Ligji i ri për falimentin e ndërmarrjeve, ja çfarë ndryshon

0
361

 Çështjet e falimentit në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë gjatë vitit 2015 pothuajse u trefishuan.

 

Projektligji i ri “Për falimentin” tashmë ka mbërritur në tavolinat e ligjvënësve për t’u diskutuar në komisionet kuvendore. Janë rreth 200 nene që do të përcaktojnë të gjithë zinxhirin nga do të kalojë falimenti. Juristët thonë se ligji duhet të synojë mbajtjen nën kontroll të shpenzimeve të falimentit, të cilat nëse nuk kryhen me përgjegjësi nga gjykata apo administratori i falimentit, mund të mënjanojnë një mundësi riorganizimi duke parashikuar që në nisje një likuidim të sforcuar. Për herë të parë në historinë e legjislacionit për falimentimin që është miratuar pas viteve ’90, në draftin e ri ka disa dispozita që parashikojnë një radhë të posaçme preferimi për shlyerjen e detyrimeve para dhe pas rishpërndarjes.

Çështjet e falimentit në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë gjatë vitit 2015 pothuajse u trefishuan. Statistikat treguan se u regjistruan në total 64 çështje nga rreth 22 që ishin në vitin 2014. Mungesa e gjyqtarëve të specializuar për çështjet e falimentit ishte një ngërç më vete dhe pengonte jo pak trajtimin dhe përfundimin e çështjeve. Për këtë qëllim, për herë të parë, vitin e kaluar u ngrit një seksion i posaçëm për të gjykuar çështjet tregtare dhe të falimentit. Në bashkëpunim edhe me IFC-në (Banka Botërore) u bë e mundur edhe trajtimi i gjyqtarëve. Aktualisht në Gjykatën e Shkallës së Parë po trajtohen çështjet e falimentit për emra të njohur kompanish, si ajo për Kurum, Albania Airlines, Praktiker Albanien, Volalba, Italcrom, Vaporusa-Alb, etj. Ekspertët thonë se janë shumë të pakta çështjet e falimentit që përfundojnë në të gjitha shkallët e gjykimit dhe kjo për shumë arsye. Shpesh procedurat gjyqësore janë të gjata dhe tejkalojnë afatet e përcaktuara në ligj. Në pjesën më të madhe, vonesat janë shkaktuar nga gjykime paralele. Edhe në Apel, afatet kanë qenë të gjata.

Për Ministrinë e Drejtësisë, parimi kryesor i këtij projektligji ka të bëjë me moskrijimin e “shtigjeve” ligjore për të shmangur totalisht detyrimet private, të kontraktuara vullnetarisht. Nga ana tjetër, debitorët të cilët bëjnë (dhe/ose kanë) të ardhura të mjaftueshme për të shlyer kreditorët e tyre, do të pengohen në paraqitjen e një falimentimi në formë likuidimi, apo riorganizimi, edhe pse mund të jetë kjo një alternativë. Detyrimet mund të reduktohen dhe të ristrukturohen për t’i dhënë një shans tjetër biznesit, në arritjen e përfitimeve ekonomike. Në këto kushte, gjykata shihet si garanci e procesit. Ekspertët e ministrisë thonë se në shumicën e juridiksioneve, falimentimi është dhe duhet të jetë i imponuar nga një vendim gjykate. Qëllimi kryesor i zbatimit të procedurave të falimentit është shlyerja, në mënyrë kolektive e detyrimeve të debitorit, nëpërmjet likuidimit të të gjitha pasurive të tij dhe shpërndarjes së të ardhurave.

Kuadri ligjor aktual parashikon si aktorë kryesorë të këtij procesi: subjektin që i nënshtrohet falimentit; administratorit të procedurës falimentuese që caktohet nga gjykata; ekspertin vlerësues të aseteve të biznesit; aktorë të tjerë të interesuar, si dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes së Falimentit. Falimenti konsiderohet si një e drejtë ligjore, që në vetvete përbën një fushë të rëndësishme të së drejtës, një pjesë thelbësore të ekonomisë dhe sistemit financiar në tërësi. Sipas ekspertëve, rregullimi ligjor i marrëdhënieve kreditor-debitor nuk ka vetëm karakter ekonomik, por edhe social, pasi krijon mundësi reale për zgjidhjen e borxheve ndaj kategorive të tilla si familjet me probleme sociale, studentët, buxhetorë, biznes i vogël, etj. Ndër të tjera, kuadri i ri ligjor trajton edhe çështje që lidhen me paaftësinë paguese të subjekteve debitore, si dhe praktikat e ristrukturimit të borxhit, të cilat do të shmangin eliminimin e biznesit dhe do të rimodelojnë strukturën financiare dhe organizative të subjekteve debitore. Megjithatë, ekspertët parashikojnë që projektligji për falimentin do të shoqërohet me shumë diskutime.

 

 Hartuesit: Çfarë ndryshon me ligjin e ri

 

Ka qenë Fondi Monetar Ndërkombëtar që ka asistuar Shqipërinë në hartimin e një strategjie, e cila do të ndihmojë në adresimin e kredive me probleme. Një problem që vazhdon të mbetet shqetësues për ekonominë e vendit tonë. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin prill të këtij viti, niveli i kredive të këqija shkoi sërish në 20%. Por, pavarësisht se në vitin 2015, sistemi bankar fshiu rreth 23 miliardë lekë hua të humbura, kredi të tjera kaluan në këtë kategori. Ndërkombëtarët kanë artikuluar shpesh se niveli i lartë i këtyre kredive në ekonomi tregon sesa të thella janë problemet në sistemin e drejtësisë. Ata kanë sugjeruar që të ndërmerren reforma në të gjitha fushat juridike, si ato në sistemin e taksave, ristrukturimin e borxhit, të zbatimit të borxhit dhe mosaftësinë paguese.

Nga ana e qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë është miratuar edhe plani i masave për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar. Gjithashtu në Kuvend është dorëzuar edhe projektligji për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Civile që kanë të bëjnë me urdhrat e ekzekutimit, vlerësimet e kolateralit, vlerësimet e sendeve të sekuestruara etj.

 

 Ja se cilat janë aspektet e reja dhe që kanë të bëjnë me:

 

 Subjektet që i nënshtrohen falimentit

Projektligji parashikon zgjerimin e diametrit të rrethit të subjekteve, tek të cilët shtrin efektet e veta falimentimi ku përfshihen: personat fizikë (të tillë si individë, konsumatorë apo tregtarë); personat juridikë (të tillë si, personat juridikë privatë dhe publikë, fitimprurës dhe jofitimprurës); si dhe njësitë administrative vendore.

 

 Subjektet monitoruese

Në projektligj sugjerohet që rrethi i subjekteve monitoruese apo që kanë të drejtën që të jenë të mirinformuara lidhur me procedurat e falimentimit të mbetet jo vetëm në kuadrin e AMF-së, të Gjykatës së Falimentimit, të mbikëqyrësit, apo të kujdestarit, (siç është në ligjin ekzistues), por të shtohet edhe roli i Prokurorisë, i Kontrollit të Lartë të Shtetit apo i autoriteteve mbikëqyrëse të sektorëve të ndryshëm me interes publik. Roli i këtyre subjekteve lidhet me marrjen dijeni apo verifikimin e dokumenteve, vendimeve gjyqësore, të planit të riorganizimit, ristrukturimit të borxheve apo të transfertave të tre viteve të fundit të subjektit para falimentimit. Kjo me qëllim shmangien e abuzimit apo mashtrimit me procedurat e falimentimit.

 

Kostot dhe shpenzimet

Lidhur me çështjet e kostove apo të shpenzimeve të falimentimit të cilat figurojnë si një nga pengesat që bllokojnë procedurën kur subjekti ka paaftësi paguese, projektligji parashikon krijimin një depozite garancie për të mbuluar këto shpenzime. Kjo depozitë parashikohet të krijohet si një fond i posaçëm nga subjektet tregtare apo sipërmarrësit pas vitit të tretë të veprimtarisë së tyre dhe depozitohet në bankë në emër të tyre, me kusht që depozituesi rifiton të drejtën e përdorimit të saj në rastin kur e mbyll veprimtarinë e vet me anë të likuidimit. Përjashtimisht, depozita e paaftësisë paguese mund të përdoret me urdhër të Gjykatës së Falimentimit, në fazën e likuidimit të procedurës së falimentimit. Projektligji ka edhe dispozita tranzitore për subjektet që janë në treg pa u rrezikuar nga falimentimi ose për subjekte që janë në prag të këtij procesi apo në procedurat e falimentimit. Veç kësaj, projektligji parashikon një mundësi për një fond publik që do të menaxhohet nga AMF-ja dhe që synon të shmangë bllokimin e procedurave për shkak të dorëheqjes së administratorit apo të refuzimit të detyrës prej tij.

 

 Administratori

Projektligji parashikon një garanci të re për kryerjen e detyrës së administratorit, duke sanksionuar se administratori i falimentimit, para pajisjes me licencë, depoziton në formën e garancisë një shumë monetare. Shuma e depozitës caktohet nga Agjencia Kombëtare e Falimentimit. Krahas administratorit të falimentimit draftligji parashikon edhe rolin e kujdestarit, të kujdestarit të trashëgimisë apo të ekzekutorit të falimentit, të cilët janë subjekte që njihen e trajtohen edhe jashtë procedurës së falimentimit, nga Kodi Civil.

 

Ligji i Procedurave Tatimore

Projektligji parashikon se nga pikëpamja procedurale, ligji i falimentimit do të preferohet si i vetmi ligj që rregullon këtë procedurë në raport me ligjin mbi tatimet dhe taksat. Ky rregullim duhet të shoqërohet me rishikim të legjislacionit mbi tatimet dhe taksat. Në këtë drejtim, projektligji parashikon shfuqizimin e nenit 104, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, i ndryshuar “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

 

Radha e referimit

Një ndryshim rrënjësor në projektligjin e ri të falimentimit, është ai që parashikon se radha e preferimit e parashikuar në nenin 605, të Kodit Civil, nuk është e përshtatshme për t’u përdorur në kontekstin modern të falimentimit. Për këtë arsye, projektligji ka parashikuar detyrimin që përpara se të fillojë shlyerja e pretendimeve të kreditorëve sipas radhës së preferimit, të veçohen fillimisht shpenzimet e procedurës së falimentimit. Pas kësaj, projektligji ka shtuar një nen të ri me një radhë preferimi, ku parashikohet radha e shpërndarjes së pasurisë, duke u nisur fillimisht nga pretendimet e siguruara deri në vlerën e pronës që shërben si garanci.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here