Meta: PD luajti rol konstruktiv gjatë negociatave për reformën, kualicioni vazhdon të ecë normalisht

0
135

 

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i ftuar në ABC News ka folur për zhvillimet më të fundit politike si edhe për rolin konstruktiv gjatë negociatave për reformën në drejtësi të dhëna nga të gjitha palët. Gjithashtu për ka qartësuar edhe mardhënin brënda kualicionit ku thekson se do të vazhdojë deri në ditën e fundit.

Kreu i Kuvendit tha se deklarata e tij për qeveri teknike ishte për të zhbllokuar situatën para Reformës në Drejtësi, ndërsa tani nuk ka nevojë.

Gjatë negociatave Meta tregoi edhe një telefonatë që kishte pasur me ish – Kryeministrin Berisha pas zërave se reforma bllokohej prej tij. Kreu i Kuvendit tha se PD luajti një rol konstuktiv gjatë negociatave për reformën, por këto vlerësime nuk duhen ngatërruar me koalicionin qeverisës.

Një stinë e nxehtë jo vetëm se është verë, por kam idenë edhe një stinë e ngarkuar për ju…

Qëlloi kjo stinë kështu. Ka pasur mjaft ngarkesa. Kishim dhe Kampionatin Europian, ku vendi ynë u paraqit shumë mirë. Patëm edhe sfidën tjetër, atë të reformës kushtetuese për reformën në drejtësi. Mendoj se këtu dolëm edhe më mirë se sa mendohej.

E mbaj mend mesazhin e Komisionerit për Zgjerim, z. Hahn, përpara Kampionatit Europian, ku i bëri thirrje politikës që të gjente mënyrën për ta miratuar këtë reformë me kompromis, me konsensus, në mënyrë që dhe Shqipëria të kualifikohej për në fazën tjetër.

Pra, duke bërë një paralelizëm me Kampionatin Europian të futbollit, ideja ishte që Shqipëria të ecte drejt një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe unë them që jemi në këtë rrugë dhe duhet të qëndrojmë këtu.

Një stinë pak e ngarkuar, duket që reforma në drejtësi pati një moment ku kurba ishte e ngritur. Ishit ju që dolët në një ditë të diel në një konferencë për shtyp, ku përmendët atë që u quajt qeveri ekspertësh. Situata u pështjellua disi, sepse u mendua që do të shkohej deri në zgjedhje të parakohshme me një qeveri tjetër. Si janë marrëdhëniet në koalicionin qeverisës?

Mendoj se marrëdhëniet në koalicion në përgjithësi janë mjaft normale, megjithëse këtu portalet prodhojnë lajme të papara çdo minutë. Nuk e di, por ekziston një dëshirë për të krijuar tensione të panevojshme, ndërkohë që reforma u miratua me më shumë konsensus se sa pritej. Pra, unë kam luftuar që ditën e parë për konsensus, por nuk e kam ëndërruar vërtet për 140 vota pro reformës.

Dhe jo vetëm kaq, por kemi parasysh se jemi dhe në një sezon turistik dhe është e kuptueshme, ku njerëzit bëjnë pushime, sezonit i kushtohet më shumë vëmendje, sepse koalicioni mendoj është në rrugën e tij normale.

E them për koalicionin, sepse, në fakt, keni pasur takime me z. Basha. Duket se ka një lloj zbutjeje me z. Basha. Nuk kam ndër mend të risjell intervistën që dhatë te Zëri i Amerikës, ku për të shprehët një farë vlerësimi…

Unë nuk mund të mos vlerësoj faktin që z. Basha ka treguar një qasje konstruktive, të paktën nga takimi i parë që unë kam zhvilluar më 12 qershor. Nuk e harroj këtë datë, sepse kjo është ditëlindja e Partisë Socialiste, por qëlloi që ishte edhe ditëlindja e z. Basha.

Pra, nga ai takim unë kërkova mirëkuptimin e opozitës për procedurat parlamentare të miratimit të reformës në drejtësi, në mënyrë që të mos fillonim me kontestime, sepse është një histori e gjatë dhe vetëm konsensusi mbylli shumë çështje, të cilat mund të ktheheshin në një pengesë, ose të minonin të gjithë legjitimitetin dhe ecurinë e kësaj reforme shumë të rëndësishme dhe shumë jetike.

Pra, nga ai moment e deri tani qasja e tij mendoj se ka qenë shumë më konstruktive sesa unë kam menduar apo mund të kem paragjykuar për shkak të informacioneve të ndryshme, apo paraqitjes mediatike të pozicionit të Partisë Demokratike.

Dhe kjo nuk ka lidhje me koalicionin PS-LSI, por ka lidhje me reformën në drejtësi dhe reforma në drejtësi është një çështje shumë më e madhe sesa çështja e koalicionit. Mendoj se edhe miratimi i reformës me konsensus është një kontribut për ecurinë më të mirë të këtij koalicioni dhe të vetë qeverisë, sepse është mundësia për të punuar në një klimë politike më të qëndrueshme dhe me më pak tensione, në rast se do të ndodhte e kundërta.

Si po funksionon koalicioni në opinionin tuaj? Do t’ju bëj një pyetje që po qarkullon: a do të ketë zgjedhje të parakohshme, qeveri teknike? Do t’i mbyllni këta 4 vjet së bashku me Edi Ramën në koalicion?

Unë besoj patjetër, për arsye se ne kemi një marrëveshje dhe kemi maxhorancën e duhur për të përmbushur këtë marrëveshje dhe pritmëritë e qytetarëve që e kanë votuar këtë koalicion.

Dhe jo vetëm ata që kanë votuar koalicionin, por qeveria është përgjegjëse, gjithashtu, për të gjithë qytetarët e këtij vendi, edhe për ata që nuk e kanë votuar, apo nuk do ta votojnë. Kështu që unë besoj se nuk ka asnjë arsye këtu për çështje si qeveri teknike, qeveri ekspertësh. Unë mendoj se ka ndodhur një mbivendosje e panevojshme, sepse kur unë kam bërë një propozim, ju e përmendët, nuk ka qenë në funksion të krijimit të një qeverie ekspertësh, por një zgjidhje në një situatë ngërçi kur ditët po fironin dhe po shkonin drejt datës 21 korrik.

Pra, kishim një afat me Bashkimin Europian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të përmbyllnim disa procedura. Konsensusi, sipas meje, ishte shumë pranë, por nuk po merrej përgjegjësia për të realizuar këtë konsensus dhe për asgjë mund të sakrifikohej një gjë shumë e madhe. Atëherë, gjithçka ishte në funksion të miratimit të reformës dhe kapërcimit të atij mosbesimi që, sipas meje, dukej te fakti që ndoshta opozita, më shumë sesa çështje konkrete, kishte shqetësimin që kjo qeveri apo kjo maxhorancë, Rama-Meta, do të përdorte ekzekutivin për të ndikuar në kapjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Por kjo çështje u kapërcye. Partia Demokratike nuk vuri një kusht të tillë. Ajo kishte përmbushjen kryesisht të rekomandimit 88, i cili pothuajse u përmbush dhe çdo gjë vajti shumë mirë. Pastaj qeveria teknike, që ka kërkuar zoti Basha, e ka kërkuar prej kohësh, e ka kërkuar prapë dhe do ta kërkojë prapë.

Opozita gjithmonë kërkon zgjedhje të parakohshme. Mbaj mend vitet ‘92-‘96, kur kam qenë në opozitë për herë të parë me Partinë Socialiste, e cila ajo ishte e papërfillshme për sa i takon peshës në Parlament, pasi Partia Demokratike kishte 80% mos më shumë, ne që 6 muajt e parë kërkonim zgjedhje të parakohshme dhe deri në fund nuk u lodhëm së kërkuari zgjedhje të parakohshme.

E keni përmendur këtë: “Ne jemi në një demokraci të pakthyeshme, ata që sot janë në maxhorancë, mund të jenë nesër në opozitë dhe anasjelltas”.

Patjetër, kjo është e vërteta. Pas 26 vjetësh unë besoj se të gjithë duhet të jemi më pak emocionalë, duhet ta vendosim veten tonë edhe në pozitën e kundërshtarit, sepse ndonjëherë kur je në pushtet ndihesh në një pozitë shumë më komode.

Duket sikur do të jesh gjithmonë, aq më tepër ky politikan, me përvojën që kam, që kam qenë në pozita të ndryshme Kryeministër, tre herë Zv.Kryeministër, në opozitë e kështu me radhë. Mendoj se një ftesë për të gjithë për ta parë veten edhe në pozicionin e kundërshtarit, është e mirë dhe na ndihmon për të qenë më realistë dhe më me këmbë në tokë.

Për të dhënë zgjidhje të qëndrueshme për vendin, sepse ato që sot duken si të drejtat e opozitës ose si garanci të opozitës, nesër do të jenë garancitë e tua.

Ju keni qenë në qeveri me z. Berisha deri në vitin 2013, një nga elementet që u fol gjatë për rrëzimin e z. Berisha, e qeverisë së tij ishte arroganca, por koalicioni në të cilin ju jeni, a mendoni se është arrogant? Qeverisja e Ramës është arrogante në opinionin tuaj?

Unë besoj se në përgjithësi ne shqiptarët duhet të jemi më të përmbajtur në administrimin e pushtetit. Edhe unë kam qenë Kryeministër, mund të kem bërë sjellje arrogante apo të forta, që mund të vijnë edhe nga mungesa e eksperiencës dhe nga dëshira një herë për të demonstruar pushtet, sidomos kur opozita kërkon të të provokojë, por besoj se gjithmonë është më e mirë toleranca sesa arroganca, sidomos kur je në pushtet.

Kush mbizotëron në qeverinë “Rama”, sipas opinionit tuaj, sepse atje janë edhe ministrat tuaj, besoj se e bëni një analizë të punës së qeverisë?

Besoj se sot nuk jemi mbledhur për të bërë një analizë të punës së qeverisë…

Në opinionin tuaj si po funksionon…

… dhe nuk mund ta bëj në mënyrë të nxituar. Unë mendoj se qeveria në tërësi përpiqet të përmbushë angazhimet e saj. Unë gjithmonë kam qenë dhe mbetem partizani i vetpërmirësimit çdo ditë, duke filluar me veten time, në detyrën time, apo si politikan në tërësi dhe me gjithë të tjerët.

Ajo që unë besoj se është më e rëndësishme në vendin tonë është të kuptojmë se nuk kemi kaq shumë energji për të harxhuar për konfliktet, që nuk na ndihmojnë t’i zgjidhim çështjet që ndihmojmë vendin dhe qytetarët tanë sot dhe në perspektivë dhe jemi vend shumë i vogël për të qenë në një luftë të pandalshme të vazhdueshme, mjaft të kushtueshme, e cila reflektohet shumë në shoqëri për shkak të politikës, pra nuk është një luftë që vjen nga poshtë, është një luftë që vjen nga lart, nga deklaratat….

Për shembull, një deklaratë që qarkullon në media, ndoshta edhe në portalet që ju përmendët, është që ju nuk jeni dakord apo keni një opinion jo të mirë për punën e z. Tahiri, Ministrit të Brendshëm. Madje portalet shkojnë deri aty që mendojnë se një ndër arsyet e konfliktit midis jush dhe Ramës është pikërisht z. Tahiri...

Unë po të merresha me portale ndoshta nuk do të kisha ardhur fare këtu, në kuptimin që portalet atë histori kanë. Unë kam parë gjëra nga më të çuditshmet. Unë asnjëherë nuk shikoj probleme me individë, përkundrazi kam kohë që mbaj distancë nga raportet me individët. Të gjithë ata që mendojnë se mund të ndërtojnë debate mbi raporte individuale me mua janë të dështuar. Për mua është shumë e rëndësishme të tregohet pjekuri në respektimin e ligjit nga të gjithë dhe në mënyrë të barabartë.

Kemi hyrë në një fazë të re, kemi hyrë në një epokë të re. Në qoftë se duam të jemi vërtet të ndershëm me qytetarët shqiptarë, pra me reformën në drejtësi, kjo do të thotë që të gjithë, nga unë i pari, si Kryetar i Kuvendit, Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe të gjithë të tjerët të japin shembullin e respektit ndaj institucioneve, respektit ndaj ligjit, moskeqpërdorimit të pushtetit për arsye politike, për arsye partiake. Nga kjo nuk janë të imunizuar as ministrat e LSI-së, nuk besoj se janë të imunizuar edhe ministrat e PS-së apo të kujtdo force politike nesër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here