Historike/ Votohet me 140 vota “drejtësia”, u mbyt “peshkimi”, fitoi konsensusi

0
188

meta

Meta përshëndet arritjen e marrëveshjes: Falenderoj Ramën, Bashën dhe ambasadorët

 

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta përshëndeti dje arritjen e marrëveshjes për Reformën në Drejtësi. Duke falënderuar Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e PD-së, Lulzim Basha dhe Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, Kryetari i Kuvendit theksoi se marrëveshja është shenjë pjekurie dhe bashkimi. Meta bëri thirrje për formalizimin e procesit me votën unanime në Kuvend. “Falenderoj Kryeministrin z. Rama, Kryetarin e PD-së z. Lulzim Basha dhe ambasadorët z. Donald Lu dhe znj. Romana Vlahutin. Marrëveshja është shenjë pjekurie dhe bashkimi. Tashmë të formalizojmë procesin me votën unanime në Kuvend. Mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian”, theksoi kryeparlamentari në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

 

Qëndrimet para votimit

Xhafaj: Drejtësi pa klientelizëm e pa korrupsion Bylykbashi: Pa Venecian drafti do ishte i keq

Mediu: Konsensusi ishte rruga e vetme. Doda: Jemi mësuar me marrëveshjet e natës ku mblidhen 3 koka dhe hanë 3 milionë

 

Gëzim Saliu

 

 

Kreu i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj ju drejtua me një fjalë Kuvendit përpara miratimit të reformës në drejtësi, duke shpjeguar edhe synimet kryesore të kësaj reforme. “Sot rezultatet e angazhimit janë më të prekshme se kurrë. Sot qytetarët dhe partnerët, por edhe skeptikët e reformës, gjejnë të kurorëzuar hapin e parë të rëndësishëm në angazhimin e vendit tonë për të shëruar sistemin e drejtësisë nga klientelizmi, zvarritja e proceseve, mungesa e profesionalizimit, mungesa e eksesit, gjykimet e padrejta, korrupsioni, korporatizmi. Gjithëpërfshirja, transparenca dhe standardet më të mira ndërkombëtare kanë qenë parimet bazë mbi të cilat u ndërtua dhe u realizua ky proces”, tha ai. Sipas tij ky ishte ndër proceset më të mira, nga metodologjia, nga ekspertiza e institucioneve të drejtësisë, procesi i konsultimit publik, kanë qenë urdhër rrëfyes të reformës. “Reforma është konceptuar si një proces që synon jo ndërrim personash në drejtësi, por krijim i mekanizmave të organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë në mënyrë që ai të jetë efikas dhe profesional në shërbim të qytetarëve. Së pari, kontrolli dhe përdorimi politik i sistemit përmes gjyqtarëve dhe prokurorëve të veçantë që janë të korruptuar, të paaftë ose të lidhur me botën e krimit. Së dyti, mungesa e përgjegjmërisë dhe fryma korporatiste në sistemin e drejtësisë. Së treti, korrupsioni në sistemin e drejtësisë dhe paaftësia e sistemit për të reaguar ndaj korrupsionit, mbetet një dukuri negative. Reforma përmes procesit të rivlerësimit përmes procesit të rivlerësimit, kontrollit të pasurisë, lidhjes me botën e krimit, integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe krijimit të strukturave të posaçme antikorrupsion dhe në mbështetje të saj dhe njësisë së posaçme hetimore si Byroja e Hetimit, janë njësi të rëndësishme në këtë proces”.

 

Qëndrimet

 

Gjatë fjalës së tij nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi vlerëson se falë punë së opozitës u arrit një draft shumë i mirë, pasi sipas tij nëse do të ishte për mazhorancën do të miratohej drafti i shtatorit 2015. Ndërsa theksoi se ndryshimet që sjell kjo reformë mund të çojë drejt republike tjetër, Bylykbashi ka falenderuar edhe Komisionin e Venecia, pa kontributin e të cilit, sipas Bylykbashit ky draft do të ishte shumë i keq.

“Sot miratojmë një ndryshim që ndoshta do të çojë drejt një republike tjetër. Me këto ndryshime do t’i japim një drejtësi që u shërben shqiptarëve. Për fat të keq, reforma u pa si një fushëbetejë elektorale. Për mazhorancën do të kishim miratuar draftin e shtatorit, Opozita bëri që të vinim me një draft shumë më të mirë. Pa kontributin e Komisionit të Venecias ky draft do të ishte shumë i keq”, u shpreh deputeti demokrat Oerd Bylykbashi. Para tij e ka marrë fjalën kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i cili vlerësoi arritjen e konsensusit për Reformën në Drejtësi. “Konsensusi rruga e vetme”, theksoi gjatë fjalës së tij kreu i PR, duke shtuar se politika ka qenë fajtore ndër vite për mohimin e një pjesë të të drejtave të qytetarëve -“një pjesë të të drejtave të qytetarëve, ua kemi mohuar ne, politika” u shpreh ai. Në emër të PDIU-së fjalën e mori Mesila Doda e cila nga foltorja e kuvendit i ka pyetur deputetët e pranishëm nëse kanë apo jo frikë që ta votojnë këtë Reformë, duke theksuar se deputetët e PDIU nuk kanë.  “Jemi mësuar me marrëveshjet e natës ku mblidhen 3 koka dhe hanë 3 milionë”, u shpreh më tej deputetja Doda që e vuri theksin tek nevoja për referendum “Ne të PDIU ngulmojmë te referendumi, njerëzit janë zgjedhës e jo dele. Ndërsa ju jeni deputetë dhe jo çobenj.”.

 

dastid-pallaska

Ish-këshilltari në Presidencën e Kosovës

Pallaska: Nga vetingu i gjyqtarëve e prokurorëve mos prisni mrekulli, nuk ndodhi as në Kosovë

 

Ish këshilltari kushtetues në presidencën e Kosovës Dastid Pallaska foli dje për Klan Kosova për reformën në drejtësinë e Shqipërisë ku tha se vetingu nga ndërkombëtarët nuk do sjellë mrekullinë. “Duke i përcjellë nga distanca zhvillimet ‘dramatike’ në Tiranë në lidhje me ‘reformën në drejtësi’, të krijohet përshtypja e gabuar se Shqipëria është në prag të një mrekullie që do t’i zgjidh të gjitha problemet shoqërore. Krejt kjo zhurmë po bëhet për një proces të riemërimit – filtrimit (vetingut) të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilin e kemi kryer në Kosovë nën mbikëqyrje të plotë ndërkombëtare në vitin 2008”. “Se sa pozitiv ka qenë ky proces në Kosovë tregon më së miri fakti se 7 vjet pas këtij procesi u detyruam të krijojmë Gjykatën Speciale me arsyetimin se nuk kemi sistem të drejtësisë në vend”- tha ai. Ndërkohë sipas tij hapi i parë drejt zgjidhjes është të kuptohet se sistemi i drejtësisë nuk ndërtohet me një zgjidhje të vetme dhe magjike, siç po pretendojnë të bëjnë politikanët shqiptarë.  “Ajo që këtyre politikanëve iu duket si sistem funksional i drejtësisë në Amerikë, Gjermani, Francë apo Angli, është rezultat i përpjekjeve të ditëpërditshme të secilit qytetar që duke kërkuar dhe luftuar për të drejtat e veta ligjore vendosin drejtësinë në vend apo së paku e rrisin rrezikun për padrejtësinë”. “Drejtësia ekziston për aq sa ekziston kërkesa për të”- theksoi ai.

 

SALI

Berisha: Arritja e konsensusit historike, PD ka arsye të jetë krenare për kontributin e saj

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi historike arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi, që sipas tij është themelore në 20 vitet e fundit. “Përbën një nga reformat më themelore të 20 viteve të fundit. Demokratët kanë një mijë arsye të jenë krenarë me kontributin historik që dhanë me ndërtimin e një sistemi të ri të drejtësisë të bazuar në parimet më të drejta perëndimore. Kjo është reforma, natyrisht aplikimi saj është produkti. Partia Demokratike arriti objektivat e përcaktuara që në fillim të bazuara në parimin e mos kapjes së sistemit, në parimin e lirive, në parimin e përgjegjësisë para ligjit dhe të pavarësisë. Ndërkohë që Edi Rama e shihte veten se si do të jetë kryegjykatës, kryehetues, kryeprokuror, Xhafaj i drogës e shihte veten se si duhet të ishte superministër, anëtar i Tribunalit Disiplinor, anëtarë i KLGJ-së, anëtarë i KPP-së. Ai ishte bërë si klloçka që i fuste të gjitha institucionet e drejtësisë nën sqetull përveç Edi Ramës”. Në këtë kontekst Berisha theksoi se Sokol Sadushi, që sipas Berishës është civilist pa diskutim i zoti, donte një Gjykatë Administrative ku të ishte kryetar. “Donte t’i ndërtonim Gjykatën e Lartë Administrative ku shkëlqesia e tij të shkëlqente në majë të saj, por këtë shteti nuk ia kishte borxh. Kunatolli, Berberi më i vjetri në Gjykatën Kushtetuese, donte të kapte një institucion me 6 milionë lekë në muaj. Kunati i Fatmir Xhafës. Tvorani, famoz që përvetësoi rrogën e gjykatësit në kundërshtim me të gjitha ligjet e shtetit.Kur t’i zgjedh një lukuni të tillë për të hartuar reformën, ndaj atë ta rrëzon Venecia nen për nen. Opozita, qëndroi e vendosur ndaj çdo lloj presioni, duke mos mbrojtur asgjë tjetër vetëm parimet themelore të ndërtimit të një sistemi drejtësie të standardeve evropiane”. Lidhur me formulën e rënë dakord gjatë konsensusit. Berisha theksoi se,: “Formula e rënë dakord ishte absolutisht formula e diskutuar dhe që mund të pranohej për 5 minuta. Pse nuk u pranua? Sepse duhej që të kushtëzonin kanalet nga do të vinin personat. Sadushi duhet të emëronte dy. Dy të tjerët, dekani i sapozgjedhur i Drejtësisë, një majtist i thekur. Maks Haxhia i njohur për lidhjet e tij të fuqishme me të majtën. Këta duhet të ishin të deleguarit e tyre”.

 

 

rama-e-blushi-p-euml-rplas-euml-n-fort-n-euml-kuvend_hd

Fjalimi në Kuvend

Rama: Reforma do nxjerrë tymin e zi nga pallati i padrejtësisë

 

“Vota e sotme do të çelë siparin e një revolucioni në sistemin e drejtësisë. Ky proces nuk do të ketë as një hap më te lehtë se ajo që arritëm sot”

 

Në fjalën e tij,pak çaste para miratimit të reformës në drejtësi kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo reformë do të nxjerrë tymin e zi nga pallati i padrejtësisë. Kreu I qeverisë u kërkoi ndjesë dhe falenderoi ambasdadorët Lu dhe Vlahutin për angazhimin dhe kontributin e tyre në këtë reformë. “Nëse do të vendosja një ditë të shkruaja një libër kronologjik për historinë e këtij procesi dhe të rreshtoja se ç ‘me kanë parë sytë  e ç ‘më kanë dëgjuar veshët në shqip e anglisht jam i bindur që nuk do gjendej një lexues që do ti besonte. Po nuk besoj se do ta shkruaj këtë libër sepse do të sëkëlldisesin njërzit dhe ndërkombëtarët. Pa këta miq që po na ndjekin nga ballkonet e paramentit kjo ditë nuk do kishte ardhur kurrë.Kjo ditë e sotme votimit konsensual për reformën e vonuar 25 vjet nuk do të kishte ardhur kurrë para se të shuhej më parë fara e një politike të mbrapshtë me 7 koka që jetonte duke sharë apo duke përçarë, që e bëri drejtësinë shesh për përsheshet e veta dhe Shqipërinë e bukur mendon vetëm se ta përdorë padrejtësisht.Miqtë e saj të dashur mendon si t’i manipulojë urtësisht. Popullin tonë të torturuar në shekuj mendon se si ta shtrydhë pashpirtësisht në kutinë e votimit për të siguruar ushqimin e barkut të vet të pangishëm. Ndaj edhe ishte kaq tmerrësisht e vështirë dhe për shumë kënd aq e pamundur të nxirrje nga ky Parlament tymin e bardhë për një reformë që do të nxjerrë tymin e zi nga pallati i padrejtësisë. Prandaj, një falënderim dhe një ndjesë për çdo mik të Shqipërisë, që nga ambasadorët. Posaçërisht ambasadori i SHBA dhe i BE, të cilët e meritojnë një duartrokitje jo vetëm falënderimi por edhe ndjese.E më pas deri tek Presidenti Obama, kancelarja Merkel, Presidenti Hollande, kryeministri Renzi, pa harruar Kerry, komisioneren e Jashtme të BE-së, Mogherini, komisionerin Hahn dhe në fund, miken e shtrenjtë Victoria Nuland,” – tha ai. Rama theksoi se gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar do ti fshijë fshesa e Vetingut. “Vota e sotme do të çelë siparin e një revolucioni në sistemin e drejtësisë. Ky proces nuk do të ketë as një hap më te lehtë se ajo që arritëm sot. I siguroj shqiptarët se gjykatësit e prokurorët e korruptuar do i fshijë fshesa e vetingut  luftë e egër me killerat parellinj të drejtësisë dhe politikës së mbrashtë,” – deklaroi kreu i qeverisë.

 

 

Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke folur gjate nje konference shtypi, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, se nuk ofron asnje zgjidhje per krizen ekonomike ne vend./r/n/r/nLeader of the Democratic Party Lulzim Basha, speaks during a press conference, where has accused Prime Minister Edi Rama, it offers no solution to the economic crisis in the country.

Basha: Truku politik mori fund, Reforma sipas standardeve europiane

 

 “Beteja jonë e ardhshme është për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, bashkë më fundin e korrupsionit në drejtësi të marri fund dhe kjo qeveri”

 

Kryedemokrati Lulzim Basha, i cili ishte i ftuar në Kuvendin e Shqipërisë për të parë miratimin e Reformës në Drejtësi, u shpreh se reforma është një ogur i mirë për një drejtësi të pakorruptueshme. Basha deklaroi se tashmë truku politik mori fund, ndërkohë që tha se tani për demokratët fillon beteja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Reforma në drejtësi që sot u miratua me konsensusin e plotë, paketa kushtetuese që kaloi me votat e deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës është një ogur i mirë për bashkimin e shqiptarëve për drejtësinë e standardit evropian, për drejtësinë e aksesit të barabartë, dhe jo sipas kufirit të vendosur me të padrejtë nga politika.  Kjo është një betejë, e cila nuk duhej të luftohej midis dy palëve, por duhet t’i bashkonte shqiptarët më shumë se një vit më parë. Kjo betejë u imponua sepse u konceptua si një betejë politike. Nga kjo sallë duhet të kishim dale më konsenus 1 vit më parë por kjo beteje u konsiderua politke, dhe në ditën e përmbylljes me sukses ata që nuk e deshën opozitën në këtë proces, që bënë gjithçka për përjashtimin e opozitës. Që u verbuan nga konstatimet e zonjës  Merkel dhe Nuland  që dua ti falenderoj nga zemra për  një reformë të standarteve Europiane dhe atributeve që i dha opozitës ne ishim në betejë në emër të çdo qytarari, që sot janë pakica absolutë në Shqipëri. Ne ishim në këtë betejë për votuesit tanë që sot janë më të shumtë, por edhe për votuesit e qeverisë që sot të cilët janë pakica absolute. Ndërkohë që kriza e varfërisë, korrupsioni gëlon në çdo zyrë të shtetit, shëndetësia është në ditën e saj më të zezë, gjendja e arsimit është një brengë për prindërit shqiptarët, papunësia kap shifrat rekord, qeveria u mundua t’i imponojë një debat pafund shoqërisë shqiptare pikërisht për t’i ikur debateve të vërteta. Duhet të ishte një ditë për bashkim por retorika e helmuar në parlament tregon  se këto janë ditët e fundit të kësaj qeverie, një qeveri e zhytyr në korrupsion të paprecedent në Ballkane cila u detyra të pranojë normat e Venecias, normat amerikane dhe europiane që janë një garanci më shumë. Sot ky truk politik mori fund, reforma në drejtësi dhe vota e PD-së janë realitet, bazuar mbi një draft të aprovuar nga Komisioni i Venecias .Beteja jonë e ardhshme është për zgjedhjet e lira dhe të ndershme bashkë më fundin e korrupsioni në drejtësi të marri fund dhe kjo qeveri. Urime shqiptarëve, jam krenar që isha pjesë e kësaj beteje.” – tha kreu Demokrat.

 

 Miratohet me 140 vota drafti i ndryshimeve kushteuese për reformën në drejtësi

 

Me 140 vota pro parlamenti shqiptar miratoi në orët e para të datës 22 korrik draftin me ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi. “Suksese kësaj reforme historike dhe le të vazhdojë ky konsensus edhe për reforma të tjera”, deklaroi kryeparlamnetari Ilir Meta, pas mbylljes së votimit që u shoqërua me një duartrokitje të gjatë. Pas 18 muajsh negociatash dhe diskutimesh  të ngjeshura për një marrëveshje, pasditen e 21 korrikut poltika shqiptare arriti konsesusin patritik për finalizimin me sukses të reformës në drejtësi.

 

Zbardhet drafti i marrëveshjes, ja si do procedohet për KLGJ e KLP

 

5 nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të përzgjidhen nga një komision prej 5 anëtarësh në Parlament, 3 nga mazhoranca dhe dy nga opozita. Kandidati duhet të marrë 4 vota

 

Klasa politike në vend ka arritur dje konsensusin për reformën në drejtësi, duke përmbyllur edhe dy çështjet e mbetura pezull, ajo për formulën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Varianti final parashikon veting përmes Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili do të jetë një organ rekomandues dhe jo vendimmarrës.  Sipas marrëveshjes së arritur, sistemi vetingut do të ketë për të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Marrëveshja e arritur për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të tjera të drejtësisë është e njëjtë me atë të Vettingut. Kështu, 5 nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të përzgjidhen nga një komision prej 5 anëtarësh në Parlament, 3 nga mazhoranca dhe dy nga opozita. Kandidati duhet të marrë 4 vota. Në qoftë se krijohet ngërç, atëherë përzgjedhja bëhet me short. Aplikimet do të jenë të hapura dhe nuk ka kufizime. Pesë anëtarët e KLGj-së dhe KLP-së përzgjidhen me konsensus. Lista paraqitet në Kuvend dhe duhet të miratohen në bllok me 2/3-t.  Nëse rrezohet, zgjidhen me short. Nëse ONM-ja rekomandon përjashtimin e një kandidati, komisioni me 5 anëtarë vendos të rrezojë rekomandimin minimalisht 4 vota.

 

Reforma në drejtësi, LSI doli garant për ngërçin e fundit

Edhe pse marrëveshja u arrit në orët  e pasditës, një tjetër ngërç u krijua në mbledhje ne Komisionit të Posaçëm ku do të zbardhje marrëveshja e krijuar mes palëve. Ngërçi lidhej me ekspertët që hartuan reformën, të cilat nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve të reja. Opozita ka kërkuar përjashtimin e tyre nga organet e reja, si kriter dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë garant që ky kriter do reflektohet në ligjet organike që do shoqërojnë reformën. 7 ligjet  emergjencës  që shoqërojnë reformën do kalojnë për miratim të enjten e ardhshme.

 

 

auto_beniii1413471244

Blushi: Pavarësisht reformës, parlamenti  ka orët e numëruara

 

Deputeti socialist Ben Blushi e ka quajtur të turpshme atë që ndodhi me negociatat për Reformën në Drejtësi, që fillimisht u njoftua marrëveshja e pastaj mosmarrëveshja. Në një deklaratë për mediat jashtë kuvendit, Blushi ka theksuar se kjo e nxori klasën politike qesharake dhe të papërgjegjshme. “Kjo që po ndodh është qesharake, tregon se kemi një klasë politike të papërgjegjshme dhe është turp që të jesh anëtar i këtij parlamentit, tregon se sa naive dhe sa e papërgatitur është për të drejtuar. Kjo është e papranueshme dhe e turpshme. Rëndësi ka që të kalojë reforma, kam 6 muaj që pres për të votuar, një draft të hyjë në seancë, kam ardhur për të votuar. Klasa politike gjen marrëveshje për të mos u marr vesh, është përçmim te komuniteti ndërkombëtar që u investuan dhe sigurisht te shqiptarët. Parlamenti i ka orët e numëruara”- tha Blushi.

 

 

Kryeparlamentari foli edhe për dorëheqje

Mesazhi i Metës për Lu para se të arrihej marrëveshja: Mos dëgjo fjalët lartë e poshtë

 

Vetëm pak çaste pas nisjes së seancës plenare në mesditë, kryeparlamentari Meta deklaroi se se 20 votat e LSI janë pro reformës, por ai do të ikë nga drejtimi i Kuvendit, pasi nuk mund të pranojë një reformë votuar nën shantazh e me SMS, ndërkohë që duhet të votohej me bindje, për veten dhe partnerët e nderuar. “I kam thënë edhe ambasadorit Lu, të mos dëgjojë lart e poshtë fjalët që thonë se Meta po bën lojë, nuk di të bëj Meta lojë, 20 votat e LSI janë për reformën, por duhet konsensus dhe e vetmja mënyrë është sipas Venecias dhe u kam kërkuar aktorëve, të mblidheshin në mënyrë që të jepnin zgjidhje dhe kjo reformë të ishte votuar.  Të mos shqetësohen amerikanët, asgjë nuk do ndodhë këtu, nuk jemi në ’97-n, unë besoj te përgjegjësia e Ramës ka qenë më konstruktivi në gjithë këtë çështje, ka qenë dakord me SHBA/BE, le të jetë kështu edhe përgjegjësia e Bashës. Nëse PD, Basha, Berisha, Topalli, pas sqarimit të këtyre momenteve nuk duan të votojnë reformën se kanë frikë nga reforma, ne do ta votojmë, unë do ta votoj, do iki nga kryetar Kuvendi, nuk rri nën një kuvend që voton nën shtantazh me SMS një reformë që duhet ta votojë me bindje, për veten dhe partnerët e nderuar. Ata që mendojnë se mund ta votojnë me 94 apo 95 duhet të kuptojnë që konsensusi është i rëndësishëm”- kishte pohuar kreu i Kuvendit. Dhe në fund kërkesa e ripërsëritur e kryeparlamentarit për votim me konsensus të gjerë të draftit me ndryshime kushtetuese për reformën në drejtësi arriti të bëhej realitet me marrëveshjen e pasdites.

 

Braçe: E ardhmja e koalicionit është ndikuar shumë, Rama-Meta të flasin sy më sy

 

Deputeti i PS-së Erion Braçe deklaroi dje se e ardhmja e koalicionit është ndikuar shumë në 4- 5 javët e fundit dhe krerët e dy partive duhet të ulen të diskutojnë hapur pa mbajtur asnjë rezervë sy më sy dhe të vendosin për të ardhmen. Në një intervistë për Ora News socialisti Braçe  deklaroni se,: “E ardhmja e koalicionit është ndikuar shumë në 4 javët e fundit, ka lënë shenjën në mirëqenien e  koalicionit por natyrisht u takon krerëve të dy partive të ulen të diskutojnë hapur pa mbajtur asnjë rezervë sy më sy dhe të vendosin për të ardhmen e këtij koalicioni.  Është i rëndësishëm që ky  diskutim të jetë i hapur u ndershëm dhe i drejtë. Duhet vlerësim i  plotë se çfarë ka ndodhur dhe sa përpara kemi ecur në këto 3 vite dhe në fund fare të merret një vendim i qartë”.

 

 

bejtja

 

Reforma në drejtësi, fitore e tre polaritetit

Nga Andi Bejtja

 

Tani, pas përfundimit me sukses dhe me konsensus të Reformës në Drejtësi po dëgjoj shumë zëra, jo fitoi ky aktor lokal, jo fitoi Lu, jo fitoi Vllahutin, jo fitoi patriotizmi, etj, etj, etj…. Teza me lehtësisht e vërtetueshme dhe që thith më shumë lehtësisht më shumë argumente është kjo: Reforma në Drejtësi në Shqipëri qe fitore e tre polaritetit, trepolaritet që kanë dashur vazhdimisht ta prishin kryesisht interesat e oligarkisë dhe të politikanëve të pangopur nga pushteti, trepolaritet që e kanë anatemuar aq shumë, ndoshta jo sot, por pak më vonë do e kuptojnë dhe do e bekojnë… (Marrë nga FB i autorit)

 

 

armando prenga ne lokalin e kuvendit

Armando Prenga voton reformën në drejtësi

 

Armando Prenga u rikthyer në Kuvend pas disa muajsh. Ai u pa fillimisht dje në ambientet e kafes së Kuvendit, në pritje të fillimit të seancës dhe më pas ai votoi reformën në drejtësi si përfaqësues i mazhorancës, pavarësisht se u përjashtuar nga grupi parlamentar socialist, pas ngjarjes përleshjes me armë pranë komisariatit të Laçit.   Për herë të fundit, deputeti i Kurbinit ka marrë pjesë në një seancë të Kuvendit në shkurt të këtij viti, kur rrezikohej t’i digjej mandati. Prej atëherë, ai nuk ka frekuentuar më punimet e Kuvendit, nisur edhe prej atakimit të vazhdueshëm nga opozita si subjekt i ligjit të dekriminalizimit

 

Itenerari i ditës së reformës

Maratona e Negociatave që sollën marrëveshjen e shumëpritur

 

Ambrozia Meta

 

Politikës shqiptare iu deshën gati 8 orë negociata për të arritur marrëveshjen që shpëtoi konsensusin për reformën në drejtësi. Pas prishjes së kompromisit një ditë më parë, 21 korriku rezultoi një ditë e gjatë tensionesh, diskutimesh dhe ankthi për sistemin e drejtësisë që shqiptarët do të kënë në 30 vitet e ardhshme. Rreth orës 18:00 u bë i ditur lajmi i mirë i arritjes së një marrëveshjeje mes PD – PS – LSI për formulën me të cilët do të zgjidhen 5 anëtarët e këshillit të Lartë Gjyqësor dhe 5 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Liderët politikë pranuan propozimet e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin për zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ dhe KLP të cilët do të kalojnë një Veting  nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe pastaj do të votohen nga Kuvendi me shumicën prej 2/3. Anëtarët që vetohen pasi të bëhen aplikimet do të shkojnë në komisionin 5 anëtarësh, ku 3 prej tyre do jenë të mazhorancës dhe 2 të opozitës.

 

Kronologjia e reformës

 

Rreth orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm, kryeparlamnetari Ilir Meta mblodhi Konferencën e Kryetarëve për të diskutuar mungesën e socialistëve në Komisionin ePosaçëm të Reformës, një natë më para, kur duhet të implementohej marrëveshja. Në Konferencë  u vendos që rekomandimi i Komisionerit Hahn do të implementohej, ndërkohë që palët politike në vend filluan maratonën e negociatave të fundit, për të dakortësuar një formulë në lidhje me mënyrën sesi do të zgjidheshin anëtarët e KLGJ dhe KLP. Pas Konferencës, rreth orës 11:15 Ilir Meta u ul në Karrigen e tij në Parlament dhe theksoi se negociatat do të vazhdojnë në orët në vijim me qëllim arritjen e marrveshjes për një reformë Konsensuale.  Numri një i Kuvendit ftoi Kryeparlamentarin Lulzim Basha të zgjidhë pozicionin e tij me ambasadorin e SHBA – së dhe u shpreh  ndërsa deklaroi votën e LSI – së pro reformës. Kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe lideri I opozitës Lulzim Basha i shoqëruar nga Oerd Bylykbashi mbritën në Kryesinë e Kuvendit në orën 12 të paradites së djeshme, ku se bashku me ambasadoren e BE – së Romana Vlahutin dhe ambasadorin amerikan Donald Lu u ulën në tryezën e negociatave. Në orën 14:00 dy ambasadorët, të cilët për 18 muaj luajtën rolin e negociatorëve hodhën në tryezën propozimin e fundit për zgjidhjen e ngërçit. Kryeministri Edi Rama i cili nuk ishte i pranishëm fizikisht në Kryesinë e Kuvendit, pak minuta pas propozimit me anë të një reagimi, deklaroi se është dakort për çdo propozim. Lideri i të djathtëve Lulzim Basha doli nga Kryesia e Kuvendit për t’ju drejtuar Selisë blu atje ku njoftoi deputetët demokratë për prozimin e ri të ndërkombëtarëve. Pas përfundimit të mbledhjes së grupit në orën 15:10, kryeopozitari Lulzim Basha u rikthye edhe njeherë në kryesinë e Kuvendit  në vazhdën e bisedimeve për konsensus.Ndërkohë në tryezën e negociatave mbrritën edhe kryetari i komisionit të Posaçëm të Reformës Fatmir Xhafaj dhe negociatori i PS- së Engjëll Agaçi. Në orën 18:00, atëherë kur sapo kishin filluar fjalët  e para për arritjen e një marrëveshje të mundshme mes palëve, Lulzim Basha doli nga Kryesia e Kuvendit duke buzëqeshur dhe u tha gazetarëve se negociatat po vijojnë. Pas lajmit për arritjen e konsensusit në orën 18:00 anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi u drejtuan në zyrat e Kryesisë së Kuvendit për të zbardhur ndryshimet e dakortësuara. Në orën 11 e 10 anëtarët e Komisionit të Posaçëm mbritën në Kuvend për të dorëzuar draftin, i cili u dakortësua më herët. Miratimi i reformës, u bë në orët e para të mëngjesit të 22 korrikut, pas 18 muajsh negociatash, përpjekjesh, diskutimesh dhe propozimesh  me 139 vota në parim.

 

ylli-manjani-1

Manjani sqaron procesin e Vetingut: Ja si do bëhet rivlerësimi

 

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shpjegoi dje domethënien e Vetingut, një procedurë e cila ka ngatërruar jo pak opinionin publik në lidhje me reformën në drejtësi. Manjani tha për “opinion” se do shqyrtohet e gjithë pasuria e tyre, si dhe sjellja në raport me detyrën në tre vitet e fundit. “Shqyrtimi i këtyre të dhënave do realizohet nga ky komisione të caktuara, bazë, është një komision bazik që do kryejë procesin e rivlerësimit, që do funksionojë si gjykatë, me trup gjykues, i cili përbëhet nga 12 persona, janë të gjithë shqiptar, mbi këtë strukturë do të jetë një mekanizëm apeli i cili funksionon pranë Gjykatës Kushtetuese, nuk është Gjykatë Kushtetuese, por është pjesë e saj. Për të kontrolluar sistemin do të jenë dy komisionerë publik të cilët janë syri dhe veshi i opinionit publik në gjithë këtë sistem, që janë po shqiptar”, tha ai. Manjani theksoi se e gjithë kjo kakofoni ka ardhur si pasojë e mënyrës se si do zgjidhen këto komisionerët në këtë strukturë edhe tek komisioni i nivelit të parë, edhe tek apeli dhe deri tek komisionerët publik, këtu ndodhi i gjithë ngërçi.

 

 

Donald-Lu

Kërcënimi Dixhital

Ambasadori mesazhe deputetëve: Votoni reformën, ndryshe ka pasoja

 

Diëtn e djeshme kur palët ishin ende në përpjekje për të arritur një kompromis në mënyrë që reforma të kalojë me konsensus, mesazhe kërcënuese erdhën në adresë të disa depuetetëve për pasojat që do të kenë nëse nuk e votojnë reformën . Pas thirrjeve të shpeshta të ambasadorit amerikan Donald Lu ndaj deputetëve të Kuvendit për të votuar në mënyrë individuale reformën, ambasada amerikane i ka ashpërsuar tonet. “…i nderuar zoti…Ne ju presim nesër në selinë e ambasadës deri në ora 12 00 për t’iu informuar për pasojat që do të keni nëse nuk votoni pro reformës në drejtësi. Duke ju falenderuar për bashkëpunimin..,” – thuhet në teksin e mesazhit të ardhur nga ambasada që më pas u bë publike për mediat. Ndërkohë ekzistencën e ketyre mesazheve kërcënuese e pranoi edhe minsitri i Drejtësisë Ylli Manjani, i cili në emisioni  Opinion deklaroi se këto sms janë të papranueshme. “Për fat të keq ka pasur mesazhe të tilla. Dhe ne ndaj duhet të mësojmë nga ky rast. Partitë politike duam apo s’duam ne kanë të drejtë vendimmarrje. Ndaj këto sms janë gjëra të papranueshme,” – deklaroi Ministri Manjani. Ambasadori amerikan disa ditë më parë deklaroi se Ëashingtoni do të japë sanksione të forta dhe afatgjata për ata depuetët e udhëheqës politikë që nuk e votojnë reformën.

 

 

meta-xhafa

Diskutime në Konferencën e Kryetarëve

Prishja e negociatave, tension dhe përplasje. Debati mes Metës, Xhafës, Palokës dhe Vasilit

Meta: Përse nuk e mblodhe Komsionin, Xhafa: Ule zërin, dashuria iku, të rrijë qetësia të paktën

 

Ambrozia Meta

 

Kryeparlamentari Ilir Meta mblodhi  mëngjesin  e djeshmëm Konferencën e Kryetarëve, pasi  socialistët bojkotuan një natë më parë mbledhjen e Komisionit të Posaçëm, ku do të implementohej marrëveshja e arritur me ndërhyrjen e Komsionerit Hahn. Meta tha se Komisioni duhet të ishte mbledhur në mënyrë që të reflektohej marrëveshja . “I kam kërkuar Xhafës që të bëjë mbledhjen e komisionit për të reflektuar marrëveshjen e arritur me ndërkombëtarët por për habi kjo mbledhje nuk është bërë duke sjellë këtë situatë. Xhafa dje ka bërë një deklaratë dhe disa insinuata ndaj duhet te vijë këtu me të gjithë ekspertët që patën kohë të dalin publikisht kur i ftova, sepse historia e telefonit të prishur me reformën nuk mund të bëhet. Kam kërkuar transparencë që në fillim dhe kjo gjë nuk ka ndodhur,” –tha Kryeparlemntari përpara se Fatmir Xhafaj dhe kryetari I grupit palamentar socialist Gramoz Ruçi të vinin në mbledhje. Me tona të ashpra,ai e pyeti kryetarin e Komsionit se përse nuk u mblodh Komisioni i Reformës  një ditë më parë. “ Xhafa kam një pyetje të lutem, pse nuk e ke mbledhur komisionin e Reformës në drejtësi dje, siç të kam thënë për të rakorduar çdo gjë për seancën e sotme, – tha kreu i parlamentit. Ndërkohë Xhafaj i kërkoi kryeparlamentarit të ulë zërin,duke kërkuar qetësi, meqë tashmë dashuria ka ikur. Sociliasti Xhafa deklaroi se Komisioni mblidhet për të shqyrtuar nene dhe ligje, jo letrën e Komisionerit Hahn.” E para njëherë ule zërin. Kam 3 vjet që dëgjoj një parrullë tënden “Me qetësi dhe me dashuri”. Këtu të paktën dashuria ka ikur, por të paktën të rrijë qetësia. . Nuk mblidhet komisioni për të lexuar letrën e komisionarit Hahn, pavarësisht respektit që kemi. Letra e komisionerit Hahn nuk është ligj, marrëveshje, por letër. Komisioni nuk mblidhet për të lexuar letra, por për të shqyrtuar nene, ligje,”  – nënvizoi Xhafa.

 

Qëndrimi

 

Pjesë e diskutimeve është bërë edhe kreu i grupit parlamentar të LSI – së Petrit Vasili, i cili theksoi se kryetari Xhafa duhet të mblidhte komisonin, ndërsa kërkoi edhe prezencën e negociatorëve. “Ky draft përmbante propozime shtesë nga BE dhe zyra e kryeministrit. Xhafa duhet të mblidhte komisionin dhe të diskutohej për tu futur në seancë. Sa u takon ndryshimeve, ky është i negociuar sepse përderisa vjen nga ndërkombëtarët është absolut. Kam pasur rezervë pasi nuk kemi njohur ata që kanë bërë ndryshimet por kemi rënë dakort për t’i hapur rrugë procesit. Ishte produkt negociatorësh.  Negociatorët nuk erdhën. Negociatorët politikë janë shqiptarë. Të huajt asistojnë. Në qoftë se për këtë draft vetingu kishim tre të tillë, kush ishin të tjerët? Pse nuk u thirrën në komision? Të mbronin ndryshimet. Të jepnin ose jo dakordësinë e tyre dhe problemi të mos mbetej për sot që kemi draft apo s’kemi draft,” –  tha Vasili. Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat Edi Palokës, ajo që ka ndodhur ka qenë një hakmarrje e negociatorëve.  ”.  Xhafa tha se komisioni nuk mblidhet për letra por për projektligje. Ne na rezulton e pavërtetë se nuk ka pasur pse të mblidhet komisioni ndërkohë që ne ju pamë dje kur thatë se drafti është miratuar dhe nuk ka nevojë për tjetër. Nuk besoj se kjo është hakmarrje e vogël e juaja, kjo duket hakmarrje midis negociatorëve,” – u shpreh Paloka.

 

 

Debatet në Konferencën e Kryetarëve

 

Ilir Meta: I kam kërkuar Xhafës që të bëjë mbledhjen e komisionit për të reflektuar marrëveshjen e arritur me ndërkombëtarët por për habi kjo mbledhje nuk është bërë duke sjellë këtë situatë. Xhafa dje ka bërë një deklaratë dhe disa insinuata ndaj duhet te vijë këtu me të gjithë ekspertët që patën kohë të dalin publikisht kur i ftova, sepse historia e telefonit të prishur me reformën nuk mund të bëhet. Kam kërkuar transparencë që në fillim dhe kjo gjë nuk ka ndodhur. I bëj thirrje zotit Xhafa të vijë këtu sepse boll janë dëmtuar procedurat parlamentare për këto ndryshime kushtetuese .

Ilir Meta:Xhafa kam një pyetje të lutem, pse nuk e ke mbledhur komisionin e Reformës në drejtësi dje, siç të kam thënë për të rakorduar çdo gjë për seancën e sotme?

Fatmir Xhafaj: E para njëherë ule zërin

Ilir Meta: Jo nuk e ul zërin, sepse nuk dua të toleroj situata të tilla

Fatmir Xhafaj: Kam 3 vjet që dëgjoj një parrullë tënden “Me qetësi dhe me dashuri”. Këtu të paktën dashuria ka ikur, por të paktën të rrijë qetësia

 

Fatmir Xhafaj: E para unë nuk marr urdhëra dhe nuk besoj se do të keni menduar që do të më jepnit urdhër që të mbledh komisionin, por kam dëgjuar me vëmendje cilindo që është në atë karrige të nderuar të Kryetarit të Kuvendit.Komisioni është mbledhur dy ditë para. Nuk mblidhet komisioni për të lexuar letrën e komisionarit Hahn, pavarësisht respektit që kemi. Letra e komisionerit Hahn nuk është ligj, marrëveshje, por letër. Komisioni nuk mblidhet për të lexuar letra, por për të shqyrtuar nene, ligje.  Mua më ka ardhur në mbrëmje një amendament, e përkthyer në një marrëveshje që priste mirëkuptimi e negociatorëve për të qenë e dakortësuar. Unë e kam pritur që ky amendament të kthehej tek komisioni në një normë juridike. Kur vjen kjo normë, unë thërrisja komisionin.A do ishte dakort Kuvendi apo jo, kjo ishte pastaj një çështje që do ta zgjidhë konferenca e kryetarëve.

 

Petrit Vasili: Të gjithë anëtarët e komisionit u njohën me draftin e arritur në kuvend në 11 të darkës. Pëfaqësuesi i OPDAD. Ky draft përmbante propozime shtesë nga BE dhe zyra e kryeministrit. Xhafa duhet të mblidhte komisionin dhe të diskutohej për tu futur në seancë. Sa u takon ndryshimeve, ky është i negociuar sepse përderisa vjen nga ndërkombëtarët është absolut. Kam pasur rezervë pasi nuk kemi njohur ata që kanë bërë ndryshimet por kemi rënë dakort për t’i hapur rrugë procesit. Ne nuk kemi pasur as kërkënd që të mbronte. Ishte produkt negociatorësh.  Negociatorët nuk erdhën. Negociatorët politikë janë shqiptarë. Të huajt asistojnë. Pse nuk u thirrën në komision? Të mbronin ndryshimet. Të jepnin ose jo dakordësinë e tyre dhe problemi të mos mbetej për sot që kemi draft apo s’kemi draft. E kemi të negociuar, po s’është ky negocimi.

 

 

Fatmir Xhafaj: Nëse zt. Vasili me sa kuptova, përkundër që ka shkruar negociatori i tij, dhe natyrisht vendimmarrja është politike. Ashtu sikurse kur kryetari i grupit tim parlamentar më thotë se kjo gjë do të bëhet politikisht, unë e çmoj teknikisht. Është vullneti i tij politik që prevalon. Në këtë rast prevalon vullneti i kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së, dhe vullneti politik është që ky amendament është Ok. Për ne është kthyer përgjigje nga negociatori nga zyra e Kryeministri. Nëse edhe PD është dakord, nëse edhe Konferenca e Kryetarëve është dakord, ta bëjë një procedurë ekstraprocedurale, të futet dhe le të votohet dhe mbyllet diskutimi.

 

Edi Paloka: Këtu vazhdon një teatër absurd. Xhafa tha se komisioni nuk mblidhet për letra por për projektligje. Ne na rezulton e pavërtetë se nuk ka pasur pse të mblidhet komisioni ndërkohë që ne ju pamë dje kur thatë se drafti është miratuar dhe nuk ka nevojë për tjetër. Nuk besoj se kjo është hakmarrje e vogël e juaja, kjo duket hakmarrje midis negociatorëve. Më vjen keq për përgatitjen dhe entuziasmin që treguam pa llogaritur rrëzimin e kësaj. Nuk e kishim llogaritur të prishen mesa natës ato për të cilat ramë dakort ditën. Nuk besoj se data 21 është historike sepse nesër nuk do përmbyset bota. Kemi kohë të mblidhemi dhe të diskutojmë që të sjellim në parlament draftin e duhur.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here