Universiteti i Tiranës/ 600 kuota të lira në Fakultetin Ekonomik

0
186

Më shumë shpresë për të fituar një degë për të gjithë ata maturantë në pritje që po numë­rojnë kuotat e parealizuara në programet ku kanë aplikuar. Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga përfundimi i regjistrimit të fituesve të fazës së parë në raundin e dytë, mësohet se shumë vende kanë mbetur ende të lira, për t’u plotësuar në fazat e tjera 48­orëshe deri në datën 27 tetor.

Në një nga fakultetet më të kërkuara, Ekonomiku, nuk janë regjistruar as gjysma e fituesve të shpallur. Këtë shembull mori Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e diplomimit në Universitetin Mesdhetar, për të treguar që kuotat janë aty, por që me sistemin e ri të pranimeve do t’i fitojnë vetëm ata që i meritojnë.

KUOTAT E LIRA

Ndonëse ende nuk kanë përfunduar regjistrimet, dekani Dhori Kule bën të ditur se rreth 600 kuota mbeten sërish bosh në të pesta programet e studimit që ofron ky fakultet. “Fakulteti Ekonomik, përfshi filialin e Sarandës, parashikohet të ketë më shumë se gjysmën e vendeve të lira për fazën tjetër. Që në fillim, kur shpallëm fituesit e raundit të dytë, ishin më shumë se 300 kuota të zëna nga kandidatë që kishin fituar në disa programe studimi njëkohësisht. Mbulimi i kuotave të lira do të zgjidhet në vazhdimësi, sepse regjistrimet vazhdojnë deri në datën 27”.

Në një situatë të tillë, për shumë kandidatë që nuk kanë bërë zgjedhjen e tyre, pasi janë shpallur fitues në një degë dhe preferojnë një tjetër, apo të tjerë në pritje të fazave pasuese, dekani ka një këshillë. “Paniku nuk duhet t’i çorientojë kandidatët për të marrë vendime të shpejtuara. Të ndjekin procedurat me qetësi dhe do të sistemohen të gjithë”. Ndonëse rregullimi i fundit që i është bërë udhëzimit nr.13, me shtyrjen e afatit të regjistrimeve do të shterojë thuajse të gjitha vendet e lira, rektori Kule nuk heq dorë nga ideja fillestare për të marrë më shumë studentë nga sa janë parashikuar.

“Ne e kemi mundësinë për të pranuar studentë shtesë, pasi është kompetencë e jona. Por, besoj se nuk do të lindë nevoja sepse me këto zbritje që po bëhen, të gjithë të mirët do të vijnë. Po mbetën në fund numra të vegjël, kemi mundësi t’i sistemojmë”, sqaron dekani Kule. Mbi 1 mijë vende mbetën të lira për maturantët që garuan në raundin e dytë. Të gjitha do të plotësohen në faza 2­ditore regjistrimesh, që nisin nga nesër e përfundojnë më 27 tetor./Panorama

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here