomik përkrah debatit për buxhetin në Kremlin.

Moska, thekson Stratfor, do të përfitojë nga përçarja e BE-së në përpjekje për detyrim të lehtësimit të sanksioneve, duke apeluar te vendet që janë më të hapura për mundësinë e reduktimit të masave ndëshkuese, siç janë Italia, Greqia, Hungaria, Sllovakia dhe Qiproja.

“Shtetet e Bashkuara, megjithatë, do të vazhdojnë të bëjnë presion mbi shtetet anëtare të BE për t’i vazhduar sanksionet për aq kohë sa Rusia nuk ndërmerr hapa konkretë me qëllim të zbatimit të Marrëveshjes nga Minsku”, përfundon Instituti amerikan.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here