Meta takim me strukturat e partisë në Pogradec: Sfida e LSI-së është të përmirësojë më tej drejtimin përmes debatit, tribunë për zërin e qytetarëve

0
160

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim është shprehur se forca politike që ai drejton synon përfshirjen në proceset integruese të vendit të gjitha shtresave të shoqërisë. Teksa thekson se nga reformat në vend duhet të përfitojnë shtresat më të papërfshira nga pikëpamja sociale, Meta thotë se LSI nuk mund të jetë strehë e të “privilegjuarve”.

Nga qyteti i Pogradecit ku ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë në kuadër të zgjedhjeve të brendshme që do të zhvillohen në datën 6 nëntor, Meta tha se “LSI duhet të jetë një tribunë e fuqishme e zërit të të gjithë atyre që kanë dëshirë të dëgjohen dhe që kanë nevojë të dëgjohen”.

“LSI ka qenë e përkushtuar si askush tjetër për stabilitetin e vendit, për realizimin e reformave të cilat ndihmojnë vendin që të ecë më shpejt përpara, por edhe për reformat të cilat ndihmojnë në radhë të parë shtresat më të papërfshira nga pikëpamja sociale të shoqërisë. Synohet që të përfshihen dhe që të përfitojnë prej tyre, dhe duhet të vazhdojmë në këtë drejtim pa u ndalur sepse LSI-ja nuk mund të jetë një strehë e të privilegjuarve dhe nuk ka asnjë arsye që të jetë e tillë. LSI duhet të jetë një tribunë e fuqishme e zërit të të gjithë atyre që kanë dëshirë të dëgjohen dhe që kanë nevojë të dëgjohen, dhe që e kanë të domosdoshme të dëgjohen për problemet që kanë dhe mbi të gjitha duhet të jetë një forcë e cila gjithmonë vendos në interes të publikut të gjerë dhe jo të individëve dhe grupeve të ngushta”, tha Meta.

Duke u shprehur për reformat e ndërmarra deri tani, Meta u shpreh se ato duhet të vijojnë në mënyrë bashkëpunuese me qytetarët dhe grupet e interesit që të kenë një rezultat sa më pozitiv.

“Reforma të rëndësishme janë kryer, reforma të rëndësishme po kryhen, duhet të kryhen edhe në të ardhmen, dhe është e rëndësishme që ato të kryhen në një proces gjithnjë më bashkëpunues me qytetarë dhe grupet e interes, në mënyrë që rezultatet e tyre të jenë sa më pozitive dhe të jenë sa më në interes të qytetarëve, sa më në interes të rinjve, sepse për ne njerëzit nuk janë statistikë”, theksoi kryetari i LSI-së.

Meta në vijim të fjalës së tij u ndal edhe tek procesi i zgjedhjeve të brendshme në LSI. Ai theksoi se sfida për zgjedhjet e LSI-së është të përmirësojnë më tej drejtimin përmes një debati, dhe jo përmes një procesi formal.

“Sfida jonë për zgjedhjet e LSI-së është të përmirësojnë më tej drejtimin tonë përmes një debati, jo përmes një procesi formal, dhe në këtë mënyrë ne të jemi plotësisht edhe në aspekt të drejtimit, organizimit dhe të përfaqësimit të LSI-së në çdo nivel në atë lartësi të shkëlqyer që janë qëndrimet politike të LSI-së në nivel kombëtar”,- u shpreh Kryetari i LSI-së duke nënvizuar se: “Të gjithë e duam mesazhin e LSI-së, të gjithë e duan politikën pozitive të LSI-së, sepse duan stabilitet në këtë vend, duan qetësi në këtë vend, duan paqe në këtë vend, duan zhvillim në këtë vend, duam frymë bashkëpunimi dhe jo përjashtimin dhe armiqësie, dhe duam padyshim edhe një demokraci të vërtetë, një demokraci e cila krijon mundësi për të çliruar sa më shumë energji, nga njerëzit, nga të rinjtë nga qytetarët që sjell shpresë, që sjell besim dhe që i ndryshon gjërat më mirë dhe më shpejt për të ardhmen”, – tha Meta.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe ministrja për Integrimin Europian, Klajda Gjosha, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, nënkryetari i LSI-së, Endrit Braimllari, deputeti i LSI-së së qarkut Korçë, Piro Kapurani.

Në fjalën e saj, ministrja Gjosha tha se procesi i zgjedhjeve brenda LSI-së do të jetë një fushatë shumë intensive për të hartuar platformat më të mira për të gjitha qytetet e vendit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency