Afron data, pronarët i drejtohen Komisionit të Venecias

1
224

–   Kushtetuesja nuk guxoi të japë vendimin, duke parë shkelje të rënda në ligjin e ri. Por, ndodhur edhe nën presionin e paligjshëm të Ekzekutivit për të pranuar si të rregullt këtë ligj. Ja si shkelet Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetuta shqiptare me këtë nismë qeveritare

 

Ervin Kaduku

 

Pasi po presin më kot për një kohë tejet të gjatë vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e tyre për shfuqizimin e ligjit të ri të trajtimit të pronave, ish-pronarët kanë vendosur t’i drejtohen direkt Komisionit të Venecias, i cili do të japë opinion për këtë ligj. Venecia ka muaj që ka marrë në dispozicion ligjin e ri, të miratuar me nismë të qeverisë, po Komisioni deklaroi se do të shprehë mendimmin e vet gjatë seancës plenare, të parashikuar të zhvillohet më datat 14 dhe 15 tetor.

Kushtetuesja, duke qenë se u vendos në një pozitë shumë të vështirë mes respektimit të frymës së Kushtetutës dhe presionit të qeveritarëve për ta miratuar ligjin në fjalë, që të ligjërojnë një herë e mirë vjedhjen e pronave pronarëve të ligjshëm, e gjeti më të udhës ta dërgonte ligjin në Venecia. Ndërkohë, ish-pronarët po sensivbilizojnë sërish opinionin, jashtë e brenda vendit, duke paraqitur shkeljet e shumta që përmban ligj në aspektin e të drejtave themelore të njeriut.

Ja letra që ata i kanë dërguar këto ditë kryetarit të Komisionit të Venecias:

I nderuar Z. Buquicchio,

Para së gjithash do të doja të shpreh, në emër të Shoqatës mirënjohjen time të sinqertë për ekspertizën që Komisioni i Venecias ka ofruar nëpërmjet Opinioneve e saj me vlerë në lidhje me çështjet delikate të reparacioneve sociale në Shqipëri.

Shoqata po ndjek me shqetësim iniciativat e fundit legjislative të ndërmarra nga autoritetet shqiptare në lidhje me kthimin dhe kompensimin e pronave pronarëve të shpronësuar me forcë. Konkretisht, në janar të vitit 2016, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr 133/2015 “Për trajtimin e pronave dhe finalizimin e procesit të kompensimit të pronave” (përmendur më tej si: “Ligji nr 133/2015”).

Shoqata e ka kundërshtuar këtë ligj para Gjykatës Kushtetuese në Mars të vitit 2016. Teksa priste një vendim në lidhje me ankesën e saj, Shoqata u informua (nga disa kanale mediatike) që në korrik 2016, Gjykata Kushtetuese kishte dorëzuar një kërkesë për të pasur një Opinion Amicus Curiae nga Komisioni i Venecias për këtë çështje. Pas verifikimit në faqen e internetit të Komisionit të Venecias u informuam se Opinioni Amicus Curiae pritet të miratohet nga Komisioni i Venecias në mbledhjen e tij të 108-plenare, në tetor 2016.

Ne shpresojmë se Komisioni i Venecias do të vendosë të organizojë një vizitë në Shqipëri para miratimit të Opinionit Amicus Curiae në tetor 2016, për shkak se ne e konsiderojmë këtë vizitë një mundësi shumë të rëndësishme për të ndarë me anëtarët e grupit të punës të mandatuar në këtë kuadër shqetësimet tona në lidhje me ligjin e ri nr. 133/2015.

Përveç kësaj ne ia kemi bashkëlidhur shqetësimet tona kryesore kësaj letre në formën e tre anekseve të veçanta.

Ne i kërkojmë Komisionit të Venecias t’i njohë shqetësimet tona në bazë të këtyre arsyeve.

Së pari, pasi kemi studjuar në tërësi ekspertizën e dhënë nga Komisioni i Venecias në të dy opinionet e tij të mëparshme si dhe jurisprudencën përkatëse të Gjykatës Kushtetuese në përgjigje të tyre, vërejmë se kjo gjykatë nuk ka përcaktuar konkretisht kufijtë kushtetues të marzhit të vlerësimit që është i nevojshëm për ligjvënësin për të adresuar çështjen e reparacioneve sociale në Shqipëri. Ne e gjejmë jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim abstrakte dhe pa ndonjë rëndësi praktike. Ligjvënësi nuk kufizohet (si pasojë) nga ndonjë bazë autoritative juridike, e cila ka fuqi të parandalojë çdo tentativë të mundshme për të vendosur kufizime të pakontrolluara mbi të drejtat themelore të pronarëve të shpronësuar me forcë.

Nga kjo perspektivë, ekspertiza e prodhuar nga Komisioni i Venecias në të dy opinionet e tij të mëparshme – edhe pse e hartuar prej më shumë se një dekade – është përsëri si relevante, ashtu edhe adekuate për të adresuar çështjet e ligjshmërisë, qëllimit legjitim, ekuilibrit të drejtë dhe proporcionalitetit të kufizimeve të përsëritura, të imponuara rishtazi me anë të ligjit nr 133/2015. Gjendemi në këto kushte për shkak se çështjet që priten të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese lidhur me ligjin e ri Nr 133/2015 janë identike me çështjet që janë dashur të shqyrtohen nga kjo gjykatë që prej miratimit të Ligjit të Pronave të vitit 2004.

Duke pasur parasysh këto fakte jemi shumë të habitur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar një opinion të ri në lidhje me çështjet e “vjetra”.

Së dyti Shoqata është e mendimit se, në vështrim të juridiksionit të saj, Gjykata Kushtetuese është në pozita të përshtatshme për të udhëhequr me sukses tranzicionin e shoqërisë shqiptare drejt demokracisë. Kjo Gjykatë mund të refuzojë çdo opsion ligjor që nuk përputhet me objektivat kryesore të reparacioneve sociale dhe bie ndesh me parimet dhe rregullat bazë të Kushtetutës. Ajo mund të udhëzojë autoritetet që të gjejnë respektivisht zgjidhje të përgjegjshme dhe efektive.

Ne dëshirojmë që Gjykata Kushtetuese të vendosë në këtë rast t’a zgjerojë fushën e saj të kontrollit edhe në të drejtat themelore të pronarëve të shpronësuar me dhunë dhe të plotësojë me përmbajtje masat e përgjithshme të përshkruara nga GJEDNJ-ja në Vendimin e saj pilot në lidhje me rastin e Manushaqe Puto dhe të tjerë k. Shqipërisë. Ne dëshirojmë që kjo Gjykatë t’a bëjë këtë duke lexuar në një mënyrë koherente ekspertizat (e kaluara dhe atë të ardhshme të) Komisionit të Venecias.

Ne shpresojmë Z. President, se Komisioni i Venecias do të vendosë t’i njohë shqetësimet tona.

 

Me vlerësimin tim më të lartë!

Juaji sinqerisht

RRAPO DANUSHI

Kryetar i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”

 

Shkeljet kushtetuese

Sipas pronarëve, ligji përmban shkelje të rënda të normave bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, por edhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilën Shqipëria e ka nënshkruar dhe duhet t’i përmbahet.

Së pari, metodologjia e vlerësimit të pronës sipas Ligjit të ri nr. 133/2015 paraqet ndryshime me efekte prapavepruese, jo vetëm në të drejtat e pronësisë të mishëruara në vendimet përfundimtare më të hershme, por bie në kundërshtim me pritshmëritë legjitime të pronarëve, të rrjedhura prej legjislacionit të mëparshëm, në mënyrë të veçantë prej Ligjit Nr. 9235 i datës 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompesimin e pronës”. Sipas dispozitave të nenit 3 dhe nenit 33 të Ligjit të ri nr. 133/2015 ky ligj do të zbatohet me efekte prapavepruese në lidhje me të gjitha “kompensimet e papaguara” të prapambetura nga Ligji i mëparshëm nr 9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”

Sipas dispozitave në nenin 7 § 2 (ç) të Ligjit nr. 133/2015, “Në rast se vendimi përfundimtar nuk ka vendosur kompensim prone, atëherë vendimi dhe dokumentacioni përkatës arkivohen sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për arkivat”. Por, ekzistojnë raste të numërta, ku autoritetet – të pamundura për të provuar ekzistencën e interesit publik – janë urdhëruar me vendime përfundimtare dhe të detyrueshme që t’ua kthejnë kërkuesve pronat e tyre të origjinës. Kërkuesit i kanë regjistruar në përputhje me ligjin titujt e tyre të pronësisë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, megjithëse ata nuk i kanë marrë në zotërim (de facto) parcelat përkatëse të tokës (për shkak të refuzimit arbitrar nga ana e autoriteteve që të respektojnë vendimet përfundimtare të lartpërmendura).

Shumica e kërkuesve të përballuar me këtë problem e kanë ezauruar të drejtën e tyre për ankim kushtetues, duke siguruar në përgjigje vendime deklarative nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur në favor të tyre. Disa prej kërkuesve kanë ushtruar të drejtën e tyre për t’u ankuar në GJEDNJ6. Aktualisht, dispozitat e nenit 7 § 2 (ç) të Ligjit të ri nr.133/2015 përjashtojnë nga fusha e zbatimit të këtij ligji të gjithë ata pronarë të shpronësuar me forcë, të cilët vazhdojnë të mbeten de facto të shpronësuar si pasojë e dështimit të autoriteteve për të respektuar vendimet përfundimtare, të cilat kanë vendosur kthimin fizik të pronave pronarëve në fjalë.

Për më tepër dispozitat e mësipërme të nenit 7 § 2 (ç) të ligjit të ri të zbatuara në bashkim me nenin 257 të të njëjtit ligj do të përjashtojnë nga fusha e zbatimit të këtij ligji çdo iniciativë ligjore (të mundshme) – ndërmarrë në bazë të nenit 20 të Ligjit nr 133/2015 – të kësaj kategorie pronarësh për t’u kompensuar. Sipas nenit 20 të Ligjit nr. 133/2015 “Kërkesat e bëra para hyrjes në fuqi të këtij ligji […] të cilat nuk kategorizohen në pronat e përcaktuara në Nenet […] 25, do t’i nënshtrohen trajtimit të pronës nëpërmjet njohjes së të drejtës së subjekteve të shpronësuara me vendim të ATP-së” .

Ndonëse pronarët e shpronësuar me forcë mund t’a provojnë origjinën e pronave të tyre të trashëguara, ata janë përjashtuar nga fusha e zbatimit të Ligjit të ri nr. 133/2015 bazuar në nenin e mësipërm 20 të këtij ligji. Në fakt, terminologjia ligjore dhe cilësimet e përdorura në Nenin 25 të Ligjit nr. 133/2015 në lidhje me “pronat shtetërore”, ose “pronat nën administrimin e shtetit”, si edhe cilësimet e nënkuptuara në terminologjinë e ligjeve të listuara në Shtojcën 18 të Ligjit nr. 133/2015 formojnë një listë jo shteruese të pronave që i nënshtrohen “marrjes së detyrueshme të pronës në prezumim të interesit publik”.

Ligji i ri nr. 133/2015 prezanton konceptin e “përfitimeve të zbritshme”. Siç është shpjeguar si në nenin 6 § (6) ashtu edhe në nenin 21§ (4) të këtij ligji, shprehja “përfitimet e zbritshme” zbatohet për të gjitha pronat që janë në mënyrë efektive në zotërim të kërkuesve bazuar në vendimet përfundimtare dhe të detyrueshme që janë dhënë në favor të tyre9. Kjo zbatohet edhe në lidhje me parcelat e tokës të cilat u janë kthyer pronarëve – pjesërisht – nga vendimet e mëparshme (neni 6 § 510 i Ligjit të ri nr 133/2015). P.sh. Komisioni i Tokës i Tiranës i njohu me vendimin e tij të dhënë në vitin 2001 të drejtën kërkuesit mbi pronën e tij të trashëguar (të vendosur në një zonë urbane në qytetin e Tiranës e njohur si “Komuna e Parisit”) me sip 10.000 m2. Ai urdhëroi kthimin e një pjese të kësaj prone, pra, të një toke me përmasat 1,000 m2 (e cila ishte e lirë), ndërsa urdhëroi kompensimin për pjesën tjetër të pronës së kërkuesut (e cila ishte e zënë), sip 9,000 m2. Si pasojë e Vendimit të mësipërm kërkuesi zotëron aktualisht tokën me sipërfaqe 1,000 m2, por nuk është kompensuar nga autoritetet në lidhje me pjesën tjetër të pronës së tij. Sipas formulimit të përdorur në nenin 6 § 6 dhe në nenin 21 § 4 të Ligjit të ri nr 133/2015, trualli prej 1,000 m2 klasifikohet si një përfitim i zbritshëm për qëllimet e metodologjisë së vlerësimit të paraqitur me anë të këtij ligji të ri.

Bazuar në formulimin e përdorur në nenin 6 § 1 (b) të ligjit të ri tre llogaritje matematikore janë të nevojshme për të çmuar vlerën e përfitimit të zbritshëm (domethënë vlerën e truallit prej 1,000m2).

Llogaritja e parë përcakton vlerën aktuale të tregut të këtij përfitimi të zbritshëm, e cila në këtë situatë kushton: 1,000 m2 x 57.500 lekë / m2 = 57.500.000 lekë. Llogaritja e dytë përcakton vlerën e këtij përfitimi të zbritshëm në kohën e shpronësimit, që në këtë situatë kushton: 1,000 m2 x 250 lekë / m2 = 250,000 lekë. Llogaritja e tretë përcakton vlerën përfundimtare të këtij përfitimi sipas metodologjisë së re të vlerësimit të përfshirë në Ligjin Nr 133/2015 dhe konkretisht në nenin 6 § 1 (b), që është: 57.500.000 lekë – 250.000 lekë = 57.250.000 lekë.

Sipas nenit 6 § (1) të ligjit të ri llogaritja e shumës që duhet kompensuar bazohet në hartën e vlerës së tokës në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit, duke marrë si referencë indeksin kadastral sipas origjinës së pronës që ndodhet më afër pronës që do të kompensohet. Aplikimi i kësaj formule në shembullin e mësipërm përcakton vlerën e truallit prej 9.000 m2 – e cila do t’i kompensohet kërkuesit – 9,000 m2 x 250 lekë / m2 = 2,250.000 lekë.

Autoritetet – bazuar në dispozitat e nenit 6 § (3) të ligjit të ri – do t’i llogarisin detyrimet e tyre në lidhje me kërkuesit nëpërmjet zbritjes së vlerës së përfitimeve të zbritshme11 nga shuma që do të kompesohet12. Për më tepër, sipas nenit 6 § (1) të Ligjit të ri nr 133/2015 llogaritja e shumës që do të kompensohet bazohet në hartën e vlerës së tokës në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit, duke marrë si referencë indeksin kadastral sipas origjinës së pronës që ndodhet më afër pronës që do të kompensohet.

Vlera e “përfitimeve të zbritshme” do të llogaritet nga ana tjetër në bazë të hartës së vlerës aktuale.

Shumë pronarë të shpronësuar me forcë do të përjashtohen nga fusha e zbatimit të ligjit të ri Nr 133/2015 bazuar në nenin e mësipërm 7 § 2 (a) të Ligjit në fjalë, i cili parashikon se të gjithë kërkuesit, përfitimet e zbritshme të të cilëve kanë një vlerë më të 5 lartë se ajo e pronave të listuara (kërkuara) prej tyre në formularin e aplikimit13 konsiderohen “të kompensuar plotësisht” sipas dispozitave të këtij ligji.

Sipas Nenit 21 § 5 të Ligjit të ri Nr 133/2015, “kompensimi fizik14 i pronave të origjinës së kërkuesve është i mundur vetëm nëse këto prona nuk bien brenda fushës së zbatimit të Nenit 25” të ligjit në fjalë. Gjithashtu janë parashikuar kufizime shtesë në Nenin 21 § (6) – (8) dhe në Nenet 22 – 24 të të njëjtit ligj të së drejtës së kërkuesve për të pretenduar kthimin fizik të pronave të tyre të origjinës.

Për më tepër, edhe duke supozuar se nuk ekzistojnë kufizime për kthimin e një prone të caktuar, përsëri ekzistojnë parashikime të mëtejshme në nenet 13-14 të Ligjit nr 133/2015, të cilat u mundësojnë autoriteteve t’a kushtëzojnë kthimin e kësaj prone mbi bazën e procedurës së ankandit. Sipas dispozitave në fjalë (konkretisht, sipas nenit 14 § (3)) kthimi i një prone të origjinës një kërkuesi të caktuar nëpërmjet procedurës së ankandit kërkon që ky i fundit të heqë dorë shprehimisht (me anë të një deklarate të nënshkruar) nga pjesa tjetër e pronave të tij të patrajtuara, të listuara në aplikimin përkatës.

Duke pasur parasysh dispozitat e përmendura më lart rastësia e kthimit fizik të pronës së origjinës kërkuesve është shumë e jashtëzakonshme për shkak se, vetëm ata pronarë të shpronësuar me forcë do të kualifikohen si “kërkues” për qëllimet e zbatimit të Ligjit të ri nr 133/2015 dhe do t’ u kthehen pronat e tyre të origjinës, të cilët I’a dalin me sukses t’i kapërcejnë të gjithë testet e kufizimeve të parashikuara në nenin 7 § 2 (a), nenin 7 § 2 (ç), nenin 20, nenin 21 § (6) – (8) dhe në nenet 22 – 24 të Ligjit të ri nr 133/2015.

Për më tepër nuk ekzistojnë dispozita as në Ligjin e ri nr 133/2015, apo në aktet përkatëse nënligjore të tij, që t’i parandalojnë autoritetet për të abuzuar me pushtetin e tyre gjatë procedurave të ankandit, në veçanti që t’i parandalojë ata në rast se në mënyrë abuzive dhe pa arsye bëjnë presion mbi kërkuesit, duke i detyruar këta të fundit të pranojnë kthimin e pronave të tyre të origjinës – mbi bazën e procedurës së ankandit – në parcela toke më të vogla se ato të kërkuara (dhe në të njëjtën kohë “ato ekzistuese”).

Sipas Nenit 22 të Ligjit të ri nr 133/2015 duhet që kërkuesit t’i konvertojnë – brenda një viti – kërkesat e tyre në lidhje me të drejtën e parablerjes (mbi ndërtimet në pronat e tyre) në kërkesa për kompensim. Mungesa e vullnetit e kërkuesve për t’ju bindur këtij ttegulli u jep mundësi autoriteteve për të regjistruar të drejtën e parablerjes të kërkuesve në Regjistrin e Tokës dhe i shkarkon ato (autoritetet) nga çdo detyrim tjetër për t’u kthyer kërkuesve pronat e tyre të origjinës.

Sipas nenit 23 të Ligjit të ri nr. 133/2015 kërkuesit do të marrin kompensim në vend të kthimit të pronave të tyre, nëse vërtetohet se pronat në fjalë u janë dhënë me qira, apo në forma të tjera përdorimi palëve të treta. Sipas të njëjtit nen, aty ku autoritetet për arsye të ndryshme nuk janë në gjendje të zbatojnë nenin 23 të ligjit të ri kërkuesit do të jenë të detyruar të tolerojnë zbatimin paqësor të marrëdhënieve kontraktuale deri në skadimin e marrëveshjeve përkatëse.

Në praktikë ish “ndërtimet shtetërore” të ndërtuara në pronat e kërkuesve kanë qenë kryesisht objekt i dy titujsh ligjor kontradiktorë: i pari favorizonte kërkuesit dhe i dyti favorizonte palët e treta. Të dyja palët, si kërkuesit, ashtu edhe palët e treta i ushtrojnë këto të drejta ligjore në bazë të vendimeve (paralele dhe konfliktuale) përfundimtare (administrative apo gjyqësore) që janë dhënë në favor të tyre.

Autoritetet nuk ofrojnë perspektivë konkrete për kërkuesit, të cilët nuk janë të gatshëm për ta konvertuar të drejtën e parablerjes në një të drejtë për kompensim në përputhje me nenin 22 sa sipër cituar, me përjashtim të regjistrimit të së drejtës së tyre në Regjistrin e Tokës.

Sigurisht, kjo qasje e autoriteteve favorizon palët e treta, sepse ndërsa kërkuesit në njërën anë janë pothuajse të detyruar që të pranojnë shpronësimin e detyrueshëm të pronave të tyre sipas kushteve tejet kufizuese të Ligjit të ri nr 133/2015, palët e treta në anën tjetër nuk janë penguar nga e drejta e tyre për të kërkuar pronësinë mbi parcelat e tokës – ku ndërtesat në pronësi të tyre janë të vendosura – në bazë të dispozitave përkatëse të Kodit Civil mbi afatin e parashkrimit18. Autoritetet nuk kanë marrë parasysh faktin, se këto parcela të tokës de jure u përkasin kërkuesve.

Nga ana tjetër, kategoria e kërkuesve që përfshihen në fushën e zbatimit të nenit 23 të Ligjit të ri nr 133/2015 ose parashikohen të shpronësohen me detyrim, ose pronat e tyre kontrollohen nga autoritetet në mënyrë arbitrare deri në skadimin e afateve të marrëveshjeve ekzistuese.

Sipas nenit 26 § 1 (ii) të Ligjit të ri nr 133/2015 shumë pronarë të shpronësuar me forcë do të përjashtohen nga fusha e zbatimit të këtij ligji për shkak të mospërputhjes së dokumentacionit të paraqiturprej tyre me aktet ligjore dhe nënligjore të renditura në nenin 2 të të njëjtit ligj.

Për më tej, Agjencia është një autoritet administrativ që – në përputhje me dispozitat e veçanta të Ligjit të ri nr 133/2015 – ushtron diskrecion19 të pakufizuar përsa i përket si interpretimit, ashtu edhe zbatimit të disa parashikimeve ligjore, që prekin të drejtat themelore të pronarëve të shpronësuar me forcë. Konkretisht, Agjencisë i është dhënë pushtet (i pakufizuar):

– për të interpretuar kuptimin e rregullit të “interesit publik” dhe “detyrimeve ndërkombëtare” për qëllime të zbatimit të nenit 25 § 1 të Ligjit të ri nr. 133/2015;

– për të interpretuar kuptimin e rregullit të “pronave të zëna” për qëllime të zbatimit të nenit 25 § 1 (c) të Ligjit të ri nr. 133/2015;

– për të interpretuar kuptimin e rregullit të “pronave të dhëna në përdorim” për qëllime të zbatimit të nenit 23 të Ligjit të ri nr. 133/2015;

– për të interpretuar kuptimin e rregullit të “përfitimeve të zbritshme” për qëllime të zbatimit të nenit 6 § 5, të nenit 6 § 6 dhe të nenit 21 § 4 të Ligjit të ri nr. 133/2015;

– për të interpretuar kuptimin e rregullit të “pamundësisë objektive” dhe “dokumentave të munguara” për qëllime të zbatimit të nenit 16 § 4 (a) – (b) të Ligjit të ri nr. 133/2015;

– për të interpretuar kuptimin e definicioneve të “subjekteve përfituese” dhe “subjekteve të interesuara”, për qëllime të zbatimit të nenit 19 § 3, të nenit 23, të nenit 27 § 1, të nenit 29 dhe të nenit 30§3 i Ligjit të ri nr. 133/2015;

– për të interpretuar rregullin “e pajtueshmërisë së dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesit me dokumentacionin e renditur në nenin 2 të ligjit të ri” për qëllime të zbatimit të nenit 26 § 1 (ii) të Ligjit të ri nr. 133/2015;

– për të interpretuar “ndikimet e rasteve të përcaktuara në nenin 3 § (2) të ligjit të ri mbi parashkrimin e afateve të lejuara për paraqitjen e kërkesave në Agjenci” për qëllime të zbatimit të nenit 27 § 1 të Ligjit të ri nr. 133/2015;

– për të interpretuar dhe për të zbatuar rregullat përkatëse të Ligjit të ri nr. 133/2015 që parashikojnë për format e kompensimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Pse lodhen kote pronaret.Kanabizimi i Republikes ka krijuar nje mundesi te arte qe cunat e saje qorrit te vene para, te blejne gjithe pronat e lira. Te futen ne cdo akand e te fitojne.Te zene me hute investitor strategjik dhe partnere perendimor si puna e investitorit Amerikano-Libanez dhe tja japin tokat e ish pronareve te shpronesuar me force nga regjimi komunist, oligarkeve te lidhur me ruset dhe me partneret e vete te mafies nderkombetare.Ceshtja e prones kerkon vizion dhe konsensus.Te kompensohen vetem tokat e ndara me ligjin 7501 si dhe ato per legalizim te tjerat tu kthehen pronareve.Shpronesim te kryet vetem per nevoja publike dhe jo per te ndertuar pallate qeveritaret dhe miqte e tyre ruse.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here