Ligji për masat shtesë të sigurisë/ PS e Tahiri pranojnë ndryshimet, Vasili: S’do ketë detyrim automatik për kamera për të gjithë

0
115

Ministri Tahiri: Do e gjejmë gjuhën për ta miratuar projektligjin, jemi të fundit në Ballkan dhe në rajon që nuk kemi ende një ligj të tillë

 

Gëzim Saliu

 

Ligji për masat shtesë të sigurisë, i cili ka hasur deri më tani jo vetëm kundërshtinë e opozitës por edhe atë të aleatëve të PS-së në koalicionin qeverisës, do të ndryshojë. Negociatat e zhvilluara dje mes dy forcave kryesore PS e LSI lidhur me ndryshimet që duhet të pësojë ligji për të mos qenë abuziv dhe i keqpërdorshëm, duket se patën rezultat. Në takimin mes anëtarëve të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho e Pirro Lutaj si edhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe kreut të grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili janë vendosur pikat mbi “i” lidhur me disa çështjet e ligjit që deri më tani ishin cilësuar si të kundërshtueshme.

 

Deklaratat

 

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi dej  pas takimit të zhvilluara mes tij dhe deputetëve të LSI se ligji do të ndryshojë, ku sipas tij do të rriten masat parandaluese kundër kriminalitetit. Ministri nuk dha më tej shume detaje ne lidhje me pikat të cilat po diskutohet ligji. “Unë e kam kënaqësi, përveçse të pasurit pjesë e detyrës sime të përditshme, të bindë çdo deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, që të votohet një projektligj, të cilin e kam propozuar unë, dhe i cili besoj do rrisë premisat kryesore për të parandaluar ngjarjet kriminale. Unë jam shumë besimplotë me deputetët do gjejmë gjuhën për ta miratuar (ndoshta jo këtë të enjte, të enjten tjetër) projektligjin që kam propozuar për “Masat shtesë të sigurisë”. Është një projektligj i domosdoshëm. Jemi të fundit në Ballkan dhe në rajon që nuk kemi ende një ligj të tillë”, tha Tahiri. Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, theksoi se ndryshimet që do i bëhen ligjit konsistojnë në mënyrën që ligji te mos bëhet abuziv dhe te keqpërdoret.  “Bëhet fjalë për masat shtesë që kanë të bëjnë në mënyrë të veçantë për sistemet e vëzhgimit, të cilat do të jenë prezentë në jetën publike. Nuk do të ketë një detyrim automatik për të gjithë. Por, detyrim që rrjedh dhe kjo është përcaktuar qartë në ligj, vetëm aty ku vlerësohet në bazë të analizës së rriskut për subjektet që kanë rrezik të shtuar për sa i takon sigurisë dhe premisave për të zhvilluar elementët e kriminalitetit”, u shpreh Vasili.  Ligji për masat shtesë të sigurisë është kthyer për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Burime nga institucioni i Presidentit kanë pohuar më parë se që prej muajit Maj ka kaluar afati kushtetues prej 8 javësh, që duhet të shqyrtohej dekreti i Presidentit. Rrjedhimisht, edhe nëse dekreti futet në votim në seancë plenare, ligji shkelet sërish. Ndaj pritet, që Presidenti të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti e kishte kthyer këtë ligj për rishqyrtim në parlament duke e konsideruar antikushtetues, në kundërshtim me Konventën Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencën përkatëse, të detyrueshme në Republikën e Shqipërisë. Ndërkohë Projekligji i amenduar pritet që të shqyrtohet në seancën e javës së ardhshme në Kuvend.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency