– Ulen të ardhurat dhe pakësohen më tej shpenzimet, ja arsya pse administrata tatimore hidhet në betejë të re me bizneset
Ervin Kaduku
Nuk u desh shumë për të kuptuar se pse pikërisht më 1 gusht rinisi, me një forcë edhe më të madhe, aksioni tatimor për shtrëngimin e mëtejshëm të rripit të biznesit shqiptar. Arsya është performance e dobët e administratës fiskale. Kjo u duk qartë me shifrat e korrigjimit që iu bënë me anë të një akti normative dhe me urgjencë të madhe nga ana e qeverisë zërave kryesorë të buzhetit, dhe që nuk flasin për rishikim në rritje, përkundrazi. Ndryshimet në buxhetin e vitit 2016 kanë reduktuar me 4.4 miliardë leke të ardhurat dhe 3.1 miliarde leke shpenzimet. Ato kanë hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Megjithatë, përfundimisht akti normativ, me të cilin qeveria me urgjencë e futi në fuqi këtë ndryshim buxhetor do të kërkojë miratimin e Kuvend.
Ja te gjitha ndryshimet:
32 milionë euro më pak të ardhura
Qeveria ka shkurtuar me 4.4 miliardë lekë të ardhurat e përgjithshme, përkatësisht përmes:
– Mbajtjes së pandryshuar të nivelit të planifikuar të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, bazuar kjo në performancën e mirë të këtyre administratave, në drejtim të mbledhjes së të ardhurave në zërat përkatës.
-Reduktimit të të ardhurave të pushtetit vendor në masën 2 miliard lek, përkatësisht 300 milion lek taksa mbi pasurinë dhe 1.7 miliard lek taksa vendore.
-Rritjes së nivelit të të ardhurave të fondit për kompensimin e ish-pronarëve me 600 milion lek të, bazuar në performancën e kënaqshme të ALUIZNI-t në procesin e legalizimeve.
-Reflektimit tek të ardhurat jo-tatimore të shtesës prej 1.5 miliard lek, si rezultat i shitjes së frekuencës së kompanisë Vodafone. Si edhe, të reduktimit me 4 miliard lek të zërit të dividendit, si pasojë e mosderdhjes së tij në nivelet e parashikuara.
Reduktohen me 22 mln euro shpenzimet
Përmes aktit normativ qeveria ka reduktuar me 3.1 miliardë lekë shpenzimet e përgjithshme, përkatësisht përmes:
– Reduktimit të zërit “shpenzime personeli” me 1 miliard lek, si pasojë e mosplotësimit të strukturave organike të institucioneve buxhetore me vendet vakante të parashikuara për 6-mujorin e parë 2016.
– Rialokimit të shpenzimeve operative dhe mirëmbajtje me, si rrjedhojë e performancës së ulët të institucioneve buxhetore për këtë zë, gjatë 6-mujorit të parë 2016, që është rezultante e shkurtimit të shpenzimeve, kryesisht administrative, në masën 500 milionë lek dhe rritjes së shpenzimeve të mirëmbajtjes së rrugëve në masën 200 milionë lek (emergjencat e shkaktuara nga përmbytjet, rrëshqitjet etj.)
-Reduktimit të shpenzimeve për fondin e sigurimeve shoqërore të ISSH-së në masën 1.2 miliard lek, përkatësisht: 500 milion lek si pasojë e kursimit ne fondin e parashikuar per indeksimin e pensioneve dhe 700 milion lek nga kursimet e skemës bazë.
– Shtimit me 600 milion lek të Fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, duke konsideruar nivelin minimal të tij në fund të 6-mujorit të parë 2016, si pasojë e përdorimit të tij për arsye të paparashikuara që kanë karakterizuar gjysmën e parë të këtij viti.
– Shtimit me 200 milion lek të fondit kontigjencë, kryesisht për përballimin e vendimeve gjyqësore ndërkombëtare. Nga shuma prej 2 miliardë lekë parashikuar në fillim të vitit, rreth 1 miliardë lekë ishin parashikuar për vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Aktualisht janë përdorur rreth 200 milionë lek, ndërkohë qe ka disa vendime të miratuara tashmë të Gjykatës së Strasburgut.
-Rialokimit të shpenzimeve kapitale, përkatësisht përmes kalimit të një fondi në masën 3.5 miliard lek tek projektet me financim të brendshëm nga ato me financim të huaj, bazuar në performancën e ulët të këtyre të fundit. Si edhe, alokimit të një fondi në masën 1.3 miliard lek për projektet me financim të brendshëm, i cili përkon me 50% të fondit të privatizimit të INSIG sh.a dhe privatizimeve të tjera. Pjesa e mbetur prej 50% e po këtij fondi, shkon për reduktimin e deficitit buxhetor.
-Reduktimit të huamarrjes nga sektori energjetik me 300 milionë leke, që përfaqëson pjesën e papërdorur të huase së dhëne nga buxheti vitin e kaluar.
Aksioni
Administrata tatimore ka zbarkuar sot në terren në një aksion të përqendruar për kuponin tatimor që ka nisur nga zonat turistike. Ashtu siç kishte lajmëruar më parë edhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj kontrollet e tatimoreve kanë nisur nga kryeqendrat e turizmit si, Velipoja, Durrësi, Shëngjini, dhe përgjatë bregdetit të jugut nga Vlora deri në Sarandë.
Sipas verifikimeve nga terreni, tatimoret në këtë aksion janë të shoqëruar edhe nga Policia e Rendit, teksa në zonat turistike ka zbarkuar edhe policia bashkiake për të forcuar kontrollet për taksat vendore. Në foton bashkangjitur një inspektor i tatimeve është duke kontrolluar për leje aktiviteti disa ambulante provizore në shëtitoren buzë plazhit të Shëngjinit.
Subjekt i kontrollit janë të gjitha bizneset, nga ambulantet deri tek baret, restorantet etj. Sipas vëzhgimit të Monitor nga zona e Shëngjinit tatimoret janë duke verifikuar nëse bizneset janë të regjistruar apo ajo dhe nëse kuponët po lëshohen me vlerën reale të shitjes. Bizneset pohojnë se që kur ka nisur sezoni turistik kontrollet e tatimeve nuk kanë reshtur. Grupe të posaçme janë instaluar me kohë në zonat me çmimet më të larta. Bizneset e zonës pohojnë se kur kontrollet e tatimorëve janë individuale, prevalon korrupsioni pasi tatimorët kërkojnë para në dorë kundrejt disa rregullave që bizneset e tezgave nuk i njohin mirë.
Nga një studim i mëparshëm për nivelin e riskut, administrata tatimore ka gjetur se bizneset në sektorin e turizmit kanë nivel të lartë informaliteti. Hotelet dhe restorantet hyjnë në 5 aktivitet me riskun më të lartë të mospagesës së taksave. Dy ditë para fillimit të fushatës, Ministri i Financave Arben Ahmetaj i është drejtuar administratës tatimore dhe inspektoreve të terrenit me një letër të hapur, për pritshmëritë e tij nga kjo fushatë, komunikimin dhe edukimin e sipërmarrjes dhe qytetareve, modestinë dhe profesionalizmin e inspektoreve në terren.
Ligji detyron që Tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të fusin dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor. Këshilli i Ministrave miraton karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale, të sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike, automatike të deklarimeve financiare, të sistemit të komunikimit, procedurën dhe dokumentacionin për miratimin e tyre, kriteret për pajisjen me autorizim të shoqërive, që ofrojnë pajisjet fiskale, si dhe kushtet e heqjes së autorizimit për këto shoqëri.
Ministri i Financave, me udhëzim, miraton procedurën dhe dokumentacionin për miratimin për përdorim të pajisjeve fiskale, elementet e kuponit tatimor, mënyrën e kontrollit dhe kontrollin e pajisjes fiskale, distancën e ruajtjes së kuponit tatimor dhe rregullat për mirëmbajtjen e tyre teknike e të shërbimit.