Nishani nga SHBA: Klasa politike shqiptare ka detyrimin institucional të respektojë vullnetin popullor për një të ardhme më të mirë

0
155

Në vijim të vizitës zyrtarë në Shtetet e Bashkuara, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani u prit me një ftesë të veçantë nga Këshilli i Çikagos për Çështjet Globale (Chicago Council on Global Affairs), njërit prej think-tankeve me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar.

Kreu i Shtetit shqiptar u mikprit dhe zhvilloi një takim me Presidentin e Këshillit, Ambasadorin Ivo Daadler ish-përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO dhe më pas iu drejtua anëtarëve dhe të pranishme me një fjalë tematika kryesore e së cilës ishte: Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor: Një e ardhme evropiane?

Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani:

“I nderuar President i Këshillit, Ambasador Daadler,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Çikagos,

Zonja dhe zotërinj!

Së pari dëshiroj t’ju falënderoj shumë për ftesën që më adresuat dhe mundësinë që më krijuat, për t’u takuar e bashkëbiseduar me ju këtu në Çikago, në këtë ambient të ngrohtë e të mrekullueshëm. Besoj se për autoritet jo amerikane, nuk ka nder e kënaqësi më të madhe se sa të mbyllësh qëndrimin në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht pas disa ditë pjesëmarrjeje në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe disa aktiviteteve të rëndsishme dhe emocionues në Uashington DC, me Këshillin tuaj, me ‘Chicago Council on Global Affairs‘, një prej ‘think-tankeve‘ me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Ndihem vërtet shumë i nderuar dhe i privilegjuar.

Gjithashtu, jam realisht shumë i impresionuar që përtej vëmendjes që u kushtoni sfidave dhe zhvillimeve të ndryshme globale, dhe që sot nuk janë pak, një vëmendje të veçantë u kushtoni edhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pjesë e të cilës Shqipëria është.

Zonja dhe zotërinj,

Nuk dëshiroj të bëj një historik të vendit tim në formën klasike apo të evidentoj disa prej momenteve më të rëndësishme të krijimit dhe konsolidimit si shtet, por për t’iu përgjigjur në një hapësirë kohore të përshtatshme interesit tuaj do të ndalem në tre aspekte që mendoj se përbëjnë interes për këtë audiencë, siç janë:

1. Integrimi euro-atlantik dhe evropian i Shqipërisë;

2. Bashkëpunimi rajonal; dhe

3. Kontributi i Shqipërisë në nivel global për përballimin e sfidave të luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

E kam thënë edhe në formate dhe vende të tjera se Evropa Lindore dhe Qendrore, pas rënies së Murit të Berlinit dhe mbarimit të Luftës së Ftohtë, për të cilën uroj të ketë qenë e para dhe e vetmja, përjetoi një klimë shumë pozitive e bashkëpunuese, si dhe mundësi të reja zhvillimi. Kontinenti Evropian i ndarë si ideologjikisht, ashtu edhe fizikisht, filloi të ndjehet si asnjëherë tjetër në historinë e vet moderne, bashkëpunuese dhe e orientuar ndaj vlerave të përbashkëta të demokracisë, mbrojtjes së lirive themelore të njeriut dhe e krijimit të një tregu komun dhe një ombrelle të përbashkët sigurie. Pjesë e këtij përjetimi dhe mundësie zhvillimi ishte edhe Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor. Shumë shpejt pas rënies së komunizmit në Shqipëri, vendi u bë pjesë e Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE), si dhe e pothuaj të gjitha organizatave të tjera rajonale. Shqipëria ishte ndër vendet e para që në fillim të viteve ’90-të, që kërkoi të ishte pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO-s. Duhet thënë se kjo kërkesë krijoi habi në shumë kancelari perëndimore, se si ishte e mundur që një vend, dikur anëtar i Paktit të Varshavës e më pas i larguar prej saj dhe tërësisht i vetë izoluar dhe i varfër, kërkon të jetë pjesë e organizatës politiko-ushtarake më të madhe e më të fuqishme të planetit.

Vizioni dhe fryma euroatlantike dhe evropiane, me synim qendror integrimin dhe anëtarësimin në NATO dhe BE u bënë objektivat kryesore të vendit, pasi ne shqiptarët besonim se këto dy projekte, më madhoret e pas Luftës së Dytë Botërore që bënë dallimin e qartë mes lirisë dhe izolimit, mes diktaturës dhe demokracisë, mes ekonomisë së lirë dhe asaj të centralizuar, mes zhvillimit të qëndrueshëm dhe falimentimit të sigurt, do të bëheshin “ylli polar” i orientimit tonë të ardhshëm.

Për Shqipërinë, si një vend që kishte përjetuar diktaturë, terror dhe shtypje, varfëri të skajshme dhe mungesë totale lirie dhe demokracie, anëtarësimi në këto organizata shihej si moment shprese dhe rimëkëmbje sociale dhe ekonomike. Falë reformave të paimagjinueshme e të paperceptueshme në fillim të viteve ’90, por edhe e përkushtimit dhe luajalitetet ndaj vlerave euroatlantike, Shqipëria në vitin 2009 u bë anëtare e NATO-s. Shqipëria dhe shqiptarët, duke u bërë pjesë NATO-s, realizuan një pjesë të ëndrrës së tyre e që prej asaj kohe, Shqipëria ka qenë dhe mbetet një partner aktiv i Aleancës, duke kontribuar me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë e saj në angazhimet e saj.

Zonja dhe zotërinj,

Projekti i dytë më madhor i vendit mbetet integrimi në Bashkimin Evropian, i cili në vetvete është një proces sa i gjatë aq edhe i komplikuar e shumë kompleks, si në aspektin e kryerjes së reformave të brendshme të vendit, ashtu edhe aftësisë së Unionit për të absorbuar anëtarë të rinj brenda saj. Shqipëria dhe të gjitha institucionet shqiptare janë tërësisht të angazhuara për përmbushjen e reformave të brendshme që do t’i mundësojnë arritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme të anëtarësimit. Shpesh, ne zyrtarët shqiptarë, e shprehim me krenari mbështetjen popullore shumë të lartë për procesin e integrimit evropian. Ky proces në Shqipëri gëzon mbështetjen e mbi 90% të popullsisë, duke e vënë klasën politike dhe institucionet shqiptare para detyrimit moral dhe institucional për të respektuar këtë vullnet popullor dhe vijuar me rrugën e reformave.

Vetë Bashkimi Evropian po kalon sfida shumë të forta. Prej disa vitesh është goditur nga kriza financiare dhe ekonomike, më pas nga kriza emigratore, e cila po ndikon në kohezionin e brendshëm të Unionit, dhe tashmë Brexit, procesi i daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni. Të gjitha këto kanë krijuar një situatë pasigurie, konfuzioni në marrëdhëniet lider-qytetar, si dhe një ambient të favorshëm për politika populiste e anarkiste. Brexit, duket se do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm si për stabilitetin e Unionit ashtu edhe të vijimit të procesit të zgjerimit me vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor. Britanikët folën dhe pavarësisht se me diferencë të vogël, ata votuan në favor të daljes nga Bashkimi Evropian, vendim ky sovran dhe që dukshëm u respektua me hidhërim nga shumë liderë evropianë dhe botërorë. Ishte një ‘JO’ ndaj BE-së dhe një mesazh që po lexohet me vëmendje maksimale nga të gjitha vendet anëtare të saj, por edhe nga vendet kandidate dhe ato aspirante.

Pyetja që mbetet është: Çfarë do të ndodhë me Bashkimin Evropian dhe për rrjedhojë me projektin më madhor evropian të pas luftës së Dytë Botërore?

Vendosmëria e Shqipërisë, por edhe e disa vendeve të tjera nga Ballkani Perëndimor për të vijuar procesin e reformave dhe realizimin e aderimit në Bashkimin Evropian, sot tingëllon ndoshta çuditshëm jo vetëm për veshët e shumë euroskeptikëve, por edhe të shumë europianistëve që nuk janë të qartë për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Por, që prej Samitit të Selanikut në vitin 2003, është thënë qartazi dhe në mënyrë të përsëritur se Bashkimi Evropian nuk do të jetë asnjëherë i plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht që gjërat nuk janë më si më parë, por është shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian, institucionet e saj dhe vendet anëtare të mos neglizhojnë vëmendjen edhe ndaj procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union. Investimi i bërë për paqen, pajtimin, stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni duhen ruajtur dhe çuar më tej.

U zgjata pak në këtë aspekt, pasi dëshiroj të theksoj edhe njëherë se procesi i integrimit evropian për Shqipërinë dhe shqiptarët nënkupton standarde, zhvillim dhe mirëqenie dhe mbetet objektivi më madhor strategjik i vendit dhe e vetmja alternativë e zhvillimit.

Zonja dhe Zotërinj,

Aspekti tjetër që do të dëshiroja të ndaje me ju është përkushtimi dhe angazhimi i Shqipërisë në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, ku kam parasysh Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore. E theksova edhe në fjalën time në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pak ditë më parë se: Shqipëria i kushton një vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal në gjithë tërësinë e tij. Politika e jashtme e Shqipërisë është maksimalisht e orientuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit dhe integrimin e tij të plotë në proceset euroatlantike.

Angazhimi energjik i Shqipërisë në këtë kuadër, si dhe roli i saj aktiv e konstruktiv në të gjitha nismat rajonale, i kanë shërbyer fuqizimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe njerëzor mes të gjitha vendeve partnere në rajon në drejtim të krijimit të një agjende ndërveprimi midis tyre, BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si pjesë përbërëse e rrugës së përbashkët të vendeve te rajonit drejt anëtarësimit në BE.

Në dekadën e fundit, e veçanërisht që prej pavarësisë së Kosovës, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka pësuar ndryshime rrënjësore. Dialogu mes vendeve është intensifikuar ndjeshëm dhe marrëdhëniet mes vendeve kanë njohur progres të vazhdueshëm. Vihet re një vullnet të përgjithshëm për krijimin e një rajoni të paqtë e të sigurt. Vetëm në dy-tre vitet e fundit, liderët e rajonit janë takuar me dhjetëra herë me njëri-tjetrin, si në kontekstin e iniciativave rajonale apo forumeve ndërkombëtare, ashtu edhe ne kuadër të vizitave të ndërsjella dypalëshe, diçka e paimagjinueshme një dekadë më parë, por që duket më se normale në ditët e sotme. Vlerësoj se, përtej aspektit formal dhe të kortezisë, përmes këtyre kontakteve liderët e rajonit kanë përcjellë tek qytetarët e vendeve të tyre, frymën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, si dhe kanë inkurajuar qeveritë dhe institucionet përkatëse për të vijuar në këtë frymë. Gjithashtu, është inkurajuese fakti se Qeveritë e vendeve të rajonit po dakordësohen për projekte të përbashkëta zhvillimore e ku përfshihen sektorë të rëndësishëm strategjikë, si energjetika dhe infrastruktura në përgjithësi. Por e një rëndësie të veçantë mbeten përpjekjet për rrëzimin e paragjykimeve të së shkuarës mes kombeve të ndryshme të rajonit dhe gjykimeve steriotipe, përmes projekteve të shkëmbimeve kulturore dhe të bashkëpunimit, veçanërisht mes të rinjve të vendeve të rajonit. Lëvizja e lirë, nxitja e turizmit rajonal, gjithashtu po ndikon në përmirësimin e kësaj klime.

Shqipëria ka mbështetur fort dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur në mënyrë thelbësore nga Shtetet e Bashkuara. Pavarësia e Kosovës sot është një realitet i pakthyeshëm dhe ka demonstrua se ka qenë vendimi më i drejtë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Kosova sot njihet nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara (109 nga 193 vende gjithsej) dhe jam i sigurt se procesi i njohjes do të vijojë më tej.

Në aspektin dypalësh, Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet e rajonit pa përjashtim dhe ka përmirësuar ndjeshëm bashkëpunimin me Serbinë. Gjithsesi, pavarësisht kësaj fryme dhe klime pozitive bashkëpunimit nuk mungojnë as hapësirat për shqetësim, si nga kërcënimet që vijnë nga terrorizmi dhe veprimtaria e të ashtuquajturve “foreign fighters”, ashtu edhe nga interesi në rritje për prezencë ushtarake në rajon nga vende që nuk kanë lidhje me hapësirën, sigurinë dhe vizionin euroatlantik të tij.

Të nderuar të pranishëm,

Çështja tjetër dhe e fundit që do të dëshiroja të ndaja shkurtimisht me ju është dhe sfida e përbashkët globale e adresimit të kërcënimeve gjithnjë e më të frikshme e revoltuese që vijnë nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, kryesisht me baza fetare. Vetëm pak ditë më parë, ju dhe të gjithë qytetarët amerikanë përkujtuat me dhimbje viktimat e sulmeve të paprecedent terroriste të 9/11, të 15-viteve më parë në Nju Jork. Që prej asaj dite, jemi dëshmitarë të një intensifikimi edhe më të madh të veprimtarisë terroriste dhe ekstremiste. Shumë prej qyteteve kryesore të Francës, Belgjikës, Turqisë, Kuvajtit, Egjiptit, Tunizisë, Libisë e shumë vendeve të tjera janë goditur egërsisht dhe barbarisht, me synimin e frikësimit dhe gjunjëzimit të shoqërive tona. Këtyre kërcënimeve nuk i ka shpëtuar as Shqipëria dhe as rajoni i Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, megjithëse një vend i vogël gjeografikisht ka qenë dhe mbetet plotësisht e angazhuar dhe e përkushtuar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ajo iu bashkua që në fillim koalicionit ndërkombëtar kundër ISIL/Daesh, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe në mënyrë konkrete ka kontribuar deri tani me 5 paketa me pajisje ushtarake për Forcat e Armatosura Peshmerga në Irak. Për trajtimin e fenomeneve të “foreign fighters” dhe të rekrutimeve të tyre nga elementë radikalistë dhe ekstremistë kemi miratuar në Shqipëri një kuadër të posaçëm ligjor. Por gjithashtu, paralelisht po punojmë ngushtë me komunitetet lokale dhe fetare, për të çkurajuar këto fenomene dhe aplikuar programe të veçanta edukimi. Besojmë se, përmes programeve të veçanta të edukimit dhe ruajtjes së kohezionit social mund t’i kundërvihemi në mënyrë efikase radikalizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit.

Shqipëria do të vijojë me vendosmëri, si në nivel rajonal ashtu edhe global të kontribuojë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si me veprime konkrete ashtu edhe duke ofruar eksperiencën e saj shumëshekullore të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare. Siç e dini, në Shqipëri njihen 6 komunitete zyrtare fetare: komuniteti islam, ortodoks, katolik, bektashian, ungjillor dhe hebraik. Ndër shekuj këto komunitete kanë jetuar në harmoni dhe në respekt me njeri-tjetrin, duke u bërë sot një shembull bashkëjetese edhe për vende apo rajone të tjera. Kjo bashkëjetesë dhe harmoni mes komuniteteve fetare u evidentua edhe nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku gjatë vizitës së tij Papale në Shqipëri, në vitin 2014.

Në mbyllje, dëshiroj t’ju falënderoj për vëmendjen dhe jam i hapur për pyetje dhe komente të ndryshme për sa trajtova më lart, por edhe çështje të tjera që mund të kenë interes për ju e që lidhen me Shqipërinë dhe shqiptarët.”

Në përfundim të fjalës së Tij Presidenti Nishani zhvilloi një seancë me pyetje-përgjigje në formë bashkëbisedimi me të pranishmit duke diskutuar për çështje të ndryshme si: e ardhmja e Shqipërisë në BE, reforma në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese, mënyrën se si po e promovon vendi ynë bashkëjetesën dhe harmoninë fetare, sfidat e përballjes me korrupsionin, tërheqja e investitorëve të huaj, etj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency