Ligji për mbetjet/ Meta: I kërkova dy ministrave iniciativa konkrete, ligji të monitorohet 100 % nga shoqëria civile

0
166

 

“Të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur, për një klimë sa më konstruktive në mënyrë që dhe mesazhet që vijnë edhe nga Brukseli për të mbështetur një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE -në të bëhen një fakt i kryer në javët e ardhshme”

 

Ambrozia Meta

 

Kryeparlamentari Ilir Meta deklaroi ditën e djeshme se i ka kërkuar  ministrit të mjedisit, Lefter Koka dhe atij të drejtësisë, Ylli Manjanit, iniciativa konkrete, që i hapin rrugë kontrollit të importit të mbetje nga shoqëria civile.  “Z. Vasili ne emër të grupit parlamentar të LSI-së në përgjigje të një skepticizmi apo mosbesimi edhe të një pjesë të mirë të opinionit publik, por edhe të shumë përfaqësuesve të nderuar të shoqërisë civile, kërkoi dhe u miratua ligji që kaloi në Kuvend, që monitorimi i zbatimit të këtij ligji të realizohet në respekt të këtij ligji nga shoqëria civile. Duke patur bindjen se shoqëria civile ka mjaft kapacitete të afta dhe i ka të gjitha mundësitë për të verifikuar zbatimin me korrektësi ekstreme të këtij ligji mjaft sensitiv.Sot mund t’ju them që kam kërkuar përsëri Ministri të Mjedisit, z. Koka, dhe Ministrit të Drejtësisë, z. Manjani, që ky detyrim ligjor që u vendos në këtë ligj të shoqërohet edhe me iniciativa të tjera konkrete që realizojnë plotësisht monitorimin 100% nga shoqëria civile të zbatimit të ligjit. Sepse shqetësimi kryesorë është moszbatimi korrekt i ligjit,” – u shpreh ai.  Në prononcimin për media, Meta u shpreh se respekton vullnetin e shoqërisë civile, por në lidhje me referendumet që janë nismë e partive, ai theksoi se ato e politizojnë më shumë debatin. “Unë mund të them që ne respektojmë shqetësimin e shoqërisë civile, kjo është arsyeja që është kërkuar nga grupi parlamentar i LSI-së, nga z. Vasili konkretisht amendamenti dhe është miratuar e mbështetur nga shumica. Ndërsa sa i takon çështjes së referendumit, çdo iniciativë qytetare ne e respektojmë, por sa i takon iniciativave partiake, mendoj se ato e polizitojnë debatin veçse më shumë,” –  tha Meta.

 

Qëndrimi

Pas arritjes së konsensusit për ligjin e SPAK në  Komsionin e Posaçëm të reformës, numri Një i Kuvendit deklaroi se votimi i djeshëm , tregoi se konsesusi mund të funksionojë edhe për ligjet. Kryeparlamentari i bëri sërish thirrje politikës të ruajë klimën konstruktive me qëllim që rekomandimi pozitiv për cceljen e negociatave  me Bashkimin Europian, të bëhet fakt. “Pa asnjë diskutim që votimi i sotëm tregoi se mirëkuptimi dhe konsensusi mund të funksionojnë edhe për ligje të tilla kaq kruçiale për zbatimin e reformës në drejtësi pas miratimit me konsensus të ndryshimeve kushtetuese, edhe në këto kushte kur mazhoranca i ka plotësisht legjitime votat për të miratuar këto ligje.Por kjo reformë kaq e rëndësishme kërkon që të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për mirëkuptim, për konsensus, për një klimë sa më konstruktive në mënyrë që dhe mesazhet më të fundit që vijnë edhe nga Brukseli për të mbështetur një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian të bëhen një fakt i kryer në javët e ardhshme,” –   nënvizoi Meta.

 

 

Zgjedhjet  për Bashkinë e Kolonjës

Meta: Nuk ka më rëndësi, koalicioni do gjejë një kandidat sa më të mirë

Kryeparlamentari Ilir Meta, njëherazi lideri i Lëvizjes Socialistë për Integrim, u shpreh se do të vëndosë koalicioni për një kandidat, për zgjedhjet në Kolonjë, pas ndarjes nga jeta të Kryebashkiakut Arben Malo. Meta theksoi se zgjedhjet në Kolonjë janë aksidentale dhe për të, mbetet themelore ecuria konstruktive e paketës së plotë për reformën në drejtësi. “ Për ne aq më tepër për mua personalisht kjo nuk ka më rëndësi, për arsye sepse ka qenë një humbje krejtësisht e papritur, e parakohshme dhe e pamerituar. Kështu që as nuk kam patur as nuk kam ndërmend të merrem me kandidatin apo kandidatët për këtë çështje. Por do të ndjek edhe unë, edhe kolegët e tjerë disa nga projektet të cilat ai i nisi me aq përkushtim dhe dashuri për Kolonjën.Jam i bindur që koalicioni do të gjejë një kandidat sa më të mirë, por unë e kam të vështirë të mendoj që të gjej një kandidat tjetër në nivelin e tij. Dhe përsëri mund të them që këto janë zgjedhje krejtësisht lokale dhe aksidentale. Për mua themelore si Kryetar i Kuvendit mbetet ecuria pozitive konstruktive sa mirëkuptuese, mundësisht konsensuale e miratimit të gjithë paketës së plotë për reformën në drejtësi,” – u shpreh Kreu i Kuvendit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency