Lëvizjet underground/ Mes riformulimeve dhe varianteve të reja, diskutimet nga formulat e Venecias tek modelet evropiane

0
147

 

Formulat: Secilit deputet i jepet e drejta për të votuar për vetëm një prej pesë kandidatëve ose dhënien ndaj çdo deputeti të një numri të kufizuar të votave (për shembull tre)

 

Gëzim Saliu

 

Edhe pse palët gjenden në një pikë të ngurtë sa i përket gjetjes së konsensusit për reformën në drejtësi, mbeten ende shanse për të arritur dakordësinë mes tyre. Ashtu sic edhe gazeta bëri të ditur dy ditë më parë kjo javë do jetë intensive sa i përket zhvillimeve për reformën në drejtësi, ku rol parësor do të luajnë negociatat underground mes mazhorancës dhe opozitës. Në këto të fundit të përfshirë do jenë jo vetëm ekspertët e draftit me ndryshime kushtetuese, por edhe “zëra” që do vijnë nga zyrat e Uashingtonit, Brukselit, Parlamentit Evropian si edhe Bundestagut gjerman. Negociatat pritet të nisin mbi  formulat e  tjera që janë të përfshira në rekomandimin final të Venecias lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të reja në drejtësi si edhe në  variantet e vendeve me standarde të larta demokracie që sigurojnë përfshirjen substanciale të opozitës në proces. Kreu socialist i komisionit të posaçëm Fatmir Xhafaj deklaroi dje se draftit në këtë pikë është përpunuar dhe do jetë pjesë e negociatave të reja me opozitën. “Kemi një logjikë tjetër që e kemi përpunuar dhe unë besoj se do të jetë pjesë e negociatave intensive këto 3-4 ditë, ku kemi parashikuar që opozita të përfshihet aktivisht e me rol në procesin e përzgjedhjes përmes votimit. Të jetë aktive në procesin e zgjedhjes, të ndikojë në procesin e përzgjedhjes, por pa i veshur X apo Y eksperti kostumin apo pa i dhënë siglën e partisë respektive”. Në këtë formë duket se PS ka bërë një gjysmë tërheqje nga qëndrimi i mëparshëm, por duke ritheksuar refuzimin e qartë për “vendet e rezervuara” . Nuk dihet ende saktësisht nëse ky riformulim prek formulat e tjera që ka dhënë Komisioni i Venecias si formë alternative për zgjidhjen e këtij ngërçi apo adapton një skenar të ngjashëm nga vendet e tjera.

 

Formulat e Venecia

 

Opozita në debatin e saj lidhur me reformën në drejtësi ngul këmbë te zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias i cili thekson se,: “Nëse partitë politike të përfshira në proces nuk bien dakord për shumicën e cilësuar që duhet për zgjedhjen e anëtarëve,  që do të vinë nga jashtë sistemit të drejtësisë, të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), ata mund të zgjedhin një sistem proporcional zgjedhjeje, i cili i garanton opozitës përfaqësimin në këto organe kolektive ose çdo lloj modeli tjetër të përshtatshëm, i cili do t’i siguronte opozitës një ndikim të caktuar në procesin e zgjedhjes së tyre.”. Por sipas socialistëve kërkesa e demokratëve për “vende të rezervuara” është e papranueshme sepse politizon edhe më shumë sistemin e drejtësisë. Megjithëse PD ka mbetur e hapur për të gjetur një zgjidhje brenda rekomandimit 88 të Venecias, duke mos folur vetëm për vendet e rezervuara, PS gjithnjë ka insistuar tek rëndësia e “vetingut” dhe votimi me shumicë 3/5 ose 2/3 i anëtarëve të rinj të institucioneve që krijohen në sistemin e ri të drejtësisë. Lidhur me këtë debat, Komisioni i Venecias në rekomandimin final në në fusnote të pikës 17 jep disa variante të zgjidhjes së çështjes, duke pohuar se mund të gjenden edhe formula të tjera. “Për shembull, në qoftë se secili deputet i jepet e drejta për të votuar për vetëm një prej pesë kandidatëve, që do të sigurojë që opozita, duke u përqendruar votat e tyre për zgjedhjen e një apo dy kandidatë, mund të marrin një përfaqësim brenda KLD, ndërsa pjesa më e madhe do të mbështesë tre kandidatët e mbetur. Ndërsa një skenar i tillë nuk i jep opozitës një fuqi bllokuese brenda KLD, ajo do të ketë siguri”, thuhet në një ndër formulat. Një tjetër që propozon Venecia është ajo sipas së cilës,: “mund të përfshijë dhënien e çdo deputeti një numër të kufizuar të votave (për shembull tre).”. Ndërkohë Venecia thekson se, : “të tjera zgjidhje ndoshta të preferueshme, përfshijnë përdorimin e metodave proporcionale të votimit që kanë si burim përfshirjen e aktorëve të ndryshëm institucionalë apo të vendosjen së marrëdhënieve të reja ndërmjet institucioneve të shtetit. Çdo shtet ka për të hartuar formulën e vet”. Këto janë disa nga formulat që Venecia ka dhënë si mundësi zgjidhje mes palëve nëse nuk arrihet dakordësia mes tyre për emërimet në institucionet e reja kushtetuese që do jenë në themel të reformës në gjyqësor. Nuk dihet nëse do jenë vetëm këto variante apo edhe adaptime nga formulat e shteteve të tjera që do jenë në qendër të negociatave mes palëve. Megjithatë ajo që dihet me siguri në këtë mes është se kjo javë e nxehtë e drejtësisë do rifusë palët në negociata të ethshme që pritet të marrin hovin kulmor të dielën kur në Tiranë mbërrin zv/ sekretarja Amerikane Shtetit për Europën dhe Euro-Azinë Victoria Nuland.

 

 

Kreu socialist i komisionit të posaçëm

Xhafaj: Reformën si e do PD më mirë mos e bëjmë fare, edhe në maxhorancë ka që nuk e duan draftin

 

Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi  Fatmir Xhafaj deklaroi dje prerazi se propozimi i PD-së për “vendet e rezervuara” nuk do pranohet asnjëherë nga pala tjetër. I ftuar  në emisionin “Zululand” të Mustafa Nanos në Tema tv, Xhafaj theksoi se do jetë më mirë që reformë në gjyqësor mos të bëhet fare se sa të kryhet sipas kërkesës së PD. “Jam shumë dakord më mirë të mos bëhet. Pse? Duhet të pranojmë që lidhja e segmenteve të caktuara të gjyqësorit e prokurorisë dhe politikës është ajo që ka sjellë këtë rezultat. Të gjithë analizat të çojnë këtu. Diagnoza është përcaktuar. Nëse do të japësh një medikament që do të mbajë gjallë të njëjtën diagnozë çfarë kuptimi ka që bëre operacionin”, tha ai. Në këtë kontekst ai sqaroi se logjika e Venecias është që kuorumi normal do të ishte 3/5 për ti dhënë mundësi efektive opozitës. “3/5 janë një gjë shumë e vështirë edhe sepse nuk është shumë legjitime me 2/3. Për sa kohë që Presidentin e zgjedh me 71 vota dhe përsa kohë që 2/3 janë kuorume që shërbejnë për të ndryshuar Kushtetutën, nuk është oportune që të zgjedhësh dhe anëtarët e këshillave me këtë kuorum. Por është thënë gjithashtu se meqenëse opozita e do, bëjeni këtë për njëfarë kohe derisa të bjerë shqetësimi që një forcë e caktuar do të kapë pushtetin gjyqësor. Ne i shkuam 2/3. Në momentin që ne shkuam tek 2/3, opozita u kap te kjo pjesa tjetër, propozoi një gjë konkrete që nuk është te neni 88 në vetvete, “vendet e rezervuara””.  Nga ana tjetër kreu i Komisionit të Posaçëm theksoi se ka edhe nga mazhoranca deputetë që do donin mos e votonin reformën në drejtësi, duke i ndarë ato në dy grupe. “Mendoj se ndahen në dy grupe. Grupi i parë është ai më i zakonshmi një lloj skepticizmi për këtë që po ndodh dhe gjithë këtë sakrificë se sa ia vlen që të bëhet. A do ta sjellë dhe bëjë realisht ndryshimin ? Ky është një shqetësim i ligjshëm dhe mendoj se duhet mirëkuptuar. Grupi tjetër janë njerëz të cilët e kuptojnë sistemin si sistem korrupsioni. Pra dje ishin ata, sot jemi ne. Që do të thotë ne mund ta shfrytëzojmë dhe ta përdorim korrupsionin që ofron qeverisja nëse kemi nën kontrollin e rradhës mbi pushtetin gjyqësor apo prokurorinë.  Si e tillë padyshim që nuk mund të mendosh që edhe tek elementë të veçantë të mazhorancës nuk është kjo lloj qasje. Ky lloj këndvështrimi. Por e vërteta është se ka një frymë krejt tjetër në mazhorancë për domosdoshmërinë e reformës, qoftë dhe duke vetsakrifikuar po të jetë e nevojshme. Kjo lloj qasje, kjo lloj filozofie, tek opozita e djeshme, tek mazhoranca e sotme, është e ngulitur dhe për një shkak të një komponenti që është e fortë tek PS, komponenti shtetformues brenda saj është shumë i fortë”. Ndërkaq Xhafaj bëri të ditur se është përpiluar një tjetër variant  i emërimeve në institucionet e reja që pritet të shtrohet në tryezën e bisedimeve me opozitën këto ditë. “Kemi shkuar tek një logjikë tjetër që e kemi përpunuar dhe unë besoj se do të jetë pjesë e negociatave intensive këto 3-4 ditë, ku kemi parashikuar që opozita të përfshihet aktivisht e me rol në procesin e përzgjedhjes përmes votimit. Të jetë aktive në procesin e zgjedhjes, të ndikojë në procesin e përzgjedhjes, por padyshim, pa i veshur X apo Y eksperti kostumin apo pa i dhënë siglën e partisë respektive”, deklaroi Xhafaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here