“Edi Rama nuk ua hedh dot më shqiptarëve. Plehrat e nxoren para qytetareve zbuluar: gënjeshtar, hipokrit, pa asnjë skrupull. Për pushtet dhe para bën gjithcka: nga aleanca e drogës, tek aleanca e plehrave. Tashmë këtë e dinë edhe mbështetësit e tij më të zjarrtë”. Kështu ka deklaruar kreu i PD-së, Lulzim Basha mbrëmjen e sotme, pasi kryeministri publikoi një video nga një fabrikë riciklimi duke dhënë edhe shpjegime. “Pasi e mbushi Shqipërinë me drogë dhe pasi është dorëzuar kokë e këmbë tek krimi dhe droga, tani zgjidhjen njësoj si për plehrat e kërkon tek gënjeshtra dhe mashtrimi”, shprehet Basha. Ai akuzoi Ramën se do të mashtrojë shqiptarët. “Sot Kryeministri hodhi në qarkullim një videografik të gatuar në studiot e mashtrimit qeveritar, për t’u mbushur mëndjen njerëzve se drogën nuk e ka sjellë ai po e gjeti mes nesh. Videografiku është një mashtrim i pastër. Pretendimet e tij janë sajesa të Edi Ramës. Videomashtrimi, nuk mund të fshehë dot Shqipërinë e pushtuar nga droga që nga rrethinat e Tiranës dhe Rinasi deri në Lumin e Vlorës, pyjet e Kolonjës, pllajat e vendlindjes së Tahirit, deri në Dibër e në Malësinë e Madhe. Videomashtrimi nuk mund të mbulojë dot as faktin që tani e dinë të gjithë: droga po lulëzon kudo me lejen dhe mbrojtjen e Edi Ramës; droga po lulëzon se Edi Rama nuk ka dashur të kapë asnjë trafikant, por është marrë me ca fakirë fukarenj, ndërkohë që kokat e trafikut si Habilajt dhe Klement Balili me shokë janë të lirë dhe të paprekshëm dhe bosët e drogës si Bushi, Roshi dhe Aga me kompani janë kryetarë bashkish, deputetë dhe krerë të policisë”, deklaron Basha. Ai shtoi se ‘Droga në Shqipëri po lulëzon edhe për një arsye tjetër: kryeministri në vend që ta luftojë drogën ka zgjedhur të luftojë opozitën dhe njerëzit’. “Edi Rama është tashmë një vegël e bindur në duart e kriminelëve dhe trafikantëve të drogës. Ne emër të tyre, Edi Rama ka tradhtuar popullin e vet dhe po shkatërron të ardhmen e tij. #Shqiperia ne rrezik me Edi Ramen”, përfundon Basha