Rrokaj kritikon ministren Nikolla: Po u vrisni shpresat maturantëve

0
118

Kandidati për kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherësh edhe pedagog, Shezai Rrokaj ka zhvilluar një takim me të rinjtë e LRI-së në lidhje me zgjedhjet që do të zhvillohen brenda partisë.Gjatë bashkëbisedimit me ta, Rrokaj preku edhe temën e maturantëve, të cilët ankohen se nuk kanë fituar degët që preferonin, pavarësisht mesatares së lartë. Kandidati për kreun e LSI thumboi edhe ministren e Arsimit Lindita Nikolla, se institucioni i drejtuar prej saj ka ndryshuar rregullat në mes të vitit shkollor.

“Ne duhet të kërkojmë një arsim që i qartëson rinisë rregullat e lojës qysh në fillim dhe jo si udhëzimet që erdhën për pranimet në universitet. Ne duhet t’i kthejmë rinisë shpresën. Ne nuk kemi të drejtë t’ia vrasim rinisë shpresën. Dhe shpresa asaj i kthehet kur arsimohet më mirë, kur i sigurohet jeta më mirë, kur punësohet më mirë, kur ndërtojmë një shtet të sipërmarrjes, kur e drejta nuk blihet me para ose me pushtet. Pra rinisë duhet t’i jepet ajo që i takon. Por në demokraci asnjëherë gjërat nuk jepen. Në demokraci e drejta fitohet”, – theksoi Rrokaj.

Shezai Rrokaj foli për garën që po zhvillohet brenda strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim ku në datën 6 nëntor do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të kësaj force politike. Sipas Rrokaj, kjo nuk është një garë ndërmjet individëve por një garë ndërmjet mendimeve që të japi sa më shumë produktivitet për LSI-në.

“Kryetari i partisë, Ilir Meta është projektues, nuk e ka marrë si trofe nga të tjerët LSI-në. Është një vlerë e jashtëzakonshme. LSI është pasuri kombëtare dhe është pasuri e të gjithë neve. Dhe në këtë kuptim të gjithë duhet të shtojmë nga pak për ta bërë këtë projekt, këtë parti, një forcë të madhe. Kështu që unë nuk jam në garë me Ilir Metën, jam në garë me mendimet dhe me alternativat që do të shpalos dhe në fund të ditës do ta nxjerrin fituese LSI-në.

Modelet e përfaqësimit për të rritur cilësinë e drejtimit. Sepse vetëm duke ofruar alternativa ne e bëjmë partinë më të fortë, më të shëndoshë, me të ardhme më të siguritë për qytetarët. Në qoftë se unë do të arrijë që të jem i kënaqur me mendimet që do të shpalos, unë garën e kam të fituar”,– tha Shezai Rrokaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency