Si ndodhi aksidenti me skaf që i mori jetën turistit rus, dëshmia e djalit të mitur të biznesmenit

0
147

Turisti rus Denis Kaiumov i cili u godit për vdekje nga një skaf teksa lahej në det, ndodhej në Himarë prej 15 ditës së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tyre. Ai u aksidentua rreth orës 11:30 në Livadh, disa metra larg bregut, ku u godit nga një skaf që drejtohej nga Flamur Kuci, ky i fundit i vënë në prangat e policisë mbrëmjen e asaj dite, rreth orës 21:00.

43-vjeçari me banim në Shën Peterburg, së bashku me familjen e tij kishin frekuentuar disa plazhe në zonat përreth Himarës, e më 3 gusht ishin ndalur në Livadh. Sipas hetimeve të prokurorisë, “rreth orës 11:15 ata kanë vendosur të largohen nga plazhi në fjalë, por Denis Kaiumov ka hyrë në det të notojë ndërsa bashkëshortja e tij me vajzën janë nisur me këmbë për në shtëpinë e tyre të pushimit”.

Ky moment ka qenë edhe kontakti i fundit i familjareve të tij me të ndjerin deri sa janë njoftuar nga një vajzë që i shoqëronte se familjari i tyre ndodhej në Spitalin e Himarës, shkruan Express.

Turisti rus mori plagë të rënda në shpinë, në pjesët anësore të trupit dhe në këmbë, dëmtime që i sollën atij vdekjen.

Nga hetimet e Prokurorisë së Vlorës, rezulton se personi i parë që e ka konstatuar në det pushuesin, është Fatmir Kuci i cili ka transportuar atë me motoskafin e tij për në Spitalin e Himarës.

 

Fatmir Kuci, një biznesmen nga Elbasani, ka deklaruar për hetuesit se prej disa ditësh ndodhej me familjen e tij për pushime në Himarë. Por në dëshminë e tij ai mohon të jetë personi që e ka aksidentuar turistin. Kuci është shprehur se e ka gjetur rastësisht në det turistin e huaj në gjendje të rëndë. Sipas dëshmisë së tij, në momentin kur e ka parë mbi ujë të mbuluar me gjak, rreth tij ka pasur edhe mjete të tjera lundruese. Një person nga një gomone që ndodhej paralel me skafin  – ka pohuar Kuci – është hedhur në det bashkë me të duke e hipur më tej turistin e aksidentuar në skafin e Fatmir Kucit, i cili është me flamurin e shtetit të Maltës. Një provë e fortë që prokuroria ka në dorë për të akuzuar Fatmir Kucin si autor të goditjes së turistit, është një njollë gjaku e mpiksur që është gjetur në skafin që është në pronësi të tij. Referuar kësaj prove, Kuci është shprehur se njollat e gjakut janë lënë në momentin që ka gjetur të dëmtuar viktimën dhe e ka hipur ne bordin e skafit të tij për ta çuar drejt bregut dhe për ti dhënë ndihmën mjekësore.

Sipas deklarimeve të biznesmenit, djali i tij i mitur i është afruar skafit me një motor uji dhe ka konstatuar të atin që hipte në motoskaf një person të dëmtuar. Në ktë moment Kuci i ka thënë djalit të dalë në breg dhe të njoftojë ambulancën. Djali i tij i mitur në dëshminë dhënë para efektivëve, është shprehur se e kishte ndjekur të atin pa dijeninë e tij dhe e ka para motoskafin të ndaluar në mes të detit. Aty ai thotë se ka parë babain e tij që i jepte ndihmë një personi të gjakosur.

Sipas hetimeve, Fatmir Kuci është i pajisur me leje drejtimi për një skaf të tillë, por nuk kishte leje lundrimi nga autoritete kompetente.

Pjesë e hetimeve për këtë aksident të rëndë janë edhe punonjës të policisë kufitare të Stacionit të Policisë Kufitare të Himarës, nën akuzë për shpërdorim detyre. Ndërsa për Fatmir Kucin është ngritur akuza e vrasjes nga pakujdesia.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here