Droga “zbret” në Kuvend/ Berisha: Ta rrëzojmë sa më parë qeverinë e kanabisit. Rama: Kapeni si i mbyturi pas gjethes së hashashit

0
189

Rama: Ti Sali je një “war dog” i vërtetë dhe suksesi yt ka arritur deri në Hollivud. Berisha: Unë mund ta quaj qen droge, jo që e zbulon, por që e ruan

 

Gëzim Saliu

 

Debati për drogën ishte në qendër të diskutimeve të djeshme në seancën plenare. Opozita akuzoi qeverinë se e ka kthyer vendin në një “serë” të kultivimit të kanabisit, ku sipas demokratëve me paratë e drogës po blihen edhe zgjedhjet. Ndërkohë përfaqësues të mazhorancës mohuan akuzat e opozitës, duke përmendur disa shifra e raporte të huaja të cilat sipas tyre vërtetonin se sasia e drogës ishte ulur në vend që prej 2013-ës e deri më sot. Por demokratët këmbëngulën tek akuzat e tyre, duke i shtuar dhe më shumë vërtetësinë atyre me avionin tip piper e rrëzuar pikërisht ditën e djeshme në Ishëm.

berisha-ipad berisha-rama

 

Debati Berisha-Rama

Ish-kryeministri Berisha deklaroi nga foltorja e Kuvendist se qeveria  “përbën një organizatë kanabiste të vërtetë që mbulon kanabizimin në Shqipëri”. “Përpiqen në një histeri të papërmbajtur të çirren, të shpifin e trillojnë, të citojnë dokumenta që nuk ekzistojnë vetëm e vetëm sepse mendojnë se në këtë mënyrë mund të lajnë me duar fytyrën e tyre të nxirë me kanabis”, deklaroi Berisha, duke iu referuar deklaratave të përfaqësuesve të mazhorancës.
Sipas ish-kryeministrit, qeveria e ka kthyer vendin në një varrezë narkotikësh, që ka ndikuar edhe tek zgjedhjet në Dibër. “Dita e diel ishte një ngjarje e paralajmëruar. Edi Rama përdori gjithë potencialin kriminal jo vetëm të Dibrës, por falangat e krimit nga çdo cep i vendit.  Dibra ishte një nga varret e kësaj varreze ku ju keni futur votën e shqiptarëve, ku keni varrosur vullnetin e lirë të shqiptarëve. Prapa çjerrjeve histerike të Sadri Abazit në Dibër qëndrojnë vjedhjet e miliona e miliona eurove në bashkëpunim me Edi Ramën. Ishte ndërtimi i pallateve të tij me industrinë e drogës dhe pengmarrjet”, vijoi ai. Sipas Berishës  është e kotë që çështja e kanabisit të trajtohet duke drejtuar gishtin tek fshatarët kultivues, në një kohë “kur droga është në duart e Ramës dhe Tahirit”. Në këtë kontekst, ish-kryeministri komentoi edhe uljen e avionit italian mëngjesin e djeshëm në Ishëm, duke pohuar,  “Iku Riformato erdhi Guido. A e dini ju që ky Guido është në ndjekje penale nga Gjykata e Lartë”. Sipas Berishës qeveria duhet rrëzuar sa më parë për ti dhënë fund lidhjes mes krimit dhe pushtetit.  Kanabisi është pronë e një organizate kriminale që quhet qeveri shqiptare, e birësuar nga Edi Rama e që po zëvendëson investimet, prandaj dhe bandat sulmuan biznesmenin që do të investonte në bregdet. Ta rrëzojmë këtë qeveri monstruoze që po vjedh cdo ditë pasuritë e qytetarëve. Ta rrëzojmë këtë qeveri sepse përndryshe ju, fëmijëve tuaj ju pret ose eksodi, ose droga”, pohoi ish-kryeministri.  Në replikë me parardhësin e tij, kryeminsitri Rama e nisi fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit me një fyerje e akuza duke përmendur filmin hollivudian “War Dogs”, i cili flet për trafikantin e armëve Ifraim Diveroli që u përfshi edhe në tragjedinë e Gërdecit. “Sali, të përgëzoj që arrite të bëheshe frymëzim edhe për Hollivudin dhe të sugjeroj që zyrën e avokatisë që ke ta vësh në përdorim për të drejtat e autorit, sepse pa ty filmi “War Dogs” nuk do të ishte bërë nga Hollivudi. Ti Sali je një “war dog” i vërtetë dhe suksesi yt ka arritur deri në Hollivud. Kjo është diçka që nuk mund të mbetet jashtë rrezes së vëmendjes dhe duhet të jetë diçka për të mbajtur mend”. Ndërkaq lidhur me komentet e Ramës për filmin “Ëar Dogs” ish-kryeministri theksoi se në të ka zero fjalë për të, apo familjen e tij. “Rama më quajti qen lufte, unë mund ta quaj qen droge, jo që e zbulon, por që e ruan. Në filmin “War Dogs” ka zero fjalë për mua, apo familjen time.”, u shpreh Berisha. Ndërkaq pas deklaratave në nisje të fjalës së kryeministrit,  deputeti demokrat Flamur Noka u revoltuar së tepërmi dhe kërkoi që Rama t’i tërhiqte mbrapsht fjalët e tij duke kërkuar ndjesë. Momentet e tensionit ndërprenë seancën dhe me rikthimin e saj të gjithë deputetët e PD ishin larguar nga salla dhe në të qëndroi vetëm ish-kryeparlamentarja Topalli, me të cilin debatoi në distancë edhe kryeministri.   “Përgjigjia ime për dibranët ka qenë e prerë: fusni në tokë parcelat në çdo shfaqje cirku të partisë demokratike. Saliu dhe të tjerët kapen si i mbyturi pas gjethes së kanabisit, pasi thonë se ‘ne e dinim se kështu do të ndodhte’”, tha Rama. Ndërkohë Ai hodhi poshtë pretendimet e opozitës për rritjen e drogës në vend, duke cituar disa raporte të partnerëve. “Departamenti amerikan i Shtetit thotë diçka tjetër nga ajo që thoni ju për luftën kundër kanabisit dhe nuk e thotë me një deklaratë spontane, por me tre raporte rresht në 2013, 2014 dhe 2015. Për vitet 2014 dhe 2015, DASH thotë se shteti shqiptar ka bërë një avancim mbresëlënës në luftën kundër drogës”, tha Rama, ndërsa Topalli gjatë gjithë fjalimit të kryeministrit i drejtohej atij me foton e avionit të rënë dje në Ishëm si provë e rradhës së akuzave të opozitës.

 

Basha: Rama nuk foli për blerjen e votës, respektoi kodin e heshtjes me Kartelin e Drogës

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi ditën e djeshme se kryeministri Edi Rama heshti për blerjen e votës në Dibër, duke respektuar kështu kodin e heshtjes me Kartelin e Drogës. Shefi i selisë blu theksoi se me heshtjen e tij, kreu i qeverisë nënshkroi nga podiumi i parlamentit një kontratë të re me krimin. Sipas Bashës, kryeministri ka zgjedhur të njëjtin fund fatal si karteli i drogës. “Edi Rama e respektoi sot kodin e heshtjes me Kartelin e Drogës, duke mos thënë asnjë fjalë për blerjen e votës edhe pse i madh e i vogël kanë parë me zë e me figurë se si mbinë në gjithë Dibrën kioskat ku një vote për kandidatin e tij blihej me lekë e me euro.Karteli i tij i drogës bleu mijëra vota në vendin anëtar të NATO-s, kandidat për anëtarësim në BE, por Rama nuk tha asnjë fjalë të vetme. Duke ruajtur kodin e heshtjes, ai nënshkroi sot nga podiumi i Parlamentit një kontratë të re me krimin, pasi punë të tjera i presin, zgjedhjet po vijnë. Sado te forcohet karteli i drogës, sado të blejnë votat, të ndërtojnë pista avionësh, ate e pret një fund fatal, sepse nuk e mundin dot një shoqëri të tërë, nuk e inkriminojnë dot një komb. Edi Rama ka zgjedhur të ketë fundin e kartelit të drogës, dhe atë fund do të ketë kur populli ta vërë para.Ajo ditë po vjen me shpejtësi, dhe atij nuk do ti bëjnë më punë as opingat e krimit e as avionët e drogë,” – u shpreh lideri i opozitës

 

 

Berisha replika me Tahirin: Drogën e lëviz ti e Rama. Ministri: Shkatërruam mbi 90 % të kanabisit

Debate të forta u zhvilluan dje në Kuvend mes deputetëve të PD-së dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për kanabisin. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri  tha se, narkotikët është një fenomen që është trajtuar me shqetësim prej tij që kur ka marrë detyrën dhe i qeverisë që kur ka ardhur në pushtet.  “Sali Berisha ka deklaruar publikisht se në Lazarat nuk kemi ndërhyrë sepse kishte vendim politik. Cili ishte vendimi politik? Përdorimi i atyre grabitqarëve në zgjedhje? Unë këtë e refuzoj”, tha Tahiri, i cili ka theksuar se kjo çështje nuk duhet të politizohet.
“Do të preferoja që kjo të mos shihet në lupën e luftës politike. I keni shkelur syrin çdo njeriu në çdo fshat për të mbledhur vota, nuk janë të paktë ata në këtë sallë që e kanë bërë këtë. Jo më pak sesa 3 vjet më parë ky vend ishte plot me kanabis dhe Guardia di Finanza i dorëzoi ish-kryeministrit një raport zyrtar, ku me grafik dhe koordinata tregohej se ishin 300 hekatrë me hashash. Dhe këta shkatërruan vetëm 7 për qind të sipërfaqes. Kush e mbron kanabisin, ne që shkatërrojmë 96 për qind të sipërfaqeve, apo këta që shkatërronin 7 për qind?”, shtoi Tahiri. Në këto moment ka reaguar nga vendi ish kryeministri Sali Berisha i cili u ngrit në këmbë për ta kundërshtuar duke theksuar se kultivimi dhe shitja e kanabisti ishte në duart e ministrit dhe kryeministrit. Edhe deputeti Noka u ngritur në këmbë duke kundërshtuar ashpër Tahiri, gjë e cila tensionoi situatën në Parlament dhe bëri që kryetari i Kuvendit Ilir Meta të ndërpriste punimet për 5 minuta pushim.

 

blushi1

Blushi: Të besosh se Dibra voton të majtën është sikur të besosh se grekët do votonin Merkel

Deputeti kontravers i Partisë Socialiste Ben Blushi komentoi dje në Parlament garën e zhvilluar në Dibër, ku sipas tij arsyeja kryesore e fitores së koalicionit të majtë ishte fakti se diobranët votuan qeverinë. “Cfarë votoi Dibra? Sipas PD aty janë blerë votat unë mendoj se kjo është e pamundur. Si ka mundësi që me kaq diferencë rilindja mundi njëkohësisht 3 kundërshtar PD dhe LSI-në që nuk ishte në fushatë dhe ato njerëz që ankohen pa fund? Ca magjie qe kjo qe nga 400 i bëri 4000 vota? Njësoj sikur Milano që voton të djathtën të ngrihej një ditë të votonte të majtën!… Të besosh se Dibra voton të majtën është njësoj sikur të besosh se grekët do të votonin Angela Merkel!… Dibranët kanë votuar për qeverinë. Dibra tregoi se populli nuk do të votojë kundër qeverisë sepse do ta ketë mirë dhe kjo është bjerrje e qeverisë. Dibra sot është krahina më e varfër e Europës. Varfëria nuk i çoi dibranët në inat, por në frikë. Dhe ata besojnë se duke votuar kundër qeverisë mund të humbin edhe atë pak që kanë”, deklaroi ai. Në këtë kontekst Blushi tha se është pikërisht varfëria ajo që e mban sot në këmbë regjimin e Erdoganit. “Dibra nuk mund të votonte për të arritur lirinë e vet duke e ditur se vetëm qeveritë mund ta zbusin mjerimin. Shqiptarët kanë kohë që mbrohen nga qeveritë e tyre duke i llastuar sepse kjo i jep pak më pak kokëcarje. Dibra, si shembulli i pajtimit me të keqjen nga frika ka ndodhur edhe në vende të tjera. Dibra ndodh çdo ditë në Tiranë. Sa maturantë janë djegur për shkak të paafësisë së Rilindjes për të reformuar arsimin? Sa qyetarë të Tiranës janë neveritur kur panë sesi iu shemb simboli, stadium. Kush foli askush?”. Sipas Blushit opozuta nuk është opozitë dhe ky fakt i ka dfhënë edhe më shumë fuqi asaj që ai e cilëson si “Rilindja”.  “Në paralment parashikohet të votohet një ligj për plehrat dhe keni për ta parë që do të votohet. Do ta shikoni që ditën e parë do dalin disa në protesë, ditën e dytë më pak e dita e tretë asnjë. Gjysma e opozitës nuk është në opozitë. Deliri do të rritet. Nga PD besimi se mund të vijnë në pushtet do të pakësohet. Kur përdhunohesh ke një alibi. Siç kanë ardhur punët gjërat do të votojnë sipas manualit për mos e patur keq me qeverinë”, u shpreh Blushi.

 

patozi

Patozi, Ramës: Gabove me Dibrën, tani zgjedhjet si luftë. Kryeministri: E bëre veten Si Gjergj Elez Alia

Deputeti demokrat Astrit Patozi deklaroi dje nga foltorja e Kuvendit se nëse kryeministri do ishte më inteligjent do ta linte Dibrën të votonte e lirë. Në formën që u kryen zgjedhjet në Dibër sipas Patozit, kanë ndikuar për t’I kthyer nga tashmë e në vazhdim procceset zgjedhore si luftë. “Kjo qeveri është e vendosur që ta shkatërrojë institucionin e votës. Merita juaj është se keni rritur çmimin e votës. Në rast se do Rama ishte më inteligjent nuk do ta bënte atë që bëri në Dibër, sepse po të ishte më inteligjent do e linte Dibrën të votonte e lirë. I ka shndërruar zgjedhjet në luftë. Gabimi i Ramës u hapi sytë të gjithëve, që kështu nuk vazhdohet”. Më tej debatin me kryeministrin, Patozi e ktheu në një nivel krahasues personal mes tij dhe Ramës. “Unë dhe Rama jemi gati moshatarë, me pak ditë lëvizim me njëri-tjetrin. Dhe sot jemi në dy skaje të një litari, njëri është më i madhi i të madhes, dhe unë jam më i vogli i të voglës. Ai sot ka tokën, detin, ajrin, fushat, malet, drogën, avionet. Unë nuk kam asgjë. Por, kemi një diferencë shumë të madhe, unë jam njeri i lirë, ai nuk është. Unë bëj zgjedhjet e mia, për çdo gjë. Ai nuk e ka këtë mundësi, sepse kështu funksionon çdo aleancë me krimin. Kjo është fatkeqësi kombëtare, malet me kanabis mbuluar. Ndoshta Rama ka ende kohë të bëjë diçka të mirë për këtë vend. Çlirohu nga pengjet, se mbase çlirohet edhe Shqipëria”, ka thën Patozi në Kuvend”. Por i menjëhershëm ishte reagimi i Ramës, i cili ka e ka quajtur Patozin një Gjergje Elez Ali, që nxori bajlozin në Kuvend. “Do t’i thoja Astrit me përshkrimin që bëri, e parashikoi veten si Gjergj Elez Alia duke më dhënë mua vendin e Bajlozit. Në fakt ishte vetëlavdërim, si Gjergji me 9 plagë, që nxori bajlozin në Kuvend. Më konfuzio për inteligjencën e tij. Unë fola me fakte. I madhi i të mëdhenjve nuk jam unë në këto punë. Nuk e pashë lirinë e tij, se nuk pati asnjë ndryshim mes asaj që tha Saliu dhe asaj që tha Patozi”, deklaroi Rama.

 

noka-tenton-te-godase-abazin noka-tahiri rama-noka

Debatet pa mikrofon në Kuvend nga “Qen lufte” në “Halabak”

Noka tenton të godasë Abazin. Berisha ndez parodinë në sallë, Rama, Topallit: Midis teje e Flamurit, të zgjedh ty 100 herë

 

  1. Tahiri: Ne sapo zbuluam volumin dhe sipërfaqen reale të këtij fenomeni në Shqipëri, të cilin e kemi të trashëguar prej…

Berisha ngrihet nga vendi dhe replikon pa mikrofon me Tahirin: Ti je shpërndarësi kryesor, ti je mor, ti je…

Tahiri: qetëësohu, qetësohu. Berisha: Po ti mor je, me Habilajt e tu, ti je

Meta: ju lutem zoti Berisha, doni pushim….. Ju lutem mbani qetësi

Berisha pa mikrofon i ngritur nga vendi: Nuk mund të na vijë ky ne dhe të na flasi këtu për kanabisin, ashtu sic bëri me gazertarët që ja tregonte atje. Po ky është mbjellësi kryesor i kanabisit

Meta: z. Berisha ju lutme mbani qetësi, ju keni folur e prap do flisnin, s’keni pse e ndërprisni

Tahiri: Unë ta kuptoj shqetësimin, po vetëm ulu ok.

Noka cohet në këmbë dhe i drejtohet Tahirit ke foltorja: Po vjen këtu e na flet për kanabisin, po është ky mor është ky… Meta: Z.Noka ju tërheq vëmendjen, 5 minuta pushim

Berisha merr fjalën në foltore dhe vendos në iPadi-n e tij parodinë e Ismet Drishtit që kishte nota të forta ironie ndaj kryeministrit, qeshin të gjithë në sallë

E.Rama në foltore: Sali të përgëzoj që arrite të bëhesh frymëzim edhe për Hollivudin dhe të sugjeroj që atë zyrën e avokatisë që ke ta vësh në veprim për të drejtat e autorit se filmi qen lufte pa ty nuk do të ishte krijuar nga Hollivudi. Ti Sali je një “ëar dog” i vërtetë dhe suksesi yt ka arritur deri në Hollivud

Rebelohet nga vendi Flamur Noka, I drejktohet Ramës në foltore, ndërhyn garda

Meta: Z.Noka ju lutme mbani qetësinë. Noka I ngirut në kmë2bë përballë foltores së Ramës flet pa mikrofon: Harroje se mund të flasësh kështu, nxirre përjashta, e kupton ti, nxirre jashtë halabakun

E.Rama nga foltorja, Nokës: Mos ma prish se nuk bëhet më, një figurë politike bëhet frymëzim për Hollivudin. Kuptoje sa e rëndësishme është kjo që po them

  1. Noka: harroje se mund të flasë, pas kësaj që ka thënë nuk mund të vazhdojë më harroje. Ndëroni seancë. Berisha ngirhet nga vendi dhe ja bën me shenjë Nokës që të largohet
  2. Rama: Po të thotë Saliu të ulesh, Sali mos më shkel syrin, por i thuaj të ulet. F.Noka: Harroje të thashë, mos mu lut fare, le të kërkojë falje

Meta: Z.Noka ju lutem, ju lutem kthehun në vendin tuaj. Rama: O Flamur ulu, se e vetmja opozitë është ai, ca jeni ju mor vlla, kush je ti që del këtu

Noka: Jam ai që nuk të pranoj ty, që të them se ti nuk guxon më të flasësh pas asaj që the

Meta: 5 minuta pushim të qetësohet zoti Noka. Lexojeni fjalën tuaj të zbardhur që të kuptoni se cfarë ke thënë

Ndërpritet séance por Noka vazhdon të replikojë në distancë me Ramën, ndërkohë nga vendi Sadri Abazi qesh me të madhe

Noka, Abazit: ka ndonjë gjë për të qesh këtu ( I afrohet që ta godasë, por e mban deputeti Florian Mima)

 Pas rinisjes së seancës fjalën e mori sërish Rama, opozita kishte braktisur parlamentin në shenjë revolte, në sallë ishte vetëm Topalli

E.Rama: Po kapen si i mbyturi pas gjethes së kanabisit kur thonë se e dinim se kështu do ndodhte sepse nëse e dinit atëherë keni luajtur mendsh që të shpallni fitoren pasi u mbyllën kutitë.

Topalli nga vendi tregon foton me avionin e rrëzuar dje në Ishëm: Fol për avionin….

Rama: Jozefinë më dëgjo me durim se dole më një foto këtu herën tjetër, mos më tund një foto tjetër se është edhe i madh avioni, do përgjigjem, por më lër ta mbaroj. Në 2015 ke dokumentin e Departamentit, dëgjoje cfarë thotë.

Topalli ndërkohë vazhdon të mbajë lart në duar i foton e avionit, Rama: Atë tundja ambasadorit amerikan kur ta takosh, jo mua…. ‘qeshu rini qeshu se bota është e jotja’ thoshte Musa Ulqini në kohën kur lexonte Migjenin

Rama, Topallit: Ti sheh një avion, ka rënë është e vërtetë, dëgjon Flamurin që thotë ishte plot. Lëre Flamurin të tundë flamurin, nuk të shkon ty të tundësh flamurin e Flamurit, se mes teje edhe atij unë  të zgjedh ty 100 herë në 100, po mos tund shkopin e Flamurit.

 

  1. Patozi i vetëm në sallë, pas largimit të grupit parlamentar të PD: Edhe opozita mund të ketë pasur flirtime sporadike me ndonjë bandë me ndonjë ashtu, ju e keni bërë disa herë. Çfarë ka qenë kjo marrëdhënie, kjo ka qenë shkelje syri ndaj një banditi të caktuar që merrte një kockë për shërbimin e caktuar që bënte në zgjedhje, që kurrë mos u shijoftë ai shërbim dhe secili shikonte punën e vet. Risia që solli ky (Rama) në Shqipëri, bandat nuk i la te oborri, por i mori i bëri partner, i futi në qeveri i solli në Parlament

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency