Përfundon numërimi, Muharrem Rama fiton ndaj Sherefedin Shehut

0
134

Dibranët kanë votuar dje për të zgjedhur kryetarin e Bashkisë që do t’i drejtojë në vitet e ardhshme. Pas 18 orësh numërimi të votave, është lexuar verdikti i qytetarëve, të cilët me votë kanë zgjedhur Muharrem Ramën si kryebashkiak të tyre. Pas numërimit të 118 kutive të votimit nga e gjithë Dibra, ka rezultuar se kandidati i ASHE-së Muharrem Rama ka marrë 14703 vota, 4194 vota më shumë në krahasim me kandidatin e djathtë Sherefedin Shehu, i cili ka marrë 11358 vota. Votimi i djeshëm u shoqërua nga akuza nga të dy palët politike. Ndërsa PD denoncoi se banorët e një fshati në Dibër kapën një furgon me miell që do shpërndahej në këmbim të votës, nuk munguan as akuzat për fotografimin e votës nga të dyja palët. Duke iu referuar të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishin 33978 qytetarë që kanë votuar për kryetarin e ri të Bashkisë, i cili do të zëvendësojë në këtë post Shukri Xhelilin, të shkarkuar pas publikimit të videoskandali ku i kërkonte favore seksuale një varëseje të tij në bashki në këmbim të një vendi pune më të mirë. Gjithashtu është vënë re edhe një pjesëmarrje e madhe e femrave, ku si rrallë herë kanë votuar më tepër se meshkujt duke pasur 58% të pjesmarrjes. Rreth orës 22:35 të mbrëmjes së djeshme ka përfundur pa asnjë problem edhe dorëzimi i materialeve zgjedhore të 118 qendrave të votimit në KZAZ. Gjatë shoqërimit dhe dorëzimit nuk është konstatuar asnjë problem. Policia vijon shërbimin në ruajtien fizike të KZAZ si dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency