Universitetet, ja degët ku gara është më e fortë

0
126

Trendi i profesioneve që duan të fitojnë në të ardhmen të rinjtë shqiptarë mbetet i njëjtë. Drejtësi, Ekonomi, Informatikë e Mjekësi… degët janë po ato, nga viti në vit ndryshon vetëm renditja. Këtë e tregojnë të dhënat e marra nga libri i transparencës, publikuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, për t’i ardhur në ndihmë maturantëve që duan të korrigjojnë pasaktësitë.

Kështu, nga një kalkulim i numrit të maturantëve (në qytetet më të mëdha), të cilët kanë përzgjedhur degët e më- sipërme, rezulton se gara më e fortë bëhet për “Tiranën”, me profilet e Drejtësi, Administrim Biznesi, Gazetari, Punë Sociale. Por sa janë mundësitë e tyre reale për të kapur degën që duan? Përbri degëve (sipas kërkesës), gazeta liston edhe numrin e studentëve që secili universitet është i gatshëm të presë për këtë vit akademik. Brenda muajit, Agjencia Kombëtare e Provimeve do t’u nisë universiteteve listën me emrat e aplikuesve e bashkë me to edhe të dhënat që i ndihmon ata të bëjnë përllogaritjen e pikëve në bazë të formulave të bëra publike më herët, me synim përzgjedhjen e më të mirëve.

Krahasuar me një vit më parë, ku Financa kryesonte listën e preferencave, këtë vit Drejtësia rikthehet në vendin e parë. Në formularin e aplikimit me dhjetë degë, mbi 7 mijë maturantë kanë listuar degën e Juridikut në Fakultetin e Drejtësisë në kryeqytet, por jo më pak preferojnë të njëjtën degë në rrethe. Gjithsesi, një shumatore e degëve që ofron Fakulteti i Ekonomisë konfirmon se ky profil nuk është më pak i preferuar. Mbi 6 mijë maturantë kanë preferuar degën e Administrim Biznesit e rreth 4500 atë të Financës në Fakultetin e Ekonomisë në kryeqytet. Çudia ka ndodhur me degën e Gazetarisë. Sipas të dhënave në librin etransparencës, mbi 5 mijë maturantë, 1800 prej tyre në kryeqytet, do të dëshironin të studionin për Gazetari. Anglishtja, e kthyer në domosdoshmëri në ditët e sotme, e mësuar në shkollë, por edhe nëpërmjet kurseve të ndryshme, vijon të mbetet dëshirë e studentëve për ta studiuar më tej. Rreth 4500 janë ata që e kanë zgjedhur në formularin e aplikimit në IAL. Po ashtu, degët teknologjike mbeten ende trend në zhvillim. Profile të tilla si: Teknologji Informacioni, Informatikë apo Inxhinieri Informatike kanë tërhequr thuajse dhjetë mijë maturantë (nuk përjashtohet mundësia që mes tyre, i njëjti të ketë plotësuar të tria profilet e studimit). Ulja e kuotave vit pas viti për degën e Mjekësisë së Përgjithshme nuk i ka trembur aspak maturantët. I njëjti numër maturantësh (shifër e krahasueshme me një vit më parë), mbi 2600, kanë aplikuar për të ndjekur studimet në Mjekësi. Pas saj, me jo më pak kërkesa, vijnë edhe degët që ofron i njëjti universitet: Farmacia, Stomatologjia e Infermieria. Arkitektura me dy profilet e saj është gjithashtu degë e shumëkërkuar, ndonëse ofron si kapacitet më pak se dhjetëfishin e maturantëve që duan ta ndjekin atë program studimi.panorama

gazetari

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here