Precedenti/ Burgu i grave dhe si institucion i sigurisë së lartë, 4 gra apel për ndihmë

0
163

Katër gra të dënuara nga 25 vite burg për vrasje dhe që ndodhen në burgun 325 nuk kanë të njëjtin trajtim si pjesa tjetër e të dënuarave. Ato mbahen në një seksion që quhet i sigurisë së lartë. Nuk përfitojnë ulje dënimi sipas ligjit

Sapo kapërcen portën e hekurt të burgut 325 Tiranë, një tjetër portë të shfaqet përpara. Para saj qëndron një gardian. Teksa e hap portën me kujdes, të jep edhe këshillat se çfarë duhet të mbash me vete në regjimin e brendshëm të grave.  Futesh në oborr. Sërish një port , këtë radhë jo në përmasat e dy të parave. Ato janë aty. Të gjithë me shikim nga ti. Të presin dhe duket se për një moment kanë harrur gjendjen ku ndodhen dhe përse. Për disa moment janë të qeshura. Të gjithë të krehura dhe të rregulluara sipas kushteve të burgut. Janë të moshave të ndryshme. Mes tyre vajza të reja dhe gra në moshë. Të gjitha kanë mbi shpinë një masë dënimi përfundimtare.  Gjatë bisedës me to kupton se të gjitha i janë bindur fatit dhe tashmë nuk kanë çtë bëjnë tjetër vetëm të vuajnë pjesën e dënimit të mbetur. Pjesa më e madhe e tyre janë dënuar për vrasje. Kanë vrarë burrin, nënën, vjehrrën, fëmijë të vegjël. Por pas çdo episodi të rrëfyer me dhimbje ato shprehen të penduara. Mes 60 grave  që vuajnë dënimin në burgun 325  katër prej tyre kanë një tjetër trajtim. Ato janë dënuar me nga 25 vite burg për vrasje. Mbahen në një seksion të veçantë dhe me vendim gjykate u është ndaluar përfitimi i uljes së dënimit me tre muaj  për çdo vit. Ato u shprehen se kanë paraqitur kërkesë në gjykatë, por janë refuzuar. Shprehen se janë të dënuara për të vuajtur dënimin ditë më ditë. Shqetësimin e tyre ia bënë të ditur edhe ministrit të drejtësisë Ylli manjani, i cili ishte i pranishëm në këtë institucion gjatë aktivitetit  me fokus punësimin e grave dhe vajzave në konflikt me ligjin.

 

Çfarë i kërkuan katër gratë ministrit

 

Në emër të katër grave foli njëra prej tyre. Ajo nuk dëshironte të identifikohej me emër. “Zoti ministër. Ne ju falenderojmë që ndodheni këtu tek ne. Por kemi një shqetësim. Jemi katër gra të dënuara me nga 25 vite burg. Qëndrojmë në një sektor të veçantë dhe nuk trajtohemi si gratë e tjera të dënuara. Askush nga ne nuk përfiton ulje dënimi 3 muaj në vit ashtu sikundër e parashikon dhe ligji. Ju lutem të ndërhyni për të rregulluar këtë problem që ne me të vërtetë e kemi shumë shqetësues”, tha njëra ngatë dënuarat me 25 vite burg. I ndodhur në kushte të tilla ministri Manjani u detyrua të kthej edhe një përgjigje. “ Unë do të njihem me rastin tuaj dhe do tu kthej përgjigje zyrtare. Për sa më thatë mendoj se në burgun e grave nuk mund të ketë siguri të lartë dhe siguri të zakonshme. Ky është burg për të gjitha gratë. Megjithatë nëse ligji ju pengon ju që të përfitoni ulje dënimi, ne jemi duke punuar dhe besoj se edhe kjo pikë do të jetë pjesë e këtyre rregullimeve”.  Por ndërsa bisedat vazhdonin një prej grave pati një kërkesë të një tjetër kategorie. Nga mesi i grave ajo u ngrit dhe kërkoi ndryshim të menusë. Dukej se dreka që po përgatitej dhe nga aroma kuptojhej që ishte lakër, nuk i pëlqente më të dënuarave. Ajo tha: “Ju lutem na e hiqni lakrën nga menyja”. Por kjo kërkesë përveç të qeshurave nuk mori asnjë përgjigje.

 

Manjani: Kur një grua ndodhet në burg, nënkuptohet një familje në vështirësi

 

“Kur gjykata jep vendimin dhe rrethanat e jetës të çojnë që të gjendesh i izoluar në një institucion penitenciar, nga mentaliteti shqiptar konsiderohet sikur është një fatkeqësi dhe kur kjo masë aplikohet tek pjesa e grave, sigurisht që është një gjë edhe më e rëndë. Një grua në burg do të thotë një familje në vështirësi. Mirëpo jeta vazhdon dhe nuk ndërpritet tek ai vendim gjykate”. Kështu deklaroigjatë fjalës së tij përpara grave të burgut 325 ministri i drejtësisë Ylli Manjani. Aiishte pjesmarrës në forumin e hapur për punësimin e grave dhe vajzave të dënuara. I pranishëm në këtë forum ishte dhe Ministri i Mirëqënies dhe Rinisë Blendi Klosi.  Gjatë fjalës së tij Manjani deklaroi: “Që të bëjmë të mundur që tregu i punës të jetë konkurues në çdo cep të territorit, ne nuk mund të përjashtojmë institucionet penitenciare. Jam gati të bëj gjithçka që sa më takon dhe në bazë të ligjit që ta lehtësojmë këtë mundësi për ju dhe t’ju krijojmë sa më shumë hapësira që të shijoni punën dhe frutet e saj. E theksoj, jo në mënyrë diskriminuese, meqë ju jeni në një istitucion të izoluar dhe të tjerët jo. Ne jemi për të ruajtuar të njëjtat standarde dhe kushte punësimi që mertion një qenië njërëzore, apo një shtetas i Republikës së Shqipërisë me të drejta të plota. I bëj thirrje çdo sipërmarrësi shqiptar, fasoni etj, që si administrata e burgjeve apo apo edhe Ministria e Drejtësisë, jemi gati të çelim çdo lloj lehtësie që të krijojmë marrëdhënie bashkëpunimi në institucionet penitenciare për ata që dëshirojnë të punojnë. Ne duhet të kryejmë një mision, t’jua bëjmë jetën të dënuarve në Republikën e Shqipërisë sa më të lehtë, me qëllim që të realizohet funksioni i riedukimit. Por nuk ka riedukim pa punësim, integrim dhe pa i konsideruar njerëzit me të drejta ligjore të plota. Nga kjo pikëpamje duam ta përdorim këtë iniciativë sot për ta zhvilluar më tej, jo vetëm në këtë institucion por edhe në të tjera”, u shpreh. Z. Manjani

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here