Importi i mbetjeve/ Aktivistët sot në protestë, amendamenti i LSI: Shoqëria civile t’i monitorojë në dogana

0
145

Organizatat e shoqërisë civile kanë të drejtën e monitorimit në pikat doganore të caktuara për kontrollin dhe zhdoganimin e mbetjeve. Ato paraqesin kërkesë me shkrim për pajisjen me autorizimin nga Ministri përgjegjës për mjedisin, që lejon kryerjen e këtij monitorimi

 

Sejrie Baleta

 

Ligji për importimin e plehrave do të paraqitet ditën e sotme në seancën plenare. Ky ligj ka hasur kundërshtime të forta nga ana e shoqërisë civile të cilët gjithashtu kanë paralajmëruar protesta para Parlamentit sot në orën 10: 00. Por jo vetëm shoqëria civile dhe aktivistët e kundërshtojnë draftin e propozuar nga  deputetëve socialist që kanë propozuar rikthimin e ligjit të mbetjeve. 3 vite më parë qytetaret e Napolit u ngritën kundër depozitimit të mbetjeve në territoret përreth Napolit për shkak të numrit të lartë  të  fëmijëve të identifikuar me kancer në  këtë  zonë. Në dy dekadat e fundit në Itali ishin depozituar, djegur apo varrosur mijëra tonelata mbetje të rrezikshme në  zonën e njohur si “Trekëndëshi i vdekjes” i cili shkon nga Napoli në Caserta e deri në rreze të Vezuvit. 3 vite më  pas qeveria shqiptare kërkon të miratoje ligjin për importin e mbetjeve të cilat kryesisht do të vijnë nga Italia. Ligj të cilin vetë qeveria para 3 vitesh e ka konsideruar si të sponsorizuar nga mafia. Nga ana tjetër ka pasur kundërshtime dhe në atë të partive politike. Një ditë më parë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese dy deputete e PD-së abstenuan. Ndërkohë në vitin 2011 ka qenë Partia Demokratike ajo e cila e kishte propozuar këtë ligj por në atë periudhe u kundërshtuar nga mazhoranca dhe nuk u miratua. Tani vetëm pak vite më pas është mazhoranca që po e rikthen ligjin e mbetjeve. Por jo vetëtm dy forcat e mëdha qeveritar kanë thënë fjalën e tyre. Në  amendamentin e propozuar nga  grupi parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me ligjin e importit të mbetjeve, i  miratuar një ditë më parë në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese në lidhje me të ka folur dhe kreu i LSI-së.

 

Fjala e Metës

Nga qytetit i Shkodrës, Kreu i Kuvendit Ilir Meta foli edhe për çështjen e importit të plehrave në Shqipëri. Kryeparlamentari tha se ndan të njëjtin qëndrim me përfaqësuesit e shoqërisë civile, por u shpreh se qëllimi i këtij projektligji nuk është për të sjellë mbetje të rrezikshme, por për të rihapur vende pune, të mbyllura që nga miratimi i ligjit për bllokimin e importit të mbetjeve. “Ndaj të njëjtin shqetësim me të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile lidhur me sensibilitetin e krijuar, por është e qartë se qëllimi nuk ka qenë dhe nuk është aspak për të lejuar mbetjet e rrezikshme për të hyrë në Shqipëri, por për të rivënë në punë mijëra punëtorë që prej dy-tre vitesh nuk po punojnë në industrinë riciklueshme e cila për shkak të ligjit që u miratua në fillim të kësaj legjislature bllokoi çdo lloj importimi. Kuptohet që ky shqetësim i shoqërisë civile nuk vjen nga iniciativa që është ndërmarrë por nga shqetësimi se kjo bazë ligjore, e cila duket e rregullt, mund të shërbejë për të sjellë në mënyrë abuzive, jo transparente dhe të paligjshme, mbetje të rrezikshme apo problematike të cilat mund të cenojnë mjedisin e vendit tonë”. Meta tha se projektligji i propozuar nga Petrit Vasili, ku parashikohet që edhe organizatat e shoqërisë civile të kenë të drejtën e monitorimit në pikat doganore për mbetjet që do të importohen për t’u përpunuar në vendin tonë, është një kompromis shumë i përshtatshëm për t’i dhënë zgjidhje të dyja çështjeve. “Ndaj në këtë drejtim unë do të thosha se amendamenti i paraqitur nga z.Vasili është një kompromis shumë i përshtatshëm për t’i dhënë zgjidhje të dyja çështjeve të cilat nuk janë antagoniste me njëra-tjetrën. Pra, edhe që këta mijëra punëtorë të kthehen në punë për shkak se janë disa dhjetëra milionë euro investime në këtë industri ricikluese, por njëkohësisht për të garantuar këtë shqetësim të shoqërisë civile dhe këtë mosbesim të thellë që ata kanë se ligji do të zbatohet në mënyrë të drejtë, të garantohet një akses dhe prezencë e plotë e shoqërisë civile që merret me mjedisit dhe që është e specializuar në këtë fushë, në të gjithë këtë proces zbatimi të këtij ligji”, tha Meta.

 

vasili

Amendamenti i LSI-së

LSI kërkon shtimin e një pike 3, përmes të cilës i jep mundësi konkrete shoqërisë civile që të ketë rol aktiv në këtë proces përmes monitorimit. Sakaq LSI vlerëson se amendamenti krijon dhe një raport të ri bashkëpunimi me shoqërinë civile, i cili shëndosh raportet mes parlamentit, ekzekutivit dhe opinionit publik nga ana tjetër. Amendamenti është propozuar nga deputeti i LSI-së Petrit Vasili. “Në mbështetje të nenit 71 të Rregullores së Kuvendit, te projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, propozohet që në nenin 3, i cili ndryshon nenin 48 duke shtuar nenin 48/1, pas pikës 2 të nenit të ndryshuar shtohet pika 3 e formuluar si më poshtë:

 

Pika 3

Organizatat e shoqërisë civile kanë të drejtën e monitorimit në pikat doganore të caktuara për kontrollin dhe zhdoganimin e mbetjeve. Ato paraqesin kërkesë me shkrim për pajisjen me autorizimin nga Ministri përgjegjës për mjedisin, që lejon kryerjen e këtij monitorimi. Drejtuesit e pikave doganore kanë detyrimin e lejimit të kryerjes së monitorimit pa kufizim.

“Përsa i takon kësaj çështjeje, që është shumë delikate, trajtimi i mbetjeve në vendin tonë, ky problem ka dy anë. Njëra është një realitet konkret i sipërmarrjes në këtë fushë, pasi industria e riciklimit të mbetjeve në Shqipëri, sikurse është e njohur dhe është bërë publike, është një investim dhjetarë milionësh dhe në të cilën para të gjithash janë të punësuar mijëra qytetarë. Pra, është një realitet faktit që ekziston dhe funksionon në Shqipëri. Së dyti, ka edhe një shqetësim dhe një sensibilitet shumë të gjerë lidhur me këtë çështje, një sensibilitet i shoqëruar me një shqetësim të thellë, ky është evident. Një mosbesim i shtrirë ku shoqëria civile ka qenë në vijën e parë për këtë çështje, por ka qenë reflektuese e një shqetësimi më të gjerë mbarëqytetar, që ka kulmuar me veprimin e shoqërisë civile. Besoj që ky mosbesim, i cili për të qenë objektiv, nuk është një dukuri që shoqëron vetëm këtë çështje, por është një mosbesim i hapur në shoqërinë shqiptare, është një çështje që kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë. Dhe amendamenti i propozuar nga ne sigurisht zgjidh një çështje madhore, pra atë të mosbesimit, i jep një instrument në dorë që është shërimi i vetëm i mosbesimit, transparenca. Dhe amendamenti ynë përqendrohet dhe ka dimension të tijin nga fillimi deri në fund transparencën ndaj procesit. Ne kemi propozuar një pikë shtesë, që i mundëson shoqërisë civile si shprehja më e pavarur e opinionit mbarëqytetar që të jetë prezentë në këtë proces, të zhdoganimit dhe të kontrollit të këtyre mbetjeve, të cilat duhet të vijnë sipas legjislacionit të propozuar, sipas listës së blertë dhe normave të tjera që rregullojnë legjislacionin evropian në këtë fushë. Pra, ta ndjekin në mënyrë të drejtpërdrejtë të ketë mundësi pa asnjë vështirësi të pajiset me të gjithë dokumentacionin për ta bërë këtë ndjekje dhe monitorim në mënyrë të drejtpërdrejtë pikërisht në doganat ku do të kryhet kalimi i mbetjeve. Së treti, ka edhe një përcaktim tjetër, ku të gjithë drejtuesit e këtyre institucioneve doganore të lejojnë pa asnjë kufizim që ky monitorim të kryhet. Besojmë dhe kemi bindje të plotë për këtë çështje që ky raport mosbesimi të thellë merr një përgjigje të drejtpërdrejtë, pasi në mënyrë konkrete thënë më thjeshtë duke i prekur me dorë gjërat, kemi mundësi të konstatojmë se si do të zbatohet në praktikë ky legjislacion, që mëton të jetë gjithnjë e më shumë një legjislacion bashkëkohor dhe a zbatohet në përputhje të plotë me atë që është shkruar” tha Vasili. Ndërsa  Aleanca Kundër Importit të Plehrave u shpreh se  propozimi i LSI nuk përbën zgjidhje dhe shkel vullnetin e popullit Aleanca Kundër Importit të Plehrave, (AKIP), pasi u njoh me propozimin e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim për amendim të projektligjit për lejimin e importit të plehrave, konkludoi se propozimi i shprehur nga z. Petrit Vasili si kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie dhe z. Ilir Meta si kryetar i LSI, është i pavlefshëm dhe nuk sjell përmirësim praktik të projektligjit në fjalë. Z. Vasili deklaroi mëngjesin e 21 shtatorit se ka propozuar një shtesë në projektligjin në fjalë duke krijuar një mundësi të kontrollit të importit të mbetjeve nga “shoqëria civile”. Por më tej në fjalën e tij deputeti Vasili ka theksuar: “Besoj që organet shtetërore nga njëra anë por nën vëzhgimin e vëmendshëm dhe të vazhdueshëm të shoqërisë civile, të cilët nuk do të kenë kufizime për të qenë të pranishëm në të gjitha etapat e këtij procesi, sigurisht është përgjigja besoj edhe në emër të grupit parlamentar të LSI-së, pasi amendamenti është shprehja e vullnetit të gjithë grupit parlamentar, është pra përgjigja më e mirë ndaj këtij mosbesimi dhe besojmë që ky dimension transparence që realizohet me këtë amendament në gjithë raportet ku ka mosbesim, është një dimension që duhet të në shoqërojë edhe për nismat e tjera, jo vetëm ligjore, por edhe të karakterit politik.  Shpesh shoqëria shqiptare shpenzon kohë dhe energji pa fund për shkak të mosbesimit të thellë, që ndonjëherë kur nismat janë qëllimmira komprometohen në rrugë e sipër. Kështu që mendoj se kjo është një përgjigje e drejtpërdrejtë dhe të gjitha palët janë përballë njëri-tjetrit për të kontrolluar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të drejtpërdrejtë se çarë ndodh në praktikë dhe për të qenë të qetë të gjithë qytetarët shqiptarë që ky legjislacion zbatohet më korrektesë dhe asnjë e keqe nuk u vjen atyre nga kjo veprimtari ekonomike e cila është një veprimtari që ka zhvillimet e veta në Shqipëri, por edhe në mbarë Evropën” u shpreh Vasili në shpjegimin e relacionit”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency