Nga se frikësohet Edi Rama? Protestat apo zbardhja e aferës skandaloze të plehrave?

0
310

Edi Rama nuk po kalon ditë të qeta e sidomos ajo e djeshmja ka qenë shumë stresuese për të. Ai ishte në samitin e Vjenës, por  vetëm fizikisht gjendej në takimet zyrtare.

Me mendje (dhe me celular në dorë gjithashtu), ai ishte në Facebook gjatë gjithë ditës, duke u kthyer përgjigje qindra qytetarëve që i kërkonin një llogari të thjeshtë: çfarë e detyroi që të merrte vendimin për të lejuar importin e plehrave?

Dita i ka nisur e trazuar edhe sot. Kryeministri u shfaq paradite drejtpërdrejtë në ekranet televizive, në një takim për zgjedhjen e drejtuesve të FRESSH dhe menjëherë sulmoi ata që e kritikojnë për vendimin skandaloz që mori për të lejuar importin e plehrave.

I quajti mediat, qytetarët dhe të gjithë ata që shqetësohen për mjedisin ku jetojmë, sharlatanë, ashtu siç i etiketoi gjatë gjithë ditës së djeshme, edhe kur ndjekësit e tij në Facebook i thanë fare hapur se ai ishte “tradhtar, njeri që u shërben bizneseve të caktuara, i lidhur me mafian e plehrave, atë të interesave të mëdha financiare që dikur thoshte vetë se do ta detyrojnë Shqipërinë të pranonte plehra nga jashtë”.

Ai u tha të rinjve që militojnë në PS se nuk duhet të dëgjonin ata që flasin në media e në rrjetet sociale. E kërkuar kjo prej një njeriu që rrjetet sociale i ka shfrytëzuar maksimalisht për propagandën e tij, tregon se ai është në hall të madh.

Edhe fakti që ai kërkon t’i ndajë të rinjtë socialistë nga të rinjtë që po organizohen në rrjetet sociale për t’u përballur me të në dyer e kryeministrisë është provë kokëfortë se ai është në ditët e tij më të këqija.

Edi Rama tashmë e sheh veten përballë qytetarëve që kanë paralajmëruar të bashkohen si për armët kimike.  Dhe kësaj here nuk ka as opozitën që ta sulmojë dhe fajësojë për të devijuar shënjestrën nga përgjegjësi i vetëm për faktin që Shqipëria do të shndërrohet në një kosh të madh mbeturinash.

Qytetarët po organizohen vetë, duke lënë mënjanë bindjet apo flamujt politikë. Për këtë arsye ai ndenji dje gjithë ditën në Facebook, si asnjëherë më parë, duke u përpjekur të japë sqarime, se vendimin për t’u sjellë shqiptarëve plehrat e kishte marrë për të mirën e tyre.

Por a mund të jetë vetëm frika nga protestat ajo që e bën një kryeministër të reagojë në një formë të tillë të shpërpjesëtuar?

Akuzat mbi të nuk bien vetëm se i gënjeu dhe i tradhtoi shqiptarët me vendimin e tij të vitit 2013 për të mos lejuar importin e plehrave. Për të ka dyshime se këtë nga ky vendim i atëhershëm është tërhequr për interesa financiare, ato të mafias që ai thoshte tetorin e vitit 2013 në parlament, para votimit të ligjit.

Kjo duket një arsye e fortë përse kryeministri është turrur me gjithë arsenalin gjuhësor e politik kundër qytetarëve që i kërkojnë llogari dhe mediave që i kujtojnë tradhtinë. Ai nuk po mbron thjesht një ligj, por në këtë rast dyshimet janë tepër të forta, se ai po mbron mafien e plehrave që më në fund e gjeti rrugën e duhur për të ardhur në Shqipëri.

Ai po mbrohet nga e vërteta që po i del në shesh se është shndërruar në një “palaço të korruptuar me motivime mafioze”, siç i thotë analisti i majtë Mustafa Nano. /Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency